Oketa: PS, PD janë shndërruar në kazerma politike

A ju duket i sforcuar takimi i dy krerëve të forcave kryesore në vend edhe pse tema kryesore është Reforma?

“Takimi ndërmjet z. Rama dhe z. Basha edhe pse zhvillohej në funksion të Reformës në Drejtësi ishte më shumë se i sforcuar dhe fakti që nuk do të kishte dakortësim ishte lehtësisht i parashikueshëm. Kjo për disa arsye: Së pari ky takim më së shumti u realizua për t’i “dëshmuar” ndërkombëtarëve se ne e “duam” Reformën por ne “nuk mundemi” ta realizojmë atë. Reforma në Drejtësi ka afro një vit e gjysmë që përdoret si çështje për të mbajtur gjallë debatin dhe luftën politike se sa si një çështje për të cilën palët kanë vullnet për ta përmbushur. Nëse palët do kishin vullnetin e duhur për Reformën në Drejtësi, atëherë minimalisht paralelisht me të do të realizonin dhe Reformën Zgjedhore dhe jo ta përdornin këtë të fundit si kusht pengues për të parën. Nëse përpjekjet do të kishin qenë serioze atëherë mendoj se ky takim duhej të ishte realizuar para fillimit të punës së Komisionit të Reformës, të arrihej një marrëveshje në parim dhe në fund takimi të shërbente si një tregues se palët dinë të bien dakord dhe se besimi tek njëri­tjetri është rikthyer”.

Në konceptin tuaj, pse mungon një vullnet për një Reformë Zgjedhore të thellë dhe të pranuar nga të dy palët?

“Mungon pasi palët do të humbnin monopolin që kanë arritur të krijojnë në politikë nëpërmjet një Kodi Zgjedhor, si ai i miratuar në vitin 2008. Kodi aktual, listat e mbyllura dhe administrimi politik i zgjedhjeve janë faktorët që i garantojnë krerëve të forcave kryesore politike asgjësimin e çdo zëri ndryshe brenda partive dhe shndërrimin e tyre në kazerma politike. Janë të pakët shqiptarët, e aq më të pakët politikanët që do të donin t’i humbisnin të tilla mundësi për pushtet absolut”.

Pse është e vështirë të ndërrojnë elitat politike në Shqipëri?

“Sepse dhe vetë shqiptarët nuk e duan një gjë të tillë. Liderat e fortë për ta janë më të rëndësishëm se një ekonomi, arsim, shëndetësi e fortë. 45 vjet komunizëm me një lider absolut, ndoshta kërkojnë edhe 45 vite të tjera për të kuptuar se ndërrimi i elitave politike nuk është fundi i botës por është një mundësi më shumë për cilindo dhe se kjo përbën thelbin e një sistemi demokratik”. – “JavaNews”.

SHKARKO APP