Pjerin Ndreu: Duhen përmirësime e ndërhyrje në Qeveri

 

Deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu, kritika për disa nga reformat e qeverisë: “Nganjëherë sjellja e strukturave që operojnë në terren është arrogante, joprofesionale dhe abuzive. Arrestohen berberë dhe u priten dritat 90-vjeçarëve!”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Ndryshime në qeveri nuk kërkon vetëm LSI-ja, por edhe deputetë të PS-së që kanë rezerva për mënyrën sesi po drejtohet vendi. Kështu, deputeti Pjerin Ndreu, një prej zërave kurajozë në Partinë Socialiste,në një intervistë për “Koha Jonë” thotë se në qeveri ka nevojë për përmirësime dhe ndërhyrje. Ndërsa shton se ndryshimet në kabinet janë e drejtë e kryeministrit, Ndreu lë të kuptohet indirekt se bashkëpunimi mes grupit parlamentar dhe qeverisë nuk është në nivelet e duhura. Një kritikë tjetër kjo që tregon për distancën e krijuar mes ekzekutivit dhe qytetarëve.“Ekipi qeverisës duhet të jetë kompakt edhe me ekipin e deputetëve dhe me qytetarët, që të pasqyrojnë realisht nevojat e tyre. Ndoshta në këtë aspekt duhen përmirësime”,- thotë ai.

Deputeti Ndreu, si një nga zërat më aktiv të PS-së, dikur në opozitë, nuk i kursen kritikat edhe për disa prej reformave të ndërmarra nga qeveria. Kritikat janë konkretisht për strukturat e institucioneve, por sinjali jepet edhe për drejtuesit e tyre, që sipas tij, i banalizojnë aksionet, deri në arrestimet e berberëve.

Por Ndreu flet gjithashtu edhe për reformat në fushën e rendit, ku vlerëson punën e ministrit Saimir Tahiri, ndërsa shton se “fakti që sulmohet ministri i Brendshëm, është fakt i indikacioneve të krimit vetë”….

Gjasat janë se Edi Rama po përgatitet për ndryshime të mëdha në qeveri, ku mendohet që shtatë ministra të ikin, duke i zëvendësuar me emra nga PS. Ndërkohë mësohet se kryeministri është shprehur se vetëm Saimir Tahirin nuk e zëvendësoj pasi është ministri më korrekt dhe profesionist.

Si pjesë e Komisionit të Sigurisë dhe ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, si i shihni masat që ka marrë policia në lidhje me sulmet e mundshme nga grupet terroriste?

Masat anti-terror nuk janë veç të policisë. Policia është pjesë e rëndësishme, por jo e gjitha varet nga ajo. Takimi i Presidentit me Këshillin e Sigurisë ishte i duhuri që të harmonizohen kapacitetet në një rrezik të mundshëm. Shqipëria është pjesë e koalicionit anti-terror dhe si e tillë,e natyrshme që është e rrezikuar. Rreziku është i vështirë të përcaktohet se kur e ku ndodh. Prandaj secili ka diçka për të bërë, që nga individi e deri te institucionet e shtetit me drejtuesit kryesore të tyre. 

Që pas ngjarjes së Parisit, kemi parë në rrugë policë të armatosur rëndë dhe forca të shumta nëpër akset kryesore. Mos është tepruar me këto masa? Në informacionet që keni, ka rrezik real për sulme terroriste në Shqipëri?

Shërbimet e policisë janë normale. Njerëzit më mirë të kenë frikë, sesa të jenë viktima të terrorit. Masat parandaluese kanë shërbime legale dhe ilegale. Gërshetimi i tyre është i domosdoshëm. Por dhe mirëkuptimi i opinionit publik në vendin tonë. Ashtu siç ka rrezik për shkak të qasjes tonë kundër terroristëve, ashtu ka edhe elementë me prirje të tilla që luftojnë në krah të ISIS-it, por dhe shfaqin mbështetje hapur në rrjete sociale e media në mbështetje të akteve terroriste. Duke patur parasysh çfarë ndodhi në Francë dhe në vende të tjera, masat janë të justifikueshme.

Në opinion është krijuar ideja që vetëm policia duhet të luftojë kundër krimit, por në vlerësimin tuaj a duhen dhe elementë shtesë, për luftën antikrim?

Kjo është një psikozë që ekziston tek ne. Dhe jo pa shkak. Për mua është shprehje e një taktike fatale që politika dhe krimi bashkë kanë adaptuar. Askund në botë nëse ndodh një ngjarje kriminale nuk ndodh që të sulmojë policinë, duke përfshirë median dhe politikanë. Këtu ndodh e vazhdon të ndodhë. Nëse do vazhdojë që lufta ndaj krimit të konsiderohet një faturë që i takon veç Policisë së Shtetit, e të tjerët të bëjnë sehir, atëherë sukseset do jenë të përkohshme. Perspektiva e luftës ndaj krimit do të jetë e errët.

Përse Saimir Tahiri është ministri më i akuzuar nga Partia Demokratike? Si ekspert i rendit, shihni gabime në punën e tij?

Fakti që sulmohet ministri i Brendshëm, është fakt i indikacioneve të krimit vetë. Ose gjej prova e çoji në prokurori, ose hesht. Llapaqenia për këdo që është kundërshtar politik,është bërë një sport i shëmtuar, të cilin për fat të keq, shqiptarët janë spektatorë të detyruar ta ndjekin. Ka ardhur koha që t’u kursejmë shqiptarëve ankthin e një apo disa klaneve kriminale, që prodhohen si konsum publik për të trullosur njerëzit, e për ta larguar vëmendjen e tyre nga kriminelët realë. Për mua, kjo është strategji e krimit. Sepse si shpjegohet që të njëjtët suflerë kanë vite që flasin për banda e klane Zemuni etj? E kur vijnë në pushtet jo vetëm që nuk gjejnë asnjë provë askund, por i ftojnë edhe si partnerë në qeverisje. Kjo është një maskaradë që luhet tmerrshëm mbi trupin e brishtë të Shqipërisë sonë. Është një turp i pashembullt që bën vaki veç te ne.

Debati për dekriminalizimin e Kuvendit ka dy vite që është temë e ditës për PD-në. Ligji i propozuar së fundi e zgjidh problemin e pastrimit të politikës?

Dekriminalizimi ishte një domosdoshmëri që të qartësohet njëherë e mirë gjithçka. E keqja është se u artikulua dhe u bë përpjekje e pashembullt për t’u privatizuar nga më të inkriminuarit historikë të vendit. Kjo është e dhimbshme. Po kush e la këtë vend të fundin e Europës? Kush e vodhi e kush e dogji? Kush vrau njerëz e kush dhunoi qytetarët, zyrtarët, median apo kundërshtarët politikë? Gërdeci me 26 të vrarë, 21 janari me 4 të vrarë, grabitja e lekëve të Rrugës së Kombit, apo shitja e detit, janë shembuj inkriminues që akuzojnë pikërisht "flamurtarët" e dekriminalizimit. Ky vend është i vogël dhe e njohim të gjithë njëri-tjetrin. Si në shumë gjëra të shëmtuara që ndodhin këtu, edhe dekriminalizimi u banalizua pikërisht nga më të inkriminuarit. Mendoj se jemi në trajektore të gabuar, për sa kohë ka një kastë politikë që ka bërë çfarë i ka dashur qejfi me gjithë familjen dhe flet për dekriminalizim. S'ka tallje më të madhe se kjo. Ligji nuk zgjidh asgjë, veçse jep shpresë dhe u zgjat kohën në pushtet kriminelëve, që nuk kanë lënë gjë pa bërë në këtë vend. Kjo është e tmerrshme.

Nëse u referohemi qëndrimeve të drejtuesve të PS-së dhe LSI-së, duket sikur ka një debat për ndryshime në kabinetin qeveritar. Sipas jush, ka ardhur koha që disa ministra duhet t’u lënë vendin njerëzve më të aftë tek e majta për të vazhduar reformat?

Koalicioni qeverisës vazhdon normalisht. Është krejt normale që të ketë diversitet mendimesh dhe kërkesa për rifreskim. Por është në dorën e kryeministrit të vendosë. Gjithsesi, gjithmonë ka vend për përmirësime e ndërhyrje. Qeveria po punon. Edhe që po sulmohet nga opozita, këto janë normale. Ne jemi një vend i varfër akoma dhe kemi rrugë të vështirë për të bërë. Ekipi qeverisës duhet të jetë kompakt edhe me ekipin e deputetëve, edhe me qytetarët, që të pasqyrojë realisht nevojat e tyre. Ndoshta në këtë aspekt duhen përmirësime.

Keni qenë një ndër njerëzit më aktivë gjatë viteve të PS-së në opozitë. Tani që kemi hyrë në vitin e tretë të mandatit qeverisës, a janë realizuar pritshmëritë që kishit për qeverisjen e PS-së?

Kam qenë dhe jam aktiv në politikë. Jam deputet i PS-së, ndoshta jo i prerë për politikë pasi shpesh mbaj qëndrim, por jo gjithmonë jo i mirëpritur. Mendoj se qeveria po bën maksimumin në disa operacione të domosdoshme, sëmundje që gjithkush i di e nuk mund të liheshin ashtu. Shumëkush është mes dilemës se a duheshin ndërhyrjet në të njëjtën kohë apo pjesë-pjesë? Kjo ngelet për t’u parë, nëse taktika e qeverisë është e duhura. Ama tek reforma e OSHEE-së u konfirmua suksesi, po kështu në arsim e rend, ka akoma shumë për të bërë. Ne duhet ta mbështesim qeverinë, megjithëse ka një moskuptim e shqetësim për momentin në efektin e masave. Por nganjëherë, sjellja e strukturave që operojnë në terren është arrogante, jo profesionale dhe abuzive. Këta tipat kanë ulur reputacionin e veprimeve duke e banalizuar me arrestime berberësh, duke i prerë dritat plakës 90-vjeçare, që jeton e vetme apo dhe duke arrestuar dikë që ndërron 4 pllaka brenda shtëpisë. Duhet një ndëshkim i prerë ndaj këtyre që sillen keq e që abuzojnë me idetë e qarta të operacioneve të ndërmarra. Kjo është e rëndësishme të riparohet. 

SHKARKO APP