Monika Kryemadhi e vendosur se kryeministri do largohet para zgjedhjeve vendore

Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për emisionin “Kjo Javë” në News 24

Znj. Kryemadhi e nisim bisedën me shqetësimin për ngërçin me Prokurorinë e vendit. Një shqetësim i madh për ju, për opozitën shqiptarët, por opozita a qenë ajo që ka akuzuar fort Arta Markun në lidhje me gjithçka po ndodh. 11 prokurorët, nisja  procedimit apo hetimit disiplinor ndaj tyre, zhvendosja e Hajdarmataj-t. Çfarë po ndodh?

Normal që mënyra se si u zgjodh Kryeprokurorja do përfundonte këtu. Madje, kur zgjat pak më shumë se c`duhet. Vetë mënyra se si funksionon tashme Prokuroria e Përgjithshme, unë nuk kam asnjë lloj dileme që do shkonim në shkrirje të Prokurorisë së Krimeve të Rënda sepse dhe zgjedhja e saj kishte për qëllim sabotimin e hetimit të dy heshtjeve më të rëndësishme, çështjes Shullazi dhe Saimir Tahiri. Nuk bën asnjë lloj habie për ne të opozitës, duke pasur parasysh që Prokurorja e përgjithshme u zgjodh me 69 vota, ku sipas Kushtetutës dhe ligjit duhet zgjedhur me 84. Nuk ka në Kushtetutë Prokuror  të Përkohshëm, por ka vetëm Prokuror të Përgjithshëm. Nuk ka në Kushtetutë Prokuror që zgjidhet me votat e Parlamentit, por ka Prokuror që zgjidhet me votat e KLP-së. Kështu që , automatikisht ne nuk mendonim se do shkonte kaq larg, por kjo tashme dhe me bekimin e EURALUS-it, i cili nxori atë fletën e famshme që mund të zgjidhet dhe me 36 vota prokurorin e përgjithshëm, tregon që krimi i organizuar i ka shtrirë falangat e tij deri në institucionet ndërkombëtare. Pra, zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme me 69 vota dhe miratimi i kësaj ose imponimi i klasës politike për ta zgjedhur këtë prokurore të përgjithshme me 69 vota, duhet të sqarojë jo vetëm opozitën, por edhe shqiptarët. Ky institucion ndërkombëtar, i cili, në emër të politikës, zgjedh një Prokurore të Përgjithshme dhe imponoi, duke thënë që kjo prokurore do jetë 2-3 muaj, por në fakt  po bëhet muaji i nëntë. Kështu që, për opozitën nuk ishte asnjë lloj dileme, ne ishim të qartë ku do shkonim, por nuk mendonim që papërgjegjshmëria dhe amoraliteti i tyre, do të kalonte deri në këtë fazë saqë nga burgu të futen hallexhinjtë dhe të dalin kriminelët.

Dhe pikërisht PD kërkon pezullimin e Arta Markut, madje procedim penal ndaj saj. Të njëjtën gjë kërkon dhe LSI?

Sigurisht, është dërguar procedim në prokurori nga të dy anëtarët, z. Spaho dhe z. Vasili, por unë nuk e di se kush do ta hetojë znj. Marku. Ne do kemi gjithnjë një vazhdimësi, por ne si opozitë do depozitojmë çdo padi në çdo institucion, pavarësisht se institucionet janë legjitime, duke filluar që nga mungesa e gjykatës Kushtetuese, gjykata e Lartë, Prokuroria e Krimeve të Rënda, e kështu do shkojë hap pas hapi. Mungesa e KLP, KLGJ, SPAK-ut. Pra, vetëm mënyra se si e ndërtoi Edi Rama këtë gjë, nuk solli gjë tjetër vetëm një degradim të kësaj reforme, pra një vdekje të reformës në Drejtësi, në mënyrë të tillë që njerëzit mos të kenë më shanset dhe mundësitë ku të ankimojnë problemet e tyre që kanë sot.

Dosja Shullazi dhe dosja Tahiri, keni prokurorin Hajdarmataj, ku në fakt e kishte pranuar gjithsesi pjesën e Shullazit apo jo, pra transferimin e tij në Pogradec. Sipas informacioneve që ju vijnë si LSI, çfarë dini ju?

Gjuetia e shtrigave ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve ka qenë e jashtëzakonshme, diskriminuese, intimiduese, shantazhuese në mënyrë të tillë që pak nga pak të vendoseshin në një cep dhe në mënyrë të tille të asimilohej pushteti i tyre drejt duarve të qeverisjes së Edi Ramës. Kjo, është shumë e qartë për opozitën, por këto problemi nuk qëndron tek çështja e z. Hajdarmataj sepse ai dhe pse në mënyrë të parregullt, znj. Arta Marku i tha dhe i ngarkoi për të marrë çështjen e Shullazit, ai ia bëri të qartë duke thënë nuk është se i shmangej, por kjo nuk është legjitime. Sot, sipas kushtetues, prokurori i përgjithshëm nuk ka të drejtën e delegimit të çështjeve, të marrë dhe të çojë dosje. Sot, prokurori i përgjithshëm s`ka asgjë faktikisht. Aq më keq Prokurorja e Përkohshme që në njëfarë mënyrë, nuk ka asnjë lloj kompetence për ta bërë sepse tashmë gjërat janë sipas Kushtetutës së re, janë nëpërmjet shortit, janë nëpërmjet mënyrave të tjera të shpërndarjes së dosjeve. Por unë nuk dua të ndalem shumë tek kjo ,por më shumë tek problematika që ka sjellë Reforma ne Drejtësi, e cila kapja e saj nuk solli gjë tjetër veçse një lulëzim të krimit të organizuar. Nuk sjellë gjë tjetër veçse një pasiguri tek shqiptarët dhe vetëm zgjidhje për shqiptarët nuk do ketë sepse ne do kemi zgjidhje për kriminelët, por për shqiptarët që kanë vite të tëra që rropaten  dyerve të gjykatave apo prokurorisë për të zgjidh problemet e çështjet e tyre, nuk kanë për tu zgjidhur asnjëherë. Kjo reformë nuk është bërë për shqiptarët, por ka qenë për politikanët.

Ka pasur një super operacion nga ana e policisë së shtetit, në bashkëpunim, sigurisht znj. Kryemadhi, por a mendoni se është momenti për ta komplimentuar Policinë e Shtetit për këtë super operacion, ku goditet një bandë në veri të vendit..

Ajo çka dua të them është që ne e inkurajojmë dhe e suportojmë Policinë e Shtetit. Nuk suportojmë inkriminimin e policisë së shtetit, por individ të policisë së shtetit, ne i inkurajojmë dhe i suportojmë. Mos të harrojmë që është një aksion shumë i mirë, urojmë që policia vërtet t`i kenë të ndaluar, por dokumentet që ta shoqërojnë, të jenë të sakta në mënyrë të tillë që gjykatat mos t`i lejojnë të dalin nga dyert e burgu, për shkak të mungesës së provave.  Sepse mund të arrestosh dikë dhe nuk asnjë provë dhe e liron siç janë liruar dhe shumë të tjerë. Ose shpresoj të jetë një aksion që siç është në të vërtetë, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, që ka ardhur si rezultat i kërkesës nga partnerët ndërkombëtarë. Dhe po të lexoje dhe sot statusin e ambasadorit të misionit të BE, tregonte hapur që ky ishte një aksion i përbashkët. Pavarësisht nga kjo, nuk është e nevojshme për të thënë çfarë po ndodh dhe si po ndodh, por ajo që është shumë e rëndësishme dua të them është që sa është i lidhur Edi Rama me këtë bande, Ditmir Bushati me këtë bandë? Sa kanë ndikuar këto në zgjedhjet e vitit 2017? Cili është impakti i tyre dhe përfshirja e tyre në të gjithë administratën shtetërore, qarkut të Shkodrës. Sa janë përfshirë këto në institucionet shtetërore dhe deri ku shtrihen falangat e tyre? Pra, nuk është thjesht ideja, kap 10 burra dhe futi në burg, por problemi është network-u i kësaj bande deri ku shtrihet.

Çfarë dini ju për përfshirjen e z. Bushatit, znj Kryemadhi?  

Z.Bushati i ka pasur bodyguard-ët e  tij të përfshirë në fushatë elektorale. E dimë shumë mirë sesi terrorizoheshin njerëzit në Shkodër dhe aq më shumë, kishte bërë dhe z.Paloka një status shumë të lezetshëm meqë 6 muaj kanë qenë në përgjim sa herë ka dalë z.Bushati përgjuar aty por që  mendoj se nuk është thjesht e z.Bushati sesa është më shumë vetë z.Rama ai i cili iu ka lejuar makinën e blinduar, transaksionet bankare, iu ka lejuar shumë gjëra të tjera. Besoj ndoshta mund të mos ti kënë institucionet shqiptare përgjimet e tyre por duhet ti kenë ato ndërkombëtare.

Ju keni besim se do të ndodh një gjë e tillë?

Unë kam besim se ka ndodhur jo se do të ndodhi, sepse nuk mund të fshihet dot, vetë njerëzit që kanë qenë më njerëzit në fjalë nëpër tavolina kanë parë kur ata kanë komunikuar me z.Rama. Nuk ka ndonjë çudi, z.Rama bashkëpuntor të tij këtë kontigjent njerëzish ka. Nuk ka bashkëpunëtor socialistët e vërtetë të cilët i japin vlerë PS dhe qeverisjes së saj. Nuk ka ndonjë çudi në këtë drejtim.

Ju gjithmonë përbëni lajm kudo që shkoni znj.Kryemadhi, madje dhe ato  92 votat që do të shkarkonit z.Meta edhe pse nuk është hera e parë gjithsesi bën shumë bujë.

Pse bën bujë? Pse bashkëshortja kërkon të shkarkojë bashkëshortin?

Si bashkëjetoni politikisht kjo është pyetja…

Sigurisht që politikisht është shumë e vështirë, për hir të së vërtetës nuk diskutohet për politikë, në qoftë se ka ndonjë gjë më shumë se ç’duhet nga ana ime e thënë, ka një lloj indiference mund ta quajmë ose një mëri sadopak për shkak të një deklarate që mund të ketë pak më shumë ose pak më pak. Por nga ana tjetër ka dhe një reagim të fortë nga ana ime ku nëse unë nuk do të jem vetvetja dhe nëse unë nuk do të them atë që mendoj do të jetë shumë e vështirë që njerëzit të besojnë Monikën më pas. Sepse Monika nuk mund të jetë thjesht një Kryetare Partie e cila lexon deklarata të përgatitura me qetësi dhe dashuri por Monika duhet të jetë një kryetare partie që është në opozitë e cila përballon sfida shumë të mëdha. Është një parti e cila ka qenë sandwich gjatë gjithë kësaj periudhe. Ka kaluar momentet më të vështira në historinë e saj mbas kohës së grevës së urisë  në 2008. Kështu që nëse Monika do të ishte më “intelektuale” se ç’duhet jam e bindur që shumë njerëz të LSI-së do të ishin më indiferentë por duke parë që vetë Monikën e kanë si vetja e tyre ajo dhe i motivon ata dhe i bën që të afrohen dhe më shumë në LSI dhe të japin kontribut më të madh.

Edhe çdo mëri do kalohet?

Po dhe po nuk kaloi do kalojë pastaj më vonë…

Duke iu referuar seancave plenare, kur do të ktheheni znj.Kryemadhi? Ishte ligji për Teatrin i cili kaloi..

Nuk ka kaluar ligji për Teatrin.

Pritet Presidenti?

Jo, është qesharake, edhe Presidenti sepse çfarë ka ndodhur? Në momentin që ata kanë pranuar dekretin e Presidentit automatikisht ligji bie. Pra qeveria duhet të sjellë një ligj të ri me rekomandimet e Presidentit. Nuk mund të amendosh dekretin e Presidentit por mesa duket logjika ka humbur totalisht në grupin socialist dhe në ato pak juristë që kanë mbetur. Nga juristë që kanë qenë, profesor të nderuar tashmë janë kthyer në jeniçerë të një grupi të caktuar hajdutësh të cilët nuk përfaqësojnë më asgjë tjetër. Dhe ata duhet të sjellin një ligj  të ri për këtë gjë. Kështu që çdo lloj gjëje që mund të bëjnë është e paligjshme. Sot ai mendon se kontrollon policinë prokurorinë dhe gjykatën por nuk do të jetë e përjetshme kjo gjë dhe ka hapa të tjerë. Përsa i përket rikthimit në Parlament, nuk ka ik opozita nga Parlamenti, ka ik Rilindja nga Parlamenti. Opozita është me njerëzit. Ne përfaqësojmë mandatet e qytetarëve. Janë mandate gjaku, djerse, janë mandate që i kanë marrë deputetët tanë përballë kriminelëve si këta që arrestohen sot dhe shumë e shumë të tjerë që janë në kërkim dhe janë larguar. Ose janë njoftuar që të largohen. Pra mandate që janë më të forta dhe më solide se mandatet e mazhorancës. Por mazhoranca nuk ka bërë gjë tjetër vetëm e ka kthyer Parlamentin në një kuvli ose teatër kukullash që njëra është më e vjetër se tjetra.

Pra ky revolucioni që do të niste në shtator i opozitës ju thoni se tashmë ka nisur apo jo? 

Absolutisht që ka nisur, do të ndiqen hapat  hap pas hapi. Mos të harrojmë që kemi një propozim të opozitës që është Vettingu në politikë. Ku z.Rama automatikisht nuk e pranoi sepse ka dy vjet që bërtet Vettingu por doli që ky njeri që bërtiste më shumë për Vettingun ishte njeriu që duhej vetuar i pari. Sepse ne bëjmë Vetting për policët, për gjyqtarët, për prokurorët po për politikanët pse nuk e bën Vettingun? Në fakt pjesa më e madhe e politikanëve e kanë kaluar Vettingun por i vetmi njëri që se ka kaluar është Edi Rama.Edi Rama dhe personazhet e tij. Dhe Vettingu për politikanët duhet bërë institucional. Nuk mudn të jetë Vetting i bërë sipas dëshirave të Edi Ramës apo segmenteve të Edi Ramës. Ka një vendim qeverie që njofton bankën e Shqipërisë dhe banka e Shqipërisë njofton gjithë bankat e nivelit të dytë ku është një listë me 400 emra. 380 e ca emra janë personazhe të opozitës dhe familjarëve të tyre. Pra është Monika, vëllai i Monikës, nusja e vëllait të Monikës, Mond Haxhinasto, vëllai i Haxhinastos, Tit Vasili, Kejdi Mehmetaj etj. Pra nëse ne do të bëjmë një transaksion në bankë ne duhet të plotësojmë një formular për pastrim parash. Dhe në këtë listë nuk është vëllai i Edi Ramës dhe as gruaja e Edi Ramës asnjë familjar I tij. Kush është Edi Rama që bën këtë listë me 400 emra. Ça përfaqëson Edi Rama sepse jam shumë dakord që ti mund të fusësh në një listë të gjithë deputetët dhe familjarët e deputetëve.Po Edi Rama nuk është deputet? Arben Ahmetaj nuk është deputet? Mirela Kumbaro, Senida Mesi nuk janë deputete? Pse këta nuk janë në listë? Dhe nuk flet njeri për këtë që është shumë e rëndë, shumë e turpshme por dhe kriminale. Ka pafundësisht skandale të cilat janë të panumërta në të gjithë jetën e tij si kryeministër, që ndoshta mendon se do të jetë kryeministër I përjetshëm. Edhe Enver Hoxha nuk ishte i përjetshëm.

Si do të largohet Edi Rama nga pushteti dhe kam parasysh dhe një thënie të z.Berisha, a bashkoheni dhe ju me thënien e tij që me Ramën në pushtet pas kryeministër asnjëherë nuk do të ndërrohet pushteti?

Prandaj dhe ka nisur aksioni opozitar hap pas hapi, mos të harrojmë që sot kemi mbi 500 mijë shqiptarë më pak, të cilët kryesisht janë forcë opozitare ata që kanë ikur për shkak të ekonomisë.Mos të harrojmë që në anën tjetër kemi një polici të inkriminuar dhe kemi një shtet të inkriminuar i cili është në zinxhir me bandat, krimin e organizuar dhe me grupet e interesit. Kështu që aksioni i opozitës është të fillojë me Vetting-un, pra hapja e një sesioni me Vetting-un e politikës. është paraqitur dhe do të paraqitet platforma për sa i përket Vetting-ut të oligarkëve. Pra të gjithë këta oligarkë të cilët marrin paratë e buxhetit të shtetit, ku i kanë marrë paratë e tjera, ku i investojnë, si injektohen paratë etj etj, duke pasur parasysh që paratë e drogës dhe të gjithë këtij trafiku droge i cili funksionon dhe transportohet në Shqipëri injektohet në ekonominë shqiptare nëpërmjet oligarkëve. ky është hapi i dytë dhe më pas do të jenë edhe hapat e tjerë. Sigurisht që ne duam të qëndrojmë sadopak enigmatikë për shkak të situatës dhe për shkak të presionit dhe kërcënimeve që bëhen qofshin këto politike por kanë qenë edhe kërcënime jetësore për individë dhe njerëz të caktuar.

Dua t’iu pyes pak për zgjedhjet. Nuk na ndajnë shumë nga zgjedhjet. A ka një linjë sesi do të shkojë në  këto zgjedhje Lëvizja Socialiste për Integrim?

Ne jemi shumë të qartë. E gjithë opozita e bashkuar që tashmë është bërë një mazhorancë numerike. Të mos harrojmë kemi një mazhorancë numerike po të mblidhen votat e të gjithë partive, të PD, LSI, PDIU, është maxhorancë numerike, pra Edi Rama është në minorancë. Kjo maxhorancë numerike e cila tashmë po konsolidon strukturën e saj si një front i bashkuar opozitar kundër qeverisë së krimit, po përgatitet për fushatën e zgjedhjeve lokale. Këto zgjedhje kanë të bëjnë qoftë me listat për këshilltarë, qoftë dhe me kandidatët fitues për bashkitë e Shqipërisë. Është shumë herët për të folur për to sepse ka gjëra të tjera më të rëndësishme deri në përgatitjen e zgjedhjeve lokale. Kështu që gjërat do të vijnë hap pas hapi dhe njëra pas tjetrës. LSI-ja, dhe një nga arsyet pse jemi në takimet me strukturat e partisë, kjo ka qenë për shkak të funksionimit, lëvizjes, zgjimit dhe ndezjes së motorëve të strukturave të partisë, gjë që e kanë filluar të gjitha partitë e tjera të opozitës, qoftë Partia Demokratike, qoftë PDIU-ja dhe Partia Republikane e të tjerat.

Sa bashki pretendoni ju si Lëvizje Socialiste për Integrim?

Unë nuk mendoj që këtu ka të bëjë ndarja e bashkive sot. Ne nuk jemi në një situatë normale, pra që jemi në një koalicion normal dhe kemi përballë një kundërshtar që luan me rregullat e lojës dhe të demokracisë. Ne sot jemi në një situatë anormale. Sot nuk  diskutohet më çfarë do marrë LSI-ja, çfarë do marrë PD-ja apo PDIU-ja. Jo ka një gjë tjetër. Sot është shumë e rëndësishme që opozita duhet të kërkojë largimin përfundimtar të kësaj qeverie e cila është bërë mjaft e rrezikshme, jo vetëm për demokracinë në Shqipëri por është bërë e rrezikshme edhe për shqiptarët. Dhe po kthehet dhe në një element shumë të rrezikshëm edhe për rajonin dhe Europën. Prandaj dhe çështja e zgjedhjeve lokale ose ndarja e tortës elektorale po themi, për ne nuk ka fare rëndësi. Për ne ka rëndësi të kryhen zgjedhje të lira dhe të ndershme, të jetë numërimi i votës i saktë, të mos ketë shit blerje të votës dhe të mos ketë intimidim dhe deformim të votës. Për ne kjo është e rëndësishme. Pastaj pjesa tjetër janë qytetarët ata që e marrin përfitimin drejtpërdrejt nëpërmjet kandidatëve. Këtu pastaj është grupi i punës i cili përgatit kandidatët të cilët duhet të jenë kandidatë fitues. Unë mendoj që në këto kushte që është sot jeta politike shqiptare nuk kemi nevojë për kandidatë politikë me flamur, por kemi nevojë për kandidatë të mirë, kandidatë që i japin njerëzve dhe qytetarëve besim edhe siguri për të ardhmen.

Pra për ta kuptuar qartë, opozita do të hyjë në zgjedhje me Ramën kryeministër?

Kjo s’ka rëndësi sepse unë kam përshtypjen që Rama nuk do rezistojë dot deri për zgjedhje.

Në qershor…

Po, jam e bindur.

Po si do të iki?

Ka mënyra nga më të ndryshmet për të ikur. Ne se dimë se çfarë i ndodh Ramës. Rama edhe mund të çmendet sot, në fakt i çmendur është, por mund të kthjellohet nga çmenduria e tij dhe thotë që largohem. Me gjithë ato zullume që ka bërë ai, e vetmja zgjidhje është ajo.

Do të jetë kusht largimi i tij edhe nëse nuk ndodh kjo?

Po nuk është problemi për të qenë kusht largimi i tij. Sepse unë nuk mendoj që duhet të flasim sot për mbas 8 apo 9 muajsh. Unë mendoj që sot është i rëndësishëm aksioni politik i opozitës, cilat janë hapat e saj që do të ndjekë. Pra siç kemi Vetting-un politik, a është Rama për Vetting politik apo nuk është. Tha që nuk jam. Shumë mirë, filluan dhe ndërkombëtarët të kuptojnë sepse gënjenin edhe ndërkombëtarët që Vetting-un në politikë e bën SPAK-U. Domethënë kaq idiotë i bëjnë njerëzit. Por si mund ta bëjë SPAK-u Vetting-un në politikë, ai heton politikanin nuk i bën Vetting-un. I fusin edhe ndërkombëtarët që janë dhe njerëz edhe zonja të nderuara, i fusin në qorrsokake të tilla, në fjali që tregojnë mungesë logjike, koherence por edhe mungesë niveli të inteligjencës. Kështu që Vetting-u i politikës është shumë  i rëndësishëm. Pastaj vjen hapi i dytë Vetting-u i oligarkëve, që dhe ky është një hap i rëndësishëm dhe pastaj vijnë hapat e tjerë, të cilët unë nuk jam e autorizuar që ti them sot në emision.

Pas 8 viteve në pushtet dhe më pas kalimin në opozitë, cilat janë mësimet që ka nxjerrë Lëvizja Socialiste për Integrim?

E para që të ruhet nga shushunjat sepse pushteti gjithmonë i mbledh siç ngjiten shushunjat mbas trupit të cilët nuk i kanë dhënë gjë tjetër por vetëm kosto LSI-së, duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e atyre që kanë qenë në administratë kanë qenë njerëz të cilët thjesht vinin me një diplomë në dorë dhe thonin që mund të ishin shumë më të zotë se shumë të tjerë që kishin mbaruar shkollën në Shqipëri. Por që nuk ishin gjë tjetër, ishin vetëm disa burokratë servilë të cilët e kthyen pushtetin e LSI-së në interesat e tyre.

Për kë e keni fjalën?

Sa të duash ka. Ke këta që janë drejtorë, që janë me Edi Ramën sot  që kanë qenë njerëz të LSI-së pa kontribut në LSI, që vinin si shoqëri civile.

Po emër…

Ka sa të duash. Keni ,Krislen Kerri drejtorin e Aviacionit Civil, i cili babai i tij është përgjegjës për vdekjen e dy fëmijëve në qoftë se e mbani mend në rrugën e Kavajës. Ke drejtorë pafund të cilët kanë qenë pjesë e administratës të cilët quheshin si të LSI-së, por që në fakt nuk janë farë të LSI-së. Por mos kujtoni se kemi pasur ndonjë nivel të lartë, nuk ka pasur shanse sepse duke qenë pjesë edhe e administratës publike, DAP-i nuk i jepte shansin njerëzve të LSI-së që të hapnin mundësitë e kandidimit e vendeve të reja të punës nëpër ministri. Pavarësisht nga kjo, po të marrim një rast të tillë që e kam nga kjo apo kontigjentë të tjerë të cilët kanë qenë të përfshirë në institucione të tjera në poste politike. Kjo është një katarsis që e kishte të nevojshme LSI-ja. LSI-ja ka shumë djem e vajza të reja që ndoshta mund të mos kenë eksperiencën dhe anën profesionale, por kanë pasionin dhe dëshirën për ta dashur këtë vend dhe për të mos ta shikuar si një lopë për ta mjelur LSI-në, siç e kanë parë shumë veta deri më sot. Megjithatë mendoj që 8 vite të qeverisjes i shërbyen LSI-së për të kuptuar të mirën dhe të keqen, i shërbyen për të kuptuar bashkëpunimin dhe kam përshtypjen që do ti shërbejë akoma dhe më shumë brezit të ri të LSI-së për të kuptuar marrëveshjet politike të cilat nënshkruhen, mbahen, zbatohen në bazë të një marrëveshje të nënshkruar transparente dhe jo marrëveshje të cilat janë të fshehta dhe nuk bëhen prezente asnjëherë as për mediat dhe as për partinë.

 

 

SHKARKO APP