Osman Stafa: Kërkesa për shkarkimin tim do të tregonte demokraci në PD

 

Kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Osman Stafa thotë se Kandidatja për kryetare bashkie e këtij qyteti Grida Duma,  u prezantua me vonesë dhe disa struktura të bazës edhe elementë në qendër, u treguan pasivë.

Intervistoi: Redjon Shtylla

Pas humbjeve në zgjedhjet e fundit lokale, Partia Demokratike ka nisur të bëjë analizën e këtyre shifrave, në disa prej qyteteve. Durrësi është qyteti ku PD-ja priste fitoren por që rezultatet nuk plotësuan pritshmërinë që kjo parti kishte. Në këtë intervistë dhënë për "Koha Jonë" Z.Osman Stafa, Kryetari i PD-së në Durrës, analizon me detaje  shkaqet që sollën humbjet në Durrës. Ai komenton dhe zërat për largimin e tij nga posti që mban. Stafa thotë se nuk ka pasur kërkesë për shkarkimin e tij, por edhe nëse do të kishte kjo do të dëshmonte demokracinë të brendshme në PD.

Z.Stafa, PD-ja sapo ka filluar procesin e analizimit të rezultateve ndaj zgjedhjeve të fundit lokale, përkatësisht të 21 qershorit. Njëherësh është marrë në shqyrtim dhe qarku që ju përfaqësoni si Kryetar i PD-së në Durrës, pse forca juaj politike humbi 13 mijë vota, dhe cilët ishin elementë që e shkaktuan këtë rezultat?

Ditën e premte dega e Partisë Demokratike Durrës zhvilloi analizën e zgjedhjeve të datës 21.06.2015. Gjej rastin të falënderoj frymën qytetarë, përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë si dhe seriozitetin me të cilin u karakterizua kjo analizë. Për strukturën apo drejtues të PD-së, për nivelin intelektual dhe politik në të cilën u zhvillua kjo analizë. Kjo analizë tregoi se PD-ja në shpirt ka dhe do të ketë parimet e dhjetorit të '90-tës, lirinë e fjalës, transparencën, përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë. Fryma e debatit dhe përgjegjësia që tregoi kjo analizë japin garanci për të sotmen dhe të nesërmen e PD-së në Durrës. Në Durrës në realitet nuk janë zhvilluar zgjedhje, por vjedhje. Struktura shtetërore u vendos në dispozicion të kandidatit të majtë Vangjush Dako, kjo strukturë përdori elementin kriminal të rrugës dhe krimin e organizuar, paranë e pistë, presionin dhe dhunën ndaj çdo qytetari dhe çdo votues jo të majtë. Si kurrë ndonjëherë administrata qendrore apo lokale nuk ka qenë në funksion apo  në shërbim të forcës politike në pushtet, si në zgjedhjet e 21 qershorit. Gjithashtu kurrë kjo administratë, familjaret e tyre, miq apo dashamirës, kanë qenë nën trysni apo presion nga çdo drejtim për të kontrolluar vullnetin e votës. Në të kundërtën ata dhe familjarët e tyre do të ballafaqoheshin me pasojat. Dhuna fizika para dhe gjatë procesit zgjedhore. Presione dhe trysni drejtpërdrejt nga element kriminale. Më gjeni një rast të vetëm që unë si kryetar i PD-së të jem shoqëruar apo të kem përdorur elementet kriminal në funksion të fushatës. Vetëm për një muaj janë shtuar në regjistrin e gjendjes civile Durrës mbi 2800 votues. Por sa është numri real ndër vite? Ky rast i pa precedent është denoncuar nga ana ime me datë 17.04.2015 në gazetën lokale. Si reagoi komisioni qendror i zgjedhjeve, si reagoi prokuroria dhe institucionet e tjera ligj zbatuese?  Kjo është fryma për pasojë dhe produkti i zgjedhje të realizuara në Durrës. Dhuna periodike e cila përfshiu pothuajse në çdo njësi në bashkinë e re të Durrësit  tregon brishtësinë e shtetit dhe mungesën e vullnetit  të organeve kompetente për të funksionuar normalisht me sistemin politik aktual. Mosfunksionimi i shtetit është një simptomë tepër shqetësuese, për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Kjo klasë politike pjell e një prillit 2013 nuk mundet dhe nuk ka vullnet të ndërtojë institucione të qëndrueshme e të pavarura, të krijojë një administratë shtetërore të aftë e efektive, të forcojë sundimin e e të drejtës, të promovojë zhvillimin ekonomik të vendit duke nxitur lirinë e tregut por edhe duke krijuar rregulla të qarta, të forcojë shtetin ligjor, dhe jo me të krijojë kushtet për dialog politik afatgjatë.

Sa ndikoi kandidatura e PD-së në Durrës në rezultatin e zgjedhjeve?

Znj.Duma si kandidaturë e propozuar nga PD-ja dhe forcat e djathta në Durrës solli një risi. Niveli intelektual dhe qytetar nuk kishte të krahasuar me kundërshtarin. Ndoshta përcaktimi i kandidatit në momentin e fundit na vonoi në procesin e përgatitjes së fushatës dhe programit të aktiviteteve paraelektorale. Disa struktura të bazës, por edhe elementë në qendër, u treguan pasivë, dhe në rrethana qejf mbetjesh apo lodhjesh nga vitet e angazhimit në politikë, nuk dhanë maksimumin e tyre në fushatë. Por ritheksoj dhe një herë mirënjohje dhe respekt për çdo qytetar dhe demokrat të çdo niveli përfaqësimi për punën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të idealit dhe të bindjeve të tyre politike.

Ka pasur zëra në media që gjatë analizës së zgjedhjeve në Durrës është kërkuar shkarkimi nga posti që ju mbani aktualisht, si kryetar i PD-së në qarkun e Durrësit. A ka një kërkesë zyrtare?

Në analizën e zhvilluar PD-ja tregoi që është parti e vlerave. Ka patur debate, diskutime, analiza dhe përgjegjësi që tregoi pjekurin politike të PD-së, dega Durrës. Nëse do të kishte patur një iniciativë të tillë do të gjeja rastin ta falënderoja sepse kjo do të tregonte se deri ku funksionon demokracia e brendshme në këtë parti. Diskutimet dhe debatet janë fokusuar mbi kushtet në të cilën u zhvilluan zgjedhjet lokale në Durrës, problematikat dhe dobësitë tona si dhe u dhanë alternativa dhe mendime se çfarë duhet bërë më mirë dhe çfarë duhet ndryshuar. Një hapësirë jo të vogël në këtë analizë ju kushtua sfidave  përballë situatës dhe përgjegjësisë së opozitës për ti paraprirë reagimit qytetarë në situatën aktuale që ndodhet vendi. Sot shoqëria shqiptare ndodhet përballë një epidemie të frikshme të largimit të qytetareve nga Shqipëria. Të gjithë i dimë arsyet dhe duhet me çdo kusht dhe çmim të parandalojmë këtë epidemi. Nëse nuk do të ketë një reagim pasojat dhe përgjegjësit do të jenë për të gjithë dhe ndaj të gjithëve.

Z.Osman kush e ka përgjegjësinë e plotë të humbjeve në shumë prej bashkive në rang kombëtar? Si e shihni opozitën të drejtuar nga Lulëzim Basha?

Mjafton të rilexojmë raportin e OSBE-ODIHR. Më shumë më shqetëson ajo çka ka ndodhur se sa konstatimet e raportit. Ku jemi dhe ku po shkojmë. Ku dhe kur do të jetë fundi dhe ri-ngritje jonë? E para, se me 21 Qershor, në Shqipëri nuk u mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo, sepse qeveria zhbëri dhe dhunoi standardet themelore të zgjedhjeve, duke shënuar kështu një rrëshqitje mbrapa të demokracisë shqiptare. Standardi më themelor i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është liria e votës. Dhunimi i lirisë së votës përbën shkelje të këtij standardi themelor dhe kriteri të Kartës së Kopenhages, dokument themelor i të drejtave të njeriut. Raporti konkludon se, pikërisht liria e votuesve për të hedhur votën e tyre, të lirë e pa frikë nga ndëshkimi i qeverisë, u dhunua. Kriter i Kartës së Kopenhagës, që është ndarja e partisë nga shteti, zbulon mekanizmin me anë të të cilit, dyshja Rama-Meta dhunuan zgjedhjet për të kapur me çdo çmim pushtetin. Ky raport sjell prova dhe fakte se me 21 qershor nuk pati garë dhe konkurrencë alternativash, por shteti u ndesh me qytetarët dhe me opozitën. Pra jo garë mes partive, por shteti kundër qytetarëve. Mos kërkoni humbjen kur përballë keni hajdutin. Z.Basha ka pjekurin dhe qartësinë e duhur për të drejtuar opozitën dhe shpirtin opozitar të qytetarëve shqiptarë. Për hir të së vërtetës jam i befasuar pasi të jesh kryetar i PD-së pas një lideri të njësuar në institucion si Z.Berisha është tejet e vështirë. Koha tregoi se janë disa iniciativa personale të Z.Basha që çdo ditë po e shkërmoq klikën oligarkë të dyshes Rama & Meta. Pra për mendimin tim Z.Basha është fytyra evropiane e politikës së re shqiptare.

Ka pasur debate mes deputetëve dhe krerëve të PD-së, ku deputetët kanë deklaruar se një pjesë e drejtuesve në rrethe nuk kanë treguar etikë në qëndrimet e tyre. Sipas jush cilat janë arsyet e mos marrëveshjeve mes deputetëve dhe krerëve të degëve të PD-së?

Kam qenë dhe jam i mendimit se diskutimet e çdo niveli brenda një force apo subjekti politik duhet dhe të jenë pjesë apo të prezantohen në forume. Nëse këto diskutime apo ide nuk gjejnë hapësirë në forume atëherë çdo individ i çdo niveli mundet ti shfaqe në media vizive apo elektronike.

Z.Stafa jeni shprehur se situata dramatike që të ofron sot spitali i Durrësit është në kushte jo shumë të mira, çfarë po ndodh konkretisht në spitalin e Durrësit?

Po është mëse e vërtetë si dhe kam bërë një denoncim publik për këtë situate katastrofike. Denoncimi im i referohet ankesave dhe shqetësimeve pa fund ardhur nga qytetarët. Shumë shpejt do të nxjerrim fakte dhe prova të situatës reale në të cilën ballafaqohet sot pacienti në spitalin e Durrësit.

Në qytetin e Durrësit në vendin e quajtur Porto Romano, është pohuar në media se aty depozitohen mbetje urbane, sa në vërtetësi e saj qëndrojnë këto akuza ndaj Bashkisë dhe jeni në dijeni të këtij problemi?

Në zonën e Porto Romanos po kryhet një krim me apo pa dashje nga drejtuesit aktual të bashkisë Durrës. Në këtë zonë është vend hedhja e plehrave të qytetit. Nisur nga situata e krijuar si dhe krimi që po kryhet në këtë  zonë ndaj ambientit dhe shëndetit, unë Osman Stafa në cilësinë e kryetarit të PD-së dega Durrës i kam bërë një kallëzim penal drejtuesit të bashkisë Durrës Z.Vangjush Dako. Kallëzimi është bërë me dt 04.09.2015.

 

 

 

SHKARKO APP