Nard Ndoka: Të vendosur për një President nga populli

Z.Ndoka, pak kohë më parë, PDK-ja doli me një deklaratë zyrtare ku siguruat se tre votat e demokristianëve, e juaja, z. Ndocaj dhe znj.Ferracaku ishte kundër reformës së drejtësisë në mënyrë të njëanshme. Ai i qëndroni këtij vendimi dhe a ka të drejtë Basha kur thotë se ka edhe votat e juaja për të mos e votuar këtë reformë? (Sa garantë dilni ju edhe për dy votat e tjera, ku së fundmi z.Ndocaj ka folur edhe për një parti të re)

Partia Demokristiane tashmë ka një qëndrim zyrtar për reformën në tërësi, inkurajojmë konsensusin pozitë-opozitë, si e vetmja garanci që të kemi një reformë të besueshme për palët, për opinionin në tërësi dhe institucionet. Qëndrimi ynë si demokristian është i unifikuar edhe për faktin, se jemi në një proçes të rëndësishëm të bashkimit demokristian, ku znj.Ferracaku ka një rol në këtë proces si përfaqësuese e Partisë Kristiandemokrate në Kuvend, ndërsa z.Ndocaj drejton grupin negociator për bashkimin demokristian në cilësinë e N/Kryetarit të PDK-së. Jemi në një linjë politike, të pa influencuar e diktuar, as nga PS-ja, as nga PD-ja.

A keni ndonjë koment për mesazhin e fundit drejtuar të rinjve nga Ambasadori amerikan Donald Lu ku krahas të tjerave, duke folur për rëndësinë e miratimit të reformës në drejtësi, ai u bën thirrje deputetëve që në mënyrë individuale të votojnë reformën…Nëse një thirrje do të ishte edhe për ju, Ju do ta merrnit në konsideratë dhe për cilat arsye? 

Swiss Digital Desktop Reklama

E vlerësojmë rolin e ambasadorit Lu në këtë proçes, pavarësisht se nuk e kemi kuptuar tërësish në këtë proces! Reforma është atribut i klasës politike shqiptare, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare është i rëndësishëm, por kur ato bëhen palë në proçes, apo me njërën palë, humbasin të drejtën e lidershipit apo udhërrëfyesit edhe për ne. Ambasadori Lu është përpjekur të ndjekë rrugën e shkurtër, që sipas gjasave po i del më e gjatë, sa e kishte menduar. Z.Lu po vazhdon tu bëjë thirrje deputetëve që të votojnë reformën, por kryetarët e këtyre partive që aludohen si të “korruptuar” janë një pengesë serioze. Investimi i SHBA-ve në thyerjen e vendimeve politike të grupeve dhe partive parlamentare, apo “rruga e shkurtër”, nuk do funksionojë! Ambasadori Lu duhej të investohej si diplomat, në inkurajimin e demokratizimit të partive politike, në mbështetjen e zërave ndryshe, në lëvizjet për reformim, tek alternativat e reja politike, tek shoqëria civile, investime në individë të veçantë me një suport të SHBA-ve. Ky do të jetë një investim afatgjatë dhe i dobishëm për proçesin, demokracinë, institucionet, pluralizmin dhe popullin shqiptar, kjo është rruga që duket e gjatë, por që është e duhura. Z.Lu ka vendosur të mbështesë një palë, që kryetarët e koalicionit qeverisës kanë akuzuar për ’vdekje’ njëri-tjetrin, me zë dhe figurë, dhe fjala vjen nuk e di se çfarë mendimi ka për Blushin dhe Hafizin, për Dulen, Dukën për Ndocajn, për Ferracakun e të tjerë faktorë në Kuvend? Z.Lu u bën thirrje deputetëve që të votojnë me vullnetin e tyre, të painfluencuar nga partitë e tyre, por do jenë vetëm deputetët e LSI-së që do të votojnë kundër partisë, por edhe kundër reformës, surpriza të tjera nuk besoj se do të ketë!

Swiss Digital Mobile Reklama

Ju keni qenë në koalicion zgjedhor me PS-në për zgjedhjet lokale. Si janë raportet aktuale të PDK-së me PS-në? Dhe a keni ju një qëndrim të qartë e paraprak se me cilën prej forcave kryesore në vend do të shkonit në zgjedhjet ardhshme parlamentare? (Pra, në ç’raport jeni me dy partitë e mëdha)  

Ne kemi dy mandate radhazi që bashkëpunojmë me PS-në për zgjedhjet lokale, ku raportet tona kanë qënë normale dhe i konsiderojmë të pranueshme në raport të kontributit tonë. Është ende herët të flasim për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por dëshira jonë mbetet krijimi i polit të qëndrës në politikën shqiptare, si një domosdoshmëri për thyerjen e bipolarizimit të tejskajshëm dhe të rrezikshëm që është krijuar nga partitë e vjetra politike.

Pak ditë më parë ju mbështetët nismën e z.Blushi dhe znj. Hafizi ku përfshihet edhe zgjedhja e Presidentit nga populli. A qëndron diçka më shumë përtej kësaj nisme?  

Së pari, jemi shumë të vendosur për zgjedhjen e një Presidenti nga populli, i kemi hequr qytetarëve përfaqësimin direkt me deputet, i larguam kryetarin e bashkisë, të paktën t’i kthejmë Presidentin popullit, Kushtetutës dhe institucioneve garancinë dhe pavarësinë e  tyre. Unë personalisht i inkurajoj deputetët Blushi dhe Hafizi apo të tjerë në lëvizjet e tyre demokratizuese për partitë dhe për realitetin politik. Ata kanë vendosur, që të paguajnë një kosto në raport me kryetarin e tyre dhe militantët e partisë, duke tentuar lirinë e tyre, duke respektuar mendimin dhe veten e tyre! Të bësh karrierë duke bërë servilin para kryetarit është rruga më e shkurtër dhe më e sigurtë, të cilën kanë zgjedhur ta bëjnë shumica e deputetëve, ndërsa Blushi, Hafizi, Dulja, Shehi, Duka, Ndocaj apo edhe të tjerë kanë zgjedhur të sakrifikojnë e rrezikojnë karrierën e tyre në shkëmbim të lirisë. Unë i admiroj për kurajën e tyre politike dhe qytetare dhe ndjehem i rreshtuar përkrah tyre. Servilizmi, “bythëlëpirja”, pragmatizmi ekstrem janë njolla turpi që të shoqërojnë gjithë jetën, ndërsa aspirata për të qënë i lirë dhe i drejtpërdrejtë është një standard, që është i lumtur kushdo politikan që tenton ta prekë dhe ta kthejë në kauzë për veten dhe për të gjithë ato që i besojnë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?