Parid Cara: Dhunës së PD-së do i përgjigjemi me punë dhe investime
Flet për "Koha Jonë" deputeti i PS-së, Parid Cara: Opozita të bashkohej me ne për realizimin e reformave, jo të protestojë rrugëve të Tiranës
Parid Cara: Dhunës së PD-së do i përgjigjemi me punë dhe investime
Intervistoi: Redjon Shtylla
Deputeti i Partisë Socialiste, Parid Cara, në një intervistë dhënë për gazetën "Koha Jonë", flet për investimin e vëllait të tij në Kavajë, që u cilësua si një aferë klienteliste. Ai thotë se, opozita në Shqipëri po baltos çdo njeri që kërkon të investojë në mënyrë të ndershme. “Në vendin tonë opozita dëshiron të baltosë çdo njeri që ka dëshirë të punojë, çdo njeri që ka dëshirë të investojë mbi idetë e veta. Çdo njeri që sjell inovacion, çdo njeri që kërkon të hapë vende të reja pune”,- shprehet Cara.
Deputeti socialist flet për investimet dhe projektet e qeverisë “Rama” duke vënë në dukje se si ligjvënës ka qenë në kontakte me kompanitë e huaja që duan të investojnë në Shqipëri. Cara komenton dhe situatën politike në vend dhe protestat e opozitës. “Do të ishte një arritje e rëndësishme që opozita të bashkohej me ne për realizimin e reformave dhe jo të protestojë rrugëve të Tiranës". Lidhur me marrëdhënien mes koalicionit PS-LSI, Cara shprehet se, koalicioni është solid dhe i hedh poshtë zërat për zgjedhje të parakohshme.
Këto ditë ju kanë përfshirë në akuza të drejtpërdrejta për vëllanë tuaj në lidhje me investimin në një varrezë private. Si qëndron e vërteta në lidhje me këtë tender?
Siç edhe e keni parë, reagimin në lidhje me këtë çështje ka qenë i menjëhershëm. Unë nuk kam asgjë për të fshehur ndaj edhe qëndrimi im është i qartë. Në vendin tonë opozita, por shpesh dhe gazetarët, duan të baltosin çdo njeri që ka dëshirë të punojë, çdo njeri që ka dëshirë të investojë mbi idetë e veta. Çdo njeri që sjell inovacion, çdo njeri që kërkon të hapë vende të reja pune dhe kjo vetëm për faktin se duan të ulin kreditet e kësaj maxhorance, sepse kjo maxhorancë i mbështet njerëzit që duan të investojnë në Shqipëri.
Ju si një biznesmen, por tashmë si pjesë e politikës së bashku me qeverinë, a e keni ndihmuar biznesin të zhvillohet apo sot, biznesi është në krizë?
Sapo kam filluar mandatin si deputet, kam pasur si prioritet thithjen e investitorëve të huaj, sidomos atyre italianë. Kjo është një punë e rëndësishme dhe unë i kam dedikuar shumë kohë të gjitha kontakteve të mia me sipërmarrësit italianë. Disa nga këto kompani, kanë shprehur interes real për të investuar në Shqipëri dhe po ndërmarrin hapat e para për këto investime. Ajo çka më jep optimizëm në këtë pikë është fakti se vetë Kryeministri ka treguar interes, madje, në shumicën e rasteve i ka pritur vetë këta sipërmarrës, të cilët kanë etje për të dhënë eksperiencë nga vetja e tyre në realitetin tonë. Ne sot për sa i përket marrëdhënieve me biznesin, jemi në drejtimin e duhur, ka shpresë, por ka ende shumë për të bërë dhe jam i bindur që do ja dalim. Në Shqipëri ka një fiskalitet shumë interesant që e bën atë shumë atraktivë për investitorët e huaj.
PD-ja do të protestojë përsëri. Ju si maxhorancë si ju përgjigjeni këtyre protestave?
Unë besoj se protestat janë në të drejtën e çdo njeriu, por e rëndësishme është që të jenë paqësore, pa dhunë dhe pa dëme për qytetin. Qytetarët nuk kanë për borxh të shohin qytetin të shkatërruar njëherë në javë. Qyteti ndërtohet me punë dhe mund, ndaj teknikat e prapambetura demonstrative nuk i shërbejnë askujt, madje, referuar edhe deklaratës së Ambasadës Amerikane, kjo formë është drejtimi i gabuar i opozitëbërjes. Ne si maxhorancë përgjigjemi me punë dhe me vazhdimin e reformave që janë në agjendën e kësaj maxhorance. Do të ishte një arritje e rëndësishme që opozita të bashkohej me ne, për realizimin e reformave dhe jo të protestojë rrugëve të Tiranës.
Jeni në mandatin e parë si deputet. Do të rikandidoni përsëri në zgjedhjet e ardhshme?
Kjo është një çështje pak delikate, pasi unë jam i ri në Parlament dhe nuk kam akoma eksperiencën e duhur për të qenë faktor në politikën shqiptare, por kam dhënë kontributin tim, sadopak i vogël qoftë ai. Për sa i përket rikandidimit tim, besoj nuk është ky momenti për të diskutuar. Nga zgjedhjet e 2017-s na ndajnë plot 18 muaj, besoj që këtë kohë ta dedikojmë reformave që i duhen vendit dhe jo interesit tonë personal.
Në optikën tuaj, si po qeverisë koalicioni i PS-së dhe LSI-së? Ka disa kohë që flitet për zgjedhje të parakohshme?
Kësaj pyetjeje ju është përgjigjur shumë herë Kryeministri Edi Rama. Koalicioni PS-LSI është solid dhe do të vazhdojë kompakt në qeverisjen e vendit. Në optikën time nuk ka zgjedhje të parakohshme dhe ata që presin të kundërtën, duhet të presin 2017-n. Interesi absolut është në stabilitet dhe jo destabilitet.
A mendoni se ka nevojë për ndryshime në Qeveri?
Unë nuk kam asnjë dijeni dhe unë nuk jam personi, të cilit duhet t’i drejtohet kjo pyetje.
Si pjesë e komisionit për veprimtarinë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin, deri më tani, si do t’i vlerësonit arritjet dhe dështimet në këto fusha?
Në komisionin e veprimtarive prodhuese kalon pothuajse çdo projekt madhor, i cili më pas kalon për miratim në Parlament dhe performanca e drejtuesve dhe deputetëve, të cilët janë konstruktivë në arsyetim, sigurisht që, është pjesë e suksesit dhe jo dështimit. Vërtet ka shumë dinamika dhe ngarkesë si komision, por kjo nuk ul dëshirën e askujt për të dhënë më shumë nga vetja për të punuar me komisionin si paradhoma më e rëndësishme për në raport me Parlamentin.
Si është raporti juaj me Kryeministrin?
Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjem edhe me një fjali të vetme “është njeriu për të cilin kam ardhur të kandidoj në Shqipëri”, por do të ishte shumë sintetike si përgjigje. Raporti im me Kryeministrin është shumë konstruktiv dhe shumë i gjallë. Si në çdo marrëdhënie pune tjetër, ka momente shumë të mira dhe momente të vështira. Raporti sot me Kryeministrin, madje, është më shumë intensiv seç e prisja.
Po me Kryetarin e Bashkisë z.Rroshi keni biseduar në lidhje me punën e bërë gjatë mandatit të tij? Si një njeri i biznesit çfarë i mungon qytetit të Kavajës, ku dhe ju jeni deputet i saj?
Në Kavajë dhe rrethina ka akoma nevojë për investime dhe zhvillim, por askujt nga ne, as pushtetit qendror dhe as atij vendor nuk i mungon dëshira dhe ambicia për ta bërë akoma më të mirë cilësinë e jetës në zonën tonë.