Mons. Xhorxh Frendo: Konsumizmi u bë ungjilli i kulturës së sotme. Të kthehemi tek një jetë më e thjeshtë

“Ta afrojmë të ardhmën me kurajë: Krishti është me ne. Le të shohim njëri- tjetrin me sytë të pastër, pa paragjykime, dhe të shohim të gjitha gjëra të bukura që na rrethojnë”, është mesazhi i Mons.Gjergj Frendo, Arqipeshkëvi i Tiranës dhe Durrësit në këtë vigjilje Pashkësh.

Pandemia globale covid-19, ka prekur edhe institucionet fetare. Për herë të parë , besimtaret e krishterë nuk do ta ndjekin Meshen e Shenjtë të Pashkëve në kishë. Kisha Katolike që nga 12 marsi ka urdhëruar pezullimin e të gjitha kremtimeve liturgjike, përfshirë Meshën e Shenjtë, por besimtaret nuk e kanë braktisur ritualin e tyre fetar. Shtëpitë e shumë besimtarëve tanë janë shndërruar në “kisha shtëpiake”, po luten në shtëpitë e tyre dhe lexojnë Ungjillin, shprehet Mons.Gjergj Frendo në një interviste ekskluzive për argumentum.al

“Kur erdha në Shqipëri për herë të parë (në 1993), pasi kisha lexuar shumë për komunizmin anti-teist e shokut Enver, një gjë që më bëri shumë përshtypje ishte pikërisht fakti se, me gjithë atë propagandë kundër besimit (edhe më shumë kundër kishës katolike), ndjenja fetare e popullit ende ishte shumë e fortë. Në situatën aktuale, shumë besimtarë po ndjekin meshën që transmetohet në mjetet e komunikimit”, shprehet Mons. Frendo

Kjo është një farë pjesëmarrjeje në mundimet e Krishtit. Mos të themi se kjo epidemi është një ndëshkim nga Zoti, por si kam përsëritur shumë herë në këto ditë, Zoti gjithmonë mund të nxjerrë diçka të mirë nga një situatë e keqe.

Një gjë pozitive është kthimi tek një jetë më të thjesht. Nuk kuptoj “një jetë e varfër”, por një jetë e çliruar nga konsumizmi. Ishim bërë skllevër e një kulture konsumiste, kur kërkojmë jo vetëm atë që nevojitet, por atë që është më e rehatshme, më e mirë, më e bukur, madje atë që është më e mirë sesa ajo e fqinjëve, e miqve, bile edhe e prindërve.

Një shoqëri e fortë ka nevojë jo vetëm për politikën dhe politikanët, por edhe për besimet dhe udhëheqësit fetarë. Shoqëria ka nevojë edhe për formimin e zemrave.Tani duhet të ndiejme nevojë të organizojmë konferenca për rendin moral të shoqërisë, pasi rendi moral i shoqërisë ka përjetuar një rënie të konsiderueshme: vrasjet, vetvrasjet, dhuna familjare, droga… politika mund t’i ndryshojë strukturat, por vetëm besimi mund t’i ndryshojë zemrat, theksoi Mons.Gjergj Frendo në intervistën vijuese:

Intervistoi: Marjana Doda

– Covid-19 është kryefjala e kësaj dekade të re, e cila tashmë është kthyer në një pandemi globale. Çfarë masash ka marrë Kisha Katolike në luftën kundër koronavirusit?

Kisha Katolike që nga 29 shkurt ka marrë masa kundër përhapjes së koronavirusit. Në fakt atë ditë kemi njoftuar besimtarët tanë mos të marrin kungimin në gojë por në dorë, mos të prekin statujat, mos të japin dorën njëri-tjetrit kur prifti i fton të japin njëri-tjetrit shenjën e paqes, dhe nuk mbahet ujë i bekuar tek hyrja e Kishës. Pastaj, më 12 mars kemi urdhëruar pezullimin e të gjitha kremtimeve liturgjike, përfshirë Meshën e Shenjtë, pezullimin e katekizmit, për fëmijë e të rritur, pezullimin e të gjitha aktiviteteve të tjera të programuara me fëmijët dhe të rriturit, si edhe pezullimin e të gjitha kurseve të formimit pranë qëndrave tona komunitare.

– Për herë të parë pas viteve 90’ Kisha Katolike feston Pashkët pa besimtaret e saj. Duket që ky virus ka prekur çdo spekter të jetës. A e lëkund ky distancim edhe besimin tek Zoti? Çfarë ndjesie përcjell për Ju kjo situatë?

Eksperienca ime gjatë këtyre javeve të fundit më ka treguar se besimtarët tanë po përjetojnë me shumë keqardhje mungesën e kremtimeve shumë të bukura që mbahen në kishat tona në këtë periudhë. Madje, dua të përmend dy pasoja pozitive e kësaj situate, nga pikpamja fetare. Së pari, shtëpitë e shumë besimtarëve tanë janë shndërruar në “kisha shtëpiake”: shumë familje po luten në shtëpitë e tyre dhe lexojnë Ungjillin. Së dyti, ka një fjalë latine: Privatio generat appetitum, që do të thotë: mungesa (e diçkaje) lind oreksin (dëshirën për atë gjë). Shumë besimtarë, edhe disa që nuk ishin shumë praktikantë, po ndiejnë nevojë t’i afrohen Zotit me lutje dhe praktika fetare.

-Në fakt edhe në Kohën e komunizmit në Shqipëri , pavarësisht ndalimit të praktikave fetare, besimtarët nuk hoqën dorë kurrë nga ndjekia e ritualeve fshehurazi. Po sot, si do ta ndjekin meshen besimtarët katolike?

Në fakt, kur erdha në Shqipëri për herë të parë (në 1993), pasi kisha lexuar shumë për komunizmin anti-teist e shokut Enver, një gjë që më bëri shumë përshtypje ishte pikërisht fakti se, me gjithë atë propagandë kundër besimit (edhe më shumë kundër kishës katolike), ndjenja fetare e popullit ende ishte shumë e fortë. Në situatën aktuale, shumë besimtarë po ndjekin meshën që transmetohet në mjetet e komunikimit. Të gjitha dioqezat, në fakt, po kremtojnë meshat që transmetohet në face-book të dioqezes.

-Udha e Kryqit për katolikët është e rëndësishme pasi sinjifikon orët e fundit të Jezu Krishtit në tokë. Duket se njerëzimi po ecen në këtë kalvar mundimesh në këtë pranvere aspak të zakontë. A është kjo një shenjë, le të themi e mbinatyrshme ? A do të bëhemi më të mirë në fund të këtij “udhëtimi”?

Të gjithë katolikët po vuajnë nga fakti se nuk mund të marrin pjesë në kremtimet e këtyre ditëve. Kjo është një farë pjesëmarrjeje në mundimet e Krishtit. Mos të themi se kjo epidemi është një ndëshkim nga Zoti, por si kam përsëritur shumë herë në këto ditë, Zoti gjithmonë mund të nxjerrë diçka të mirë nga një situatë e keqe. Mendoj se duhet të reflektojmë më shumë mbi gjëra pozitive që mund të rrjedhin nga kjo situatë. Përmend vetëm dy gjëra. Së pari, kjo epidemi është rast për të treguar më shumë solidaritet, Unë kam katër motra dhe një kunatë (tre kanë vdekur) të shtyrë në moshë. Por të gjitha më thonë se kanë gjetur shumë ndihmë jo vetëm nga fëmijët e tyre, por edhe nga fqinjët. Këtë po shohim edhe këtu në Shqipëri. Sepse çdo tragjedi na kujton fjalët e Shën Palit: “Asnjëri nuk jeton për vetveten”. Jemi të gjithë në të njëjtën barkë. Një “faleminderit” të veçantë meritojnë mjekët, infermierët, dhe shumë vulnetarë. Një gjë tjetër pozitive është kthimi tek një jetë më të thjesht. Nuk kuptoj “një jetë e varfër”, por një jetë e çliruar nga konsumizmi. Ishim bërë skllevër e një kulture konsumiste, kur kërkojmë jo vetëm atë që nevojitet, por atë që është më e rehatshme, më e mirë, më e bukur, madje atë që është më e mirë sesa ajo e fqinjëve, e miqve, bile edhe e prindërve. Kam njohur prindër që kanë ushqyer fëmijët me bukë dhe groshë, por kanë blerë modelin e fundit e i-phone-it ose e makinës. Konsumizmi u bë ungjilli i kulturës së sotme. Tani duhet të mesohemi me një stil të ri jetese.

-Kryeministri Rama citon fjalë të shenjta çdo mëngjes nga kurani dhe bibla, si ngushëllimi i vetëm në këtë moment. Mos po merr Kryeminsitri i vendit ”rolin e institucioneve fetare” apo është një mesazh që tashmë jemi në dorën e Zotit?

Encyclopaedia Britannica ka përkufizuar besimin (religjionin) si jo vetëm marrëdhënia e njeriut me “të shenjtin, absolutin, hynor”, por edhe si mënyrë sesi njeriu kërkon domethënien përfundimtare të jetës së tij në dritën e besimit të tij në Zotin. Natyrisht, si katolik jam më familjar me Biblën. Dhe kjo na ndriçon në mënyrë si përjetojmë çdo situatë, edhe kur kjo na duket e pakuptishme. Historia e Jozefit, djalit të Jakobit, në Librin e Zanafillës, si edhe terë Libri i Jobit (një kryevepër edhe nga pikpamja letrare) na ndihmojnë shumë për të interpretuar eksperiencat e dhimbshme të jetës sonë. Prandaj edhe një politikan, si është Kryeministri Rama, mund të japë një shërbim popullit të vetë duke u referuar librave të shenjtë.

-Në gjykimin tuaj çfarë duhet bërë më mirë nga institucionet e këtij vendi, por dhe nga secili prej nesh?

Për të dhënë një përgjigje kësaj pyetje duhet më shumë se pak rreshta. Edhe pse Shqipëria është një vend laik, megjithatë në Kushtetutat (neni 10) u jep besimeve të drejtë për të mësuar doktrinat e tyre dhe për të ushtruar praktikat e tyre fetare. Një shoqëri e fortë ka nevojë jo vetëm për politikën dhe politikanët, por edhe për besimet dhe udhëheqësit fetarë. Kemi nevojë për politikën për mbarëvajtjen e shoqërisë, Por shoqëria ka nevojë edhe për formimin e zemrave. Në këto vite të fundit janë organizuar shumë simpoziume mbi marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri. Por besoj se tani duhet të ndiejme nevojë të organizojmë konferenca për rendin moral të shoqërisë. Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara në ekonomi, infrastrukturë, etj. Nuk kemi probleme në marrëdhëniet ndër-fetare. Por nuk mund të mbyllim sytë për faktin se rendi moral i shoqërisë ka përjetuar një rënie të konsiderueshme: vrasjet, vetvrasjet, dhuna familjare, droga… Këtu duhet të vlerësojmë rolin e besimeve. Sepse politika mund t’i ndryshojë strukturat, por vetëm besimi mund t’i ndryshojë zemrat.

-Mons. Frendo, Shqipëria prej 1 viti është në një krize të thellë politike. Në Nëntor të vitit të kaluar u prek nga një katastrofe natyrore, ndërsa përballja me virusin covid 19, e bën dhe më të vështirë për të gjithë rikthimin e jetës normale. Duket se ka humbur shpresa…?

Rreth krizës politike kam pasur shumë raste të flas, jo si politikan, por si udhëheqës fetar që do Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Gjithmonë kam bërë apel që politikanët të kërkojnë më shumë të mirën e përbashkët, të mirën e popullit më shumë sesa të mirën e partisë ose të mirën personale. Termeti ka qenë një tragjedi e madhe, por njëkohësisht kemi asistuar një solidaritet të jashtëzakonshme. Shqiptarët që kanë ndihmuar shqiptarët, shumë vende të huaj që kanë ndihmuar me shumë bujari vendin tonë. Fatkeqësisht ka qenë edhe disa që, pa turp dhe pa ndërgjegjje, ka përfituar nga kjo tragjedi për t’i mbushur më shumë xhepat e tyre, kanë rritur qiranë e apartamenteve që kërkoheshin nga familjet që kishin humbur shtëpitë e tyre dhe kanë rritur çmimet e materialit për ndërtim. Ky ishte një skandal dhe mëkat shumë i madh. Virusi Covid 19 ka krijuar probleme shumë të mëdha jo vetëm për Shqipëri, por edhe për shumë vende të prekura nga ky virus i rrezikshëm. Me pyete: “Ka humbur shpresa?” Absolutisht se jo! Këtu më lejo t’i referohem përsëri rolit të besimit. Ernst Bloch ishte me origjinë hebre, dhe filozof marksist. Megjithatë ai hodhi poshtë pozicionin e Marksit, për të cilin besimi është opiumi i popullit. Përkundrazi, tha Bloch, besimi shpreh protestën e njeriut për t’u angazhuar për një botë më të mirë. Dhe këtu Bloch ka zhvilluar doktrinën e tij mbi shpresë. Është shpresa që i jep njeriut kurajë për të përballuar sfidat e kohës dhe vendosmëri për të ecur përpara. Prandaj unë mendoj se politikanët dhe udhëheqësit fetarë japim një shërbim shumë të madh popullit kur janë të frymëzuar nga ajo shpresë që na jep kurajë.

-Cili është mesazhi juaj për besimtarët katolikë në këtë vigjilje Pashkësh por dhe për të gjithë popullin Shqiptarë ?

Mesazhi im është mesazhi që Jezusi ia drejtoi Marisë Magdalene, ndërsa ajo qante para varrit bosh të tij. Ajo kishte shkuar tek varri me shpresë që t’i tregojë Jezusit respektin e saj të fundit, duke lyer kufomën e tij me erëra. Por erdhi Jezusi nga mbrapa, dhe i tha: “Pse po qan?” Ndoshta nuk kemi qarë në këto ditë, por besoj se të gjithë ndihemi pak a shumë të merzitur, të mbyllur në shtëpitë tona, larg miqve dhe familjarëve tanë, pa mundësi të marrim pjesë në kremtimet e këtyre ditëve. E vjen Jezusi e na thotë: “Pse jeni të merzitur? Shikoni mua mbi kryq, krahët e mia janë të hapura, nuk i kam mbyllur kurrë, as nuk do t’i mbyllë kurrë. Ende janë të hapura, sepse kur isha akoma mes jush ju kam ftuar e ju thashë: ‘Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur e të merzitur, dhe unë do t’ju çlodh’”. Prandaj ta afrojmë të ardhmën me kurajë: Krishti është me ne. Le të shohim njëri tjetrin me sytë të pastër, pa paragjykime, dhe të shohim të gjitha gjëra të bukura që na rrethojnë. Jeta është e bukur!

/argumentum.al/

SHKARKO APP