Milva Ekonomi: Sfidat e mia, nga dekretet e Nishanit tek Ekonomia

Nga Skënder Minxhozi-  ‘JavaNews.al’

Zonja Ekonomi, si e përjetuat momentin e “ngrirjes” së dekreteve të emërimit nga ana e Kreut të Shtetit?

Nuk kam përjetuar ndonjë emocion të veçantë. Megjithëse kam investuar përgjithësisht për formim profesional në fushën e ekonomisë, kuptova se dekretimi ishte çështje juridike në proces dhe në mos sot, nesër do të bëhej. Ajo çka realisht përjetova ishte jo vonesa në dekretim, por ndjesia e përgjegjësisë së madhe që po merrja mbi vete. Fillova të mendoj sfidat jo të lehta me të cilat do ballafaqohem, se çfarë mund të bëja në detyrën time të re, si mund ta ndihmoja edhe unë procesin e rimëkëmbies dhe konsolidimit të ekonomisë. Këto janë pyetjet të cilat i kam bluajtur në mendjen time këto ditë, realisht nuk kam pasur kohë të mendoj nëse do të dekretohem sot apo nesër.

Si e pritët lajmin e emërimit në një post kaq të rëndësishëm si Ministria e Ekonomisë?
Të jem e sinqertë, e kam pritur me ankth, pasi kuptoj ngarkesën dhe përgjegjësinë që të jep kjo detyrë. U kthjellova menjëherë, pavarësisht se, të themi lajmi ishte në një kuptim “surprizë”. Më kthjelloi pesha e përgjegjësisë dhe detyrës, pesha e angazhimeve dhe sfidave që ka ndërmarrë kjo Qeveri. Nuk mund të mos ndjehem e vlerësuar dhe krenare për besimin që Kryeministri ka treguar ndaj meje duke më besuar këtë Portofol. Por njëkohësisht jam e ndërgjegjshme për sfidën jo të vogël që kam përpara dhe tërësinë e angazhimeve që duhen përmbushur.

Cilat janë prioritetet tuaja si Ministre e Ekonomisë, në një moment kur duket se jo gjithçka është rozë në ekonominë tonë kombëtare?
Vërtet që gjithçka nuk është rozë në ekonominë tonë kombëtare, por në fakt ajo rritet. Në vitin e parë të kësaj qeverisjeje u dyfishua rritja ekonomike. Në vitin që jemi do ta trefishojmë atë. Kjo dëshmon se po ecim të sigurtë në rrugën e konsolidimit ekonomik, i cili për t’u shumëfishuar ka nevojë për energjizim të të gjitha burimeve të mudshme dhe ulje të informalitetit. Krahas rritjes ekonomike, kemi përmirësuar konsolidimin fiskal, duke reduktuar gradualisht defiçitin buxhetor dhe borxhin publik. Kemi arritje premtuese edhe në luftën ndaj ekonomisë informale.

Burimet ekonomike tradicionale të rritjes, të cilat nuk gjenerojnë me zhvillim, gradualisht po i zëvendësojmë me burime të reja të qendrueshme dhe afatgjata. Po punojmë për stimulimin e sektorëve prioritarë si turizmi, bujqësia, manifaktura, energjia etj. Kemi krijuar legjislacion favorizues për investime në sektorë të tillë dhe në mënyrë sistematike po punohet për ta lehtësuar atë.  Pra prioritetet e mia në detyrën e Ministres së Ekonomisë do të jenë të gjitha ato masa, iniciativa dhe aksione që çojnë drejt rritjes ekonomike. Prioritetetet e mia do të jenë ato veprimtari që lehtësojnë dhe nxisin klimën e të bërit biznes në Shqipëri, që e bëjnë vendin tonë atraktiv për thithjen e investimeve të huaja dhe lehtësojnë tregtinë me synim nxitjen e eksportit.

 

SHKARKO APP