Renis Gjoka: Guxoni dhe mos kini frikë nga dështimi
Ai është një emër i njohur dhe i dashur për publikun prej vitesh. Është fjala për këngëtarin Renis Gjoka. Dhe pavarësisht se kohët e fundit nuk ka sjellë ndonjë këngë të re, ai po përgatitet për të sjellë plot pesë të tilla në sezonin dimëror, katër prej të cilave të shoqëruara me klipe.“Në dukje ngjan sikur kam qenë pushim, por mund të them që gjatë kësaj kohe kam punuar me qetësi dhe pa ngutje për krijimet e mia të reja”, tregon Renisi. Më tej, në një intervistë për “Koha Jonë”, ai flet lidhur me angazhimet e tij në sezonin e verës, raportin me kompeticionet muzikore, dëshirën për të marrë pjesë sërish tek “Kënga Magjike”, si edhe planet e ardhshme. Dhe në mbyllje të intervistës së tij, Renis Gjoka ka edhe një mesazh për të gjithë artistët e rinj: Guxoni dhe mos kini frikë nga dështimi!
Intervistoi: Sidorela Lepri
Ka kaluar një kohë relativisht e gjatë që prej publikimit të këngës suaj të fundit. Me çfarë po merreni aktualisht?
Në dukje ngjan sikur kam qenë pushim, por mund të them që gjatë kësaj kohe kam punuar me qetësi dhe pa ngutje për krijimet e mia të reja. Kam dashur të marr kohën time. Në sezonin e ri do të prezantohem përpara publikut me pesë këngë të reja, të cilat janë drejt përfundimit në momentin që flasim, ku katër prej tyre do të shoqërohen me klip. Sigurisht që nuk do të dalin në të njëjtën kohë, por do të pasojnë njëra-tjetrën, deri në fillimin e sezonit veror të vitit të ardhshëm.
Ju kemi parë tepër aktivë në koncerte dhe angazhime të kësaj natyre. Cili është raporti juaj me to?
Raport i shkëlqyeshëm (qesh). Angazhimi ynë si artistë ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë e punës ka të bëjë me krijimet dhe prezantimet nëpërmjet medias përpara publikut dhe pjesa e dytë, janë momentet e punës në “terren” që janë koncertet. Është shumë bukur kur je i pranishëm fizikisht pranë njerëzve që të mbështesin dhe të vlerësojnë.
Zakonisht periudha e verës është edhe periudha më e ngarkuar me koncerte. Jeni angazhuar maksimalisht?
Ka qenë një periudhë goxha e ngjeshur ku për hir të së vërtetës, edhe pushimet i kam lënë pas dore sivjet. Gjithsesi, mbase në shtator do planifikoj diçka. Tani për tani, në krye të detyrës, në shërbim të popullit (qesh).
Keni marrë pjesë në kompeticione të ndryshme. Jeni kënaqur nga pjesëmarrja në to?
Jam ndjerë shumë i vlerësuar gjithmonë. Si nga ana e publikut, si nga ana e organizatorëve dhe jurive të kompeticioneve, ashtu edhe nga ana e kolegëve. Gjej rastin t’i falenderoj të gjithë.
A vlerësohen sa duhet artistët në këto kompeticione?
Kompeticionet janë të ndërtuara në një mënyrë të atillë ku ka një fitues, ka dhe një renditje nga i dyti e deri tek i fundit. Këto janë rregullat e çdo kompeticioni në çdo fushë. Çdo artist është i lirë të marrë pjesë ose jo. Nëqoftëse po, duhet t’i pranojë rregullat e lojës. Sikurse në çdo fushë të jetës, edhe artistët kanë uljet e ngritjet e veta dhe kjo është mëse normale. Prandaj nuk është fundi i botës nëqoftëse ka momente që nuk renditesh edhe aq mirë sa e kishe parashikuar. Qëllimi kryesor është të depërtosh në zemrën e publikut. Atëherë ke fituar garën më të rëndësishme.
E mendoni të merrni pjesë sërish tek “Kënga Magjike”?
Po. E kam menduar dhe kam dëshirë të marr pjesë.
Si i përzgjidhni bashkëpunëtorët tuaj?
Bashkëpunëtorët e mi duhet të kenë disa karakteristika të thjeshta. Të jenë korrektë, punëtorë dhe të përçojnë energji pozitive, se pa këtë të fundit nuk ecën puna (qesh). Sigurisht, edhe profesionistë e kompetentë në fushën e tyre. Kjo nuk ka diskutim.
Cili është vlerësimi më i madh për ju si artist?
Të të them që është mbështetja e publikut, do dukesha shumë i zakontë, pasi është thënë e stërthënë nga të gjithë. Por, nuk kam ç’të bëj. Është e vërtetë (qesh).
Kemi parë plot prurje të reja muzikore, ku imazhi dominon mbi tekstin. Si do t’i komentonit?
Kushdo e zgjedh vetë rrugën e tij/saj për të bërë art. Si rrjedhojë mban edhe përgjegjësitë si në rast suksesi, po ashtu edhe në rast dështimi. Unë kam zgjedhur një rrugë tjetër, e cila mua më përshtatet më shumë. Nuk dua të komentoj askënd që nuk është në linjën time.
Dhe meqënëse jemi tek këto prurje muzikore, ku qëndron diferenca mes amatorëve dhe profesionistëve?
Është pak a shumë ajo që thashë pak më lart. Një profesionist, ka një ndërgjegje artistike të theksuar dhe për këtë arsye matet mirë për hapat që hedh.
Ju këndoni muzikë rock. Sa përkrahet kjo rrymë në vendin tonë?
Është gjithnjë e më shumë në rritje. Sigurisht që nuk është në majën e preferencave të publikut shqiptar, por duhet thënë se ka fituar ca vende në klasifikim (qesh). Dhe po fiton gjithnjë e më shumë dita-ditës.
Cilat janë planet artistike në vazhdim?
Siç ju thashë, pesë këngët e reja për sezonin dimëror, katër të shoqëruara me klipe dhe me një nga këngët, do kisha dëshirë të rimerrja pjesë tek “Kënga Magjike”.
Si është një ditë e Renisit?
Shpeshherë e ngjeshur, herë-herë monotone. Gjithsesi, mundohem vazhdimisht ta mbaj në ritëm dhe t’i jap sa më shumë energji pozitive.
Çfarë do të thotë ‘miqësi’ për ju?
Njeriu është një qenie që nuk është krijuar për të jetuar vetëm. Miqësia është një nga faktorët më kryesorë që ndikojnë në shëndetin mendor dhe qetesinë e njeriut. Jemi qënie që kemi nevoje t’i shprehim emocionet tona, ato që ndjejmë. Hera-herës edhe të shfryhemi për të nxjerrë jashtë energjitë negative. Dhe pritësit janë pikërisht miqtë.
Keni shumë miq realë?
Unë mundohem të jem i kujdesshëm në krijimin e miqësive. Ruhem shpesh se mos bëj miqësi të gabuara. Sepse nuk dua të zhgënjehem. Por mund të them që kam goxha miq të mirë të cilët më qëndrojnë pranë gjithmonë.
Si një profesionist dhe në gjykimin tuaj, a prodhohet muzikë e mirë në vendin tonë?
Po. Prodhohet. Problemi nuk është se nuk prodhohet muzikë e mirë. Problemi është se nuk transmetohet e nuk reklamohet aq sa duhet muzikë e mirë.
Dhe së fundmi, një këshillë për të gjithë artistët e rinj?
Guxoni. Mos kini frikë nga dështimi. Dështimi është pjesë e “lojës” ndaj pranojeni kur t’ju vijë e mos u demoralizoni sepse siç vjen, ashtu edhe ikën, nëqoftëse vazhdoni të punoni pa u vrarë shpirtërisht.