Negociatat, Shehu: Çdo qëndrim, të jetë i koordinuar me BE dhe SHBA
Tritan Shehu, ish-ministër i Jashtëm bën përgjegjëse qeverinë “Rama” për shtyrjen për të disatën herë të hapjes së negociatave. Shehu thotë për “Gazeta Shqiptare” se para se të fajësojmë vendet e BE-së, më parë duhet të marrim përgjegjësitë tona. Ai flet për koordinim të qëndrimeve me ato të BE-së dhe SHBA-ve ndërkohë që ndalet edhe tej nisma e “Shengenit ballkanik”. Z.Shehu shprehet se e keqja më e madhe vjen nga disa ‘shqipfolës’ teksa paralajmëron se Vuçiç-Rama që kthehen mbrapa në kohë, në dy koncepte rrezikojnë me aventurizma rëndë interesat tona, si edhe ato të Rajonit me “Shengenin” e tyre. “Po të thellohemi më shumë e të shikojmë se çfarë fshihet nën këtë fasadë të këtij “Shengeni” do të gjejmë “shumë” elementë thellësisht negativë nën këtë “mbulesë”. Shehu e sheh si një ngrehinë të vjetër e fantazmash, që Vuçiç e Rama për ta mbajtur në këmbë që ditën e parë të “lindjes” së tij, u detyruan t’i vendosnin trarë shtese e mballoma.
Z. Shehu, edhe këtë vit Shqipërisë nuk iu hapen negociatat me BE-në. Pse sërish kemi të bëjmë me bllokimin e këtij procesi?
Së pari, desha të theksoj se bllokimi i integrimit të Shqipërisë nuk ndodhi sot. Kjo është hera e katërt që ne nuk kalojmë klasën. Kjo pra, ka ndodhur edhe disa vite më parë kur dhe mekanizmat brenda BE-së ishin me të hapura. Në fakt, ne kemi që me 2015 që jemi bllokuar në procesin e integrimit. Deri në atë vit, ne u anëtarësuam në NATO, që unë nuk e ndaj nga integrimi europian. Nënshkruam marrëveshjen e Stabilizim-asocimit, liberalizuam vizat, morëm statusin e vendit kandidat në një kohë të shkurtër e me ecuri pothuajse normale.
Atëherë kur fillon anormaliteti për Shqipërinë…?
Anormaliteti fillon për ne nga 2015, gjë që lidhet edhe me kritikat e mëdha drejt nesh për azilantët, që paraqet një simptomë të qartë të problemeve të mëdha e komplekse të vendit, kanabizimit të territorit, shtimit galopant të kriminalitetit e trafiqeve, keq orientimit e gabimeve të qëllimshme të Rilindjes në politikat e jashtme a rajonale etj. Mos harroni se edhe kushtet ndaj nesh të vendosura nga Gjermania vetëm u shtuan nën këtë qeverisje kur duheshin pakësuar. Nga 3 u bënë 5 kurse aktualisht janë 9 kushte a më shumë. Këto të bëjnë të konkludosh se shkaqet lidhen me ne, me keqqeverisjen tonë, deformimin e demokracisë, krimin, trafiqet, politikat e jashtme, me standardet tona përballë BE-së të parealizuara, por dhe nga hapat mbrapa që janë bërë ndërkaq.
A influencon euroskepticizmi europian ndaj nesh…?
Aktualisht ka qarqe euroskeptike për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor midis vendeve të BE-së, kjo është e vërtetë. Por po kaq e vërtetë është se të tilla ndjesi e qëndrime nuk janë vetëm të tashmet, ka pasur edhe më parë. Ndoshta tani jemi në një periudhë ngritje të tyre në disa ambiente, por kjo nuk është gjithçka dhe as duhet absolutizuar në BE. Decizive është gjendja e jone, problemet tona, regresi ynë në pak vite prej këtij grushti shteti në vazhdim, që po ndodh si dhe shtyrja e vendit drejt një narkoshteti. Ky është thelbi. Gjermania për shembull është një vend krejt i hapur ndaj nesh dhe jo vetëm ajo. Eshtë Italia, Greqia, Austria etj janë të tillë. Por, le të qëndrojmë te Gjermania, tashmë si bërthama e BE. Vendimi i Bundestagut për ne ishte shumë i qartë, ishte një “Jo” indirekte, ishin 9 kushte e diferencim i plotë nga Maqedonia e Veriut. Të tillë qëndrimi kishin edhe së paku gjysma e vendeve të tjera të BE-së siç e tha edhe Macron. Me tej u mor ai vendim edhe për ne edhe për Maqedoninë e Veriut, që realisht e qartësisht e bllokoi atë vend vetëm nga hezitimi për të mos e ndarë nga Shqipëria. Por jo vetëm kaq, ka edhe më keq. Kosova po e pëson në procesin e liberalizimit të vizave edhe nga përvoja e keqe e krijuar me Shqipërinë nga eksodi i azilantëve pas liberalizimit. Përsëri këtë e tha vetë Macron. Dhe ndërkaq në vend që ne të gjykojmë me objektivizëm duke punuar në korrigjimin e problemeve, vetë kjo mazhorancë e rilindjes rëndon gjendjen. Nga njëra anë duke kërkuar të fajësojë vendet e BE-së, duke mos pranuar përgjegjësitë tona, nga ana tjetër duke u hedhur jo vetëm nga Tirana “propozime” e opsione në shqip, por që bien katërciperisht ndesh me interesat tona bazale, qoftë edhe me integrimin e stabilitetin e Rajonit. Siç duket e keqja nuk paska fund duke me kujtuar atë që është thënë prej dhjetëra vitesh më parë nga patriotë, se fatkeqësitë më të mëdha për ne, kanë ardhur e vijnë nga shqipfolës. Ne absolutisht duhet të jemi të qartë vetë në opsionet, problemet e pasojat e tyre, qëndrimet që duhen mbajtur duke i koordinuar ato në një hapësirë të gjerë shqiptare e më tej të kërkojmë mbështetje nga partnerët evropianë dhe SHBA.
Kur thoni hapësirë e gjerë shqiptare e keni fjalën për projektin e “Shengenit ballkanik”?
Jo vetëm për atë. Por le t’i marrim gjërat me radhë. Në një hark kohor, të më pak se dy viteve ne u ndodhëm përballë dy propozimeve të bëra, të dyja megjithëse fatkeqësisht në “Shqip”, në kundërshtim me interesat tona të mëdha. E para ishte ajo Vuçiç-Thaçi-Rama e shqiptuar fillimisht nga Thaçi për shkëmbimin e territoreve e ndryshimin e kufijve. Kjo pa dyshim lidhet me ëndrrën serbe të Serbisë së Madhe, bie ndesh me interesat tona kombëtare e krijon një rrezik të madh për stabilitetin e Rajonit. Paralel me këtë, për të “sheqerosur” këtë “propozim” Rama-Thaçi lëshuan disa deklarata pseudo nacionaliste e të rrezikshme këto, për kufirin Kosovë -Shqipëri e të tjera spekulime rreth marrëdhënieve tona, a për një gjoja “bashkim” tonin. Për këtë qëllim, si dhe për të pasur edhe Ministrinë tonë të Jashtme një instrument “qorr” në këto aventurizma, ajo u keq përdor deri në ekstrem, duke u krijuar në tërë diplomacinë tonë një kakofoni e plotë.
…Dhe që më pas vjen iniciativa për “Shengenin ballkanik”?
Po, kjo “iniciativë” për një “Shengen”, që kësaj herë është e Vuçiçi me bashkautorësinë e Edi Ramës e shërbimin e Zaev, është një tjetër demonstrim i keqpërdorjes së “gjuhës shqipe” nga kjo qeveri për projekte antikombëtare e dëmtuese të procesit tonë të integrimit si dhe të Rajonit.
Në ç’kuptim..?
Historira me projekte të tilla për Rajonin, për ta mbajtur atë si një zonë jashtë dhe afër BE-së, me një status të veçantë, por jo me anëtarësim të plotë, nuk janë për herë të parë. I kam dëgjuar këto që në vitet 90-të edhe kur isha Ministër i Jashtëm e më tej. Kanë qenë në tërësi të sponsorizuara nga qarqe skeptike brenda BE-së për zgjerimin e tij drejt Ballkanit Perëndimor, si dhe se fundmi edhe nga vende jashtë BE, që për interesat e tyre duan të mbajnë Rajonin tonë e sa me larg Brukselit. I kam kundërshtuar e i kemi kundërshtuar me forcë duke argumentuar se e ardhmja jonë është vetëm brenda BE-së, duke pasur e arritur kështu mbështetjen nga një shumicë në BE sinkron me ne, këto u arshivuan. Tashti edhe vjen më e keqja. Në këto momente të vështira për Europën, pikërisht kur reputacioni ynë ka rënë shumë si pasojë e keq qeverisjes, në “shqip” artikulohen të tilla ide, që bien ndesh me interesat tona, duke gjallëruar kështu ato projekte skeptike për integrimin tonë. Dhe për më shumë kjo paraprihet nga “idetë” për shkëmbime territoresh, kur vetë ato krijuan konfuzion e vunë në dyshim ritmin e proceseve integruese të Rajonit. Me keq se kaq nuk mund të ndodhë.
Megjithatë edhe Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA Matthew Palmer u shpreh pozitiv për “Shengenin ballkanik”…
Përgjigja ime është në vazhdim të asaj që shpreha më lart. Kur ne në shqip dalim dhe propozojmë apo mbështesim fort projekte të kundërta me interesat tona, pa asnjë dyshim krijojmë konfuzion të plotë edhe të partnerët tanë më të mirë. U desh për shembull ndërhyrja e fortë e zj.Merkel për të arshivuar projektin e Serbisë së Madhe për shkëmbimin e territoreve të “artikuluar” nga Thaçi të mbështetur edhe nga Edi Rama. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me këtë “Shengen”. Por çështja është që ne duhet të dimë të paraqesim opsionet që përputhen me interesat tona e t’i mbrojmë fort ato, e jo të bëhemi vetë gjenerues të opsioneve negative, duke vënë në pozita të vështira më tej edhe partnerët. Ne duhet të kuptojmë qartë interesat tona e duhet t’i sintetizojmë ato në propozime konkrete. Edhe në qoftë se dikush propozon elementë, që ne gjykojmë që nuk përputhen me çfarë është e dobishme, ne duhet me durim, këmbëngulje e argumente të shpjegojmë qëndrimet tona. Në këtë Rajon ku ne jetojmë e aspirojmë, ku ne jemi një faktor thelbësor ne duhet të kemi një rol sa më aktiv në politikë bërje pikërisht në mbrojtje të interesave tona e të Rajonit. Këtu nuk po diskutohet për zona të rruzullit ku ne as kemi interesa të veçanta e as mund të influencojmë në ecurinë e tyre. Qëndrimi, e ardhmja e pa lëkundur jonë është Perëndimi e integrimi europian si shqiptarë e si Rajon dhe këtu duhet të investojmë gjithçka. Eshtë pikërisht ky proces gjatë të cilit ne pa i ndryshuar do të zhvlerësojmë gradualisht edhe kufijtë tanë për të qenë nesër së bashku në BE.
Në këtë rast çfarë do të ndodhë me lëvizjen e lirë në rajon?
Tashmë është Vuçiç-Rama që kthehen mbrapa në kohë, në dy koncepte duke rrezikuar me aventurizma rënde interesat tona, si edhe ato të Rajonit me këtë “Shengenin” e tyre. Në fakt, ky është një “asgjë” për atë dimension që kërkohet t’i jepet në sipërfaqe dhe “shumë” në negativitet për atë që përmban në të vërtetë në thellësi. Eshtë “asgjë”, sepse së pari, lëvizja e lirë në rajon, qoftë edhe me karta identiteti është realizuar. Në qoftë se me ndonjë vend nuk është realizuar kjo mund të zgjidhet me marrëveshje dypalëshe. Po kështu në lidhje me lëvizjen e lirë qëllimi i ynë duhet të jetë anëtarësimi i të gjithëve e i plotë gjatë procesit tonë të integrimit në Shengenin e vërtetë europian. Kjo është thelbësore dhe një aspiratë për të gjithë Rajonin. Së dyti, për cështjet e tjera të marrëdhënieve është marrëveshja e CEFTA, që ka avancuar dhe që përputhet edhe me objektivat e BE. Së treti, nëse flitet për standarde të tjera me të avancuara, ato mund të jenë vetëm në përputhje me modelet e BE-së dhe të realizohen duke avancuar në procesin e integrimit e në lidhje direkte të secilit vend me Brukselin.
Sipas jush cilët janë elementët ‘negativ’ të këtij Shengeni?
Po të thellohemi me shumë e të shikojmë se çfarë fshihet nën këtë fasadë të këtij “Shengeni” do të gjejmë “shumë” elemente thellësisht negative e nën këtë “mbulesë”. Si mesazhet ashtu dhe substanca e kësaj farse janë tejet të pa pranueshme. Krijimi i “Unioneve” të tilla sui generis, alternativë, periferike për Europën e jo në përputhje me standardet e kushtet e BE-së, është së paku humbje kohe e energjish, kur në fakt është shume më tepër e rrezikshme kjo loje sepse: 1- Këto ide absolutisht sinkronizojnë e aktivizojnë idetë që fola më sipër, për ta mbajtur rajonin tonë jo si pjesë integrale e BE, por diku larg në orbitat e saj. 2-Kjo tingëllon e përafërt me vullnetin serb të krijimit të “Jugosllavisë së Re”, ku pa dyshim roli lider do të jetë i Serbisë, gjë për të cilën ka pasur historikisht disa paragjykime sipas të cilave nuk mund të ketë rajon stabël pa Serbi të fortë. Dhe pikërisht këto vitet e fundit rilindja me politikat e saj të gabuara, në konfuzion të plotë, nën influecat e faktorëve të tjerë jashtë BE, duke ngatërruar qëllimisht rolet dhe partneret tanë strategjike, me oshilacionet e “dashuritë” e saj patologjike, e zhvendosi Shqipërinë nga roli lider për stabilitetin e Rajonit, për t’ia kaluar këtë Serbisë. Kjo ka goditur rëndë interesat e Shqipërisë, shqiptarëve, por dhe piketat drejt Perëndimit e BE të rajonit, për vetë faktin se shqiptarët janë popullsia me afër tyre në aspirata. Ndërsa tashmë Edi Rama kërkon të “kurorëzojë” edhe zyrtarisht Vuçiçin duke i dhuruar një “Jugosllavi të Re”. 3- Fakti që Kosova qëllimisht është lënë si në harresë në këtë projekt e bën atë tejet negativ për ne e stabilitetin e rajonit duke e treguar qartë origjinën e kësaj iniciative. 4-Firmosja së fundi e Traktatit Serbi-Euroasin e komprometon krejtësisht këtë tentativë duke e kthyer atë si një zgjatim në rajon të Rusisë.
Atëherë si e shikoni të ardhmen e “Shengenit”…?
Unë mendoj që ai do të përfundojë si një “flluskë sapuni”. Fakti që Kosova nuk e pranoi e Hashim Thaçi nuk mori pjesë në komedinë e Ohrit është shumë pozitiv. Po kështu edhe qëndrimi i Malit të Zi, krejt racional e i përgjegjshëm ky duke e hedhur poshtë, është i rëndësishëm. Besoj se dhe Bosnja do të jetë diku aty afër tyre. Sidoqoftë për mua ky është një projekt i dështuar që pa filluar. Jam dakord me atë që tha Albin Kurti se ky është një “ide e jo një projekt”. Vetëm se Albini duhet të vazhdonte e të ishte më i qartë e të përcaktonte se kjo është një ide e vjetër e Serbisë dhe e atyre, që duan ta mbajnë jashtë BE-së Rajonin tonë, siç e përcaktoi Mustafa. Pra, unë e shoh që në zanafillë këtë “Shengen” si një ngrehinë të vjetër e fantazmash, që Vuçiç e Rama për ta mbajtur në këmbë që ditën e parë të “lindjes” së tij, u detyruan t’i vendosnin trarë shtesë e mballoma. Të jeni të bindur se nuk mund të qëndrojë gjate kështu dhe as të ndërtohet.
Po për sa i përket bashkëpunimit rajonal?
E shoh si shumë të rëndësishëm, në forcim dhe gjithmonë e më të ngushtë midis nesh gjatë procesit të integrimit tonë europian duke plotësuar standardet e tij e marrëveshjet e tjera të lidhura me atë. Por qartësisht e shoh jashtë këtyre modeleve artificiale, që nuk lidhen me BE e obligimet ndaj tij, okulte të këtij tipi “Shengen”, të pafrutshëm, të pa përfshirë në projektin e integrimit këto, të bazuara mbi fantazma të rajonit a ide frenuese për rrugën drejt BE, pra të rrezikshme për ne. Ashtu siç thuhet me të drejtë edhe ne dokumentin e fundit francez “lidhjet me të ngushta me BE janë mënyra e vetme që vendet të ndërtojnë e konsolidojnë shtetin e të drejtës…”, pra flitet për lidhje direkte me Brukselin e jo diku tjetër. Siç e theksova parësore për të gjithë ne e afrimin tonë real midis nesh është ajo me Europën. Eshtë lëvizja e lirë në zonën e Shengenit të vërtetë, është CEFTA e koordinuar me BE, janë standardet tona, që ne duhet të përmbushim përballë Brukselit. Një vend të veçantë në këtë afrim e bashkëpunim tonin ka NATO dhe marrëdhëniet e ngushta me SHBA. Fatmirësisht tashmë shumica e vendeve tona janë anëtare të asaj e Kosova është nën atë ombrellë.
Në këto procese në Rajon apo ngjitur kemi dy vende, që janë edhe anëtarë të BE edhe të NATO, Italinë e Greqinë, nga të cilat apo nëpërmjet tyre në mund të përfitojmë shumë duke realizuar sa me shume marrëveshje, afrime, bashkëpunime te ngushta të tilla strategjike, sepse ato do të jenë kështu te përputhshme me modelet e standardet e BE, interesat e NATO e do të na shtyjnë përpara në rrugën e integrimit.
Qeveria shqiptare në vend që të kërkoje shtigje e lidhje strategjike në Lindje me vende që nuk kanë në axhende NATO-n, nuk duken thellësisht të interesuara për integrimi në BE-ne apo për lidhje parësore me ShBA, duhet të konsolidojë e të hapë të tillat lidhje të reja me Perëndimin duke u afruar më ngusht me këto vendeve mike e fqinje, anëtare të NATO e BE. Në vend që të kërkojë të bëjë mbledhje të përbashkëta qeverish larg nesh përsëri drejt Lindjes, duhet të kërkojë të bëjë të tilla së pari, psh me Italinë. Kjo do t’i shërbente vendit, interesave tona, rajonit e të ardhmes europiane. Ne shqiptarët aspiratën tonë nuk e kemi për t’u bashkuar me Serbinë në Lindje apo shkuar aty, por për t’u bashkuar në BE me vendet anëtare të saj. Prandaj “spirancat” tona për të tilla bashkëpunime strategjike duhet te drejtohen andej nga ne kemi fytyrën e jo në drejtimin e kundërt.