Romela Begaj, nga Peshëngritja Botërore, mësuese në Farkë
Kampionia e peshëngritjes Romela Begaj në pritje të vendimit të CAS lidhur me skandalin e doping
Romela Begaj, nga Peshëngritja Botërore, mësuese në Farkë
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Është padyshim emri më i lakuar në sportin e Peshëngritjes për femra tek ne dhe vajza që e ka ngritur lart Shqipërinë duke valëvitur flamurin shqiptarë në arenat më të mëdha botërore, duke rrëmbyer çmime, kupa e medalje ari. Romela Begaj rrëfen për suplementin “Koha Tjetër”, të gjithë vështirësitë e hasura në këtë rrugëtim, hapat e parë, pikëpyetjet për skandalin e doping-ut, si edhe synimet për vazhdimësinë në karrierë. “Tani jam në pritje. Për mua është Botërori, Europiani dhe Olimpiada.”, kështu tregon Begaj.
Më tej, ajo flet edhe për përditshmërinë, duke e krahasuar me atë të një vajze të thjeshtë që pjesën më të madhe të kohës e kalon në shtëpi, pastaj si një mësuese në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Farkë. Ndër të tjera, peshëngritësja me famë botërore tregon edhe për partnerin e saj, si edhe martesën e cila është në planet e tyre të së ardhmes.
Romela Begaj është një emër i njohur në Shqipëri dhe përtej saj. Kampione e Europës në peshëngritje dhe e vlerësuar me medalje ari. Një emër që ka ngritur lart figurën e shqiptarëve. Tani që ka kaluar kohë, si i rikujtoni fillimet tuaja?
Fillimet e mia janë si tani në këto moment, të bukura, me vështirësi, mundim, vuajtje dhe gëzim. Ka qenë një fillim i vështirë dhe rrugëtimi për të arritur te të gjitha këto medalje të marra.
Të merreshit me këtë lloj sporti, ka qenë një ëndërr e hershme e juaja apo është konsoliduar me kohën?
Sporti për mua ka qenë jeta ime që kur kam qenë e vogël. Nuk mund të rrija pa bërë diçka që më ndryshonte nga fëmijët e tjerë. Me fillimin në Cirkun e Tiranës dhe më pas në peshëngritje, që ishte një sport prapë i veçantë. Dhe një sport i vështirë që bëhet nga njerëz të thjeshtë. Dhe pra, unë e bëra. Arrita aty ku askush nuk e ka bërë.
Ka qenë e vështirë për ju të merreshit me një sport si peshëngritja, që shpeshherë konsiderohet si sport më shumë për meshkujt?
Në të vërtet në fillim ka qenë më shumë për opinionin e qytetarëve sesa për mua. Ishte diçka e pabesueshme, e pa rastistur nga mentaliteti dhe traditat tona që femrat janë të brishta për të qëndruar në shtëpi, për të vazhduar shkollën dhe në fund një martesë. Por, unë nuk u pengova nga ky fakt, vazhdova dhe ja kur arrita.
Keni hasur në paragjykime nga miqtë, njerëz të njohur e të panjohur, për zgjedhjen e këtij profesioni?
Në fillim, po. Nga familja ime sepse nga një sport artistik në një sport burrëror ishte një ndryshim i pa imagjinueshëm. Më vonë u pajtuan me dëshirën time se jeta ime ishte sport. Po, një sport i veçantë. Nga njerëzit e panjohur nuk para i dëgjoja, se nuk ia dinë rëndësinë çfarë do të thotë të ngresh flamurin e të gjithë Shqipërisë.
Kemi dëgjuar të thonë plot herë se talentet nuk vlerësohen sa duhen në vendin tonë. Po në rastin tuaj, e keni hasur diçka të tillë?
Normal, unë e kam hasur. Dhe do doja ta anashkaloja këtë problem se ka kohë dhe përherë në Shqipëri ka qenë problem. Pse? Sepse nuk ka një ligj për sportin e për jetën e çdo sportisti.
Peshëngritjen e konsideroni si pasion apo profesion?
Peshëngritja për mua nuk është as profesion as passion. Por është sporti që unë i kam dhuruar jetën, rininë time. Është dashuria ime.
Nëse nuk do të mereshit me këtë lloj sporti, në çfarë fushe tjetër e shihni po kaq të suksesshme veten?
Romela është një vajzë që në jetën e saj ka bërë shumë sakrifica. Kështu unë do bëja çfarëdo sporti e çfarëdo profesioni që do kisha dëshirë.
Sa ju përkrahur familja në të gjithë këtë rrugëtim të karrierës suaj?
Familjes time në radhë të parë i kërkoj falje. I kam shkaktuar shumë stres, mërzitje, por edhe gëzim. Dhe i falenderoj se kanë pasur përherë besim tek unë. I falenderoj dhe i dua shumë.
Të ndalemi pak tek skandali i doping, që u diskutua gjerë e gjatë, ku rezultuat pozitive ndaj doping si në testin A po ashtu edhe në atë B. Na tregoni diçka më shumë përtej atyre që janë thënë…
Gjërat janë të qarta dhe saktë. Një Shqipëri pa mbështetje nuk ka arritje kurrë dhe përsa i përket ngjarjes sime nuk kam dëshirë të flas para kohe. Presim vendimin e gjykatës CAS.
Mendoni se ishte faji i dikujt?
Jo, askujt. Faji ishte vetëm se unë mora vendin e parë dhe dola Kampione Bote nga Shqipëria e vogël.
Një pjesë e sportistëve shqiptarë njëri pas tjetrit kanë rezultuar pozitivë ndaj doping. Në gjykimin tuaj si profesioniste, ka ndonjë gjë që nuk shkon në këtë proces?
Nuk ka qenë ashtu, por të gjithë sportistë kanë vlerat e meritat e tyre. Pa harruar historikun që ne kemi lënë për Shqipërinë. Po të vlerësohet puna dhe djersa që kam derdhur për të arritur që flamuri im të ngrihet në rang botëror.
Cilat kanë qenë disa nga momentet më të bukura të karrierës suaj?
Karriera ime do jetë e gjitha me momente të bukura. Po gjërat me të veçanta do jenë e nuk do të vdesin kurrë për mua, flamurin tim që valvitet në pedana ndërkomtare e botërore.
Po ato më të vështirat?
Humbja e babait tim që nuk arriti të më shikonte si vajza e tij arriti të bëhej e njohur në botë, pavarësisht jetës tonë të vështirë.
Ka ndodhur të jeni penduar në ndonjë moment të caktuar që keni zgjedhur t’i përkushtoheni këtij lloj sporti?
Jo kurrë sepse çdo fat që zoti të dhuron, unë e respektoj. Dhe pse ka qenë ëndrra ime të jem një vajzë e veçantë dhe me një profesion të veçantë. Këtë e respektoj dhe asnjëherë nuk do pendohem për çfarë kam sakrifikuar për të arritur deri këtu.
Me çfarë po merreni aktualisht?
Tani jam mësuese në një shkollë 9-vjeçare në Farkë të Vogël, ku aktualisht jap mësim aty nxënësve. Për mua ka qenë një kënaqësi që më kanë mbështetur dhe kanë pasur besim tek unë dhe pa harruar një kolektiv të mrekullueshëm.
Po përsa i përket synimeve për pjesën e mbetur të karrierës, cilat janë?
Tani jam në pritje. Për mua është Botërori, Europiani dhe Olimpiada.
Si është një ditë e zakonshme e Romelës?
Si ajo e një vajzë të thjeshtë. Kohën më të madhe e kaloj në shtëpi, një kafe me familjen time në mbrëmje dhe pa shumë aventura. Një periudhë e qetësimit për mua këto kohë.
Historia juaj e dashurisë është quajtuar si një “histori dashurie përtej shtangave”, duke marrë parasysh se Gazmendi është menaxheri juaj. Na tregoni diçka më shumë për këtë raport…
Raporti ime me trajnerin tim, me të fejuarin dhe menaxherin, pra ka tre emërime. Dhe në profesion, në shtëpi dhe në jetën normale larg sportit kemi një marëdhënie të qetë, shumë serioze si në sport ashtu dhe jashtë tij. Kemi një lidhje që sporti na ka mësuar të kalojmë të mirat dhe të këqijat të dy bashkë. Lidhja jonë është e fortë, e bazuar në besim e respekt.
Dhe së fundmi, është në planet tuaja të ardhshmme martesa?
Nuk e kemi menduar akoma. Nuk është një martesë që mban dy persona, për mua mjafton të jemi të dy të lumtur. Po më vonë mbase, tani për tani kemi profesionin qe kemi nisur e më pas nuk i dihet.