“Maxhoranca kërkon të kthejë juristët e diktaturës”
Intervistoi: Ben Andoni/
Për Ivi Kason, ekspertin kryesor të PD-së, gjendja e propozimeve të bëra nga maxhoranca çon gjithmonë në një Reformë jo të ndershme. Sipas tij, po vinë juristët e diktaturës dhe argumenti është ‘i thjeshtë’: “…shmanget kushti vendimtar i përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe përfshihet kriteri i juristëve me mbi 20 vjet eksperiencë, e thënë ndryshe, juristët e kohës së diktaturës, të lidhur këta pazgjidhshmërisht me sistemin komunist dhe partinë bijë – Partinë Socialiste “.
Dhe, një akuzë tjetër vijon më poshtë, kur vërehet se gjithçka po bëhet në fshehtësi të plotë: “kjo është hera e parë në këto 25 vjet ne Shqipëri, që hartohen ndryshime thelbësore kushtetuese, në fshehtësi të plotë, dhe opozitës parlamentare apo ekspertëve të caktuar prej saj, nuk i jepet asnjë mundësi për të kontribuar në përgatitjen e tyre apo për të dhënë mendim mbi to, edhe pse votimi i amendamenteve kushtetuese në Kuvend kërkon ligjërisht edhe votat e deputetëve të opozitës!”
Prononcime të rënda, por që pak a shumë tregojnë edhe nivelin e bashkëpunimit të dy partive kryesore në vend…
Reforma në Drejtësi duket se do të përcillet sërish me shumë probleme. Ju keni vlerësuar pjesën e cila është realizuar nga të huajt por jo ekspertët vendas e lidhur me maxhorancën me pretendimin se synon kapjen e drejtësisë. Cilat janë anët e errëta sipas jush të draftit të Reformës, që është përgatitur nga maxhoranca?
Kaso: Ne kemi vlerësuar dhe do të vlerësojmë në çdo rast, çdo propozim që ka si synim forcimin e njëkohshëm të pavarësisë dhe të përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor shqiptar, për ta bërë atë lehtësisht të aksesueshëm, të besueshëm nga publiku, pa korrupsion, me integritet të lartë dhe efiçent në dhënien e një drejtësie me cilësi të lartë. Prandaj dhe kemi përshëndetur dhe përkrahur disa propozime të ardhura nga ekspertët ndërkombëtarë.
Mirëpo, nga shqyrtimi në tërësi i ndryshimeve arrihet në konkluzionin se qëllimi i të gjithë paketës së amendimeve kushtetuese është spastrimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve aktualë nëpërmjet procedurave të pezullimit të garancive kushtetuese të palëvishmërisë, mohimit të së drejtës së ankimit, dhe mbi të gjitha të pamundësisë së Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur mbi kushtetueshmërinë e një ligji të tillë.
Testimi qeveritar për njohuritë me provim sipas pikës 3 të nenit 8 të Aneksit, nëpërmjet Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), që përbëhet tërësisht nga komisionerë, të cilët emërohen nga Kuvendi me 84 vota, nuk i shërben luftës ndaj korrupsionit por spastrimit politik në sistemin e drejtësisë. Kjo provohet edhe nga fakti se sipas nenit 4 të Aneksit, nëse personi nën verifikim (për akte të mundshme korruptive) dorëhiqet nga detyra, atëherë vlerësimi pushohet menjëherë.
Spastrimet pasohen nga emërimet e reja në sistem, ku shmanget kushti vendimtar i përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe përfshihet kriteri i juristëve me mbi 20 vjet eksperiencë, e thënë ndryshe, juristët e kohës së diktaturës, të lidhur këta pazgjidhshmërisht me sistemin komunist dhe partinë bijë – Partinë Socialiste.
Të gjitha emërimet që do të kryhen në 10 institucionet e reja që krijohen, bëhen me 84 vota, të cilat zotërohen nga mazhoranca aktuale parlamentare, pas trafikut të deputetëve që e filloi pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 (nga zgjedhjet mazhoranca Rama –Meta kishte vetëm 83 deputetë).
Në të paktën 8 institucionet e reja që krijohen ulet ndjeshëm përbërjen e anëtarëve të gjyqësorit dhe rritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të emëruar nga maxhoranca, duke e kapur të gjithë sistemin e drejtësisë. Institucioni që do të kontrollojë të gjithë sistemin është ILD, me anëtarë të zgjedhur plotësisht nga Kuvendi (maxhoranca parlamentare) dhe që inspektohet nga Ministri i Drejtësisë, i cili ka të drejtë të kërkojë hetimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe anëtarëve të KLGJ, KLP, apo PP.
Eliminimi i të gjithë filtrave që mund të parandalojnë kapjen nga maxhoranca e mbi 84 votave, eliminimin e Institucionit të Presidentit dhe Opozitës parlamentare. Kjo të krijon bindjen se 8 institucionet e reja kushtetutese që kërkohen të krijohen, do të jenë 8 linket që do e kapin dhe e mbajnë drejtësinë nën pushtetin ekzekutiv të maxhorancës. Kapja pa as më të voglin dyshim është armiku më i madh që kërcënon drejtësinë”.
Ku mendoni se mund të fillohej me këtë reformë?
Kaso: Reforma duhet të fillojmë në zgjidhjen e problemit të qytetarëve shqiptarë, për rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë dhe garantimit të dhënies së drejtësisë për to. Për ne është tërësisht e gabuar që reforma të niset nga emra konkret apo nga nevoja për të zëvendësuar disa individë me disa të tjerë. Kjo nuk i shërben qytetarëve, por qeverisë dhe mazhorancës. Reforma duhet të niset nga gjetja e mekanizmave të përshtatshëm që garantojnë përgjegjshmërinë dhe luftën ndaj korrupsionit nga njëra anë, dhe garantimit të pavarësisë dhe rritjes së besimit tek sistemi i drejtësisë.
Dua të theksoj se procesi i realizimit të kësaj reforme duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. Procesi për ne garanton edhe përmbajtjen e reformës. Duhet evidentuar se kjo është hera e parë në këto 25 vjet ne Shqipëri, që hartohen ndryshime thelbësore kushtetuese, në fshehtësi të plotë, dhe opozitës parlamentare apo ekspertëve të caktuar prej saj, nuk i jepet asnjë mundësi për të kontribuar në përgatitjen e tyre apo për të dhënë mendim mbi to, edhe pse votimi i amendamenteve kushtetuese në Kuvend kërkon ligjërisht edhe votat e deputetëve të opozitës!”
Si e shikoni kufizimin e autoritetit të presidentit sa i përket Reformës së Drejtësisë dhe formulën e zgjedhjes së kryeprokurorit?
Kaso: Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Nuk ka asnjë justifikim të ligjshëm për kufizimin e rolit të Presidentit të Republikës në sistemin e drejtësisë, përvec nevojës që ka mazhoranca aktuale për të shmangur Presidentin aktual, të cilin e vlerëson si pengesë për të realizuar qëllimin e saj në kapjen e sistemit të drejtësisë. Në të njëjtën linjë shkon edhe formula e re e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Nëpërmjet kontrollit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, synohet të kontrollohet edhe emërimi i Prokurorit të ri të Përgjithshëm.
Ka një perceptim popullor, se me këtë nivel që është Drejtësia shqiptare ka fare pak shanse për ndryshim. A ekziston infrastruktura e duhur për ta realizuar këtë, sipas jush?
Kaso: Nëse të gjitha palët kanë qëllim serioz për reformimin e sistemit të drejtësisë, mendojmë se infrastruktura e nevojshme ekziston. Mirëpo, nëse ne synojmë në mënyrë tinzare që nëpërmjet reformës, thjeshtë të vendosim kontrollin mbi sistemin e drejtësisë, e sigurt është që jo vetëm nuk kemi mundur të bëjmë reformë, por kemi bërë hapa prapa. Nga drafti që është paraqitur nga maxhoranca është e sigurt se qëllimi nuk është reformimi serioz i sistemit, por kthimi i tij në gjendjen që ka qenë përpara 10 a më shumë viteve”.
Pas shprehjes të Komisionit të Venecias për draftin, a ka gjasa që palët të jenë më konkretë për këtë Reformë?
Kaso: Partia Demokratike deri më tani ka qenë shumë konkrete dhe ka luajtur një rol më shumë se konstruktiv. Ekspertët e opozitës parlamentare paraqitën më datë 21 Shtator 2015 Platformën për Reformën në Drejtësi, me rreth 300 masa, duke i dërguar ato zyrtarisht pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Kjo Platformë përmbante jo vetëm kritikën apo oponencën ndaj masave të propozuara nga maxhoranca, por edhe mbështetjen për zgjidhjet pozitive, disavantazhet e zgjidhjeve të papërshtatshme, dhe alternativën tonë konkrete për reformimin e sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, kërkuam zyrtarisht prane komisionit ad hoc por dhe pranë Misionit OPDAT dhe Euralius që Platforma të analizohej nga ekspertët ndërkombëtarë, të cilët të bënin mbivendosjen midis masave të propozuara nga maxhoranca dhe masave të propozuara nga ana jonë, me qëllim që të identifikoheshin zgjidhjet më të mira për realitetin shqiptar.
Ky ishte një kontribut real dhe konstruktiv i opozitës shqiptare, dhe një tregues i qartë i vullnetit tonë të plotë politik për të marrë pjesë dhe për të qenë aktiv në çdo reformë të kërkuar nga Bashkimi Europian dhe që përshpejton rrugën europiane të Shqipërisë. Mirëpo ky Dokument nuk u morë kurrë në shqyrtim nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar. Ky i fundit nuk realizoi asnjë konsultim publik dhe nuk vlerësoi apo reflektoi në Strategji asnjë mendim të shprehur nga opozita parlamentare, aktorët e sistemit apo grupet e interesit. Pak gjasa ka që kjo të ndodhi pasi Komisioni i Venecias të jap opinionin e tij. Megjithatë, urojmë që pasi të përgatitet Opinioni i Komisionit të Venecias, palët të kenë mundësi të bëjnë diskutime konkrete dhe transparente për gjetjen e zgjidhjeve më të mira për realitetin shqiptar.
Kjo intervistë është pjesë e një cikli intervistash nga BIRN Albania me ekspertë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të përfshirë në procesin e reformës në drejtësi. Ky cikël artikujsh që synon të nxisë informimin dhe debatin publik mbi reformën, mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
BIRN