Qato: Ja si do kompensohen pronarët sipas ligjit të ri
Drejtoresha e AKKP-së ka hedhur poshtë pretendimet e Nishanit se ligji është antikushtetues. Ajo ka theksuar se sipas ligjit të vjetër, fatura totale e kompensimit shkonte 800 miliardë lekë, ndërsa me ligjin e ri, 200 miliardë. Sipas saj, procesi do mbyllet për 10 vjet
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, gjatë një bashkëbisedimi që ka zhvilluar dje me gazetarët, ka shpjeguar arsyet që e detyruan qeverinë që të ndërmerrte ndryshimet në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, duke theksuar se ato janë në përputhje me rekomandimet e Gjykatës së Strasburgut dhe se i japin këtij problemi një zgjidhje përfundimtare brenda 10 viteve. Ajo ka dhënë dhe argumentet se pse pretendimet e presidentit Nishani se ligji është antikushtetues nuk qëndrojnë, ndërsa bën me dije se, në rast se Gjykata Kushtetuese e pezullon zbatimin e këtij ligji, atëherë fondi prej 3 miliardë lekësh për vitin 2016 do të digjet. Qato ka bërë të ditur se në total, fatura e kompensimit të pronarëve sipas ligjit të ri është 200 miliardë lekë, nga të cilat ¼ do kompensohen financiarisht dhe pjesa tjetër fizikisht. Më poshtë po paraqesim bashkëbisedimin mes Qatos dhe gazetarëve.
Sa është numri total i vendimeve që pritet të kompensohen dhe sa është fatura sipas ligjit të ri?
Në total janë 26 123 që presin të kompensohen. Të gjitha këto vendime janë të detajuara në bazën e të dhënave të AKKP-së, dhe në bazë të tyre, përderisa çdo dosje kishte llojin e tokës në momentin e shpronësimit, zërin kadastral sot, zonën kadastrale ku është pozicionuar, ne kemi dhe çmimet përkatëse sipas hartës së vlerës së pronës, fatura sigurisht që dihet por nuk është bërë publike. Fatura e kompensimit, mbështetur në zërin kadastral sot të pronave dhe në çmimet përkatëse të hartës së vlerës që ka qenë në fuqi në vitin 2014, kapte një shifër prej 800 miliardë lekësh, ndërsa fatura e kompensimit, bazuar në zërin kadastral, në momentin e shpronësimit kapte vlerën 200 miliardë lekë. Në këtë kuptim kjo shifër ishte e papërballueshme dhe rekomandimi thoshte se kompensim brenda një afati të arsyeshëm dhe sipas një shpërblimi të drejtë. Baza jonë e llogaritjes për një afat 10 vjeçar është një periudhë e arsyeshme, edhe pse ne mund ta çonim 20 apo 30 vjet. Në kushtet e zhvillimit që kemi, na bëri që të shkonim në këtë skemë, e cila bazohet në origjinën e pronës në momentin e shpronësimit. Ky është një rekomandim që ne e kemi marrë nga disa ekspertë. Në fakt vende të ndryshme të rajonit kanë përdorur formula të ndryshme dhe zgjidhje të ndryshme, por shumë të përafërta me vendin tonë. Maqedonia ka një zgjidhje pothuajse identike. Ka pasur shtete të tjera që e kanë zgjidhur me dëmshpërblime të pronarëve, por gjithsesi zgjidhjet kanë qenë të ndryshme. Ndërkohë, Rumania ka dhënë një zgjidhje, ku kompensimi për ish-pronarët ishte i kufizuar deri në masën 16 për qind të vlerësimit të plotë. Këto nuk janë parime, të cilat shprehin kundërshtimin me normat e vendosura nga Konventa e Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Në çdo rast, Gjykata thekson për të gjitha shtetet se kërkohet një afat i arsyeshëm dhe një shpërblim i drejtë, që nuk do të thotë se është një shpërblim i plotë, por do të jetë një shpërblim, ku shteti të ketë mundësinë ta realizojë brenda një afati të arsyeshëm dhe të përshtatshëm. Si konventës së të Drejtave Europiane të Drejtave të Njeriut, i cili flet për shpërblimin e drejtë, si në praktikën e Gjykatës Kushtetuese shqiptare, si në praktikën e Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut, në asnjë rast shpërblimi i drejtë nuk lidhet me shpërblimin e plotë. Shpërblimi i drejtë sipas praktikës gjyqësore është i tillë, që i korrespondon masës që shteti ka mundësi të likuidojë.
Kur do të nisë aplikimi?
Kjo do të varet nga momenti që do e dërgojë Presidenti në Kushtetuese. Nëse nuk e dërgon Presidenti, do ta dërgojnë grupet e interesit. Varet nga dita që do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese. Gjykata ka afatet e veta ligjore për të shqyrtuar pranimin e kërkesës. Në këtë kuptim, ajo do të hyjë në një procedurë që është në diskrecionin e saj se ç’do të vendosë për ligjin. Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk e pezullon ligjin ne do të vazhdojmë procedurat e punës, sepse kemi një ligj në fuqi. Në rast se Gjykata vendos pezullimin këtu ngrin aplikimi ne do të presim ditën që do të merret vendimi. Unë dua të bëj me dije një fakt. Sot në llogarinë e AKKP-së ekziston një fond prej 2. 4 miliardë lekësh vetëm për kompensimin e pronarëve të vjetër. Ndërkohë që, fondi për kompensimin e pronarëve nga ALUIZNI është një fond më vete, i cili nuk ka lidhje më këtë fond. Presim një shtesë fondi në qershor dhe bëhen 3 miliardë lekë që do të shpërndahen brenda këtij ligji në rast se ligji nuk pezullohet. Në qoftë se në 8 vitet e fundit është lëvruar një fond 4.1 miliardë lekë për kompensimin e pronarëve, vetëm në vitin e parë do të çlirohet një fond 3 miliardë lekësh për kompensimin e pronarëve. Në rast se Gjykata Kushtetuese e pezullon ligjin, kjo do të thotë se 2.4 miliardë lekë do të ngrihen në llogari dhe pronarët nuk mund t’i marrin.
A është bërë një plan përcaktimi se cilat prona do të trajtohen dhe si do të shpërndahet fondi?
Do të trajtohen të gjitha pronat. Në rast se në 8 vite është trajtuar për kompensim vetëm zëri truall dhe këtë e ka cilësuar Gjykata e Strasburgut si trajtim të pabarabartë të pronarëve, do të hyjnë në proces të gjithë zërat kadastralë. Është hera e parë që ky ligj përcakton afatet dhe termin afat prekruziv, (që nuk mund të shtyhen). 6 muaj regjistri, është afati i fundit. Tre vjet maksimumi, për shqyrtimin e vendimeve për kompensim. 3 vjet për trajtimin e dosjeve pa vendim marrje. 10 vjet urojmë që ta realizojmë këtë proces. Të gjitha këto janë afate që nuk mund të shtyhen. Parimi i sigurisë juridike nuk cenohet për asnjë vendim. Në rast se janë dhënë 48 mijë vendime në 23 vjet proces, asnjë prej tyre nuk do të preket nuk do t’i preket ligjshmëria. Ne do të bëjmë vetëm vlerësim ekonomik që do t’i japi një çmim çdo vendimi dhe një sasi parash, që do të shkojë ose si kompensim në para ose si kompensim fizik. Deri tani nuk është shpërndarë asnjëherë fond fizik. Ne kemi 23 mijë hektarë të verifikuara deri tani.
Fatura financiare arrin në 200 miliardë lekë, por keni thënë që në 10 vite do të jenë 50 miliardë lekë që do të vërë në dispozicion buxheti. Si do të mbulohet diferenca 150 miliardë?
Është zgjedhur një afat 10-vjeçar për shpërndarjen e fondit të kompensimit. Është ngritur me ligj komisioni ndërinstitucional, i cili do të ketë detyrën që çdo vit të përmbushë me fond fizik, nevojat që ka agjencia në bazë të aplikimeve dhe kërkesave që do të shfaqin për kompensimin fizik. Peshën më të madhe do ta marrë kompensimi fizik. Nuk jemi kaq utopikë sa të mendojmë që 50-miliardëshi do ta mbyllë procesin me kompensim financiar. Është edhe rekomandim i Strasburgut, por edhe i shoqatave të pronarëve që të shfrytëzohet fondi fizik. Ne e dimë të gjithë që ky nuk është ligji ideal. Ligji më i mirë ishte ai që do të kompensonte pronarët me 800 miliardë lekë. Por, në qoftë se në 8 vite u ndanë 4.1 miliardë dollarë, bëjeni vetë llogarinë për pjesën e mbetur.
Çfarë rendi ndiqet për kompensimin e pronarëve?
Është vendosur parimi rendit kronologjik nga vendimi më i vjetër. Nuk do të ketë më ndarje si ato që ndiqeshin deri vjet, ku cilësohej trualli dhe nuk pranoheshin aplikime të reja. Do jetë një aplikimi i vazhdueshëm, si aplikimet që bëhen për ALUIZNIN, gjatë gjithë vitit pa caktuar afate. Rendi kronologjik i vendimit më të vjetër është ruajtur si parim për respektimin.
Pagesat do të jenë me këste?
Kemi dërguar në Strasburg për shqyrtim 3 variante. Unë personalisht kam përshtypjen se ndarja me këste do të jetë një sasi e vogël vjetore që pronarët do të marrin dhe s’do të jenë të kënaqur. Kemi dhe një propozim tjetër, ku kemi thënë se trualli është më i shtrenjtë dhe kemi propozuar që toka truall deri në një farë limiti të jetë me likuidim financiar. Ndërsa pronarët e kullotave etj, të marrin kompensim fizik. Presim mendimin e ekspertëve për këtë propozim. Ndërsa vendimet e Gjykatës së Strasburgut, ekzekutohen nga Ministria e Financave.