Pashk Luka: Mjaft me kurthe, drejtësia e tha fjalën e saj

Prokuroria pushon kallëzimin penal ngritur nga K.L.SH për ish kreun e Aluizni-t, Lezhë

 

Pak muaj më parë, kallëzimi penal që K.L.SH ngriti ndaj ish kreut të Aluizn-it, Lezhë z. Pashk Luka, si dhe disa punonjësve të këtij institucioni bëri xhiron mediatike. Në intervistën e dhënë për gazetën “Koha Jonë” asokohe, z. Luka u shpreh se e priste i qetë ballafaqimin ligjor, pasi i qëndronte fjalës së tij që ka punuar gjithë jetën me dinjitet e seriozitet. E duket se gjërat pas kaq kohësh kanë shkuar pikëriaht në vendin e vet. Kjo për faktin se prokuroria tashmë ka vendosur pushimin e çështjes së ngritur ndaj tij. Lidhur me këtë temë, si dhe disa paqartësi të tjera vetë z. Luka flet në intervistën e mëposhtme.

 

 

Cili është komenti juaj tashmë qe prokuroria ka dhënë vendimin e pushimit të çeshtjes së ngritur ndaj jush z. Luka?

Besoj ështe e kuptueshme se qetësia e shprehur nga unë ishte bindje se për rastet e evidentuara nuk ishim në kushtet e shkeljes ligjore, apo të shpërdorimit të detyrës. Në kontaktet dhe ballafaqimin e bërë në intitucionin e K.L.SH., por edhe zyrtarisht kishim dërguar observacione të hollësishme ku argumentonim të gjitha çështjet për të cilat akuzoheshim. Argumentet tona ishin me bazë të thelluar ligjore dhe thellësisht teknike. Procesi i legalizimit është tej mase i vështirë, jo vetëm në raport me qytetarët, por dhe shumë kompleks në aspektin ligjor. Duhen parë të lidhura ligji me ndryshimet e bëra, me V.K.M që krijojnë hapësira zgjidhje të ndryshme në zonat urbane nga ato jo urbane. Rastet e evidentura nga K.L.SH kanë qenë çështje interpretimesh teknike, që rrjedhimisht nuk mund të konsiderohen shkelje ligjore.

 

Domethënë sipas jush, kallëzimi për ju mund të shmangej, apo thënë ndryshe ishte i panevojshëm?

Po, kam qenë dhe jam i bindur për këtë. Po të merreshin parasysh argumentet tona përmes observacioneve ku shpjegonin në detaje zinxhirin ligjor, nuk kishte pse të shkonte çështja në prokurori. Në mënyrë të pashpjegueshme nuk u reflektua realisht asnjë argument për të provuar shkeljet, ose jo të ligjit, madje edhe një gabim njerëzor u la ashtu si shkelje. Ne i ofruam organit të akuzës gjithë argumentet dhe observacionet që i kishim dërguar K.L.SH.. Fakti që prokuroria nuk vërtetoi shkeljet ligjore e nënkupton këtë që unë po them.

 

Kjo që ju shprehni hap një debat më të gjerë për një qëndrim jo sa duhet objektiv e profesional të K.L.SH.?

Po, kjo duhet thënë me të madhe. Këta të K.L.SH nuk janë ata të qiellit, por pjesë e realitetit të sotëm shqiptar. Përdorimi i autoritetit të kontrollit, apo më saktë keqpërdorimi me prapavijë për t’i bërë të gjithë të zinj njësoj, apo nënshtruar është një e vërtetë e hidhur e kudondodhur. Ka jo pak anektoda me histori gjobëvëniesh edhe me institucionin e kontrollit të lartë të shtetit; “Luaj se këta të bëjnë gjëmën”, më këshillonin shumë miq. “Diçka do të gjejnë gabim dhe ata i gatuajnë punët si të duan”, “janë autoritet i pavarur”, etj.. Po përse duhet ndërtuar gjithë kjo lojë kurthesh, besoj këtë e kanë provuar e pohuar mjaft zyrtarë si unë.

 

Tashmë që kjo histori u mbyll, si ndjeheni?

Kuptohet kam të drejtë të jem i qetë. Tashmë po lë pas një punë të provuar korrekte me ligjin dhe të suksesshme në treguesit e performancës. Vitin që shkoi janë dhënë 3000 mijë leje legalizimi, ndërkohë që për gjithë vitet së bashku deri në vitin 2013 jane dhënë në total 1393 leje. Kjo besoj e bën dukshëm diferencën. Me këtë ritëm procesi i legalizimit për qarkun Lezhë mund të mbyllej në vitin 2013, ose duhet të përfundojë në më pak se tre vitet e ardhshme. Natyrisht nuk mund të pretendojmë se kemi bërë më të mirën e duhur, por jam i bindur se bëmë gjithçka të mundur. Ajo që më bën të ndjehem mirë, pse jo krenar është se punova me korrektesë zyrtare dhe drejtësi njerëzore në shërbimin ndaj çdo qytetari pa dallim, me tranparencë, larg çdo forme të errët korrupsioni. Kjo që unë them është në sytë dhe vlerësimin e publikut dhe nuk mund ta bëjë cilido. Tashmë që jam larguar nga kjo detyrë ndjej çdo ditë mirënjohjen e tyre.

 

 

 

 

SHKARKO APP