Nezir Rizvani: Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, do t’i zgjidhë problemet e Matit
Kandidati i Partisë Demokratike në Bashkinë e Matit, shpalos për “Koha Jonë” pikat kyçe dhe risitë e programit të tij elektoral
Një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, i mbështetur në burimet dhe resurset ekonomike të zonës duke nxitur degët prioritare të ekonomisë, të tilla si bujqësia, blegtoria, eko-turizmi, agro-turizmi, industria agropërpunuese apo artizanati, do të arrinte që të zbuste problemet aktuale që janë të pranishme aktualisht në Bashkinë Mat. Një fakt të tillë e bën me dije për “KJ” gjatë një interviste, kandidati i Partisë Demokratike për këtë bashki, Nezir Rivani. Teksa shton ndër të tjera edhe se avantazhi i tij qëndron te forca politike dhe filozofia e saj qeverisëse që përfaqëson. “Ajo konsiston në uljen e taksave, bashkëpunim dhe një klimë më miqësore me biznesin, adresim të investimeve publike atje ku janë nevojat më jetike të qytetarit si infrastruktura rrugore, furnizimi me ujë të pijshem dhe vaditës, në arsim dhe shëndetësi etj, në kontrast me filozofinë qeverisëse të qeverisë aktuale e cila është rritja e taksave, një klimë armiqësore dhe presioni ndaj biznesit, adresim të investimeve publike, kryesisht në investime fasade dhe luksi”, nënvizon kandidati …
Z. Rizvani, me ndarjen e re territoriale, cilat janë problematikat me të cilat përballen banorët e Bashkise ku ju kandidoni?
Problemi më i madh në Bashkinë Mat është ai i papunësisë, nivelit të ulët të jetesës dhe varfërisë. Kjo gjendje është rrjedhojë e një infrastrukture të munguar dhe në gjendje shumë të vështirë, të mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm dhe vaditës, të mungesës së prodhimit për treg, ku pjesa dërrmuese e fermerëve prodhojnë vetëm për vetëkonsum, të papunësisë së lartë në qytetin e Burrelit etj.
Cili është programi juaj për zgjidhjen e këtyre problemeve?
Problemet e mësipërme nuk zgjidhen pa siguruar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të mbështetur në burimet dhe resurset ekonomike të zonës duke nxitur degët prioritare të ekonomisë, mbi të cilat do të mbështetet ky zhvillim ekonomik, që sipas mendimit tim janë bujqësia, blegtoria, eko-turizmi, agro-turizmi, industria agropërpunuese dhe artizanati. Për sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në radhë të parë duhet të krijohen kushtet e domosdoshme për arritjen e një synimi të tillë që janë infrastruktura rrugore, furnizimi me ujë dhe krijimi i mundësive të prodhimit për treg. Për këtë arsye, investimet publike do të adresohen kryesisht në përmirësimin dhe ndërtimin e një infrastrukture rrugore bashkëkohore, në furnizimin me ujë të pijshëm dhe ujë vaditës. Do të ulen taksat për biznesin brenda kufijve që mundëson ligji. Do të ndihmohet me asistencë teknike profesionale biznesi dhe fermerët në drejtim të hartimit të programeve të zhvillimit, kreditimit, të tregjeve, të cilësisë së farërave, përmirësimit racor etj.
Cili është premtimi ose projekti i parë që do të realizoni nëse fitoni zgjedhjet?
Aty ku janë nevojat më jetike të qytetarëve siç janë lidhja me rrugë e fshatrave Batërr e Madhe, Rremull, Shoshaj, Stojan etj, përmirësimi i cilësisë së furnizimit me ujë të pijshëm në fshatrat German, Lisë e Baz, si dhe disa ndërhyrje në furnizimin me ujë vaditës. Në shumicën e rasteve nuk kërkohen fonde të mëdha financiare, por një menaxhim më i mirë i burimeve ekzistuese dhe një vëmendje më e madhe. Këto që përmenda janë një pjesë e atyre rasteve ku kërkohet ndërhyrje urgjente, por përpara mbylljes së vitit aktual dhe miratimit të buxhetit të vitit të ardhshëm do të hartohet dhe miratohet një listë e prioriteteve ku do të adresohen investimet publike për vitin e ardhshëm.
Varfëria është një problem emergjent në zonat e Matit. Çfarë premtoni për rritjen e punësimit?
Problemi i papunësisë është një problem shqetësues si në të gjithe vendin. Sipas mendimit tim, një zgjidhje e qëndrueshme këtij problemi do t’i jepet vetëm me sigurimin e një rritje të qëndrueshme ekonomike, duke u mbështetur në degët e ekonomisë që theksova më lart. Por që të sigurohet kjo, duhet ndërtuar një infrastrukturë moderne në të gjitha dimensionet e saj me qëllim që t’i sigurojmë fermerit një prodhim për treg, një mundësi për dalje në treg. Kjo do të sjellë zgjerimin e tregut, krijimin e industrisë agropërpunuese dhe krijimin e hapësirave të reja të punësimit. Zgjerimi i tregut në të gjitha dimensionet e kësaj fjale do të zgjidhë problemet e një punësimi të qëndrueshëm. Pastaj zgjidhjet e pjesshme dhe provizore mund të jenë nga më të ndryshmet, si mbështetja ndaj industrisë fasone etj. Për biznesin do të ketë një ulje të taksave në nivelin maksimal të mundshëm brenda kufijve ligjorë, do të ketë një ulje deri në -30% të tarifave, do të ketë një bashkëpunim për zgjidhjen e problemeve burokratiko-administrative.
Cilat janë avantazhet tuaja përballë kandidates së majtë?
Në radhë të parë, avantazhi im qëndron te forca politike dhe filozofia e saj qeverisëse që unë përfaqësoj, që konsiston në uljen e taksave, bashkëpunim dhe një klimë më miqësore me biznesin, adresim të investimeve publike atje ku janë nevojat më jetike të qytetarit si infrastruktura rrugore, furnizimi me ujë të pijshem dhe vaditës, në arsim dhe shëndetësi etj, në kontrast me filozofinë qeverisëse të qeverisë aktuale e cila është rritja e taksave, një klimë armiqësore dhe presioni ndaj biznesit, adresim të investimeve publike, kryesisht në investime fasade dhe luksi. E dyta, është avantazhi që kam në administrim dhe aftësitë menaxhuese, avantazh që rrjedh nga profesioni dhe përvoja që kam në administrim dhe menaxhim të fondeve publike e private, përvojë e fituar gjatë gjithë periudhës sime të punës në profesion. E treta është avantazhi që kam në njohjen më të mirë të problematikës që ka Bashkia Mat dhe të aftësisë për të projektuar më saktë rrugët e zgjidhjes, avantazh që ma jep profesioni dhe përvoja në drejtim.
Mati është një zonë me histori të djathtë, por mosakordinimi i partive të djathta ka bërë që e majta të fitojë në disa raste. Si po funksionon koalicioni i djathtë? A e keni mbështejen e të gjitha partive të djathta?
Unë kam qenë për disa vite drejtues i PD-së në Mat dhe kam patur një bashkëpunim shumë të mirë, si me strukturat e PD-së, ashtu edhe me drejtuesit lokalë të partive të djathta, kështu që edhe në këtë kandidim, kam mbështetjen e plotë dhe bashkëpunimin më të mirë të mundshëm me gjithë koalicionin e djathtë.
Është folur nga kandidatë të tjerë të djathë në vend për presione nga e majta dhe për tentativë për blerje votash. A ka raste të tilla në Mat?
Në Bashkinë Mat nuk ka kandidat tjetër përveç dy kandidaturave të mbështetura nga dy koalicionet e mëdha.
Sipas jush, duke parë mënyrën si po ecën fushata, zgjedhjet do jenë të rregullta?
Me gjithë presionin e papranueshëm që po ushtrohet ndaj të gjithë të punësuarve në institucionet buxhetore dhe shoqëritë publike, si dhe ndaj biznesit, mendoj se qytetarët e Bashkisë Mat do të dinë t’i kundërpërgjigjen me qytetari këtij presioni dhe shpresoj që zgjedhjet të jenë të rregullta.