Rama: Të vendosur për reformën. Koalicioni nuk ka asnjë mëdyshje
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Top Channel nga Belgjika ka deklaruar se, qeveria e tij është e vendosur për realizimin e reformës në drejtësi dhe ka nënvizuar se koalicioni qeverisës nuk ka asnjë mëdyshje për këtë.
TCH: Zoti kryeministër, kur mendoni se Shqipëria do të çelënegociatat e anëtarësimit me BE-në?
Edi Rama: Çelja e negociatave nuk është vendimmarrja apo opinioni ynë. Është vendimmarrje e paparashikueshme e vetë Bashkimit Europian për të gjitha ato arsye që dihen, pasi nuk është më si dikur, që Komisioni jep opinionin dhe pastaj negociatat çelen, por varet se si do të jenë konjukturat e brendshme dhe se çfarë do të thonë egoizmat kombëtare të gjithësecilit kur do të duhet të shqyrtojnë këtë. Megjithatë, ajo që ka rëndësi parësore është që ne të bëjmë detyrat tona dhe është e qartë se reforma në drejtësi është detyrë kyçe dhe kalimi i reformës në drejtësi është një hap vendimtar për të modernizuar dhe europianizuar më tej Shqipërinë, si dhe për të vazhduar procesin e reformave dhe të shtetndërtimit në Shqipëri, sepse në fund të fundit, ne nuk i bëjmë këto reforma se na i kërkon Brukseli, por sepse janë shumë të rëndësishme për vendin dhe fëmijët tanë.
TCH: Për ju, kur mbyllet reforma në drejtësi dhe në ç’mënyrë?
Edi Rama: Unë nuk jam fallxhor dhe nuk shoh filxhanë, por di të them se jemi në një proces që ka qenë shembullor për nga mënyra se si është përgatitur, si është çuar përpara, se si ka garantuar mbledhjen e të gjitha burimeve të mundshme të ekspertizës së brendshme e ndërkombëtare dhe se si po materializohet duke përfshirë Komisionin e Venecias. Kështu që, me të marrë raportin final të Komisionit të Venecias do të kemi një bazë më të qartë për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë dhe se si do të shkojnë gjërat më tutje. Por, reforma në drejtësi është e pashmangshme dhe është e qartë për të gjithë se, kush i shmanget refomës në drejtësi hyn në telashe të mëdha me popullin shqiptar.
TCH: Zoti kryeministër, a ka një qëndrim të përafruar të koalicionit përsa i takon kësaj reforme? Në darkën tuaj të fundit me zotin Meta, a u pajtuat për çështjen e numrit të deputetëve?
Edi Rama: Tani, është puna juaj të merreni me mbledhjet, drekat, darkat, takimet… Nuk është çështje drekash e darkash. Është çështje e një vizioni të qartë të koalicionit për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi, e një përgjegjshmërie të madhe për detyrën tonë si koalicion që të kryejmë këtë reformë dhe natyrisht, e roleve të ndara midis meje si kryeministër dhe bashkëkryetarit të koalicionit si kryetar i Kuvendit. Nëse për mua gjërat janë qartësisht bardhë e zi në këtë aspekt dhe nuk ka shumë për të hedhur vallen e konsensusit në kurriz të reformës, për kryetarin e Kuvendit është jo vetëm e drejtë, por dhe detyrim që të predikojë konsensus, konsensus, konsensus, sepse nuk është vetëm kryetar Kuvendi i shumicës, por dhe i pakicës. Kështu që, gjërat janë në normalitet. Rëndësi ka që palët kanë thënë se Venecia është garant i konsensusit dhe të dëgjojmë Venecian deri në fund.
TCH: Ndërkohë, më 8 shkurt, çifti i eurodeputetëve Kukan-Fleckenstein vjen në Tiranë për të biseduar me 3 palët kryesore politike mbi këtë reformë. Nëse deri atëherë nuk do të arrihet një marrëveshje mes palëve, ju a do të ishit i gatshëm për t’u ulur me kreun e opozitës, Basha, ose çfarë lëshimesh jeni i gatshëm të bëni?
Edi Rama: Së pari, ju e dini mirë se unë nuk përgjigjem ndaj pyetjeve me ‘në rast se’, sepse ka një shprehje populli ynë me ‘në rast se-në’. Së dyti, unë jam i gatshëm për çdo rast e në çdo çështje që të bisedoj me këdoqoftë dhe sigurisht, edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, edhe me liderin e PD-së, me këdoqoftë. Por kushti është shumë i thjeshtë, të bisedojmë jo për të biseduar, por të bisedojmë për të zgjidhur probleme dhe nuk kemi pse bëjmë farsa konsensuale, përsa kohë jemi qartazi të ndarë në interpretimin e asaj ç’ka thotë Komisioni i Venecias. Pasi Komisioni i Venecias të japë raportin final, atëhere duhet të shikojmë çdo rrugë për të siguruar mbështetje sa më të plotë për reformën. Por, kurrë, asnjëherë, unë dhe Partia Socialiste nuk do ta tradhëtojmë reformën dhe aspiratën e drejtë të popullit shqiptar për t’i dhënë fund sistemit të korruptuar të drejtësisë për hir të një pazari, që gabimisht, shpesh herë në Shqipëri, është quajtur konsensus.
Intervistoi: Arta Tozaj