Rexhep Meidani: Qeveria, më shumë llafe se punë

Ish-Presidenti Mediani, flet për “Koha Jonë”, për reformën në drejtësi, fasadat e qeverisë dhe për ngërçin e krijuar midis Kryeministrisë dhe Presidencës

 Intervistoi: Redjon Shtylla

Ish-Presidenti dhe drejtuesi i forumeve të Partisë Socialiste po kthehet në një subjekt pa identitet të qartë. “PS-ja e sotme, nuk dihet çfarë është! Mbështetet tek “blloku”, por e “ironizon” atë! Ushqehet nga paraja (biznesi), por dhe e paralelizon ose e godet atë! As “ngjyra” e saj nuk merret vesh! Të paktën, në shikimin tim”,- thotë në Meidani në një intervistë për “Koha Jonë”. Ish-Presidenti Rexhep Meidani, komenton edhe procesin në të cilën po kalon reforma për sistemin e Drejtësisë, ku dhe thekson se: “Sistemi i drejtësisë po bëhet me “shpikje” strukturore apo varësi tepër komplekse”. Në këtë pikë z.Meidani fajëson krerët e subjekteve politike të cilët i quan, “monarkë” të partive dhe që qeverisje janë sjellë e sillen si autokratë tipikë. Idenë e Kryeministrit për referendum,  z.Meidani e sheh këtë qëndrim si jo të qartë. “Për të shkuar në këtë rast në referendum, kërkohen mbi 94 vota, që nuk arrihen dot pa disa vota të opozitës, pra pa u “blerë” deputetë të saj, gjë që do të ishte jo vetëm e gabuar, por dhe politikisht e shëmtuar”,- shprehet ai. Ish-Presidenti flet dhe për marrëdhëniet e koalicionit, Rama-Meta. Sipas tij është normale që mes palëve të kenë të divergjenca, por “ndryshe është puna kur hilja e intriga e njërës palë godet keqas palën tjetër, apo drejtuesit e tyre”.

Meidani tema aktuale në politikë është reforma në drejtësi, kur partitë e mëdha po shfaqin drafte të ndryshme dhe nuk po arrihet një bashkëpunim. Mendoni se klasa politike nuk po gjen konsensusin për çështje parimore, apo nuk do që të lërë drejtësinë të shpëtojë nga ndikimi i saj?

Për mua, kjo pritej e vetëkuptohej. Madje, në këtë lojë “alla shqiptare” dhe ndërhyrjet diplomatike kanë qenë të pakuptimta. Në thelb, pyetja e shtruar më sipër e ka përgjigjen triviale: lojtarët kryesorë në skenën politike janë po ata të mëparshmit. Janë, pikërisht, po ata që nuk e kanë lënë dhe nuk po e lënë drejtësinë të forcohet, të pastrohet e vetë-pastrohet; aq më tepër që mekanizmat disiplinorë për këtë qëllim (Inspektorati i KLD-së, KLD-ja, Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, etj.) ose reagojnë dobët ose as futen fare në veprim. Në këtë kuptim, është vështirë të besohet se kjo reformë, me germë të vogël apo të madhe, do ta shpëtojë drejtësinë, aq më tepër që të arrijë të mënjanojë ndikimin e saj politik në funksionimin normal të saj? Dhe të mos harrojmë se disa nga ata që aktualisht kanë të drejtë vote nuk kanë as dëshirën më të vogël për harakiri! Pra, po të ishte gjithçka e sinqertë, zgjidhja e përgjigja do të ishin shumë më të thjeshta dhe jo të “turbullohej” sistemi i drejtësisë me “shpikje” strukturore apo varësi tepër komplekse. Bile, atje ku thjeshtësia zëvendësohet nga ndërlikueshmëria fshihet shpesh hileja, marifeti e gllabërimi. Ndërsa, në një gjykim të pastër, një nga rrugët më të pranueshme për të gjithë mund të ishte që gjithçka e miratuar me konsensus në reformën në drejtësi (përfshirë dhe amendamentet kushtetuese të lidhur me të), të futej në fuqi dhe të zbatohej në parlamentin e ardhshëm dhe qeverisjen e përftuar prej tij, ku me siguri do të ketë balanca të tjera shumë më pak imponuese se këto të sotmet. Po ashtu, për të reformuar më tej drejtësinë duhet reformuar, në radhë të parë, vetë politika. Kjo, në thelb, nënkupton ndryshime legale e konceptore brenda partive politike. Madje një rrugëzgjidhje sa e thjeshtë, po aq demokratike mbetet ajo e fillimeve të tranzicionit, kur vetë kryetarët e këtyre strukturave politike  kishin një mandat tepër të kufizuar në drejtimin e tyre. Sidomos kjo vlen, sot, për partitë kryesore, pikërisht për të mos lejuar shndërrimin e kryetarëve të tyre në “monarkë” të partive, të cilët, më tej, në qeverisje janë sjellë e sillen si autokratë tipikë.

Duke parë dhe qëndrimet e partive dhe draftet aktuale, mendoni se reforma në drejtësi do të garantojë goditjen e korrupsionit në nivele të larta të politikës?

Gjatë këtyre ditëve i kam ndjekur deklarimet e ndryshme politike. Ata, më shpesh, janë kontradiktore, jo për arsye të bazimit të tyre juridik, por të vetë lojës (d.m.th. hiles) politike. Sa për shembull, krejt tipik është vlerësimi i amendamenteve “rrufe” të vitit 2008, të cilat për shumicën e specialistëve neutralë janë konsideruar si cenim të ekuilibrave e parimeve bazë kushtetuese, ndërkohë që për një pjesë të politikës (partiake) janë quajtur si të “shkëlqyeshme” në shmangien e “gjeneratorit të krizës” (edhe pse ky gjenerator krize nuk ka dhënë as më të voglën shenjë krize në zgjedhjen e dy presidentëve: z. Moisiu e z.Topi (!)). Në fakt, po të ishin të sinqertë, ata duhet të pohonin se amendamente të tilla, në vend të një zgjedhje presidenti nga jashtë politikës apo të propozuar nga opozita dhe të votuar me mbështetjen e pozitës, mundësuan, duke shfrytëzuar naivitetin e opozitës së kohës dhe të drejtimit të saj, marrjen e këtij institucioni me votim të thjeshtë nga pozita. E solla këtë shembull për të treguar se e tillë është politika shqiptare. Ajo e ka pasur dhe e ka të lehtë të bëjë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. Bile, për fat të keq ajo e shfaq këtë veçori të “dhimbshme” të saj dhe në kontaktet me diplomatë e miq ndërkombëtarë. Po ashtu, politika, po të ishte kaq e thekur për të luftuar korrupsionin, duhet të bënte, në radhë të parë, Reformën e Madhe tek Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, për të fuqizuar rolin e tij, ndërveprimin me struktura të tjera regjistruese, informuese e goditëse. Madje, ky instrument vitet e fundit, duke u “fshehur” me skemën e shortit, nuk ka më rol të dorës së parë në luftën kundër korrupsionit e abuzimit, por një ndikim fare sekondar.

Kryeministri Rama ka deklaruar se nëse drafti i ekspertëve të lartë nuk gjen mbështetje nga opozita, mund të ikim në referendum. A është zgjidhja më e mirë për këtë reformë siç ndodhi me referendumin popullor në vitin 1998, për Kushtetutën e vendit?

Në fakt, për çdo ndryshim thelbësor kushtetues do të ishte shumë më e drejtë dhe demokratike vajtja në referendum, aq më tepër që dhe vetë kushtetuta aktuale miratimin përfundimtar e ka marrë në referendumin popullor të 21 nëntorit 1998. Ndryshimet e para kushtetuese i takojnë vitit 2007. Përmes tyre mandati i të zgjedhurve vendorë nga 3 u bë 4 vjet dhe numri i anëtarëve të KQZ-së, nga 7 shkoi në 9 anëtarë. Në atë rast, ato ndryshime numerike, thjesht teknike, ndoshta nuk kishin nevojë për referendum popullor. Por, kjo nuk mund të thuhet për amendamentet e vitit 2008 dhe ato të vitit 2012, ku referendumi do të ishte më se i nevojshëm. Aty, u prekën nene bazike të Kushtetutës; konkretisht, më 2008, ata nene që lidheshin me sistemin zgjedhor në Shqipëri, procedurat e zgjedhjes së Presidentit, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, mocionin e besimit dhe mosbesimit ndaj Kryeministrit dhe, më 2012-n, u trajtua çështja e kufizimit të imunitetit parlamentar, heqja e imunitetit të deputetëve, gjyqtarëve e zyrtarëve të lartë. Me këto ndryshime të fundit pretendohej një “reformim” i sistemit të imuniteteve të parashikuara në Kushtetutë, për t’i sjellë ato (nën një trysni ndërkombëtare të pakuptimtë!) në standarde demokratike, ende të paarritura në shumicën e  vendeve të BE-së. Mbi të gjitha, pretendohej në këtë mënyrë, për të ngritur në një stad të ri luftën ndaj korrupsionit dhe për të konsoliduar barazinë para ligjit të shtetasve shqiptarë. Dhe, sot, po të bëhet bilanci i atij ndryshimi “pompë”, rezultati rezulton krejt negativ, madje pas miratimit të tij u vu re dhe një kriminalizim i dukshëm në përfaqësimin e Kuvendit! Ky është sqarimi i parë; sqarimi i dytë është ai që lidhet me referendumet. Ligji për referendumet i takon vitit 1994, të korrigjuar në vitin 1998, për të hequr pragun e 50%+1 të pjesëmarrjes në votim. Ndërsa, më vonë, sipas Kodit Zgjedhor (miratuar me ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, ndryshuar me ligjin nr. 74/2012, datë 19.07.2012 dhe ligjin nr. 31/2015, datë 02.04.2015), në nenin 185, në paragrafin 2 theksohet se “Pavarësisht nga përcaktimet e bëra në pikën 1 të këtij neni, pjesa e nëntë  “Referendumet” e ligjit  nr. 9087, datë 19.6.2003 “Kodi Zgjedhor i Republikës së  Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe çdo pjesë e dispozitave të tij që ka lidhje me të mbetet në fuqi deri në miratimin e ligjit të ri për referendumet e përgjithshme dhe vendore”. Ndërkohë, vetë pika 4 e nenit 125 të Kodit Zgjedhor 2003, thekson se amendamentet kushtetuese “rrëzohen kur më shumë se gjysma e të gjithë zgjedhësve të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve kanë votuar kundër tyre”; ndryshe nga referendumet për çështje të tjera, ku ligji kërkon pjesëmarrje në zgjedhje prej së paku një të tretën e listës së zgjedhësve, ku fiton opsioni me më shumë vota. Kjo bazë ligjore e bën problemin akoma më  të ndërlikuar. Por, le të ndalojmë tani tek pyetja konkrete. Pavarësisht personave konkretë, që kanë bërë ato deklarata, për çdo pohim e veprim duhet konsultuar fillimisht ligji e kushtetuta. Në të vërtetë, sipas saj, kur projektohen amendamente për ndryshime kushtetuese, në nenin 177, në paragrafin 3, thuhet se: “Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, ndërkohë që në paragrafin 4 sqarohet se: “Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projekt-amendamentet kushtetuese të votohen me referendum”. Ndërsa, në paragrafin 5, thuhet po ashtu: “Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Pra, për të shkuar në këtë rast në referendum, kërkohen mbi 94 vota, që nuk arrihen dot pa disa vota të opozitës, pra pa u “blerë” deputetë të saj, gjë që do të ishte jo vetëm e gabuar, por dhe politikisht e shëmtuar!

Qeveria aktuale ka ndërmarrë shumë reforma, cila prej tyre ishte e duhura dhe cila u vu në proces në mënyrë të gabuar? Me pak fjalë, cili është vlerësimi juaj për qeverisjen “Rama” gjatë këtyre viteve?

Ka pasur rezultate në lidhje me forcimin e rregullit dhe zbatimin e ligjit, p.sh., në rastin e pagimit të energjisë elektrike; veçse, në vend të trajtimit social minimal apo një pune përgatitore, bindëse, pse jo dhe edukative, si rrugë kryesore për këto rezultate u zgjodh ajo policore.  Ndërkohë e njëjta “teknologji” në trajtimin dhe taksimin e bizneseve nuk mund të jepte rezultatin e pritur. Kjo duhej të ishte kuptuar, aq më tepër që dhe dallimi midis këtyre dy rasteve është shumë i madh. Në rastin e parë, flitet për furnizim e dhënie malli (shërbimi), që duhet blerë e paguar si çdo mall; kurse në rastin e dytë kërkohet një trajtim tjetër, sepse është sipërmarrja private që punëson, pra dhe ushqen pjesën më të madhe të popullsisë. Po ashtu, për sa i përket qeverisjes, të krijohet përshtypja, që ka më shumë llafe e propagandë se punë pozitive, më tepër zhurmë e përkujdesje për “fasada” se angazhime serioze, apo, me pak fjalë, shumë më pak rezultate dhe investime konkrete se ç’ ishte premtuar. Në këtë kuptim, çdo ndryshim në kabinet për të qetësuar qytetarët dhe përmirësuar performancën e qeverisjes është i mirëpritur. Nga ana tjetër, në media janë ekspozuar jo pak dyshime, diku dhe fakte konkrete për administratorë e ministra me pretendimin se ata kanë përfituar e abuzuar në kryerjen e detyrës. Në raste të tilla, si kudo në botën demokratike, rruga më e drejtë, për të luftuar korrupsionin e mit-marrjen apo për të ruajtur besimin qytetar mbi qeverisjen, është që vetë këta individë të akuzuar të japin dorëheqjen (apo të imponohen që ta japin atë) për t’iu nënshtruar hetimit normal si qytetar të thjeshtë; madje, pse jo dhe pastrimit nëse janë akuzuar padrejtësisht.

Koalicioni PS-LSI u cilësua si një sukses i së majtës. Ndërkohë, problemet gjatë qeverisjes nuk kanë munguar. Në media është folur dhe për prishje të koalicionit. A mund të qeverisin PS-LSI deri në fund të mandatit?

Situata politike-elektorale në Shqipëri është e tillë që duket si e pamundur qeverisja e vetme e një partie politike. Të paktën brenda këtij sistemi elektoral në fuqi. Por, brenda çdo koalicioni, ashtu si dhe brenda çdo qeverisje të një partie të vetme mund të ketë pakënaqësi e luhatje, përplasje e deri tërheqje politike, mocione besimi e mosbesimi deri shpërndarje Parlamenti e zgjedhje të parakohshme. Kjo ndeshet dhe në vende anëtare të BE-së. Në rastin konkret, për sa i përket mundësisë së prishjes së koalicionit, unë nuk disponoj të dhëna konkrete. Janë hedhur dyshime në eter, por unë nuk e di nëse ka aty diçka të vërtetë apo thjesht bëhet zhurmë. Në gjykimin tim, është normale që përafrimet e forcave politike të mos jenë të njëjta; sepse dhe programet e shikimet konkrete të partive dhe drejtuesve të tyre, në zbatimin e programit qeverisës, kanë dhe do të kenë specifikat e veta brenda linjave të përgjithshme. Brenda kësaj larmie specifikash, kolaudohen dhe interesat, pakënaqësitë e ndryshimet, që e bëjnë të mundur dhe qeverisjen e përbashkët deri në fund të mandatit. Ndryshe është puna kur hilja e intriga e njërës palë godet keqas palën tjetër, apo drejtuesit e tyre.

Ben Blushi thotë se: “Partia Socialiste nuk është më parti, nuk ka program, nuk ka ide, nuk ka garë; por është vetëm një adresë elektorale”. Si një prej njerëzve që keni drejtuar forumet kryesore të saj, ju si e shihni sot Partinë Socialiste?

Sot, kudo në botën demokratike, partitë politike, përgjithësisht, kanë një strukturë elektorale, pra partitë politike, në vend të partive të dikurshme ideologjike, janë duke u ndërtuar dhe po e thellojnë këtë lloj ndërtimi si parti elektorale. Këtë pretendon, sot, edhe udhëheqja e PS-së. Por, nga ana tjetër, ajo ka nisur “fushatën intensive” të rritjes së radhëve të anëtarëve të saj, që në qeverisje bëhet trysnuese për vetë punonjësit e saj. Dhe, ndërkohë, një gjë e tillë bie në kontradiktë me vetëm konceptin e partisë elektorale bashkëkohore. Gjithashtu, duhet theksuar se “ngjyrosjen” e një partie, nuk e bën kolori i simboleve apo e flamurit të saj as modifikimet e tyre, por përmbajtja reale e programit të saj politik, dhe, në mënyrë më të veçantë, zbatimi konkret i këtij programi në qeverisje. Parë, me këtë sy, PS-ja e sotme, nuk dihet çfarë është! Mbështetet tek “blloku”, por e “ironizon” atë! Ushqehet nga paraja (biznesi), por dhe e paralelizon ose e godet atë! As “ngjyra” e saj nuk merret vesh! Të paktën, në shikimin tim! Prandaj dhe z. Blushi ka të drejtë që shqetësohet dhe reagon për këtë amalgamë aktual shikimi, veprimi e sjelljeje, shpesh dhe me kalime pindarike të çuditshme, ku dhe respekti i dokumenteve bazë partiakë është thjesht çështje humori.

Si President e njihni mirë përballjen e maxhorancave me Institucionin e Presidentit. Presidenti Nishani ka deklaruar se nuk ka komunikim korrekt mes tij dhe qeverisë, ndërsa Kryeministri Rama thekson se për herë të parë ka një President, që sulmon qeverinë. Cila palë ka të drejtë në këtë marrëdhënie të tensionuar?

Nuk duhet të ndodhte deri në këtë përmasë. Sidoqoftë, nuk e mohoj se, në fillim, pati disa veprime e draftime ligjore të pamenduara, deri arrogante të anëtarëve të kabinetit ndaj Institucionit të Presidentit dhe vetë kompetencave kushtetuese e legale të tij. Këtë e kanë dëshmuar, në disa raste, dhe reagimet konkrete të Gjykatës Kushtetuese. Në gjykimin tim dhe miratimi i disa ligjeve e ka cenuar vetë Kushtetutën apo frymën e saj, lidhur me detyrën e Presidentit të Republikës, të kompetencave të tij, sidomos në fushën e mbrojtjes si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, në politikën e jashtme si Kryetar Shteti apo në fushën e drejtësisë si President dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Dhe, na pëlqen apo nuk na pëlqen, duam apo nuk duam, medalja ka dhe anën tjetër. Pikërisht, për këtë të dytën, është ai që mban përgjegjësinë konkrete. Madje, në vend të “ankimit” dhe sulmit publik të përsëritur, që, nga njëra anë, e godet qeverinë dhe, nga ana tjetër, e zvogëlon peshën dhe ul autoritetin e institucionit të tij para qytetarëve, ai duhej të mundohej më shumë dhe të gjente rrugët e duhura, qofshin ato tepër të vështira, të bisedimit e kontaktit, argumentit e mirëkuptimit. Është ky, në vetvete, thelbi i institucionit, fuqia unifikuese, angazhimi ndërveprues, roli e funksionimi pajtues i tij.

SHKARKO APP