Rama: Ftohja me Metën? Jeni bëra si ata spiunët që shkonin nga Liqeni për të përgjuar çiftet
Rama duke iu përgjigjur Bashës në intervistën “5 pyetjet nga Babaramo” shprehet se nuk pranon afate të vëna nga opozita si dhe nuk është njohur me propozimin e opozitës për këtë iniciativë.
“Nuk e njoh projektin e opozitës dhe nuk pranoj afate të vëna nga opozita. Sigurisht që opozita është e mirëpritur të bashkëpunojë jo vetëm për këtë projekt por për cdo projekt tjetër. Për sa na takon ne nuk flasim as shumë por bëjmë shumë më tepër seç flasim dhe besoj që edhe opozitës i takon të shikojë mirë radhët e veta të mos bëj as prokurorin as gjykatësin. Dhe për më tepër atyre që në krye të opozitës bëjnë prokurorin dhe gjykatësin i takon që të reflektojnë mbi faktin që janë objekte dhe subjekte të drejtësisë pavarësisht se në Shqipëri drejtësia ende është e munguar në këtë aspekt”, u shpreh Rama.
I pyetur për arrestimin e Armando Prengës, Rama shprehet se, “në Shqipëri ka filluar një kapitull i ri ku pandëshkueshmëria e famshem që e bëri Shqipërinë turpin e botës ka marrë fund”.
Lidhur me akuzat dhe kërkesën e opozitës për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Rama u përgjigj se, “ministri i Brendshëm ka jo vetëm mbështetjen por ka dhe të gjithë respektin dhe admirimin tim për vendosmërinë e tij në këtë luftë jo vetëm me krimin por dhe me politikën që bëhet me krimin”.
Ndërsa për 155 milionë euro që mungojnë në buxhetin e shtetit në 7 muaj, Rama tha se “është e gjitha rezultat i një sërë faktorësh, që nga njëra anë kanë të bëjnë me konjukturat ndërkombëtare”.
Kurse për akuzat e ish-oficerit të policisë Dritan Zagani, kryeministri tha: “Çfarë prisni ju të thotë një njeri që arratiset në shkelje të vendimit të gjykatës dhe që është i akuzuar për dekonspirim të operacioneve të policisë kundër drogës, përvecse të bëjnë atë që bëjnë të gjithë hajdutët kur kapen dhe thonë kapni hajdutin.”
Rama komentoi edhe deklaratën e Vuçiç "unë jam një lider lokal, ndërsa Rama është lider botëror.” “Ka qenë një batutë shumë dashamirëse dhe më ka bërë mjaft për të qeshur”, tha Rama.
Intervista e plotë e kryeministrit Edi Rama në "5 Pyetjet nga Babaramo"
Do doja ta nisinim bisedën nga ngjarja e fundit më e rëndë që ka ndodhur në vend që është arrestimi i deputetit Armando Prenga. Brenda dy vjetëve kemi tre deputetë të kësaj shumice qeverisëse që janë të arrestuar. janë tre dhe nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar por kemi të bëjmë me një fenomen. Përse jeni detyruar t'i drejtoni edhe botës së nëndheshme për të fituar zgjedhjet?
Po flitet nga të gjithë për një dekriminalizim të politikës. Mendoni se është i mjaftueshëm projekti që ka paraqitur së fundi opozita në Parlament dhe për të cilin ka vënë edhe një afat.
Një miku ynë i përbashkët thotë që janë disa zona të vendit ku të dyja partitë kanë kandiduar njerëz me master, dhe me këtë nënkuptonte jo kontribute në shkencë apo dije, por me një bacground kriminal. Përse në këto zona duhet të kandidohen këta njerëz të fortë?
Të dyja rastet e avionëve, një trafik me përmasa të mëdha, brenda një jave dy avionë janë kapur nga policia italiane jo nga ajo shqiptare.
Është fakt që Lazarati u mbyll nuk mbillen më plantacione hashashi…
Ju dhe z.Meta u përpoqët që të qetësonit opinionin publik…
Jeni konsultuar me z.Meta për këtë se ky është një detaj shumë i rëndësishëm?
Po kërkon qimen në vezë, kalojmë në çështje më të rëndësishme se këto janë skorjet e një furrnalte vere.
A ju ka kërkuar z.Meta të ndryshojë ministrat e tij?
Jo, asnjëherë.
Pra nuk ka kërkuar ndryshime në qeveri?
Asnjëherë. Por edhe nëse kjo do të ndodhë, të jeni të sigurtë se kjo do të ndodhë në kuadrin e atyre që kemi thënë më parë. Pra do të ndodhë vetëm kur një ministër do të jetë përgjegjës për diçka që e pengon bashkëjetesën tonë.
Jeni i kënaqur me punën e të gjithë ministrave?
Unë jam i kënaqur me punë e të gjithë qeverisë. Po jam i kënaqur për faktin se jemi në ritmin e parapërcaktuar dhe kemi plotësuar ato objektiva që i kemi vënë vetes. Nuk po them që jam i kënaqur me atë çka ne duhet të arrijmë. Ka ende shumë punë për të bërë.
Një aleat i juaj parlamentar, Shpëtim Idrizi ka kërkuar ndryshime në qeveri dhe përfshirjen e PDIU-së në qeveri, do funksionojë koalicioni?
Qeveria nuk do ndryshojë. Qeveria është produkt i mandatit të zgjedhjeve të 2013 dhe është kontratë me popullin shqiptar. Nëse PDIU-ja do të jetë me ne në 2017, atëherë kjo do të jetë pjesë e diskutimit për kontratën e re që do të bëjme me shqiptarët.
Opozita thotë se gropa në buxhet është diku tek 150 milionë euro në 7 muaj, është shifër e saktë?
Është shifër e saktë. Është 155 milionë në s’gabohem dhe është e gjitha rezultat i një sërë faktorësh, që nga njëra anë kanë të bëjnë me konjukturat ndërkombëtare. Përshembull një pjesë e rënies së të ardhurave lidhet me rënien e çmimit të naftës e mineraleve në konjukturën ndërkombëtare. Ka të bëjnë edhe ndryshimet që kemi bërë për të stimuluar biznesin, pra nuk kemi marrë para në buxhet, ama ato para i ka përfituar biznesi, siç është heqja e TVSH-së për makineritë. Ka të bëjë me inflacionin që ka qenë më i ulët se sa kur u bë plani. Ka të bëjë me rimbursimin automatik të TVSH-së. Ka të bëjë me faktin që një pjesë energjie që e kishim parashikuar për import nuk e kemi realizuar. Ka të bëjë me cigaren, ku rritja e akcizës qëllimisht për të dekurajuar duhanpirjen ka pasur efektin e vet. Ndërkohë që kemi edhe 70% rritje të importit të letrës së duhanit sepse ka një rilindje të prodhimit të duhanit vendas, por që ka nevojë për formalizim. Të gjithë këta komponentë së bashku me metodën tradicionale të formalizimit, për të cilën ne punojmë së bashku me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Harwuard për ta modernizuar, kanë sjellë në një mos përputhje me çfarë kishim planifikuar me çfarë kemi marrë. Nga pikëpamja e subtacës ekonomia është stimuluar ndjeshëm se një pjesë të konsiderueshme të të ardhura që nuk kanë shkuar në buxhet, por kanë shkuar si lehtësi për sipërmarrjen.
Kuponin tatimor dhe kasat fiskale i keni kthyer në prioritetin numër 1 të qeverisjes aktuale, por a mendoni se evazioni nuk qëndron tek biznesi i vogël, por tek biznesi i madh?
Absolutisht kështu mendoj, por nga ana tjetër duhet kuptuar se biznesi i vogël që shet është pika fundore e një zinxhiri që zanafillën e ka tek biznesi i madh. Kuponi bllokon pikën fundore, pra nëse ne e marrim kuponin, atëherë gjithë zinxhiri i evazionit që e ka hallkën fundore tek shitësi me pakicë, faktikisht paralizohet. Kuponi është njëra anë por kemi edhe faturën tatimore për kompanitë e mëdha kështu që edhe penalitetet i kërkojmë të jenë më dy shkallë. Për kuponin do të jetë herën e parë penaliteti 5 milionë lekë të vjetra, ndërsa për grositët 100 milionë lekë të vjetra, pra 100 mijë dollarë do të jenë penalizimet nëse do të gjenden inventare të parregullta ku ka mall që kalon në zinxhirin e informalitetit. Kjo është arsye pse nuk mund të luftohen dot të mëdhenjtë që bëjnë evazionin pa pasur bashkëpunimin e qytetarëve që duhet të marrin kuponin për të bllokuar shfryrjen e atyre parave që duhet të vijnë në buxhet në xhepat e kompanive.
Cfarë ka që nuk shkon në ekonominë shqiptare, ende nuk ka dalë nga periudha e krizës së vazhdueshme?
Ekonomia shqiptare ka dalë nga kriza por do akoma kohë që të vrapojë. Sot jemi kthyer në ciklin e rritjes ekonomike. Kemi pasur një rritje ekonomike 2.88 në tremujorin e parë që prej vitesh nuk e kishim, por sigurisht që impakti i drejtpërdrejtë tek xhepat e konsumatorëve do të kërkojë kohë që të jetë plotësisht i ndjeshëm. Ndërkohë që shifrat e konsumit flasin qartë, kemi rritje të vazhdueshme të konsumit, shqiptarët konsumojnë më shumë. Ekonomia ka filluar të japë shenja rigjallërimi. Padyshim që na duhet ende shumë punë dhe këto reforma janë operacione të domosdoshme në luftën me një kancer sistemi në të gjithë organet e organizmit të ekonomisë dhe të funksionimit të shtetit tonë që kërkojnë kohë sipas një operacioni të rëndë për rehabilitim dhe pastaj në kthimin në jetën normale të një pacienti.
A mendoni duke qenë në këtë periudhë konvaleshence ekonomia…
Nuk është në periudhë konvaleshence ekonomia, ekonomia është në lëvizje të vazhdueshme në drejtimin e duhur. Sigurisht që ka ende punë për të arritur në një moment ku të gjithë do të ndjejnë vibrimin e ekonomisë.
Kjo ndërhyrje e fortë edhe me strukturat e Policisë në biznes, a ka fuqi e përballon dot biznesi? Deri tani kemi të bëjmë me një ekonomi gati informale gjysmë gri që është në gjendje embrioni që kërkon të rritetn. Nëse ndërhyhet në mënyrë drastike, mendoni se ju veni t'i merrni taksat dhe ata do e mbyllin?
Nuk e mbyll askush që pranon të fitojë atë që i takon. Kur do të fitosh dhe atë që s'të takon e do të futësh në xhep atë që i takon konsumatorit si qytetar nëpërmjet shërbimeve më të mira dhe investimeve të shtetit nëpërmjet uljes së taksave dhe rritjes së rrogave, sigurisht që kjo dhemb. Por është koha të kuptohet se epoka e këtij mashtrimi të madh ka marrë fund dhe sic e kemi bërë me energjinë do ta bëjmë edhe me informalitetin.
Ç'përshtypje ju lanë qepenët e mbyllur te "Myslym Shyri", tek "Rruga e Kavajës"?
Së pari, ne kemi bërë në dy vjet një punë kolosale ndaj informalitetit. Në 2013 në Prodhimin e Brendshëm kontributet e njerëzve nëpërmjet taksave dhe tatimeve kanë qenë më pak se 24%, këtë vit ne presim një rritje 27 % dhe kjo e gjitha është pjesë e formalizimit. Është koha ta ngrëmë administratën tatimore në një nivel më të lartë duke goditur të gjithë ata që nën uniformën e inspektorit të Tatimeve dhe në bashkëpunim me evazorët grabisin qytetarët. Për ketë arsye në paketën administrative do të ketë një ndëshkim të ashpër penal për fshehjen e aktivitetit ekonomik nga ana e inspektorëve të tatimeve apo për bashkëpunimin për t'i ikur detyrimeve tatimore. Ato qepena ishin një shenjë shumë pozitive e vetëdijes se koha e konkurrencës së pandershme, koha e të jetuarit duke ja hedhur atij tjetrit pranë që paguan tatimet ndërkohë që ti shet dhe nuk paguan asgjë, po perëndon.
Keni fiks dy vjet që keni hyrë në zyrat e qeverisjes dhe nuk kemi një investitor të madh që të ketë ardhur në Shqipëri, të paktën të dimë publikisht.
Investitorët e mëdhenj nuk vijnë si ata që shkojnë regjistrohen mbasi kanë mbyllur qepenin, por kërkojnë kohë, garanci dhe besim. Dhe Shqipëria që ne morëm kishte humbur çdo besim dhe nuk përbënte asnjë garanci për investitorët. Ajo që po bëjmë me Shqipërinë dhe imazhin e saj është një punë kolosale dhe kemi rezultate shumë të mira. Ne kemi sot një rritje të investimeve të huaja, të kompanive të huaja të vogla, kemi disa kompani të mëdha me të cilat po negociohet për të hyrë në sektorin e naftës që do të jenë më në fund emra të mëdhenj me reputacion ndërkombëtar dhe jo fantazma si ato që e kanë shkatërruar një pjesë të mirë të kësaj pasuri kombëtare dhe i kanë penguar shqiptarët të marrin atë që i takon nga kjo pasuri. Kemi në diskutime disa investime të rëndësishme, janë procese bindëse reciproke për të afruar investitorë të mëdhenj. Për herë të parë, kemi pasur në Financial Times lajmërimin për një zonë e parë realisht ekonomike dhe industriale të standardeve ndërkombëtare dhe nga ana tjetër pas një përgatitje shumë të gjatë me ekspertizë ndërkombëtare të jeni të bindur që aty do të kemi sukses dhe do të celim parkun e parë realisht industrial ku do të punësohen mijëra e mijëra njerëz dhe do të kemi shumë kompani që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e asaj zone ekonomike. Kemi investime po ashtu të rëndësishme edhe në energji, një pjesë janë në proces konsolidimi dhe pastaj realizimi. Jam i bindur që në fund të këtij remonti kapital do të jenë krijuar kushtet që Shqiëpria të kalojë në një fazë të re të zhvillimit të saj.
Por gjendja ekonomike është e tillë zoti kryeministër që Shqipëria ka një depresion social të tillë që pas Sirisë shqiptarët janë të dytët që kërkojnë azil…
Nuk po mundohem të mohoj që ka shqiptarë që mundohen të kërkojnë rrugë të tjera, askush nuk mund t'i pengojë njerëzit të kenë ëndrra më të mëdha se sa kufijtë e vendit të tyre. Po të shikoni trendin e ikjes nga vendet të atyre që janë futur më parë në BE, janë të qarta dhe natyrale. Bullgaria me statistika, përpara se të bashkohej në BE kishte vetëm 14 % të njerëzve që donin të jetonin aty. Flukset e ikjes nga Polonia, Republika Çeke, nga Sllovakia kanë qenë masive dhe të natyrshme. Edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga i gjithë Rajoni. Sidomos në zona të vështira të rinjtë kanë të drejtë të thonë që "ç'të pres më unë këtu se duhen 10-15 vjet që unë të marr atë që mund të marr duke ikur diku tjetër. Por bëjnë gabimin e madh që këtë e kërkojnë nëpërmjet rrugës me shumë shpenzime dhe praktikisht me fund të palumtur që është ajo duke e kërkimit të azilit politik. Në numrin e Shqipërisë një masë shumë të konsiderueshme e kanë shqiptarët që kanë punuar për shumë kohë të gjatë në Greqi dhe tentojnë drejt Gjermanisë për të gjetur një vazhdimësi normale të jetës që i është ndërprerë nga kriza në Greqi. Të rinjtë duhet të kuptojnë që kanë një mundësi reale për tu punësuar në Gjermani si punonjës të ligjshëm nëse më parë i nënshtrohen një praktike profesionale në shkollat e edukimit profesional që ne po i transformojmë dhe kemi një projekt me gjermanët për t'i zgjeruar dhe fuqizuar, dhe mund ta realizojnë ëndrrën e tyre në rrugë të ligjshme. Rruga e azilit është e pamundur dhe e paligjshme.
Flasim pak për Samitin e Vjenës…Përse nuk u kërkua nga qeveria shqiptare ndërtimi i Korridorit të VIII?
Ne kemi punuar një vit për të përcaktuar rrjetin e konektivitetit dhe Korridori VII është pjesë e rrjetit. Por prioritetet janë vendosur në bazë të impaktit të vlerësuar me ekspertizën e Komisionit Evropain të atyre investimeve që lidhen drejtpërdrejtë me unionin. Pra nëse flasim për Korridorin e Kaltër që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë me Greqinë, që kur unë e kam hedhur si ide këtu të gjithë bënin humor dhe thonin do kalojë me motoskaf, është i BE-së që plotësohet dhe përmbushet dhe që ka një impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit tonë. Korridori VII është pjesë e paketës së projekteve pa dyshim.
A mendoni se kanë të drejtë ata që ju sulmojnë për Samitin e Vjenës se tentuat të bëni një show mediatik, ndërsa Vucic u tregua më pragmatist- të paktën arriti të realizojë ëndrrën e kancelarisë serbe për të dalë në Durrës..
Kjo është një marrëzi shqiptarësh të painformuar që i bëjnë kritikat nga buza e filxhanit të kafesë turke. Dy ishin projektet prioritare, Adriatiko-Joniani që është Shqipëria, Serbia s'është fare këtu dhe rruga Nish-Prishtinë-Durrës e cila do të bëhet e standardeve evropiane. Nëse mendoni se rruga Durrës-Kukës ka standarde evropiane po ju them që nuk merr dot certifikatën nga BE se ka pjesë të tëra të veta që janë të pambaruara. Kjo është një llogari shumë profane sepse nga interkonektiviteti fitojnë të gjitha palët; Serbia fiton mundësinë që të qarkullojë njerëzit dhe mallrat e veta më lirisht por dhe ne fitojmë mundësinë që të qarkullojmë njerëzit dhe mallrat tonë më lirisht. Por mos harroni që bilanci tregtar mes Serbisë dhe Kosovës është më i larti tregtar në Rajon mes vendeve të Rajonit.
Si ju duk deklarata e Vucic "unë jam një lider lokal, ndërsa Rama është lider botëror?
Ka qenë një batutë shumë dashamirëse dhe më ka bërë mjaft për të qeshur.
Do vijë për ta parë ndeshjen Vucic?
Do të vijë. Nëse nuk do të ketë ndonjë emergjencë të një natyre tjetër që nuk përjashtohet asnjëherë në punën e një kryeministri, do të vijë.
Përse duhet të ndërhynte shteti në Kishën e Dhërmiut…u rrafshua një objekt kulti?
Ishte një projekt i bashkisë për të rrafshuar një garazh pa leje që përdorej për kishë fatkeqësisht për besimtarët, ishte ndërtuar mbi rrënojat e një monumenti me rëndësi kombëtare të historisë dhe të trashëgimisë sonë kulturore. Unë e di që ndërtimet e kësaj natyre i prish shteti.
Do kërkoni bashkëpunimin e Kishës për ta ndërtua?
Nuk kemi asnjë problem me Kishën, dhe sa herë kisha kërkon bashkëpunim me ne jemi në dispozicion. Janë 38 kisha vetëm në Dhërmi, nëse duan një të 39, një të 40, të 45 patjetër bashkia do të bashkëpunojë me kishën ortodokse me të cilën marrëdhëniet kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera. Sigurisht që kemi pasur edhe ngacmime, por që shumë tretësore. Se një konflikt tjetër është bërë për atë gardhin e shëmtuar dhe krejtësisht pa asnjë sens urban rreth katedrales ortodokse. Pasi ne kemi ndërhyrë dhe ata i janë referuar prapë emocionalisht 67-ës sot janë të gjithë të lumtur me atë që po bëhet mes oborrit të PS dhe kishës. Këto cështje s'kanë të bëjnë fare me fenë, me marrëdhëniet e shtetit me kishën, janë cështje të administrimit të përditshëm.
Pavarësisht dëshirës së mirë për të nderuar murgun që ka përhapur do të ishte më e udhës të kërkonit bashkëpunimin e Kishës, se është një territor në pronësi të Kishës.
Nuk është për të nderuar murgun kjo, kjo është për të nxjerrë në dritën e syve tuaj dhe të fëmijëve tanë një histori shqiptare të mrekullueshme që nuk e di asnjë njeri dhe që gjendet e varrosur nën peshën e një garazhi të ndërtuar pa leje. Kisha nuk e ka në pronësi, dhe nga kisha nuk ka ardhur asnjë shqetësim nga Kisha.
Si e shpjegoni që kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare shqetësimin nuk e pasqyroi tek kryeministri shqiptar por tek ai grek?
Unë nuk e di çfarë ka folur me kryeministrin grek, unë dua t'i besoj atij kur thotë që "s'jemi marrë me këtë punë".
Komunikim keni pasur pas rrafshimit të atij garazhi?
E kam takuar në takimin për lutjen për paqen, jemi takuar me një mall shumë të madh se kishim shumë kohë pa u parë dhe nuk kam ndjerë absolutisht asnjë problem sepse kam një marrëdhënie shumë të mirë me të. Për mua nuk ka asnjë problem në këtë marrëdhënie. Unë di vetëm kaq, koha kur fqinjët kujtonin ose vepronin sikur në hapësirën e besimit ortodoks kishin autoritet shtetëror dhe politik ka vdekur, ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë nuk janë grekë. Ortodoksët e minoritet grek, njësoj si ortodoksët shqiptarë kanë të gjithë lirinë e barabartë të ushtrimit të besimit të tyre. Por që forcë tjetër jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që të vijë të na tregojë ne se ç'duhet të bëjmë këtu me këtë dhe atë unë nuk njoh.