Mateus Frroku: “Më ke lënë kujtime”, e dashurova që në notat e para

 

Këngëtari Mateus Frroku tregon të gjitha detajet e këngës “Më ke lënë kujtime”, me të cilën është prezantuar në Kënga Magjike 2015

Mateus Frroku: “Më ke lënë kujtime”, e dashurova që në notat e para

Intervistoi: Sidorela Lepri

“Më ke lënë kujtime”, është kënga me të cilën ai është prezantuar në Kënga Magjike 2015. Megjithëse kjo nuk është hera e parë që ai është pjesëmarrës në këtë festival, këngëtari Mateus Frroku tregon të gjitha detajet e këngës.
“Në fillim ishte dëshira për të qenë pjesë e festivalit Kënga Magjike, ajo çfarë më ngacmonte më së shumti. Sigurisht që kjo do të realizohej nëse do të kisha vërtet një material muzikor që justifikonte dëshirën time.”, rrëfen këngëtari.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, Mateus flet lidhur me pjesëmarrjen në festivalin “Kënga Magjike”, angazhimin e tij si aktor në teatrin Andon Z.Çajupi, jetën e tij të përditshme dhe planet e ardhshme në karrierë.

“Më ke lënë kujtime” është kënga me të cilën ju merrni pjesë në Kënga Magjike. Na tregoni diçka më shumë lidhur me këngën?

Në fillim ishte dëshira për të qenë pjesë e festivalit Kënga Magjike, ajo çfarë më ngacmonte më së shumti. Sigurisht që kjo do të realizohej nëse do të kisha vërtet një material muzikor që justifikonte dëshirën time. Kështu nisa të kërkoj bashkëpunëtorët e duhur për të realizuar projektin që sot titullohet “Më ke lën Kujtime”, një këngë të cilën u  dashurova që në notat e saj të para.

Cilët janë bashkëpunëtorët e këngës?

Bashkëpunëtorët e mi në këtë projekt janë Kledi Bahiti dhe Rozana Radi. Në të tilla raste falenderimet janë të pashmangshme, por më besoni unë i falenderoj vërtet për çka më dhanë mua në këtë projekt. Kledin e falenderoj për punën shumë profesionale që bëri jo vetëm me këngën, por edhe me mua gjatë gjithë kohës që punuam bashkë dhe njekohësisht Rozanën për punën shpirtërore që bëri në tekstin e saj, me historinë që ndërtoi dhe që i dha jetë melodisë së kompozuar nga Kledi.

Në pjesën më të madhe pas këngëve fshihet edhe një mesazh, pavarësisht mënyrës sesi interpretohet nga publiku. Ka ndonjë mesazh që keni dashur të përcillni me “Më ke lënë kujtime”?

Në çdo rast, kujtimet mbeten. Askush nuk i merr ato nga jeta e njëri-tjetrit. Gjithçka mund të kthehet pas, por kujtimet jo. Nëse dikush të lë kujtime, kjo është një arsye që të paktën të kujtohet për mirë.

Si është pritur deri tani kënga dhe ka ndonjë koment që ju ka mbetur në mendje?

Unë jam i kënaqur pasi shumë njerëz kanë gjetur veten në këtë këngë. Në shumë komente lexoj të thuhet se kjo këngë është në kohën e duhur për disa njerëz, për historitë e tyre të tanishme apo ato të shkuara. Më vjen mirë. Kjo më plotëson dhe më jep shumë adrenalinë.

Kjo nuk është hera e parë që ju merrni pjesë në këtë festival, duke kujtuar pjesëmarrjen tuaj në vitin 2012. Çfarë prisni nga kjo pjesëmarrje?

E kujtoj shpesh herë pjesëmarjen time të atij viti. Ishte hera e parë që unë merrja një trofe në një festival. Një trofe i fituar në saj të një bashkëpunimi me Xhesika Polon dhe producentin Elgit Doda. Padyshim do të ishte bukur nëse përjetoja të njëjtën ndjesi adrenaline si ateherë, edhe këtë vit. Të shpresoj, unë jam gati.

Cili është çmimi më i madh për një këngëtar?

Besoj se rëndësi ka të jesh i vërtetë në muzikën që ti bën dhe në mënyrën se si ke vendosur t’i flasësh publikut. Nëse kjo gjë ndodh sigurisht që ai të do, të pranon.Çmimi më i madh është që të jesh i pranuar dhe i pëlqyer nga publiku. Sigurisht gjithçka vjen pas kësaj.

A vlerësohen sa duket artistët në vendin tonë?

Unë di të them që në Shqipëri ka artistë dhe këngëtarë që në saj të punës dhe vullnetit të tyre të “çmendur” për të bërë diferencën nga të tjerët kanë aritur të vlerësohen nga publiku. Nuk di të jesh në maj të suksesit rastësisht apo pa një rrugëtim pa sakrificë, punë dhe talent të madh. Ka dhe raste të tjera që ndodh e kundërta, por mos harroni një gjë të rëndësishme, janë sezonalë.

Këndoni shpesh në koncerte dhe mbrëmje live. Është e vështirë të këndosh live?

U bë shumë kohë që unë më së shumti investoj dhe jam i pranishëm në muzikën live. Sigurisht që është e lodhshme, por ama mendoj që një këngëtar këtë mision ka. Nuk besoj që ka vlerë të mashtrosh publikun duke kënduar me CD. Një këngëtar këndon, nuk i këndon CD-ja.

Cili është raporti juaj me koncertet përgjithësisht?

Kryesisht jam i angazhuar çdo fundjavë. Këtë vit jam i pranishëm në një ambient të ri,VOX PALACE. Sigurisht nuk ishte i lehtë vendimi për t’u larguar nga Crazy Calvin, lokali ku investova shumë pasion dy vitet e fundit, por ja që ndodh edhe kështu.

Me cilin artist apo artiste do të donit të bashkëpunonit në të ardhmen?

Umë kam bashkëpunuar më parë me Xhesika Polon dhe me legjendarët Fisnikët. Sigurisht bashkëpunimi me ta ishte një kënaqësi e bukur që përjetova në atë kohë. Edhe bashkëpunimi me Xhesika Polon ishte po aq i bukur dhe cilësisht i mirë. Për momentin nuk e di. Kam menduar të sjell disa materiale vetëm. Më pas gjithçka do të jetë e konsultuar edhe në bashkëpunëtorët e mi në muzikë.

 Meqënëse jemi tek muzika, në tregun tonë shohim vazhdimisht shumë prurje. Si e vlerësoni këtë “trend”?

Kjo është normale të ndodhë.

Publiku është tejet kuriozë ti njohë personazhet publike, përtej skenës. Si është Mateus në përditshmërinë e tij?

Kjo është një periudhë e ngarkuar për mua për shkak edhe të angazhimit tim në teatër si aktor. Prej gati 1 muaj punoj në teatrin Andon Z.Çajupi për të ngjitur në skenë një komendi shumë të bukur. Sigurisht më duhet të fle pak, pasi bashkangjitur me provat intesive dhe të gjithë procesin e ngarkuar që kanë ato, më duhet të mbaj në kontakt të gjitha punët e tjera që kryesisht janë në Tiranë. Kjo më bën të udhëtoj shpesh, kryesisht natën. Pak më vonë, sigurisht do të kem pak më shumë kohë të lirë. Do vazhdojë deri diku rutina e përditshme. Zgjimi shumë vonë (afërsisht në drekë), daljet në darkë, puna ne studio, udhëtimet etj.

Përsa i përket jetës tuaj private, keni diçka për të ndarë me publikun?

Nuk i fsheh dot gjërat e mia, pasi nuk mundem. Nuk i fshihem dot asgjëje për aq kohë sa jeta ime është mëse normale, si çdo njeri që ka jetën e tij.

Një filozofi ose moto për jetën?

THINK POSITIVE (Mendo pozitivisht). Kjo është edhe tato në trupin tim.

Dhe së fundmi, planet e ardhshme artistike?

Plane më së shumti nuk bëj, i lë gjërave kohën e tyre. Tani do të fokusohem në maksimum tek Kënga Magjike, deri në fund të këtij kompeticioni, pasi kjo ka më shumë rëndësi. Më pas, gjithçka varet me ndjesitë dhe gjendjen time për të bërë muzikë.

 

 

 

SHKARKO APP