Mishela Rapo: Muzika, streha ime e sigurtë
Intervista/ Flet për “Koha Jonë” Mishela Rapo, përfaqësuesja e Shqipërisë në Junior Eurovison 2015, e cila u rendit në vendin e pestë
Mishela Rapo: Muzika, streha ime e sigurtë
Mishela Rapo përfaqësoi Shqipërinë në Junior Eurovisor 2015 dhe është renditur në vendin e pestë në këtë festival. Ajo përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Dambaje” me muzikë nga Adrian Hila dhe tekst të Pandi Laços. Mishela është një emër i njohur në skenën e muzikës për fëmijë, ku ka marrë pjesë në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, ajo ndan emocionet e fitores në Junior Eurovision, duke shtuar se ishte një ekperiencë ndryshe nga të tjerat.
Më tej, ajo tregon për angazhimet e saj në fushën e muzikës, studimet dhe planet e ardhshme artistike.
Intervistoi: Sidorela Lepri
Mishela, ju përfaqësuat Shqipërinë në Junior Eurovison të mbajtur në Bullgari pak ditë më parë, ku u renditët në vendin e pestë. Si u ndjetë për këtë vlerësim?
U ndjeva jashtëzakonisht shumë mirë . Ishte një eksperiencë ndryshe nga gjithë të tjerat . Unë bëra më të mirën time për të kualifikuar Shqipërinë sa më mirë dhe për të marrë vlerësimet nga ekspertët më të mirë europian, si një vend me muzikë të bukur për fëmijë dhe me fëmijë të talentuar.
E kishit menduar arritjen e një rezultati të tillë?
(Ta them në vesh?) Kisha shumë shumë frikë. Katër vendet si Rusia, Bjellorusia, Ukraina dhe San Marino kishin shumë gjëra të përbashkëta si kompozitorët rus, këngëtarët kishin marrë pjesë në kompeticione të përbashkëta të The Voice dhe kishin një manaxhim perfekt për t’u admiruar. Unë bëra maksimalen . Votimi ju takonte jurive dhe publikut.
Çfarë do të thotë për ju kjo arritje, për më tepër një festival të këtyre përmasave?
Është ëndërr, ëndërr, ëndërr që mbaron kur shkel në atë skenë gjigande dhe nuk e beson akoma që ke qenë ti që e ke përjetuar.
Në gjykimin tuaj, si do ta vlerësonit Junior Eurovision në tërësinë e tij?
Nëse do të analizosh siç unëkam bërëkëto 6 muaj “Junior Eurovision Song Contest” mendoj se këtëvit kishte këngët mëtëbukura tëçdo audicioni tjetër. E them pa modesti, por kënga jonë është shfaqur që në maj dhe ishte kënga e parë e paraqitur, që do të thotë ishte një fillim i mbarë për t’i bërë vendet e tjera që të sillnin këngë të bukura, kështu mendoj unë. Fakti qëkënga jonë këndohej në të gjithë arenën më bën ta besoj këtë gjë. Nuk mund të lë pa theksuar ambientet e mrekullueshme të Arena Armeec , një godinë gjigande e bërë vetëm para 4 vitesh dhe me një arkitekturë vetëm për koncerte të mëdha si ESC apo JESC.
Jeni angazhuar edhe më parë nëfestivale të ndryshme. Çfarë keni dhënë dhe keni marrë prej tyre?
Unë kam kënduar që në moshën 8 vjeç e gjysëm. Kam fituar një fëmijëri jashtëzakonisht të bukur dhe të mbushur me emocion, eksperienca të papërsëritshme, kam fituar bashkëpunëtorë të jashtëzakonshëm, sepse merita ju takon Adrian Hilës dhe Pandi Laços që më kanë suportuar në gjithë këto vite, duke kënduar këngë me mesazhe shumë aktuale dhe jetëgjatë. Kam lidhur miqësi shumë të bukura me këngëtare brenda por më shumë jashtë vendit, nga e mbarë bota si në Australi, USA, Brazil, Filipine . Unë kam marrë pjesë në IFCL Australi dhe më e bukura ishte sepse këngëtarja e Bullgarise erdhi 2 ditë me rradhë të kalonte orë të bukura me mua sepse në kishim dhe shoqëri të përbashkët nga aktivitetet e tjera. Për shembull, Ana Trincer përfaqësuesja e Ukrahinës jo vetëm që ka marrë pjesë me mua në IFLC, por mësuesja e matematikës në kolegjin “Mehmet Akif” ku unë studioj, vjet i ka dhënë mësim dhe Anës në Ukrahinë.
Jeni skeptike ndaj festivale në Shqipëri dhe mënyrës së përzgjedhjes së fituesve?
Festivalet në Shqiperi janë shumë cilësore. Unë nuk harroj kurrë që në Festivalin e Shkodrës, Prof. Kujtim Aliaj na thoshte: Shijoni skenën dhe këndojeni këngën sa më bukur, sepse ky është Festivali i këngës dhe jo The Voice apo Gjeniu ivogël.
Për sa kohe që një këngë e bukur shoqërohet nga një vokal i bukur, për mua suksesi është me vete. Mendoj se ka dhe një sekret tjetër që kompozitorët e anashkalojnë. Adrian Hila kur bën një këngë për mua mundohet t’i bashkangjisë atij krijimi jo vetëm zërin tim, por gjithçka timen, pra gjithçka që unë mund të bëj në skenë përshtatur me tipin dhe natyrën time. Në festival kompozitorët bëjnë këngën dhe pastaj gjejnë fëmijën që do tua këndojë në skenë. Prandaj dhe këngët e kompozuara nga Adrian Hila për mua kanë patur sukses.
Mishela, mund të na tregosh për komentet që të janë bërë personalisht apo që ke dëgjuar, pasi u shpall rezultati i Junior Eurovision?
Drejtuesi i EBU, me të cilin bëra dhe foto në festën e fundit më tha: Je një këngëtare e përsosur dhe për t’u admiruar. Kurse “Syri magjik” siç e quanim ne regjizorin, na tha të gjithë delegacionit: Zëri i Mishelës të ngre lart në qiell si një ëngjëll. Për mua ishte komenti më i bukur në të gjithë jetën time.
Kënga që ti kënduar është cilësuar tepër e arrirë dhe performanca jote, po ashtu. Cilët kanë qenë mbështetësit e tu më të mëdhenj në këtë festival?
Unë kam shumë falenderime, por falenderimi më i madh ju takon Adrian Hilës dhe Pandi Laços, të cilët bënë për mua “Dambaje-në Shqiptare” dhe për gjithë mbështetjen e gjithë këtyre viteve. Nuk mund të lë pa përmendur drejtoreshën e Qendrës Kulturore të fëmijëve në Tiranë, Monika Lubonja, e cila me dashamirësinë dhe punën e saj është një mbështetje shumë e madhe për mua edhe pse arriti ta çojë Festivalin e Fëmijëve të Tiranës në nivele të larta. Një punë gjigande, e cila solli dhe një renditje mjaft të mirë në Junior Eurovizion. Stafin e mrekullueshëm të RTSH me në krye Dhurata Bejzade, një drejtuese e saktë, korrekte dhe këmbëngulëse në kërkesat e saj. Gjithashtu të mrekullueshmen Ketrin Gjocaj, legjendën e RTSH që më ka mbështetur jo vetëm si regjisore por edhe si një psikologe, këshilluese, nënë e dashur dhe shoqe shumë e mirë. Dua të falënderoj shumë persona, të papërtuarin operatorin Shkelzen Sinanaj që me shumë dashuri dhe përkushtim arriti të realizojë skena fantastike në “Junior Eurovision”. “Provideo” drejtuar nga Spiro Nino e cila realizoi mrekullisht videoklipin e këngës “Dambaje”, i komentuar si videoklipi më i goditur në JESC 2015.
Për çfarë studioni tani?
Unë jam futur 5 vjeç e gjysëm në shkollë dhe gjithmonë më është dashur ta them këtë, sepse jam parë nga të tjerët si më e rritur. Kam qenë gjithmonë më e vogla e klasës ndoshta dhe me 2 vite diferencë nga shokët dhe shoqet e klasës. Edhe sot jam me e vogla e kolegjit (qesh). Unë kam studiuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” per 4 vite në kitarë me Prof. Gerti Margaritin dhe piano. Tani jam nxënëse në Kolegjin Turk “Mehmet Akif” të vajzave. Nuk jam shkëputur nga muzika, por mendimi i prindërve të mi dhe i imi ka qenë që të studioj në një shkollë të fortë për t’u formuar në rradhë të parë si qytetare dhe prandaj zgjodhëm kolegjin turk si kolegji me i fortë nga ana akademike dhe me i disiplonuar nga ana e rregullit. Unë jam shumë e kënaqur.
E shihni të ardhmen tuaj në botën e muzikës?
Pa muzikë unë nuk marr dot frymë. Mami dhe babi im e kuptojnë se unë kam diçka që nuk shkon, sapo e shikojnë se unë nuk këndoj nëpër shtëpi dhe bëhen merak. Unë nuk ndahem nga muzika, ashtu si dhe muzika nuk ikën dot nga unë, sepse ka gjetur “një strehë të sigurtë”.
Cilat janë ëndrrat e tua më të mëdha?
Unë e mbylla fëmijërinë time me shumë sukses. Aktiviteti i fundit dhe komentet e të tjerëve në Sofia të Bullgarise për cilësitë e mia artistike më bëjnë më të vendosur për të vazhduar në rrugën e artit, për të përcjellë mesazhe dashurie dhe paqeje për të gjithë.
Dhe së fundmi, angazhimet e afërta në botën e muzikës?
Nëse Kënga Magjike vitin tjetër do bëhet me dt 15 Dhjetor 2016 (atëherë kur unë mbush 16 vjeç) atëhere ju do të keni mundësine të shijoni përsëri një këngë perlë, përsëri nga Adi Hila , Pandi Laço dhe unë. Gjithashtu do të marr pjesë dhe në IFCL e Shqipërisë (Festivali i gjuhes dhe kulturëes organizuar nga kolegjet turke me mesazhe të mëdha për jetën,) dhe IFLC e një shteti tjetër (shpresoj ne Brazil) sepse në Australi kam qenë sivjet.