Milva Ekonomi: Qytetarët do të kenë plazhe publike nga Velipoja deri në Sarandë

Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë bërë që në Shqipëri qytetarë të shumtë përfshi edhe turistë ti drejtohen bregdetit. Por cilat janë sfidat dhe pritshmëritë e turizmit shqiptarë këtë sezon? Në një intervistë për Tema-Online Ministria Milva Ekonomi e cila mbulon edhe turizmin shprehet optimiste në pasjen e një numri më të madh turistësh krahasuar me 2015-tën.

 1-Si e parashikoni të jetë ky sezon i ri turistik për Shqipërinë?

Jo vetëm Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së bashku me Drejtorinë e saj të Përgjithshme të Turizmit e parashikon se do të shkojë më mirë krahasuar me vitet e shkuara, por edhe informacionet që vijnë nga Agjencia Kombëtare e Turizmit apo informacione të tjera që na vijnë nga parashikimet e “World Travel and Tourism Centre”, WTTC përfshi edhe statistikat e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë tregojnë se parashikimet për këtë vit do të jenë për më shumë turistë. Në fakt nga viti në vit numri turistëve në Shqipëri ka ardhur duke u rritur, duke filluar nga viti 2013-të kur numri turistëve arriti në 2.9 milion turistë, në 2014-tën 3.6 milion ndërsa për 2015-tën të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë që kishim 4.1 milion turistë. Numri më i lartë i turistëve vijnë nga Kosova dhe Maqedonia, por ka një prezencë në rritje nga Greqia, Italia dhe Gjermania. Në vitin 2015 u shënua rritje edhe nga turistët amerikanë.  Të dhënat na tregojnë se një turist qëndron mesatarisht 2.75 ditë në vend. Ndërkohë të gjitha përpjekjet e operatorëve turistike  synojnë të shtojnë kohën e qëndrimit të turizmit në Shqipëri.

Ky shtim qëndrimi do të përkthehet në sasi më të mëdha parash të shpenzuara. Që kjo të arrihet do të organizohen  aktivitete të ndryshme në të gjithë vendin tonë. Pra i gjithë sezoni turistik do të  jetë i mbushur me aktivitete të shumëllojshme në zonat bregdetare përgjatë plazheve, zonat tona të trashëgimisë kulturore, atyre të traditës dhe iniciativave që kanë të bëjnë me turizmin rural, ose aktivitete që lidhen me “Slow Food” pa harruar edhe turizmin e aventurës dhe turizmin e errët. Sipas të dhënave të WTTC pritet që kontributi direkt në PBB nga industria e turizmit të rritet nga 6% në 2015-tën në  6,3% në 2016-tën. Kjo rritje do të sjellë 5,500 vende të reja pune.

 2-Çfarë jeni duke bërë si ministri për ta promovuar turizmin shqiptarë?

Turizmi shqiptar po promovohet jo vetëm nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, por edhe nga vetë dëshira e madhe që kanë vetë shqiptarët për të treguar që vendi ynë është i bukur, atraktiv dhe mikpritës. Në promovim janë përfshirë edhe vetë Tour Operatorët në Shqipëri që përpiqen të marrin pjesë në çdo panair që zhvillohet duke paraqitur paketat turistike mbi çfarë ofron vendi ynë. AKT ka bërë të mundur që tur-operatorët shqiptar të jenë pjesëmarrës në disa panaire ndërkombëtare të specializuar për turizmin si ai i Berlinit, Rusisë, Londrës, Parisit dhe ai i Kosovës. Për të promovuar Shqipërinë turistike AKT po promovon atë që quhet FAM Tour duke sjellë gazetarë nga vende të ndryshme të botës në Shqipëri dhe duke u mundësuar atyre një ekspoze mbi Shqipërinë turistike,  me qëllim që ata ta promovojnë në vendin e tyre. Së fundmi kanë ardhur gazetar grek, gjerman dhe japonez. Pjesë e promovimit janë edhe iniciativat rajonale si ajo e “Cross border cooperation in tourism” midis Shqipërisë dhe Greqisë , Shqipërisë dhe Malit të Zi për iniciativa turistike të përbashkëta.

Shqipëria me ndihmën e organizatave ndërkombëtare së bashku me vende të tjera të rajonit po përfshihet edhe në paketa rajonale turistike, kryesisht në ato të ecjes malore dhe të aventurës në natyrë.

 3-Disa ditë më parë qeveria miratoi një vendim hartuar nga ministria që ju drejtoni për rregulloren e plazheve. Përse e ndërmorët këtë vendim dhe kujt i shërben?

Siç edhe e dini, qeveria në mes  të vitit 2014-të ndërmori Reformën Territoriale, ku u rikompozuan bashkitë e vjetra në 61 njësi vendore.  Me krijimin e njësive të reja vendore  u bë edhe një ndarje e re e territorit të plazheve. Gjithashtu në korrik të vitit 2015 qeveria miratoi edhe ligjin për turizmin. Me këto dy akte kërkohet edhe një rregullim më i mirë i territorit dhe stacioneve të plazhit. Territori i plazhit do të menaxhohet nga njësitë vendore dhe brenda tyre do të ngrihen stacionet e plazhit sipas disa standardeve të përcaktuara në këtë rregullore, siç janë ruajtja e kushteve higjienike, sigurisë, pastërtisë  dhe mbrojtjen nga ndotja.

4-Këtë sezon pushuesit do të kenë vetëm plazhe private apo parashikoni të ketë hapësira të dedikuara për plazhe publike pa pagesë?

Dua ti siguroj të gjithë qytetarët se në të gjithë vijën bregdetare nga Velipoja deri në Sarandë do të ketë hapësira të dedikuara ku ata do të mund të pushojnë tërësisht falas si më parë.

Në fakt vendimi i fundit i qeverisë në datë 18.05.2016 e jep qartësisht definicionin që plazhi është pronë ekskluzive e shtetit dhe e hapur për përdorim të lirë publik. Ky vendim përcakton vetëm kushtet e veprimtarisë të “stacionit të plazhit” si dhe kontratë e përdorimit që lidh njësia vendore me privatin dhe jo rregullimin e plazhit publik.

Hapësirat e plazheve publike i garantohen qytetarëve  përmes një vendimi të mëparshëm të qeverisë datë 28.05.2014 “Për sigurinë në det, plazhe, në ujërat e brendshme në thellësi të territorit dha gjatë ushtrimit të sporteve ujore” e përcakton shumë qartë hapësirën e asaj që ne e quajmë “plazh publik” . Në këtë vendim thuhet shprehimisht:   “Çdo njësi e qeverisjes vendore, që ka në përgjegjësi administrimin e territorit të plazhit duhet të lërë në dispozicion për “plazh publik” jo më pak se 20% të territorit të përgjithshëm të plazhit.

Së bashku me grupet e punës do të jem në terren për të parë respektimin e kësaj hapësire prej 20% për “plazhet publike”.

5-Ndërkohë që ju thoni se plazhet do të menaxhohen nga bashkitë lind pyetja kush do ti mbikëqyrë ato në respektimin e kushteve të vendosura në këtë vendim të fundit miratuar posaçërisht për plazhet?

Ju me shumë të drejtë e bëni këtë pyetje pasi është një çështje për të cilën unë pyetem shpesh kohët e fundit. Dua t’ju them se mbikëqyrja e plazheve do të kryhet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut. Agjencia Kombëtare e Bregdetit punon prej vitesh dhe veç të tjerave ka edhe detyrën e krijimit të modelit të një stacioni plazhi sipas llojit të bregut ujor.

SHKARKO APP