Rama: Kur të mos i duhem më elektoratit, do të punoj si rrobaqepës

 

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar këtë mbrëmje të premte në programin “Top Show Magazine”.

Ai i ka kthyer përgjigje një pyetjeje që bëhet shpesh lidhur me deklarimet e tij në fushatë mbi mbështetjen për kandidatët e opozitës nëse këta fitojnë në bashkitë që konkurojnë.

“Unë s’e kam thënë asnjëherë që nuk do t’i mbështesim. Unë kam thënë që po t’i jepni votën atyre merrni veten në qafë, sepse ata nuk janë të vendosur aty për të bërë punë dhe nuk do të bashkëpunojnë, por do të bëjnë vetëm sherr – thotë Rama.

Kryeministri mendon që zgjedhjet e 21 qershorit do të jenë një fitore e thellë e së majtës.

Ai i ka kthyer kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosovës pas kërkesës së tij për takim.

“E ftoj Kosovën që të takohemi së bashku më 22 qershor që të pimë kafen e humbjes së tij” – tha Rama.

Në një rrëfim ndryshe përballë Alban Dudushit, Rama ka argumentuar humbjen e Kosovës. “Meqenëse Halim Kosova njihet si një gjinekolog i mirë, atëherë lë t`i shërbejë mjekësisë dhe jo politikës”– ka pohuar ai.

Duke u ndalur tek jeta e tij personale, kreu i ekzekutivit ka rrëfyer edhe një pjesë të rinisë së tij, marrëdhënien me të birin, Zahon si një rizgjim i instiktit prej babai pas shumë vitesh dhe parashikimet se çfarë do të bëjë kur të arrijë në kufirin e moshës së tretë.

“Nuk dua të bëhem si Berisha. Jetën time do ta ndaja në tre pjesë: para se të futesha në politikë, gjatë saj, pra kjo që po bëj tani dhe pjesën e tretë kur unë mos t`i duhem më elektoratit, do të punoj si rrobaqepës” – ka përfunduar ai.

Intervista

Top Show: Është siklet të jesh me Ramën në këmbë, unë ndjehem në siklet për vete dhe mora vesh që këtë siklet e kishte edhe Vuçiç, kur ju akuzuan se vishni taka…

Edi Rama: Unë taka nuk vesh dhe në Serbi kanë “55” e tyre, kështu që merren edhe ata me budallallëqe.

Top Show: Ata bënë krahasim mes dy vizitave. Në Shqipëri dukesh me afër, kishte veshur taka ai?

Edi Rama: Ndoshta për shkak të mikpritjes ishte e nevojshme që të vija vizë në të njëjtën lartësi. Unë jam pak më i gjatë, shumë pak.

Top Show: U tha që takimi në Shqipëri ishte një miqësi e lindur, ishte si puna e dy njerëzve që zihen e më pas bëhen miq…

Edi Rama: Miqësi e lindur jo, por një marrëdhënie që falë asaj që ndodhi në Beograd, ka një bazë solide, sepse u thanë disa të vërteta të hidhura, por pa këto të vërteta, nuk ka një marrëdhënie të qëndrueshme afatgjatë. Në Tiranë u thanë gjërat që duheshin thënë, dhe ajo që është më e rëndësishmja është që pavarësisht se çfarë tha kryeministri i Serbisë, atmosfera dhe pritja që i rezervoi publiku dhe media, bëri një dallim shumë të madh, gjë që është një arsye për t’u ndjerë mirë.

Top Show: Mund të quhemi të pajtuar ne pas gjithë kësaj?

Edi Rama: Jemi të pajtuar, por ajo që ka rëndësi nuk është paqja, por ajo çfarë do të bëjmë me paqen. Paqja ka ardhur si rezultat i aspiratës së përbashkët të popujve për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Ka qenë një përputhshmëri mes aspiratës së popujve të rajonit dhe vullnetit të lidershipit në rajon në këtë moment.

Top Show: Duket si një miqësi nga halli më shumë sepse pa paqe, pa shtrënguar ju duart, para nuk ka.

Edi Rama: Miqësi nga halli nuk ka. Besoj që janë pjekur kushtet për të ndërtuar një rrugë të re të përbashkët dhe nuk është se jemi ne të parët që po bëjmë diçka të tillë. Shembulli i Francës dhe Gjermanisë është tipik. Sot janë dy shtyllat që mbajnë Bashkimin Europian, është një shembull që ne mund ta jetësojmë në rajonin tonë. Besoj që Shqipëria dhe Serbia, shqiptarët dhe serbët janë dy forcat që kanë në dorë fatet e rajonit tonë. Nga mënyra sesi do të bashkëjetojmë, do të varet shumë sesi do të jetë mirëqenia në rajon dhe Ballkani nesër në panoramën e Europës.

Top Show: Për 1 Qershor, çfarë dhurate bëre?

Edi Rama: Besoj që bëmë gjënë e duhur sepse nisëm realizimin e Parkut Olimpik të Tiranës, që është pjesë e transformimit të gjithë zonës. Sa i përket djalit, ka kaluar me shpejtësi disa faza rritjeje dhe më 1 Qershor veshi për herë të parë sandale.

Top Show: Pse nuk i keni publikuar asnjë foto të tij?

Edi Rama: Djalin nuk e kemi objekt kurioziteti. Për kuriozitet shkohet në kopsht zoologjik, në kopsht botanik, kuriozitet për fëmijët nuk ka.

Top Show: Kur e gjen kohën të rrish me djalin?

Edi Rama: Në zgjim na përkojnë oraret, rreth orës 7 pa çerek. Kemi një kohë që rrimë bashkë, pastaj sigurisht të dielave paradite unë gjithmonë kam qejf që të rri vetëm me Lindën dhe me Zahon.

Top Show: Mes teje dhe Lindës, kujt i ngjan më shumë Zaho?

Edi Rama: Është një sintezë e të dyve dhe unë nuk i hyj kësaj gare kujt i ngjan, kujt s’i ngjan. I ngjan vetes së vet. Ne e kemi dhënë kontributin tonë, se kujt i ngjan është…

Top Show: Urojmë që t’i ngjajë bashkëshortes tuaj…

Edi Rama: Unë do të isha më i lumturi nëse i ngjan me të gjitha bashkëshortes time se do isha i sigurt që do isha gjithmonë në drejtimin e duhur. Kam mësuar nga jeta që po qe puna në drejtim, burrat e humbasin, gratë janë ato që e mbajnë gjithnjë drejtimin.

Top Show: Ti e ke humbur herë pas here?

Edi Rama: Unë? Po si thua ti?

Top Show: Tani o je burrë e ke humbur drejtimin, ose s’je burrë dhe s’e ke humbur drejtimin?

Edi Rama: Përderisa po e them me kaq siguri, dmth që e kam provuar veten që edhe e kam humbur drejtimin, sepse u bënë 50 tani. 50 vjet në drejtimin e duhur është jetë e mërzitshme.

Top Show: Si është të jesh 50 vjeç baba me një djalë që nuk ka bërë 1 vjeç akoma?

Edi Rama: Zaho është personazh…me atë që prisja, jam shumë i lumtur. Unë prisja që do bashkëjetoja me një fëmijë që s’do më linte të flija, s’do më linte të përqendrohesha dhe plus frika që do më ngjante mua, sepse sipas tregimeve të nënës time, unë deri në moshën 2 vjeç, nuk kam pushuar së qari dhe flija shumë, shumë pak. Zaho është shumë më i qetë.

Top Show: Nga kjo ardhje në jetë e Zahos, si i ke marrëdhëniet sot me gjinekologët?

Edi Rama: Unë di që nga ardhja në jetë e Zahos, i kam marrëdhëniet shumë të mira me gruan, për gjinekologët duhet të pyesni gruan, se gjinekologu s’është pjesa ime.

Top Show: Aq më tepër që është një gjinekolog që ju ka ftuar për kafe, ju ka ftuar publikisht dhe do të pijë një kafe me ju?

Edi Rama: Ka 22 qershor. Unë më 22 qershor do t’i jap kafen Halimit dhe do ta inkurajoj që të jetë në lartësinë e detyrës, kur të kthehet në maternitet, sepse na duhet atje, nuk na duhet në bashki. Për Halimin kam një vlerësim të përgjithshëm si gjinekolog. Është bërë një spekulim që unë i kam dhënë dekoratë e ku di unë. Kur ishim bashki bënim çdo vit vlerësimin e 10 personaliteteve të qytetit, qytetarë të dalluar, që i bënim mbi bazën e propozimeve dhe në një nga këto audicione ka fituar doktori. Nuk kam asnjë dyshim dhe nuk kam pse dyshoj që ai është gjinekolog i zoti dhe për këtë duhet të kthehet në maternitet, se unë nuk e kuptoj se çfarë bën vërdallë, sa në parlament, sa në fushatë. Ndaj them që të gjitha gratë duhet të votojnë Erionin edhe për Halimin. T’i gjejmë punës njeriun dhe jo njeriut punën. Besoj që duke pas Erionin kryetar bashkie, Halimin drejtor materniteti, kemi gjetur vendin e duhur për këta dy njerëz, ndaj dhe gratë duhet të votojnë Erionin për t’i bërë mirë edhe Halimit. Sa i përket asaj që tha që çifligu a ku di unë, unë e kam shumë të thjeshtë bisedën. Unë nuk them jepjani votën atyre, them një gjë që është shumë e thjeshtë, këto zgjedhje që kanë një natyre të veçantë, janë zgjedhje për bashkinë, për çdo familje sepse nëse brenda mureve të shtëpisë tënde gjithçka varet nga ty, sapo del nga muret e shtëpisë, të gjitha gjërat e tjera varen nga bashkia. Këta nuk flasin fare për çështjet e pushtetit vendor, i ke dëgjuar të flasin për këtë? Kurrë!

Top Show: Kjo është e natyrshme, edhe ju në opozitë thatë në 2007, edhe në 2011 thatë që po votuat sot të majtën, nesër rrëzohet Berisha nga pushtetit…

Edi Rama: Po ju them që kush do të votojë kandidatët tanë do të ketë njeriun e duhur për të bërë këto punë që po flasim. Për fat të keq PD nuk ka asnjë model. Nuk ka asnjë qytet apo komunë që të thotë që ne kemi filan model. Nuk kanë lidhje me këtë punë. Kanë një problem shumë të madh që do të vazhdojë t’u zmadhohet derisa ta trajtojnë seriozisht dhe ta zgjidhin, kanë një raport të gabuar me shtetin, ndërkohë që ne dimë të bëjmë shtet. Çdo parti kërkon të fitojë kudo ku garon. Edhe PD thotë të njëjtën gjë.

Top Show: Shumica e kandidatëve të opozitës janë trembur që nëse do ta fitojnë nuk do të mbështeten me fonde nga ana juaj.

Edi Rama: Unë s’e kam thënë asnjëherë që nuk do t’i mbështesim. Unë kam thënë që po t’i jepni votën atyre merrni veten në qafë, sepse ata nuk janë të vendosur aty për të bërë punë dhe nuk do të bashkëpunojnë, por do të bëjnë vetëm sherr. Unë kam fakte për këtë. Në 18 muaj si kryeministër kam pasur vetëm një rast që një kryetar bashkie i PD, të më ketë kontaktuar për të kërkuar mbështetje, as kanë ardhur, as kanë çuar projekte, as të trokasë e të thotë; unë dua këtë për komunitetin tim. SHQUP-i do që t’i ketë kryetarët e njësive vendore, ushtarë politikë. PD ka probleme në raportin në ndërtimin e shtetit. Ne kemi modele që janë pika referimi.

Top Show: Halim Kosova ka treguar në fushatë që është distancuar, edhe në slogan, nga 4 vitet e mëparshme të qeverisjes së Tiranës. Ka identifikuar problemet, gjërat që nuk janë bërë dhe premton se do t’i bëjë.

Edi Rama: Fakti që këtë arriti ta bëjë edhe doktor Halimi, dmth që është kaq kollaj që të dalësh e të flasësh, por duhet edhe të thuash si.

Top Show: Është e mundur që Tirana të ketë një tramvaj dhe një metro?

Edi Rama: Unë besoj që historia e tramvajit ishte një histori absurde dhe siç janë këto tani, që thonë na votoni ne që të keni taksat më të ulëta në Ballkan, që të ulim energjinë. Dakord ja po i votojmë, si do i bëjnë këto? Më 21 qershor votohet për bashkitë. Këto nuk janë fare tema për lojën e bashkive. Këta e kanë të qartë, lojën e tyre hedhin grepin dhe të kapin ç’të kapin. Tirana nuk ka sot asnjë mundësi të ketë një linjë tramvaji dhe sot nuk ka nevojë për tramvaj. S’është tramvaji problemi i Tiranës.

SHKARKO APP