“Refugjatët të mos shihen të gjithë me dyshim”

Gjurmë të terroristëve që do të kryenin një atentat në Dyseldorf, të çojnë në strehimet e refugjatëve. Por shefi i sindikatave të policisë, Rainer Wendt nuk sheh lidhje të drejtpërdrejtë mes terroristëve dhe refugjatëve.

***

Zoti Wendt, sa e madhe është lidhja midis ekstremistëve të Shtetit Islamik, që duan të kryejnë atentate në Gjermani dhe në vende të tjera dhe refugjatëve?

Wendt: Nuk ekziston asnjë lidhje e drejtpërdrejtë. Do të ishte diskredituese për të gjithë njerëzit që kanë ardhur te ne për të kërkuar mbrojtje, po të bëhej një pohim i tillë. Ekziston rreziku dhe ka herë pas here të dhëna, se ka persona të dyshuar të caktuar, që i kanë shfrytëzuar këto itinerare. Kjo rezultoi edhe pas atentateve të Parisit dhe të Brukselit. Por lidhje të drejtpërdrejtë nuk ka.

Po është fakt, që shumë të dyshuar si terroristë dhe meshkuj të arrestuar janë maskuar si refugjatë. A nuk mund të ishte kjo maja e ajsbergut?

Ka herë pas here njoftime tek autoritetet e sigurisë – madje prej vetë refugjatëve – që njëri apo tjetri duhet të kontrollohet më imtësisht. Secilin nga këto njoftime, autoritetet e marrin seriozisht dhe e ndjekin. Prandaj këtu duhet parë me shumë vëmendje, gjë që ne e bëjmë.

A do të thotë kjo që autoritetet e sigurisë duhet t’i kontrollojnë më mirë strehimet e refugjatëve dhe banorët e tyre, njëherë për të diktuar terroristë të ndryshëm e edhe për të ndaluar përpjekjet e radikalizimit?

Këtë autoritetet e sigurisë ka muaj që e bëjnë. Prej atje vijnë herë pas here njoftime për persona të dyshimtë, dhe secilin nga këto njoftime, autoritetet e sigurisë e marrin shumë seriozisht. Këtë e bën ose policia, kur ka të dhëna konkrete për një vepër penale, ose kur kemi të bëjmë me procese radikalizimi, kjo është detyrë e Mbrojtjes së Kushtetutës, që ta vëzhgojë. Dhe këtë ne e bëjmë.

Ju dyshoni që Shteti Islamik (IS) synon qëllimisht që t’i diskreditojë refugjatët. Pse duhet ta dojë ai këtë?

Kemi të bëjmë me njerëz që arratisen në radhë të parë prej IS në Siri dhe në vende të tjera. Prandaj IS ka natyrisht një interes strategjik, që atmosfera këtu të jetë e trazuar, mundësisht kundër të gjithë refugjatëve. Dhe krijimi i trazirave këtu është padyshim një nga synimet e tij. Autoritetet vlerësojnë se kjo është bërë tani më e qartë, pas atentateve të Parisit dhe të Brukselit.

A nuk duhet të keni frikë, që disa politikanë mund t’i përdorin planet e atentateve për synimet e tyre kundër të huajve?

Ky rrezik për fat të keq ekziston dhe prandaj është shumë e rëndësishme që kjo të diskutohet e edhe të identifikojmë, më mënyrë që të mos krijohet një dyshim i përgjithshëm ndaj refugjatëve, por të diskutohet në mënyrë shumë të diferencuar.

A janë këto depërtime të personave të dyshuar si terroristë edhe pasojë e faktit që deri në fillim të vitit njerëzit hynin pa u kontrolluar në Gjermani?

Natyrisht që ky është problem i madh dhe politikanët e sigurisë dhe të tjerë janë ankuar me të drejtë që në vjeshtë patëm këtë humbje të kontrollit. Prandaj ishte e drejtë kërkesa, që ende pa hyrë në zonat tranzit njerëzit të regjistrohen dhe të kontrollohen si duhet. Por të gjitha këto i përkasin së kaluarës, pasi kontrollet tani bëhen. Prandaj ne duhet të përpiqemi tani, me një bazë qendrore të dhënash, me një komunikim më të mirë të landeve me njëra-tjetrën, të kompensojmë si të thuash atë që kemi humbur.

DWelle

SHKARKO APP