“Proceset e krimeve të luftës – pjesë e shërimit të vetes”
Wolfgang Ischinger, aktualisht drejtues i Konferencës së Sigurisë në Mynih për kryeministrin serb Vuçiç e Serbinë, për elitat në Ballkan, për gjyqin për krime lufte në Kosovë e për mbështetjen evropiane për Kosovën.
***
Pas dy dekadave të para plot shpresë të demokracive të reja në Evropën Lindore dhe Juglindore kohët e fundit vërehet një tendencë e kundërt: forcim të nacionalizmit, kufizime të shtypit, qeveri më autoritare. A vëreni këtu një model?
Ishinger: Fillimisht mendoj se në këto vende kemi relativisht shumë hije. Por ka edhe disa rreze drite: për shembull zhvillimi në Serbi ka qenë vitet e fundit i parë në tërësi mjaft i kënaqshëm. Që politika serbe nën Aleksandar Vuçiçin arriti të distancohet në një pjesë të konsiderueshme nga retorika klasike antishqiptare, antikosovare dhe të zgjasë një dorë, kjo, po të shikosh zhvillimet e 15 viteve të fundit, është përparim. Por keni të drejtë, rajoni në përgjithësi, Kosova vetë, Maqedonia, madje edhe anëtari i BE, Kroacia të japin shkas për shqetësim. Na duhet të konstatojmë që politika e zgjerimit e BE dhe e NATO-s, politika e fqinjësisë e Bashkimit Evropian etj. nuk kanë sjellë ato rezultate, të cilat janë pritur para 15 ose 20 vjetësh.
Me se ka të bëjë kjo?
Ne jemi larg së pasuri në këto vende një stabilitet që mban veten. Vazhdojmë të kemi probleme etnike, çështje masive ekonomike, papunësi, natyrisht që kemi të bëjmë edhe me mbetje nga luftërat. Dhe kjo ka të bëjë në radhë të parë me udhëheqësit e këqinj atje. Ne nuk duhet ta kërkojmë çelësin gjithmonë tek ne, kur punët nuk ecin diku tjetër. Kjo varet nga udhëheqja politike e keqe dhe e përçarë dhe në mungesën e dakordimit.
Ju i vlerësuat në mënyrë kritike udhëheqësit politikë. Në rajon vitet e fundit nuk ka pasur ndërrim elitash. A nuk do të ishte kjo e nevojshme dhe një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes?
Në fakt, një ndërrim brezash, hyrja e një brezi të ri pas këtij brezi themelues, do të ishte e rëndësishme dhe do të ndihmonte. Premisat e para shihen. Dhe është mirë, po mbetem edhe njëhere te shembulli Vuçiç, që ka njerëz, të cilët kanë qenë më parë krejt në anën tjetër të spektrit politik, por që me sa duket janë në gjendje të mësojnë. Ka edhe nga këta.
Ju e përmendët dy herë shumë pozitivisht zotin Vuçiç. Njëkohësisht ndaj tij ka edhe kritika, që për shembull ai e ndërroi ekipin menaxherial në televizionin publik në Vojvodinë. Edhe në çështjen e Kosovës ai nuk lëviz siç pritet. A nuk po i besojmë ne në këtë rast dikujt, i cili di të luajë në tastierën e botës perëndimore, por që njëkohësisht i mban të hapura opsionet në të gjitha drejtimet?
Dëshiroj ta sqaroj edhe njëherë: unë nuk bëj pjesë te ata, të cilët besojnë se me Vuçiçin do të plotësohen të gjitha dëshirat, që kemi për Serbinë. Por kemi një përparim në krahasim me atë që ka qenë më parë. Ndoshta një përparim i vogël, por gjithsesi njëfarë përparimi. Dhe unë atij njeriu i besoj një gjë: i besoj deklaratën parimore, që rruga e Serbisë të çon në Evropë.
Atëherë qeveria serbe për mendimin tuaj është një lojtare e rëndësishme në lidhje me pajtimin me Kosovën, në lidhje me tolerancën në anëtarësinë e NATO-s të Malit të Zi? Këtë e shikoni me optimizëm?
Unë jam optimist i përmbajtur. Unë nuk them tani se të gjitha do të ecin mirë. Por që Serbia të mbahet në rrugën e reformave dhe në drejtim të Evropës…është një detyrë e rëndësishme formësuese evropiane. Serbia ka pasur gjithmonë një klasë shumë të zgjuar politike dhe këtu është fjala që të vazhdojë dialogu intelektual, jo vetëm dialogu në realpolitikë, i politikës së ditës. Ne duhet ta marrim Serbinë sërish “në gjoksin e Evropës” – për këtë janë shënuar fillime dhe është mirë që është vepruar kështu. Dhe pastaj do të plotësohen kushtet, që midis Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë, në kuptimin si e kërkojmë ne dhe si duhet ta kërkojmë, sepse pa një paqëtim të qendrueshëm midis Serbisë dhe Kosovës, Kosova nuk do të mund të jetë mirë.
Le të shohim në anën tjetër, në Prishtinë: tani kemi një President të ri, qeveria po formohet, kemi një ministër të vjetër të ri të jashtëm. Pra ekipi është formuar. Kur do të rinisë dialogu me Serbinë. Në Beograd ju patë një qendrim bazë pozitiv, por në Prishtinë kemi një gjendje krejt tjetër. Ku ngec puna atje?
Mua më duket e kënaqshme, që Presidenti i ri i zgjedhur, Thaçi është shprehur pro vazhdimit të bisedimeve me Serbinë për kursin evropian të Kosovës. Ky është lajm i mirë.
Përsa i përket dialogut të Kosovës me Serbinë: unë e di që shoqja ime e vjetër, Edita Tahiri është e ngarkuar e palës kosovare për këtë dialog. Unë e njoh zonjën Tahiri që prej 20 vjetësh. Unë kam besim te ajo dhe i uroj që të ketë sukses, që përmes këtij rifillimi të bisedimeve të ecë hapa përpara. Kjo do të ishte mirë për Kosovën, mirë për raportin midis Kosovës dhe Serbisë dhe do të bënte përshtypje të madhe në Bruksel.
Në Prishtinë për fat të keq muajt e fundit merreshin më shumë me veten dhe në grindje për kursin e drejtë përpara, dhe duhet të jemi të shqetësuar, që atje mund të forcohen forca, të cilat duan të ecin më tepër në drejtimin nacionalist, njësoj si në vendet e tjera të rajonit. Prandaj është shumë e rëndësishme, përsa i përket politikës evropiane, që të mos e lëmë mënjanë Kosovën. Njësoj si nuk duhet të lëmë mënjanë Maqedoninë. Unë do të dëshiroja që Bashkimi Evropian të emërojë një personalitet të rangut të lartë, i cili të mos ketë punë tjetër, veçse t’i bjerë daulles dhe t’i kujtojë personat përgjegjës se cilat janë përgjegjësitë që kanë marrë përsipër përballë zgjedhësve të tyre. Problemi në BE është se ne kemi shumë komisarë, që i presin rrugën njeri-tjetrit dhe në fund nuk ndodh asgjë. Unë jam që atje ku është e nevojshme – dhe në Evropën Juglindore është e nevojshme – të ndodhë në nivelin më të lartë një transmetim i vazhdueshëm i mesazheve, një ndikim i vazhdueshëm. Dhe për këtë nevojitet dikush që ka kohën, energjinë dhe sjell me vete nga Brukseli autoritetin për të folur për 500 milionë vetë dhe që të thotë: rruga është këtej!
Ky është një propozim konkret, por natyrisht ne atje kemi edhe misione. EULEX-i për shembull është një mision evropian, zotin Hahn e kemi shpesh në rajon. Nuk mendoni se forcat duhen koordinuar?
Unë jam kundërshtar i pranisë së tepërt të burokracisë. Për shembull Kosovës nuk i ka bërë fare mirë, që që prej vitit 1999 mijëra dhe mijëra nëpunës civilë ndërkombëtarë dhe të dërguar dhe ushtarë pak a shumë vinin vërdallë në Prishtinë dhe mbaronin punë, të cilat mund t’i kishte mbaruar pa problem edhe një kosovar i papunë. Që kosovarët të inkurajohen dhe që të fuqizohen, që t’i mbarojnë vetë përgjegjësitë e tyre – që nga prodhimi i targave të automjeteve deri në një organizim më të mirë të administratës publike dhe të trupës së policisë do të ishte veprim i duhur. Në këtë kuadër unë e quaj me vend që tani do të kemi një pakësim tjetër të pranisë së NATO-s në Kosovë; shumë gjëra flasin pro këtij hapi. Unë jam edhe i mendimit se ishte një gabim i jashtëzakonshëm, që në ndërtimin e marrëdhënies sonë me rajonin arritëm për të gjithë heqjen e vizave, vetëm për kosovarët jo, me rezultatin që këta dy milionë të shkretë, ose një milion e gjysëm njerëz janë të izoluar nga të gjithë.
Në Kosovë, ka rënë tani si hije e rëndë mbi procesin aktual politik, dhe mbi dialogun me Serbinë, fillimi i proceseve kundër kriminelëve të luftës. Si e vlerësoni këtë? Spekulohet se në listë janë shumë politikanë të nivelit të lartë, deri te Hashim Thaçi. Atje kjo është temë e madhe, që çështja e fajit kthehet në territorin e Kosovës. Çfarë u rekomandoni partnerëve të bisedimeve atje?
Unë u rekomandoj të gjithë të prekurve, që edhe nëse dhemb, të mos e pengojnë zbatimin e lirë të drejtësisë, në këtë rast të drejtësisë penale ndërkombëtare, por ta pranojnë. Pastaj duhen bërë përpjekje që kjo të shihet si pjesë e një procesi shërimi të vetes dhe si pjesë e mundshme e pajtimit të mëtejshëm midis shqiptarëve dhe serbëve. Ajo që dëshiroj është që këto çështje me të vërtetë delikate dhe të vështira të mos shpërdorohen si municion për politikën e brendshme. Mundësia që kjo të ndodhë është për fat të keq e madhe. Por duhet pranuar, se këtu duhet rivlerësuar historia.
Por Kosova ka nevojë, pavarësisht nga ajo si do të ecet me proceset, simpati dhe mbështetje nga Bashkimi Evropian. Jo me fjalë e premtime, por të paktën përmes trajtimit të barabartë me shtetet e tjera të rajonit – gjë që duhet të vlejë për qytetarin e Kosovës…Qytetari kosovar pyet, çfarë kemi bërë ne gabim, që ndryshe nga serbët, kundër të cilëve NATO-ja ka zhvilluar madje luftë, nuk mund të hyjmë pa viza në BE. Unë këtë e konsideroj një gabim të madh kapital, që këto trajtime të ndryshme nuk u eleminuan me kohë.
DWelle