Orgesa Zaimi: Nuk jetoj dot pa Radion

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Para një muaji këngëtarja, Orgesa Zaimi u bë nënë për herë të dytë. “Është një ndjesi e mrekullueshme, e cila duket edhe më e madhe kur vjen një fëmijë i dytë në jetë. Plotësohet cikli i jetës në këtë mënyrë dhe patjetër që kënaqësia është e madhe. Të mbush me lumturi, por edhe me përgjegjësi akoma më të madhe”, kështu e përshkruan ndjesine e mëmësisë Orgesa. Në një intervistë për suplementin “Koha Tjetër” ajo na tregon se mëmësia ka ndryshuar gjithë botën e saj, perceptimet, apo prioritetet, por pavarësisht përkushtimit maksimal ndaj familjes ajo gjen kohë edhe për angazhimet profesionale. Përveçse muzikës Orgesa ka edhe një dashuri tjetër të madhe e që është radio. “Radio është një tjetër pasion i imi që mund të them me bindje se së fundmi ka dominuar edhe mbi muzikën. Edhe pse sot nuk favorizohet shumë radio, unë jam ndër ata njerëz që pa radion nuk jetoj dot”, tregon Zaimi. Ndër të tjera këngëtarja flet edhe për muzikën, kompeticionet muzikore dhe planet e saj të ardhshme…


Para pak kohësh jeni bërë nënë për herë të dytë. A mund na të na tregoni diccka rreth kësaj ndjesie?

Është një ndjesi e mrekullueshme, e cila duket edhe më e madhe kur vjen një fëmijë i dytë. Plotësohet cikli i jetës në këtë mënyrë dhe patjetër që kënaqësia është e madhe. Të mbush me lumturi, por edhe me përgjegjësi akoma më të madhe.

Çfarë ka ndryshuar mëmësia tek Orgesa?

Ka ndryshuar gjithë botën time, perceptimet, apo prioritetet e mia. Mendoj se me ka bërë një njeri më të mirë dhe një femër të kompletuar. Mendoj me të vërtetë se të qenurit nënë është detyra më e rëndësishme e një femre, përpos arritjeve në karrierë, apo në profesion. Kjo është diçka që mbetet përgjithmonë e patjetërsuar.

Jeni e përkushtuar tërësisht në jetën familjare?

Momentalisht jam komplet e përkushtuar, duke qenë se ka pak kohë, një muaj, që jam bërë nënë për herë të dytë. Po e shijoj shumë këtë kohë që më ka sjellë ndjesi të reja edhe pse me pak lodhje më shumë, por në fund të ditës ndihem si një superëoman. Nuk do ta kisha menduar kurrë në rininë time të hershme se do të bëhesha nënë kaq shpejt dhe me dy fëmijë, por jam e lumtur që ndodhi shpejt, sepse në këtë mënyrë besoj do i shijoj frytet e viteve të mëvonshme kur fëmijët të jenë rritur.

Si e raciononi kohën midis familjes dhe anës profesionale?

Çdo gjë është e mundur. Nuk është aq e vështirë sa mund të duket. Dy fëmijë nuk janë as shumë, as pak, por me ndihmë nga familja ime e sidomos nënës sime më duket sikur nuk kam asnjë vështirësi që të jem edhe aty ku kam punë jashtë familjes. Megjithatë përkushtimi ndaj familjes është maksimal dhe i tillë do të jetë gjithmonë.

Orgesa Zaimi është një emër i njohur dhe i dashur për publikun, megjithëse duket sikur jeni tërhequr paksa nga skena muzikore. Është një zgjedhje afatgjatë, apo jeni duke përgatitur diçka për t’u rikthyer fuqishëm?

Siç e përmenda më sipër momentalisht përqendrimi im maksimal është në jetën time familjare, por mungesa ime nuk besoj të jetë shumë e gjatë. Dalja më e fundit në skenë ishte në festivalin “Kënga Magjike” edicioni më i fundit me këngën “Sa keq”, ku dhe isha në pritje të djalit tim, megjithatë ka kohë për të gjitha. Ndërkohë sot me teknologjinë, nëse të merr malli për një artist e gjen në youtube, ose në internet… ngado. Por gjithsesi patjetër që në planet e tjera jashtë familjes ka edhe angazhim me projekte muzikore.

Dalloheni për zërin e veçantë, paraqitjet e kuruara dhe stilin rock të të kënduarit, edhe pse kjo rrymë nuk është aq masive në vendin tonë. E shihni si avantazh, apo disavantazh këtë fakt?

Nuk e di se çfarë keni ju gazetarët me muzikën rock se gjithmonë e bëni këtë pyetje duke theksuar se rryma rock nuk qenka masive në vendin tonë (qesh). Vitet e fundit muzika rock po mbizotëron, sidomos në kryeqytet ku mund të gjeni shumë ambiente ku preferohet maksimalisht, jo vetëm nga të rinjtë, por mund t’u them me bindje se të gjithë kanë vend në biznesin muzikor, të mirët, të këqinjtë dhe të shëmtuarit. Unë e kam parë gjithnjë zgjedhjen time muzikore, apo artistike si tërësisht të justifikuar nga dëshira dhe pasioni im, sepse me këtë “zanat”, nëse mund ta themi përfitimi material në total është zero. Çdo gjë që kam bërë deri tani ka qenë më shumë shpirtërore.

Që në moshë të hershme jeni angazhuar dhe keni marrë pjesë në aktivitete dhe kompeticione të ndryshme. Çfarë domethënie kanë për ju kompeticionet artistike? Po vetë kompeticionet në përgjithësi?

E pranoj se unë mora një njohje nga spektaklet që zbulojnë talentet e reja dhe në atë kohë ishte zgjidhja më e mirë dhe e vetmja rrugë për t’u shfaqur. Sot nuk jam aspak dakord me këtë mënyrë reklamimi aq më tepër që ka ardhur në një masivitet të frikshëm dhe po na dalin më shumë këngëtarë, sesa banorë. Këshilloj gjithnjë kur më pyesin të rinjtë që të ndjekin forma të tjera reklamimi dhe jo formate të tillë. Mua më duket se më shumë shfrytëzohen talentet për të ngritur një spektakël, sesa e kundërta dhe ky me duket biznes e jo spektakël. Në fund, këta të rinj, apo fitues mbeten vetëm pa asnjë ndihmë dhe është njësoj si të rikthehen në anonim.

Pothuajse një pjesë e mirë e këngëve tuaja janë realizuar në anglisht. Përse keni zgjedhur të paraqiteni në këtë mënyrë?

Kjo sepse ka qenë pjesë e një projekti, të cilin e ndërmora së bashku me producentin e albumit Brand New Day, por më duhet t’u them se suksesi jashtë Shqipërisë nuk vjen duke ndenjur, apo jetuar këtu. Duhet një angazhim tepër i madh për t’u reklamuar në një treg anglisht folës. Momentalisht unë jam përqendruar më shumë tek familja dhe tek jeta në Shqipëri.

Muzika për ju është dhunti, pasion, apo profesion?

Pasion mbi të gjitha, një pasion i lindur që nuk mund të largohet, apo lihet mënjanë edhe pas disa përpjekjeve të mia për t’u larguar, por më duhet të them që ky pasion më ka shkaktuar shume zhgënjime, apo edhe dhimbje, megjithatë çdo gjë bëhet edhe për t’u ndjerë mirë. Unë ndihem mirë kur këndoj, kur performoj dhe këtë gjë besoj do ta mbaj të tillë e të paprekur gjithmonë.

Paralelisht me muzikën, ju i jeni përkushtuar edhe radios. Do t’i riktheheni emisionit në Club Fm?

Patjetër që po, sepse radio është një tjetër pasion i imi që mund të them me bindje se së fundmi ka dominuar edhe mbi muzikën. Edhe pse sot nuk favorizohet shumë radio, unë jam ndër ata njerëz që pa radion nuk jetojnë dot.

Nëse do t’ju duhej të zgjidhnit mes muzikës dhe radios, cilën prej tyre do të zgjidhnit?

Shumë e vështirë, do të isha në udhëkryq, sepse i dua te dyja dhe pa to nuk jam më unë.

Ka kaq shumë prurje në mënyrë  të vazhdueshme në tregun muzikor, duke krijuar një lloj “dehje” tek publiku. Si e shihni tregun muzikor shqiptar?

Në tranzicion të vazhdueshëm e shikoj, por së fundmi edhe të pashpresë, sepse e kam theksuar që nuk bëhet muzikë me trup, por me shpirt. Është nje temë e madhe për t’u zhvilluar, por le të shpresojmë që kjo panoramë të ndryshojë. Të kemi më shumë këngëtarë që këndojnë dhe jo këngëtarë që ekzagjerojnë në skenë, apo që përdorin trupin dhe imazhin e tyre për t’u pranuar si të tillë.

Projektet muzikore të afërta? Do të kemi ndonjë këngë së shpejti?

Në vjeshtë do të xhiroj videon time të ardhshme që këtë herë do të jetë një bashkëpunim, që vjen në kuadër të një çështjeje sociale shumë të dashur për mua. 

SHKARKO APP