“Minoritetet, pjesë e qeverisjes lokale”

 

Kordinatorja Mullaraj: “Komuniteti Europian nxit pjesëmarrjen e minoriteteve në qeverisjen lokale dhe përmirësimin e shërbimeve për to në Bashkinë Përmet”

 Intervistoi: Blerim Kore

“Nxitja dhe promovimi i pjeswmarrjes së minoriteteve në qeverisjen lokale dhe përmirësimi i shërbimeve për ta”, titullohet projekti i cili po implementohet në Bashkinë Përmet falë një granti nga projekti i përbashkët i Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian. Ky projekt synon të rrisë pjesëmarrjen e grupeve të minoriteteve në institucionet vendimmarrëse vendore dhe rajonale, ndërkohë që anëtarët nga komunitetet e pakicave do të trajnohen në lidhje me të drejtat e njeriut dhe ato civile, me qëllim që të kenw një kuptim më të mirë të të drejtave të tyre. Në intervistën e mëposhtme koordinatorja e projektit, Elena Mullaraj sjell disa detaje të zbatimit të tij.

Cili është qëllimi i zbatimit të projektit të KE-së për minoritetet në Bashkinë e Përmetit?

Projekti përfshin një sërë aktivitetesh, sicc janë trajnimet për shërbimet që ofron Bashkia, ndërgjegjësimin për rëndësinë që ka bashkëpunimi me institucionet e Bashkisë, trajnimi për gratë si duhet të jenë aktive në mbrojtje të drejtave të tyre kundër diskriminimit, hapjen e një Zyre të Koordinimit me një specialist përfaqësues të pakicave, i cili do të asistojë në dhënien zgjidhje të problemeve që hasim në të përditshmen e tyre pakicat, etj. Bashkia e Përmetit në këtë iniciativë po mbështetet nga projekti i përbashkët i Bashkimit Europian dhe Këshillit të Eurpës “Promovimi i të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e pakicave në Europën Juglindore”. Objektivi kryesor i projektit është të rrisë pjeswmarrjen e përfaqësuesve të minoriteteve egjyptian, vllah, grek në jetën politike dhe vendimarrjen lokale dhe të përmirësojë ofrimin e shërbimeve për ta në bashkinë Përmet.

Si do të realizohet përfshirja e minoriteteve në vendimmarrjen lokale ?

Përfshirja e minoriteteve në vendimmarrjet e ndryshme në Bashkinë e Përmetit është një prej objektivave të veçantë të këtij projekti. Ky proces do të realizohet nëpërmjet informimit të përfaqësuesve të pakicave dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak rreth të drejtave të njeriut, rritja e rolit të përfaqësuesve të minoriteteve në qeverisjen lokale duke influencuar në mënyrë pozitive në zgjidhjen e problemeve që lidhen me pakicat, krijimi i marrëdhënieve të qëndrueshme ndërmjet Bashkisë Përmet dhe përfaqësuesve të pakicave, inkurajimi i grave përfaqësuese të minoritetit për të marrë pjesë më aktive në qeverisjen lokale dhe shoqërinë civile. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të luajnë edhe dy programe trajnimi për drejtuesit e pakicave, drejtuesit e institucioneve lokale dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në mënyrë që të aftësohen për të zgjidhur problemet që lidhen me diskriminimin, organizimi i një sesioni informative për anëtarët e Këshillit Bashkiakë lidhur me të drejtat e minoriteteve si dhe organizimi i një trajnimi për stafin e Bashkisë lidhur me planifikimin dhe buxhetimin lokal me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pakicave në nivel lokal.

 

Çfarë synon projekti në drejtim të respektimit të të drejtave të minoriteteve në Përmet?

Në këtë drejtim pjesë e këtij projekti është krijimi i Komitetit Civil për Minoritetet si një organ këshillimor për trajtimin e problemeve me të cilat përballen anëtarët e minoriteteve në Bashkinë Përmet, trajnimi i anëtarëve të Komitetit Civil për Minoritetet, organizimi i një sesioni informative ligjor për përfaqësuesit e pakicave me qëllim rritjen e informacionit të tyre për të drejtat e minoriteteve si dhe për luftën kundër diskriminimit. Përgjatë zbatimit të këtij projekti po mundësohet edhe krijimi i pozicionit të Zyrës së Koordinatorit Lokal për Minoritetet pranë Bashkisë Përmet, krijimi dhe mbajtja e një databaze të dhënash lidhur me problematikat me të cilat përballen anëtarët e minoritetit në qytetin e Përmetit, organizimi i një fushate ndërgjegjësimi për pakicat egjyptiane lidhur me dokumentacionin dhe procedurat e nevojshme lidhur me shërbimet mjekësore për të gjitha kategoritë e popullsisë, organizimi i takimeve me komunitetin egjyptian dhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Policisë për të rritur bashkëpunimin dhe për të parandaluar rastet e trafikimit,

Cilat kategori sociale po përfshihen në implementimin e projektit?

Kategoritë sociale që janë përfshirë dhe po përfshihen gjatë zbatimit të projektit janë nga më të ndryshmet. Në këtë kuadër pjesë e projektit është këshillimi i fëmijëve dhe prindërve të nxënësve dhe pakicave egjyptiane rreth të drejtave të fëmijëve dhe detyrimin për arsimimin dhe zhvillimin e fëmijëve, organizimi i një fushate informimi lidhur me përfitimin nga skema e ndihmës ekonomike për personat dhe familjet në nevojë, etj. Një rol të veçantë ky projekt po i kushton edhe përfshirjes së grave nëpërmjet organizimit të trajnimeve për gratë përfaqësuese të pakicave lidhur me të drejtat e parashikuara nga Konventa dhe Karta Europiane të Drejtave të Njeriut. Përgjatë zgjedhjeve lokale ne organizuam edhe një fushatë për informimin dhe pjesëmarrjen në votime të grave përfaqësuese të pakicave në bashkinë e Përmetit duke mundësuar edhe zgjedhjen e njërës prej tyre si anëtare e Këshillit Bashkiakë. Pjesë e projektit është edhe promovimi i vlerave kulturore të traditës së këtyre minoriteteve nëpërmjet organizimit të Ditës Multikulturore me pjesëmarrjen e artistëve popullorë nga minoritetet.

SHKARKO APP