Rama: ASHE asnjë kandidat të dënuar, për “drejtësinë” nuk presim opozitën
Partia Socialiste dhe ASHE në terësi nuk ka asnjë kandidat të inkriminuar për të cilët votuesit shqiptarë do ti besojnë votën të dielën e 21 qershorit.
Deklarata vjen nga shefi i qeverisë Edi Rama, sipas të cilit persona të tillë gjenden në kampin kundërshtar, duke ju referuar kryebashkiakut në detyrë të Kamzës, njëherësh kandidat në këto zgjedhje.
“Unë di një gjë. Për mua kandidat apo person me rekorde kriminale është një person i gjykuar nga një gjykatë. Ne nuk kemi asnjë kandidat të gjykuar nga një gjykatë brenda dhe jashtë vendin, qoftë dhe në formë jo të prerë për krime, kaq. Unë po ju them përsa i takon kandidatëve të Partisë Socialiste, të LSI-së dhe Aleancës për Shqipërinë Europiane, nuk ka asnjë person që të jetë dënuar në asnjë gjykatë për asnjë vepër penale. Sigurisht që ka në kampin tjetër. Është njëri në Kamëz që është i dënuar në Gjykatën e Shkallës së Parë, për hajdut dhe nuk dihet se ku do të jetë pas 21 qershorit”.
Në një intervistë për Tonight Ilva Tare, Rama foli edhe për reformën në drejtësi, duke deklaruar se mazhoranca nuk do humbë kohë duke pritur opozitën. Se kush duhet të ketë frikë prej saj, ai jep këtë përgjigje:
“Nga reforma nuk duhet të ketë frikë asnjëri që është në rregull me ligjin”.
Intervista e plotë e Kryeministrit për Tonight Ilva Tare
Z.Rama, keni lëvizur në gjithë Shqipërinë gjatë fushatës. Çfarë klime keni gjetur?
Të them të drejtën jam i surprizuar nga fryma shumë pozitive e shprehur përmes një pjesëmarrje shumë të madhe të njerëzve sepse për hir të së vërtetës unë nuk e kam pritur këtë pjesëmarrje të madhe dhe madje kam qenë në minorancë brenda shtabit qendror me idenë që të shmangnim edhe mitingjet e mëdha por faktikisht doli që ata që ishin për këtë opsion dhe që besonin që do të kishte një pjesëmarrje shumë të madhe sepse kishte frymë shumë pozitive në mbështetje të Aleancës për Shqipërinë Europiane me në krye Gramozin që ishte absolutisht i vendosur për këtë zgjedhje, patën të drejtë.
Pra mendoni se mitingjet me pjesëmarrje të mëdha ishin klima që tregon se votuesit do jenë në favor të koalicionit tuaj?
Jo, flas për frymën. Ka një frymë shumë pozitive, shof dhe një gjë tjetër që s’e kam parë asnjëherë më parë. Shumë gra dhe vajza në takime, një prani e jashtëzakonshme. Natyrisht që është edhe rezultat i faktit që kemi marrë një vendim historik për të çuar 50% të grave dhe vajzave në kuvende vendore por është edhe rezultat i një klime të përgjithshme çtensionimi të zgjedhjeve dhe besoj të asaj zhdukjes së frikës dhe tensionit që kanë shoqëruar zgjedhjet deri në 2013.
Ka tensionim të zgjedhjeve? Vini re ndonjë tensionim?
Jo, flas për të shkuarën, nuk flas për të sotmen, prandaj po them. Është rezultat i asaj frikës dhe tensionit që ishin gjithmonë të pranishëm në zgjedhje.
Tirana, fushata e Tiranës, kandidati juaj, Veliaj, ka qenë në qendër të akuzave të opozitës. Jo të kandidatit Halim Kosova por të Partisë Demokratike veçanërisht, madje duke përfshirë edhe bashkëshorten e tij në këto akuza. Si e keni pritur këtë?
Asnjë çudi, asnjë surprizë, asnjë gjë e re nga fronti i llogores së baltës, që është aty prej njëzetë e kusur vitesh dhe ka bërë këtë punë me kë i ka dalë përpara, kështu që pse duhet të çuditemi apo të humbasim kohë për këtë.
Jo, të çuditeni jo, por a mendoni që ka diçka të vërtetë tek akuzat që ata kanë ngritur?
E kuptova çfarë doni të më thoni. Nuk ka asgjë tjetër përveç asaj që ka pasur gjithmonë. Llogore balte që kush del përpara ha gjylet e baltës dhe ku të ngjisë, të ngjisë. Shpif, shpif se diçka do të mbetet e me radhë por edhe këtë herë do marrin një përgjigje të merituar nga qytetarët e Tiranës, edhe për atë baltë që kanë hedhur.
A ka diçka të vërtetë aty që zoti Veliaj nuk është në të njëjtin nivel me koalicionin dhe pse nuk po motivohen votat e koalicionin në favor të tij?
Këto janë pastaj interpretime dhe spekulime që ju keni të drejtë t’i bëni se me këtë punë merreni. Unë s’merrem me këtë punë fare.
Zoti Kryeministër, gjatë fushatës kemi parë që kandidatët tuaj kanë patur një gjuhë më të moderuar. Ai që ka bërë, le të themi, agresivin sidomos ndaj kundërshtarëve dhe kandidatëve të djathtë, keni qenë ju me sulmet ndaj kundërshtarit. I keni quajtur budallenj, të paaftë..
S’është e vërtetë.
Nuk i jeni drejtuar me këtë gjuhë?
Unë kam thënë vetëm që PD po kërkon budallenj nëpër Shqipëri dhe po bën një fushatë për të budallallepsur sa më shumë njerëz. Këtë e kam thënë gjithmonë por nuk kam thënë budalla për askënd personalisht.
Domethënë ju keni një vlerësim për kandidatët e Partisë Demokratike, kandidatët e djathtë?
S’kam, nuk njoh asnjërin për të thënë diçka pozitive por di që për disa kam thënë gjërat e duhura sepse i meritojnë të gjitha ato që kam thënë.
T’ju jap një shembull se thatë që nuk keni përdorur terma agresive. Në Pogradec keni thënë që kandidati i djathtë është t’i lëshosh qenin ose në një fushatë tjetër keni thënë, nuk i duhen as dreqit.
Nuk kam thënë, ‘është t’i lëshosh qenin.’ Kam thënë… e kam lidhur me shtatoren e Lasgush Poradecit që ishte bashkë me qenin.
Zoti Rama, e keni dëgjuar ndonjëherë zonjën Merkel përshembull meqënëse e marrim shpesh si kryelideren e Europës, të flasë me këtë gjuhë? Me këto metafora?
Edhe njëherë po të them, unë jam Edi Rama. Nuk jam kopja e askujt dhe nuk pretendoj që të tjerët të jenë kopja ime. Unë jam ky që jam dhe bëj atë që më thotë zemra dhe mendja.
Zoti Kryeministër, cili është kryebashkiaku që e keni patur si lejtmotiv gjatë fushatës suaj, që ka frikë t’ju takojë por që i takon të djathtës?
S’jam i autorizuar për të përdorur emrin sepse s’kam ndërmend ta bëj mish për topat tuaj. Ai është thjeshtë një person që më ka çuar mua një mesazh dhe siç e shikoni nuk jam aq agresiv sa mendoni ju me kundërshtarët, e respektoj privatësinë e tij dhe s’kam ndërmend t’jua tregoj juve se kush është.
Nëse nuk e tregoni emrin, atëherë publiku ka të drejtë të mendojë që kjo është një sajesë e juaja. Një gjetje elektorale…
Është problemi juaj. Lërjani publikut ta mendojë si të dojë. Unë them të vërtetën, pastaj publiku gjykon siç dëshiron.
Flasim pak për problemet me kandidatët e inkriminuar siç po njihen tashmë gjatë kësaj fushate dhe më herët. Ka qenë ambasadori amerikan shpesh herë, ambasadorja e Bashkimit Europian… konkretisht BIRN ka nxjerrë një artikull me tre emra.
Është e pavërtetë.
Është e pavërtetë që kandidati juaj Artur Bushi është i ndaluar në Itali?
Nuk merrem unë me ndalime. Unë merrem me gjykime, jo me ndalime. Se sa shqiptarë janë ndaluar në Itali e në Zvicër e në Francë, ju siguroj se sikur t’i numëronim të gjithë do dilnim me numra që do befasoheshim. Unë di një gjë. Për mua kandidat apo person me rekorde kriminale është një person i gjykuar nga një gjykatë. Ne nuk kemi asnjë kandidat të gjykuar nga një gjykatë brenda dhe jashtë vendin, qoftë dhe në formë jo të prerë për krime, kaq.
Kjo është pikëpamja formale, ligjore?
Kjo është pikpamja ime formale, morale, politike, njerëzore..
Edhe morale ?
Të gjitha bashkë, patjetër.
Pra , Ambasadori Amerikan, Ambasadorja e BE-se janë gabim kur flasin për persona me të shkruar kriminale në listat e kandidatëve. Madje kanë bërë thirrje, jo më larg se dje, në reagimin për BIRN. Ambasadori Donald Lu shprehj se : “Nëse do të zgjidhen, ata do pretendojnë se ju mbështesin, ndërkohë që vjedhin paratë tuaja për të financuar Mercedezët e zinj luksozë, vilat anës detit apo rezidencat e tyre skandaloze. Shqipëria meriton më shumë. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Ambasadorja Vlahutin.
Shumë mirë. Kur ti merrni në intervistë pyeteni. Unë po ju them përsa i takon kandidatëve të Partisë Socialiste, të LSI-së dhe Aleancës për Shqipërinë Europiane, nuk ka asnjë person që të jetë dënuar në asnjë gjykatë për asnjë vepër penale. Sigurisht që ka në kampin tjetër..
Një që ishte, Partia Demokratike kërkoi largimin dhe e çregjistroi.
Jo, jo. Është njëri në Kamëz që është i dënuar në Gjykatën e Shkallës së Parë, për hajdut dhe nuk dihet se ku do të jetë pas 21 qershorit. Në qoftë se një kandidat i joni do të ishte dënuar , qoftë dhe nga një Gjykatë të Shkallës së Parë, nuk do të ishte kurrë kandidat i Aleancës së Shqipërisë Europinane. Ky është dallimi.
Kthehemi tek Shkodra. Duket se keni pasur një vëmendje paksa të veçantë. Një investim pak më dukshëm se në qytetet e tjera..
Ka vëmëndje të veçantë për Shkodrën dhe për të gjithë bashkitë. Asgjë jashtë normales.
Ju shqetëson prania e z. Doshi në Shkodër ku kandidon znj. Bazhdari?
Jo fare
Mendoni se e majta, Partia Socialiste do ta humbasë Shkodrën, pas avandazhit të krijuar në 2013, me largimin e dy deputetevë?
Jo nuk mendoj fare ketë..
A do te këtë pas 21 qershorit, në bazë të rezultatit, rikonfigurim të mazhorancës dhe numrave në qeveri ?
Jo.
Roli i policisë në zgjedhje, mendoni se do të jetë korrekt?
Sigurisht..
Pavarësisht se në rrjetet sociale janë shfaqur makina të policisë me flamuj të Partisë Socialiste..
Makina e policisë ka sekuestruar flamurin e Partisë Socialiste, ashtu sikundër, jo më larg se mbrëmë, policia ka ndaluar vendosjen e banderolave në Laprakë. Kështu që, të marrësh një fotografi e të bësh një histori, e të thuash që policia aty tund flamurin e Partisë Socialiste është turp.
Përdorimi i administratës ishte gjithashtu një çështje e ngritur në raportin e ndërmjetëm të ODIHR-, përdorimi i aseteve shtetërore.
Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, unë dhe të gjithë ministrat, do të paguajmë nga xhepi, me urdhërin tim, diferencën e shtuar të konsumit të lëndës djegëse për makinat.
A e ka luksin qeveria jonë që të përfshihet e gjitha në fushatë. Ministrat të jenë në zonë e të mos jenë në krye të detyrës?
E para, të gjithë jemi në krye të detyrës dhe siç e shikoni, ju po e bëni këtë intervistë këtu, se unë jam në krye të detyrës . E dyta, në administratë ka drejtora të cilët janë edhe pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, të LSI-së, apo dhe PD-së, të cilët jashtë orarit zyrtar marrin pjesë në fushatë, kjo ëshë e drejta e tyre dhe nuk ka asnjë lloj problemi për këtë cështje ..Për herë të parë në historinë e këtij vendi nuk po përdoret administrata për zgjedhje. Për herë të parë në historinë e këtij vendi nuk po përdoren nxënësit e shkollave dhe nuk po merren si dele nxënësit dhe mësuesit për të shkuar për të duartrokitur Kryeministrin apo Kryetarin e Kuvendit. Për herë të parë në këto zgjedhje nuk po bëhen lista për të nxjerrë administratën nëpër mitingjet e koalicionit të qeverisë. Për herë të parë në këto zgjedhje nuk ka asnjë qindrakë të lëvizur nga buxheti i shtetit për të frymëzuar ushtrinë elektorale me inaugurime apo me historira që kanë karakterizuar gjithmonë zgjedhjet në Shqipëri dhe që janë bërë gjithmonë një problem për buxhetitn e shtëtit në fund të vitit. Për herë të parë në këto zgjedhje po merremi me një fotografi këtu dhe një fotografi atje, ndërohë që deri në 2013, ishte një katrahurë totale që fillonte nga shkollat e zbrazura totalisht e deri tek përdorimi skandaloz i policisë.
Jeni prej gati dy vitesh në qeverisje z. Rama, ju thatë që keni pritshmërinë tuaj, por a mendoni se do të merrni kosto si maxhorancë për reformat që keni bërë deri më tani?
Të shikojmë.
Një reformë tjetër e rëndësishme e juaja, është ajo në sistemin e drejtësisë, ju keni thënë që në vjeshtë do të votohet në parlament kjo reformë.
Po.
Do ta kaloni këtë reformë vetëm me mazhorancën tuaj apo do të prisni dhe opozitën që të bashkohet?
Jo nuk do ta presim, asnjë pritje.
A duhet që një reformë e tillë që në miratim, përveçse nurmrave të ketë dhe një frymë bashkëpunimi midis forcave më të mëdha politike në vend?
Nuk është domosdoshmëri. Është mirë të ketë por nuk është kusht. Kur s’ka, s’ka.
A do të ketë kuptim kjo reformë nëse e bën kjo mazhorancë dhe nesër, në 2017 apo në 2019, vjen një mazhorancë e re dhe bën një reformë tjetër?
Po të vijë një mazhorancë me 84 vota ka të drejtën të bëjë reformën që mendon të bëjë. Patjetër.
Kush duhet të ketë frikë nga reforma, nga rezultatet dhe frytet e saj, sipas jush?
Nga reforma nuk duhet të ketë frikë asnjëri që është në rregull me ligjin.
Për ta mbyllur me frikën , ju nuk keni frikë për 21 qershorin dhe për rezultatin që do të dalë nga kutitë e votimit?
Frika është një ndenjë që unë e njoh, por kam e kam për gjëra komplet të tjera. Nuk kam frikë për çfarë ndodh në jetën politike. Ajo çfarë ndodh në zgjedhje, nuk janë luftra për jetë a vdekje, por janë procese që nuk shikohen kurrë me frikë. Nuk kam frikë nga asgjë. Të paktën në këtë aspekt.