Preç Zogaj: Letra e Lu, moment i ri i marrëdhënieve me SHBA

Çfarë ka të re në këtë letër?

Letra ilustron në një stad akoma më të avancuar të artikulimit dhe transparencës për publikun shqiptar momentin e ri të partneritetit strategjik SHBAShqipëri, angazhimin e ri të Uashingtonit zyrtar kundër rreziqeve të reja që kërcënojnë pavarësinë dhe demokracinë tonë. Cilat janë momentet që do të veçonit nga kjo letër? Do të veçoja dy paragrafë. Një që duhet të na vërë të gjithëve në mendime dhe një tjetër që ka shijen e lajmit të mrekullueshëm edhe pse nuk na thuhet për herë të parë. “Korrupsioni dhe ndikimi politik në sistemin tuaj të drejtësisë kërcënojnë shëndetin e shoqërisë suaj dhe dobësojnë aleancën tonë”, ky është paragrafi që duhet të vërë në mendime politikanët, intelektualët, që thellë në brendësi të angazhimit të jashtëzakonshëm amerikan për reformën në drejtësi dhe për të vendosur në favor të forcimit të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lu na ka mësuar me stilin e tij të drejtpërdrejtë, me frazat e tij të forta, tronditëse nganjëherë. Jehon akoma dhe do të jehojë për shumë vite deklarata e tij e vitit të kaluar se kandidimi i individëve me rekorde kriminale është një poshtërim për popullin shqiptar. Kjo nuk ka qenë dhe nuk është e folura e një individi. Ka qenë dhe është, para së gjithash, e folura e sotme e Uashingtonit përballë fenomeneve të kriminalizimit, korrupsionit, oligarkisë dhe pandëshkueshmërisë në nivelet e larta që kërcënojnë të marrin peng jo vetëm zhvillimin, por edhe orientimin gjeopolitik të Shqipërisë. Uashingtoni ka identifikuar rrezikun e ri. Bashkë me faktorët vendës po punon për eliminimin e tij. Këtë kemi dashur e duam. Jo më larg se një vit e gjysmë më parë, në kulmin e debateve për dekriminalizimin, kreu i opozitës, Basha, i ka ftuar miqtë amerikanë të bëjnë për Shqipërinë e rrezikuar nga oligarkia në sistem diçka të madhe, të ngjashme me veprat e mëparshme amerikane për pavarësinë dhe sigurinë e Shqipërisë.

Po lajmi i mirë cili është?

“Është në interesin kombëtar të SHBA që Shqipëria të mbetet një demokraci e fortë dhe e sigurt”, shkruan ambasadori në letrën e tij. E kemi menduar gjithnjë se ka diçka unike në përkujdesjen, mbështetjen, investimin apo patronazhin amerikan për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Kur gjithë këtë histori e gjen të përmbledhur në një fjali didaskalike si kjo që cituam më lart, përjetimi i besimit në një të ardhme më të mirë nuk mund të jetë veçse i jashtëzakonshëm. Mirënjohja për SHBA gjithashtu. Të dielën pritet në Tiranë vizita e nënsekretares së Shtetit Nuland.

A ka lidhje letra e sotme me vizitën e saj?

Patjetër që po. Letra kërkon të shtrojë rrugën, por edhe të paralajmërojë mesazhet e zonjës Nuland.

 

Cili mendoni se duhet të jetë reagimi i deputetëve shqiptarë ndaj letrës së ambasadorit?

I përgjegjshëm. Pa dyshim i përgjegjshëm. Por ata janë pjesë e partive, nuk janë qënie amorfe. Drejtuesit politikë duhet të flasin të parët. Nga ana tjetër, siç e kam pohuar në shkrimin e djeshëm në gazetën “Panorama”, partnerët duhet të vijojnë komunikimin me drejtuesit politikë. Nuk jemi në kushtet e anashkalimit të tyre. Nuk besoj. Partitë këtu luajnë apo sillen shqiptarçe me njëratjetrën, por janë në një varkë në lidhje me orientimin perëndimor. Konsensusi është zgjidhja. Gjetja e tij është e mundur.

A ka gjasa të sfidohet thirrja e ambasadorit?

Kemi disa precedentë sfide nga politikanë shqiptarë ndaj përfaqësuesve të SHBA. Më i freskëti është ai i Ramës vitin e kaluar, kur injoroi thirrjet e ambasadorit Lu për të mos kandiduar individë me rekorde kriminale. Ramës i ka mbetur turpi për atë që bëri. Pavarësisht konjukturave, kjo i mbetet njollë. Shembuj të tillë mund t’i kenë bërë të besojnë politikanët shqiptarë se mund të përplasen me SHBA pa kosto. Kam bindjen se kjo nuk vlen për reformën në drejtësi

SHKARKO APP