Petrit Vasili rrëfen marrëdhëniet Meta-Rama dhe bën njëparalajmërim për Bashën

Kreu i frupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili në një intervistë për “Shih Programin” në TVSH ka rrëfyer në lidhje me marrëdhëniet brenda shumicës, situatën ekonomike dhe dekriminalizimin.

Vasili rikthen në vëmendje edhe çështjen e mbyllur të Lulzim Bashës për rrugën Durrës-Kukës. Por si e shikon ligjin për dekriminalizimin? Si janë raportet mes Ramës e Metës, dhe kur janë takuar ata për herë të fundit? Cili është komenti për raportin e OSBE të bërë publik pak ditë më parë si dhe për shumë çështje të tjera të ditës…

Nuk i shpëtoj dot kërshërisë. A ju duket normale marrëdhënia Rama- Meta?

Pse megjithë mend ju duken anormale marrëdhëniet Rama-Meta?! Nuk kam se çfarë t’ju them, ne si politikanë mund t’ju lejojmë të keni realitetin tuaj, sepse ne kemi tonën, ku nuk ka asnjë çarje mes dy liderëve të mazhorancës. Politikanët nuk mund të marrin përsipër të jenë “sytë” e gjithkujt. Ne kemi një test si koalicion, vendimmarrjen. Në këtë pikë jemi të unifikuar. Më tutje është një botë ku unë nuk ju ndjek dot ju

Nuk më rezulton që dy bashkëdrejtues koalicioni të mos takohen, qoftë dhe për një kafe prej shumë kohësh dhe kjo të quhet marrëdhënie e mirë?

Jo kjo nuk është e vërtetë. Rama dhe Meta janë takuar edhe para pak ditësh për kafe. Janë takuar dhe të mërkurën dhe të premten. Madje, edhe para pak orësh ishte sërish një takim tjetër i tyre. Më pas u mblodhëm kryetarët e grupeve parlamentare. Pra, kemi patur edhe sot (të hënën) një takim të zakonshëm, një traditë pozitive e vendosur mes dy bashkëkryetarëve të shumicës. Shumë reforma kalojnë në konsensus.

Pra flisni të njëjtën gjuhë?

Sot është koha e shumë gjuhëve, por mund të them se mazhoranca flet të njëjtën gjuhë.

Po ankesat pse janë atëherë? LSI ankohet për PS dhe anasjelltas…

Nuk besoj se është kështu, pasi ne përsëri prodhuam së bashku 1 milion vota. Nuk besoj se jetojmë në një epruvetë të madhe dhe sterile ku nuk ka asnjë lloj diskutimi apo debati. Sigurisht edhe ka, edhe do të ketë mosdakordësi për çështje të ndryshme, do të kemi dhe përplasje, këto sjellin zhvillim përsa kohë janë marrëdhënie demokracie.

Dekriminalizimi…, sa fjalë e vështirë për folësit e lajmeve, megjithatë qeveria duket sikur e kapërceu komisionin duke propozuar një variant krejt të vetin…

Ne kemi ngritur një komision të përbashkët. Unë kam punuar për të arritur një marrëveshje me opozitën për këtë çështje dhe si përherë në politikën shqiptare në një mesnatë arritëm në marrëveshje. Komisionin e mori opozita ta drejtonte me Oerd Bylykbashin. Pastaj pas kaq javësh punë, opozita shpall një variant të sajin duke anashkaluar ajo e para komisionin, të cilin ata vetë e drejtonin. Përse të ndodhë kjo? Nuk përgjigjem dot.

Atëherë qeveria propozoi një ligj të ri, një draft që në gjykimin tonë është më i plotë dhe më i thellë. Dy draftet kanë pika të përbashkëta të shumta, si rrallë herë në historinë tonë legjislative.

Por, nuk i takonte qeverisë apo jo? Mund të prorpozonin deputetët e shumicës një draft për të vendosur ekuilibri, por jo qeveria…

Jo, në këtë rast qeveria ka shprehur vullnetin e shumicës. Qeveria i përket kësaj mazhorance.

Ka vend për t’i kaluar në sitë dy draftet?

Ata sigurisht që duhen kaluar, por gjëja pozitive është përputhshëria e lartë. Mazhoranca dhe opozita kanë dy inisiativa që bashkohen në shumë pika më në fund.

Shqiptarët janë tashmë gati të bindur se në Kuvend ka të kriminalizuar. A nuk është paradoksale që këta njerëz me të shkuar penale do të votojnë pro këtij ligji?

Ta sqaroj. Të gjithë politikanët janë në sytë e publikut. Asnjëri nuk mund të thotë se nuk e njohim njëri-tjetrin shumë mirë, besoj se ka një ekzagjerim të kësaj çështje.

Shqipëria është një vend i vogël. Ne e njohim njëri-tjetrin, ne e dimë kush është marrë me çfarë. Atëherë përse u votuan. Nuk është pra vetëm faji i klasës politike.

Ka faj populli…

Një herë në katër vjet ai voton.

Mos të bëjmë sikur nuk e dimë. Nëse dikush shkon paguan listat e bukës në dhjetë fshatra, merr votat. Ky vend është i varfër…

Nuk është krejt kështu, por politika nuk mund t’i shpëtojë miratimit të këtij ligji dhe vetërregullimit.

PD kërkon shenjat e gishtërinjve dhe testin e drogës?

Testin e drogës kam thënë prej kohësh që le të bëhet. Të vendosen procedurat ligjore korrekte. Unë për të hequr psikozën e dekriminalizimit jam gati të bëj çdo lloj testi. Edhe ky test ka pjesë të spekullimit të opozitës, sepse jam mjek dhe e di që nuk nxjerr në dritë gjithçka. Është test i vështirëm jo si gypi për alkolin në rastin e shoferit. Megjithatë, nëse duan le ta bëjnë.

Përsa i përket shenjave të gishtave, a nuk i kemi lënë edhe unë, edhe ti e bashkë me ne të gjithë shqiptarët kur kemi marrë pasaportat? Cfarë ka këtu të re apo të çuditshmë?!

Ilir Meta është shprehur se deputeti Braho është nxituar në deklaratën e tij për punën e drogës që e kanë konsumuar si majtas dhe djathtas në politikë…

Meta, pati vërejtje vetëm për standardin juridik të Braho. Ai e do atë gjithmonë në maksimunin e mundshëm, aty ku në fakt e ka vendosur eksperienca e tij.

A rrezikon kjo puna e dekriminalizimit të përfundojë si puna e dosjeve të Sigurimit?

Unë them se ky ligj duhet dhe do të miratohet. Kjo, pasi kjo çështja e dekriminalizimit është bërë si psikozë. Duket sikur të gjithë politikanët janë të inkrimunuar. E përveç kësaj duhet ta ndihmojmë edhe opozitën që të bëhet protagonist, sepse nuk poi a del dot ndryshe.

Po si e gjykoni shëtitjen e ambasadorit Donald Lu te krerët e shtetit? Te Meta ishte gazmor, e çuditshme…

Ju e dini që unë kam jetuar për shumë vite jashtë Shqipërisë. Ndryshe nga atje, ne këtu i japim shumë vëmendje ndërkombëtarëve. Kështu ka qenë gjithmonë, pasi kanë qenë gjithmonë aleatët tanë. Sidomos ambasada amerikane sjell përvojë të vyer. Shkolla amerikane e demokracisë është e ndërkombëtarizuar. Shumë mirë duhet thënë që ambasadori ka kontakte kaq të shpeshta me krerët e politikës! Dy çështje që duhet të kenë konsensus: dekriminalizimi dhe reforma në drëejtësi si dhe çelja e negociatave janë të lidhura e duhet të kenë zgjidhje të shpejta për to. Ambasadori amerikan është i mirëpritur dhe nga opozita, dhe nga mazhoranca. Ne vuajmë nga mosbesimi i madh në politikën shqiptare, ai është gjithmonë si një garant i paqes. SHBA kanë sjellë dhe një prokuror për çështjet e korrupsionit, pra janë shumë të pranishëm.

Duket sikur amerikanët i trazojnë ujërat në këtë “katundin tonë” apo jo?

Amerikanët i kullojnë ujërat.

Ndërsa i bie të jetë koiçidencë që ministri Naço kërkoi të dhëna për rekordet kriminale të shtetasve shqiptarë në vendet e BE dhe SHBA…

Kjo është një kërkesë shumë e mençur dhe kohën e duhur. Do të kemi kështu të dhëna për të gjitha rekordet, në një data-base që do të gjendet këtu.

A keni një koment për raportin e OSBE?

Jo, sepse e lexova vonë. Madje, më shpejt sesa të lexoja raportin, dëgjova reagimin e ambasadorit të OSBE-së Rauning. OSBE ka vlerë me misionin e saj në Shqipëri. Sidomos në fushën zgjedhore ka ndryshuar në përmirësimin gradual. Unë këtu distancohem nga propaganda e opozitës, por zgjedhjet sot kanë tjetër standard. OSBE ka patur një rol të madh. Pas raportit të fundit për zgjedhjet ku kishte vërejtje të shumta, kryesisht dhe teknike, e shikoj OSBE-në si mjaft të rëndësishme.

Agron Duka ndërkohë ka thënë së do ta hedhë në gjyq, Berisha e përçmoi, por ambasadori amerikan në OSBE e ka marrë në mbrojtje raportin…

Kjo ishte në fakt ajo çfarë duhet të ndodhte. Rauning, e sqaroi se ishte një raport rutinë, jo zyrtar, një përmbledhje e lajmeve të shtypit shqiptar.

I vetmi që nuk përmendej në raport ishte Lulëzim Basha. Meqë ju keni punuar në një qeveri me të a më flisni dot për vlerat e pakoruptueshme të tij?

Basha është një rast që fliste vetë, nuk kishte nevojë për gazeta. Ishte në Gjykatën e Lartë, por nuk u zbardh e vërteta për arsye shëndetësore, diarreike, udhëtime të shumta jashtë vendit. çdo gjë ndodhet në arkivat e çështjeve të mëdha penale, ende të paprekura. Ajo është afera me e frikshmë, akuzohet për mbi 200 milion dollarë abuzim. Nuk është prekur ajo akuzë për arsye proceduriale, por do t’i shkohet deri në fund çështjes së Lulëzim Bashës, se janë shumë para në mes.

Prandaj, OSBE nuk e shkruajti, sepse ishte një histori që e dinë të gjithë.

Ndërkohë jo pak gjëra kishte shkruar për Ramën, Berishën, Metën…

Basha është më i qetë se e ka akuzën rreth 1700 faqe. Po kjo është punë e drejtësisë tashmë

Për tu rikthyer tek dekriminalizimi. Do ketë marrëveshje në Kuvend për votimin e këtij ligjit?

Unë jam shpresëmadh. Janë dy draftet gati të ngjashme, janë aty, vullneti është. Pra, nuk mund të mos arrihet dhe kjo marrëveshje.

Dikur jeni shprehur i pakënaqur me disa aspekte të qeverisjes. Keni folur si Vasili intelektual, apo si zyrtar i LSI?

Kam thënë që duhet të ketë një fokus tek ekonomia. Më thjeshtë: Nëse kemi parë disa fenomene kam thënë që nuk shkojnë duhen korrigjuar. Tashmë ka nisur një operacion kundër informalitetit. Ne kërkuam që të mos humbasë asnjë minut kohë.

Aksioni është pozitiv sipas jush, megjithëse është represiv?

Strategjinë e përdorimit të task-forcave e kemi përdorur sa herë ka patur probleme madhore që janë dashur të ndërhyhet, por duhet pranuar që më shumë është përdorur fjala “burg”, sesa është përdorur burgu në praktikë.

Ju keni kërkuar një paketë inteligjente fiskale. çfarë do të thotë kjo?

Unë e kam kërkuar një analizë të paketës për t’ia përshtatur vendit ku jetojmë për të prodhuar një ndikim social pozitiv.

Jemi në kulmin e aksionit kundër informalitetit. Nuk shoh ministra të LSI-së të jenë të përfshirë?

Në këtë aksion janë përfshirë ministrant që duhen dhe që e kanë për detyrë dhe kush ka kopetenca të bëjë punën. Të tjerët vetëm i shtojnë propagandën këtij aksioni. Nuk e kanë vendin aty ministrant tanë.

Ndonjë koment për Bashkinë e Tiranës?

Është në fillimet e veta, por ritmi është krejt i ndryshëm. Bashkia më parë flinte gjumë, ndaj fitorja ishte spektakolare dhe më ka lënë një shije të jashtëzakonshme. Halim Kosova, miku im, me shumë qytetari dhe edukatë u përpoq të mbyllte boshllëkun e tmerrshëm elektoral dhe faktik që i lanë të tjerët. Ai me imazhin pozitiv mbuloi greminën e demokratëve.

Në degën e PS-së në Shkodër para pak ditësh është kërkuar që të prishet aleanca me LSI-në. Keni një koment?

Unë nuk e kam dëgjuar këtë. Por, unë mund të komentoj vetëm ndonjë deklaratë të kreut të PS-së, jo të zërave dhe vrimave të gardhit.

Basha, i pyetur për një aleancë me PS, nuk e hedh poshtë thotë që Ia lë votës së popullit. Nëse do ndodhte një aleancë e tillë LSI-ja i bie të shkojë në opozitë…

Basha ka një aftësi që të mos thotë asgjë. Por, ne nuk e kemi frikë edhe nga vajtja në opozitë. A shkon fjala frikë dhe LSI bashkë?!

Por, kjo beteja e Lulit është pjesa ku ne kemi rubriken e humorit.

SHKARKO APP