Projektligji i arsimit të lartë, argumentet e mazhorancës dhe kundërshtitë e opozitës

 

Një ditë përpara diskutimit në Kuvend, projektligji për arsimin e lartë është shndërruar në temën më të nxehtë politike të ditëve të fundit. Për të diskutuar mbi këtë çështje dhe për të përballur dy qëndrimet e kundërta i ftuar në studion e edicionit qendror informativ në Top Channel ishte zv/ministri i Arsimit, Arbjan Mazniku dhe në lidhje të drejtpërdrejtë nga selia e Partisë Demokratike, koordinatori për Arsimin, Fabian Topallaj.

Ilir Paço: Zoti Mazniku, përse duhet miratuar ligji i ri për arsimin e lartë, pavarësisht debateve me akademikët dhe studentët dhe së fundi edhe me opozitën? 

Zv.ministri Mazniku: Ky ligj vjen pas një procesi shumë të gjatë diskutimi  me të gjithë grupet e interesit. Sepse është zgjidhja e duhur për arsimin në vend, i jep mundësi sistemit të ecë dhe të bëhet i konkurrueshmë me sistemet e Bashkimit Europian, u jep autonomi të zgjeruar institucioneve të arsimit të lartë në këndvështrimin administrativ dhe financiar i përgjigjet mësë miri tregut, modernizon qeverisjen e institucioneve me një strukturë më funksionale dhe administrative se e sotmja dhe mbështetja e qartë administrative. U jep mundësi studentëve drejt arsimit të lartë me dijet dhe sigurinë, që sistemi u jep mbrapsht mundin dhe energjinë. Për këtë mjafton të përmend një fakt që drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Europian për Arsimin dhe Kulturën u shpreh që ky ligj është një përgjigje sistematike për problemet që ka arsimi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë.

Ilir Paço: Zoti Topallaj, po opozita përse e kundërshton projektligjin tani? Përse ky ligj nuk duhet të miratohet?

Fabian Topallaj, koordinator për Arsimin në PD: Ligji nuk kryen funksionin bazë. Heq shtetin nga detyrimi kushtetues për të ofruar shërbimin e arsimit të lartë. Për herë të parë shteti nuk do të mbështesë me fonde të pakushtëzuara universitetet publike, duke ja kaluar këtë kosto studentëve dhe kjo do të rrisë koston për studentët. Aksesi në arsimin e lartë do të bëhet i pamundur për pjesën më të madhe të të rinjvë të këtij vendi. Do përballohet vetëm nga familjet dhe të rinj që kanë mundësitë financiare. Ligji rrit kostot e jetesës dhe bën të pamundur aksesin për të rinjtë e vendit dhe për më tepër ul cilësinë. Arsyeja kryesorëe që qeveria këmbëngul, është që do t’u marrë shumë më shumë para studentëve dhe vendos universitetet në marrëdhënie klienteliste. Është ligj klientelist për të përmbushur interesat e grupeve të caktuara dhe për të mbushur xhepat e të lidhurve me shtetarët.

Ilir Paço: Zoti Mazniku, pse nuk ka pasur reflektim për kundërshtitë e pedagogëve dhe studentëve gjatë këtyre muajve për ligjin? A ka pasur përpjekje, nëse po, përse nuk është gjetur kompromis me ta? 

Zv.ministri Mazniku: Është mëkat që për një ligj që flet për arsimin e lartë, persona të caktuar thonë të pavërteta. Është e pavërtetë që nuk mbështet institucionet e arsimit të lartë me një grant të përgjithshëm. Jepet granti mbi performancën dhe kjo është metoda më moderne duke kërkuar rezultate për paratë e taksapaguesve shqiptarë. Po ashtu siguron mbështetje në kushte të posaçme. Çdo student që fiton të drejtën do të mbështetet me bursë. Do të mbështeten me bursë të gjithë studentët që zgjedhin degët që janë prioritet kombëtar. Mbështesim studentët që janë ekselentë. Sa i përket tarifave, ligji nuk vendos tarifat, por i vendosin universitetet. Ligji mbështet institucionet me grante.

Ilir Paço: Zoti Topallaj, ligji ka 4 muaj që po diskutohet dhe vetëm kohët e fundit opozita është bërë aktive për ta kundërshtuar fort atë. Madje edhe në komisionet parlamentare që drejtohen nga PD sot, seancat dëgjimore po kryhen vetëm këto ditët e fundit, për të mos thënë orët e fundit. Pse kaq vonë për të mbajtur një qëndrim të qartë për ligjin e ri të arsimit të lartë?

Topallaj: Opozita mendon që ka shumë rëndësi një diskutim i gjerë për këtë ligj. Në një shoqëri ku ka degraduar në mënyrë të dukshme sistemi i vlerave, PD mendon se diskutimi është i rëndësishëm. Opozita nuk ka dashur në fillim të bëhej pjesë që të mos e politizonte këtë proces dhe t’u jepte mundësi aktorëve realë. E vërteta është që pedagogë dhe studentë janë kundër këtij projektligji dhe qeveria nuk ka marrë parasysh asnjë sugjerim të tyre. Vetëm klientela që mbron ky projektligj mbron miratimin e tij.

SHKARKO APP