Rovena Kita: Kujdesi ndaj flokut, lëkurës dhe thonjve në stinën e verës

Intervistoi: Albina Gjergji

Me një eksperiencë 18-vjeçare si profesioniste e hair-stylish, Sallon Rovena është padyshim një nga ambientet më të frekuentuara në kryeqytet, i cili përveç shërbimit cilësor që ofron, rekomandon edhe këshilla efikase mbi mënyrën sesi duhet të sillemi me flokun tonë, lëkurën dhe gjithçka ka të bëjë me të bukurën në tërësi. I vendosur në një nga pikat më kyçe të Tiranës, përballë Ekspozitës “Shqipëria Sot”, Sallon “Rovena” çdo ditë pret e përcjell klientë nga më të ndryshmët, nga ato VIP e deri tek qytetarët e thjeshtë. E duket se çelësi i jetëgjatësisë dhe suksesit të këtij salloni, që drejtohet nga vetë pronarja, Rovena Kita e mbështetet nga puna e stafit të saj është pikërisht shija e hollë, shërbimi ekselent sipas kërkesave të klienteve dhe sugjerimet e trendeve më IN të momentit. Në intervistën e mëposhtme, përveç shërbimeve që ofron salloni i saj, Kita jep këshilla mbi stilimet e flokëve, kujdesin që duhet treguar gjatë sezonit të plazhit, ide për një makijazh të përkryer në stinën e verës, si dhe sugjeron ide për trajtimin e lëkurës dhe flokut me maska natyrale, të cilat shumë mirë mund të realizohen edhe në shtëpi me produkte BIO.  

Rovena, prej disa vitesh salloni juaj i bukurisë është një ndër emrat më të njohur e frekuentuar në tregun e estetikës. Mund të na thoni, cilat janë stilet e flokëve që mbeten në çdo kohë në modë?

Flokët e mbledhur, gërshetat e ndryshme, bishtalecat, etj. nuk dalin kurrë nga moda. Në sezonin e dimrit, vërehet më së shumti rikthimi i kaçurrelave të butë e të shklëqyeshme. Në pasarela janë parë gjithashtu shumë modele të këtij lloji, por në variante të ndryshme. Këtu hyjnë si tendencë edhe flokët e mbledhura, ose topuz, të cilat kanë qenë modë e viteve ‘50-‘60 dhe që shohim një rikthim në kohë, pra vitet e fundit. 

Gjithashtu është vënë re që preferohen edhe flokët e shkurtra tek femrat, mund të thuhet se është tendencë e kësaj vere ky fakt?

Po është e vërtetë. Tendencë e kësaj vere është edhe floku i shkurtër për shumë arsye, por avantazh në këtë stil është që floku i shkurtër të krijon idenë e diçkaje të lehtë dhe kërkon shumë pak kohë për t’u stiluar. Pra për forma tipike të rrumbullakëta koke, floku i shkurtër është një zgjidhje mjaft IN dhe praktike.

Sa u takon nuseve, cilat stilime sugjeroni për 2015-ën?

Kjo varet edhe sipas shijeve personale të vajzave që bëhen nuse, megjithatë mund të them qe edhe këtë vit vazhdon të jetë trend topuzi, flokë të mbledhura, por dhe gjysmë të mbledhura. Flokë të kapura me gërshet, ku mund t’u shtohet ndonjë aksesor për zbukurim.

Flokë të lëshuar, të mbledhura, apo bisht?

Bisht kali, flokë të mbledhura me gërshet, flokë gjysmë të kapura, stilim retro me volum, flokë gjysmë të kapura me onde anash… këto janë stilimet më të kërkuara dhe patjetër që janë tendencë e 2015-ës.

Po aksesorët e flokëve çfarë sugjeroni në varësi të eventeve dhe veshjeve?

Fjongo, trëndafila me ngjyra të ndryshme, kurorë, kapëse dhe rrathë me shumë lule të freskëta të mëdha dhe me ngjyra, fjongo mëndafshi me ngjyrë bojëqiell gjithashtu janë tendencë e 2015-ës, të cilat përdoren edhe në pasarelat më të njohura të industrisë së modës dhe estetikës.

Ngjyrat e preferuara të flokëve sipas stinëve?                             

Këtu vlen të theksohet që përveç ngjyrave që janë të trendit veror, duhet të kemi edhe përshtatje të lëkurës së klientit me ngjyrën që kërkohet të realizohet në flokë, por përgjithësisht të gjitha femrat e dinë çfarë ju shkon. Këtë verë kemi preferencë flokun e gjatë me shkallëzim, ose të prera njësh në fund, ndërsa sa i përket ngjyrës, ajo sugjerohet të jetë me hije/nuanca të ndryshme; e kuqe, portokalli, ngjyrë kumbull dhe prerjet, sigurisht sipas formave të fytyrës; ovale, katrore, rrumbullake, drejtkëndore, trekëndore (poshtë), trekëndore (sipër), varet… Megjithatë ngjyrat e Verë 2015-të janë; Gri, tendencë e fundit. Nga grija e çelur tek e errëta; Nëpër pasarela hasim flokun natyral; Pink është një ndër tendencat e flokëve gjithashtu, e cila haset më së shumti tek natyrat lozonjare dhe të freskëta në lëkurë; gjysmë gështenjë – gjysmë bionde; e kuqja dhe ngjyra e bronztë; me fije në ngjyra pastel, ose neon; bionde midis mjaltit dhe ngjyrë grurit, etj.. Mund të flasim pafund edhe për nuancat e tyre.   

Personazhet që vizitojnë sallonin tuaj jua sugjeroni zakonisht modelet, prerjet, ngjyrosjen në bazë të anatomisë së fytyrës, apo si funksionon?

Sigurisht që ne sugjerojmë modelet që salloni ofron, por zakonisht klientet tona e dinë mirë çfarë ju shkon dhe vijnë me ide të përcaktuara në mendje e kjo gjë është shumë pozitive. Por mund të them se në modë edhe këtë vit është floku me baluke drejt, të çrregullt, të shkallëzuar, etj.. Varet nga pjesa ballore e portretit të klientes.

Shumëkush përpiqet të imitojnë yjet e ekranit dhe stilet e tyre sa herë duan të ndryshojnë modelet e flokëve. Ka nga ato klientë që vijnë me ide të qarta dhe duan të realizojnë x model si personazhet e tyre të preferuar?

Patjetër që ka kliente që duan modelet e flokëve të x personazhi e zëmë shembull dhe gjithçka është e realizueshme, deri në momentin që kemi të bëjmë me forma fytyre të rregullta dhe flokë të dendur, sikurse i kanë personazhet që dëshirojnë. Në rast të kundërt pranojnë sugjerimet tona, të cilat nuk mungojnë kurrë.

Personazhet VIP që kuroni, janë tekanjozë përgjithësisht?

Jo, sepse një profesioniste e vërtetë fillimisht dëgjon, pastaj sugjeron e kështu gjendet gjuha e përbashkët për të plotësuar kërkesën e  klientit dhe realizuar qëllimin tonë, i cili është “klienti duhet të ndahet gjithmonë i kënaqur”.

Prerjet më të kërkuara?

Theksoj që shkallëzimet me onde të mëdha dhe floku “presh”, i prerë drejt në fund është shumë i kërkuar.

Baluket e gjata në ekstremin anësor dhe ato të çrregullta, ç’mund të na thoni për këtë stil?

Është shumë interesant dhe kërkohet përgjithësisht nga vajzat e moshës së adoleshencës, apo dhe nga ato të stilit “rock ’n roll”.

Maskat për flokë të dëmtuar?

Për flokë të dëmtuar nga dielli, apo solucione të ndryshme që mund të kenë përdorur, sugjerojmë a) maskën me vezë, e cila është shumë efikase në çdo rast dhe shumë praktike për t’u përgatitur në shtëpi. Pra maskë me vezë dhe dy lugë ujë. Aplikohet në flok të lagur dhe lihet 10-15 minuta, pastaj shpërlahet; b) Maskë me 5 lugë vaj ulliri dhe dy vezë. Përzihet dhe lyhet i gjithë floku. Pasi të lihet 30 minuta në kokë lahet.

Në stinën e verës dihet që floku dëmtohet shumë nga rrezet e diellit, uji i kripur dhe efekte të tjera të stinës. Si mund t’i mbrojmë flokët në këtë stinë Rovena?

Po është e vërtetë që dielli, uji i kripur dhe ai me klor nëpër pishina janë armiqtë më të mëdhenj të flokëve. Edhe pse disave mund t’u pëlqejë ta mbajnë flokun me kripën e detit, duhet të keni parasysh që floku duhet larë patjetër me ujë natyral e me shampon përkatëse, sipas tipit të flokut. Ndërsa merrni rreze në plazh duhet patjetër të lyeni majat e flokëve me rigjenerues, apo krem kundër rrezeve të diellit. Pas plazhit flokët lahen me shampoo (after-sun), e cila largon kripën, klorin dhe kremin e diellit. Kjo vlen për të gjitha llojet e flokëve, të lyer dhe të palyer. Këshillohet që para se të hyni në det, apo pishinë t’i lagni flokët me ujë të pijshëm. Gjithashtu në periudhën e verës është mirë që floku të trajtohet me maska rigjeneruese, të cilat mund të përgatiten edhe vetë në kushtet e shtëpisë.

Trendi i thonjve me ngjyra neoni vazhdon të jetë i preferuar edhe në këtë sezon veror?

Po patjetër që janë të preferuar edhe në këtë sezon, sepse përgjithësisht neoni gjen vend pikërisht në stinën e verës, duke patur parasysh që edhe lëkura e trupit, përfshirë e duarve nxihet nga dielli dhe ngjajnë vërtetë bukur, ndryshe nga dimri, ku në këtë stinë lëkura është më e bardhë. Por duhet theksuar se vazhdon të jetë në modë, sidomos nuance e të verdhës.

Po format?

Sa i takon formës, kohët e fundit shohim një dëshirë të klientëve të thonjve më të shkrutër sesa mbaheshin vitet e kaluara. Pra me gjel, por jo shumë të gjatë. Ndërsa dizajnet varet sipas preferencave të kilenteve. 

Makijazhi që kërkohet më shumë në “Sallon Rovena”?

Makijazhi duhet patjetër t’i përgjigjet lëkurës së fytyrës, kështu që varet nga lëkurat, format e fytyrës dhe tipareve të klientes. 

Po ai që sugjerohet në stinën e verës, duke qenë se vapa dëmton make-up?

Make-up në sezonin e verës duhet të jetë sa më natyral, i lehtë dhe jo i rënduar.

Maskat për fytyrë, lëkurë të thatë çfarë sugjeron salloni juaj?

Fillimisht duhet të kemi parasysh dhe të bëhet edukatë që kurrë nuk duhet të flini me makijazh në fytyrë, pasi kjo gjë plak lëkurën së paku 10 vjet, nëse nuk pastroheni me solucionet përkatëse, sipas tipeve të lëkurës. Maskat që do sugjeroja më të përshtatshmet dhe efikaset janë maska me banane, mjaltë, kos dhe një lugë vaj ulliri, të cilat përzihen bashkë dhe shpërlahet fytyra. Një tjetër maskë e sugjerueshme është edhe ajo me miell, qumësht, mjaltë, e cila mbahet në fytyrë për 13 minuta e më pas shpërlahet. Me vezë dhe limon gjithashtu është e rekomandueshme. Këto janë maska bio, por në lashtësi njerëzit përdornin për maska të gjitha llojet e frutave. 

Kohët e fundit është vënë re edhe një tendencë e trashjes së vetullave tek femrat, pse?

Në fakt, trashja e vetullave nuk sugjerohet për të gjitha femrat, pasi një fytyrë fine, e hollë ta zëmë shembull nuk gjen përshtatje me trashjen e vetullave, megjithatë po, është një trend shumë i hasur kohët e fundit. Kjo tendencë është një rikthim i femrës së viteve ‘50-‘60, i asaj femre që ishte në qendër të vëmendjes dhe që joshte qoftë edhe më nje shikim shkarazi. Personalisht më pëlqen ky trend, sepse është një rrugë drejt natyrales, femrës së sigurtë në vetvete dhe gëzohem kur vërej që klientet dinë çfarë ju shkon.  

Shërbimi që ofroni sipas kategorive të stilimeve?

Janë nga më të ndryshmet, por në sallonin tonë me siguri e them që fillimisht ofrojmë shërbim cilësor me produkte cilësore, komoditet dhe arritje me përpikmëri të rezultateve që klientet tona kërkojnë. 

SHKARKO APP