Rozana Radi: Jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë
Njihesh për këngët e ndjera dedikuar femrës, po cili do të ishte vargu i parë i një kënge me titullin “Burrë”?
Vargu i parë do të ishte: “Me duar mund të më lëndoje…”
Deri tani nga jeta kujton më shumë plagosje fizike apo shpirtërore?
Sigurisht që kujtoj plagosjet shpirtërore, prindërit dhe ikja e tyre nga kjo botë janë pengjet e mia, që shpirtërisht më kanë vrarë fare dhe më besoni që nuk ka më keq se kaq.
E ke mallkuar ndonjëherë veten pse u bëre artiste?
Nuk mallkoj veten, por njerëzit që s’të lënë të bësh art.
Mund të na thuash komplimentin e fundit që të bëri një mashkull?
Nuk do më besojë njeri, por mua më vënë në siklet komplimentet e meshkujve. Ata që më njohin e dinë që vihem në siklet, kështu që i kaloj si me humor. Po që marr komplimente, marr edhe unë.
Një burrë i vërtetë cili është për ty?
Një burrë i vërtetë është ai që do më dojë pa kushte, një burrë që do më bëjë të harroj të kaluarën time dhe trishtimet e mia. Një burrë që të më ndryshojë jetën, të ma bëjë më të mirë atë, që të më mbushë ditën, një burrë që të më kthejë buzëqeshjen.
Si ndihesh në marrëdhënie me kohën që kalon sa i takon moshës, dhe sa i takon karrierës?
Nuk e di çfarë përshtypje kam krijuar tek publiku që më ndjek, por unë nuk kam probleme as me moshën as me karrierën. Dua t’i shijoj të gjitha etapat e moshës, sepse vitet kanë bërë Rozanën që jam sot. Është privilegj të thinjesh si artist.
Protagoniste në spektaklin ku të duhet të hysh në role të ndryshme, kryesisht ikona botërore. Si është të imitosh një burrë dhe të imitosh një grua, e ku qëndron ndryshimi thelbësor mes dy gjinive?
Në të dyja rastet vështirësia është e madhe si të imitosh një grua, si të imitosh një burrë. Varet vetëm nga karakteri i personazhit që unë duhet të interpretoj, varet se sa i vështirë është si personazh, sa gjeste bën, çfarë karakteri ka, sa kërcen në skenë. Në të dyja rastet i vetmi ndryshim janë gjestet dhe karakteri i secilit. Ka të bëjë më tepër mënyra se si këndon, por sigurisht që vokali është një nga elementet kryesore.
Je diplomuar për aktrim por ndjek më shumë karrierën si këngëtare. Ndihesh e plotësuar brenda këtij tregu muzikor?
Tregu muzikor shqiptar është siç ka qenë në fillimet e mia kur unë kam filluar të këndoj, pra një kaos i vërtetë. Janë bashkuar disa rryma muzikore, ndërkohë këngëtarët që po e mbajnë tregun gjallë me tepër (duke mos i mbetur hatri asnjërit) janë tendencat që vijnë nga Kosova. Kosova renditet në vendin e parë si stil muzikor dhe për këngët ritmike. Ndërsa shqiptarët janë ata që mbajnë rekord për baladat. Gjithsesi ende nuk kemi krijuar identitetin në ditët e sotme se cila është muzika e duhur që duhet të sjellim, pra tregu është një kaos i vërtetë. Besoni që dhe unë që këndoj, tani që jam në punë sipër për këngën time të re nuk e jam e sigurt se çfarë rryme ta bëj, që të mund të kem sukses në këtë treg të zhurmshëm e kaotik muzikor.
Në art duhet të bësh art pa doreza. Dhe cili është dueti që ëndërron një ditë?
Dueti im perfekt do të ishte me dikë që s’mund të bëhet kurrë. Dikë që më ka frymëzuar të jem kjo që jam sot. Ajo është Mia Martini.
Ndodhia më e bukur që ke provuar deri më sot në skenë e jashtë saj?
Emocioni më i madh ka qenë kur i gjithë Pallati i Kongreseve u ngrit më këmbë dhe duartrokisnin këngën “Ti s’ke zemër”. Kur nënat më ndalojmë e më urojnë në rrugë. Ku ka urim më të bukur se i nënave. Më mbushet zemra plot.
Nëse do të duhej të shkruaje librin e jetës, si do të ishte kulminacioni i historisë?
Librin e kam shkruar. Por nëse do të flasim për kulminacion nuk do kishte vlerë ta nxirrja në treg.
E konsideron veten natyrë ëndërrimtare si poetët e shkrimtarët?
Kam mësuar të mos ëndërroj në jetën time, sepse ka pasur njerëz që m’i kanë prishur ëndrrat. Këto më kanë bërë më të fortë, dhe më kanë mësuar të mos ëndërroj, por jam përpjekur që çfarë dua t’ia marr jetës.
Për ty fati është i shkruar, apo e shkruan vetë fatin tënd?
Mendoj që fatin e bën njeriu vetë i shtyrë nga një forcë së cilës nuk di t’i japë shpjegim. Por unë besoj tek rastësia shumë.
Dashuria pa kushte ekziston? Kur ka ndodhur që e ke ndier me të vërtetë?
Dashuria pa kushte për mua është dashuria e vërtetë. Ajo është kaq ndryshe. Dashuria e vërtetë është të duash lumturinë e personit tjetër pa pasur asnjë mendim se çfarë mund të duash për veten tënde. Ti nuk kërkon asgjë në këmbim. E kam ndjerë shpesh herë. Jam një njeri që dashuroj pa kushte. Jam natyrë e afrueshme dhe e dashur. Mundohem t’u jap njerëzve shumë nga vetja. Dhe këtu nuk flas vetëm për dashuri mes një mashkulli dhe një femre, pasi e shoh më të gjerë dashurinë si koncept. Ne duhet të japim dashuri gjithmonë, familjes, shoqërisë, njerëzve të dashur. Është e vetmja gjë që mua s’më lodh kurrë. Të jap dashuri.
Je natyrë xheloze, ose më mirë të themi çfarë ndodh që merr fund një lidhje tek ti?
Nuk jam xheloze, por nuk jam as e “lehtë”. Një lidhje tek unë mund të marrë fund për shumë arsye. Po ju them një sekret. Jam shumë detajiste. Me mua s’ka të mesme.
Po romantike kur bëhesh dhe cili është dedikimi më i bukur i dashurisë që ke bërë ndonjëherë?
Jam natyrë romantike, por që nuk para bëj dedikime dashurie. Më pëlqen ta përqafoj dikë fort sesa t’ia shpreh me vargje. Kur të më lënë fuqitë e krahëve, njeriut që do të kem afër do i shkruaj përditë.
Historia jote më e fortë e dashurisë?
Unë nuk kam pasur histori dashurie. Unë kam menduar se të jesh me dikë është dashuri. Por njeriu kupton që dashuria më e madhe në jetë është ajo që nuk të lë kohë të bësh rezyme për të, sepse e jeton me 180 kilometra në orë.
Gabimi më i madh që ke bërë?
Unë jam njeri i gabueshëm. Gabimet i kam pjesë të karakterit tim kokëfortë. Ndaj nuk i numëroj, se dhe i harroj shpejt.
Delikate apo femër e fortë, si mund ta kishe përshkruar botën tënde shpirtërore?
Jam një femër e fortë, jam një femër që rrallë herë ul kokën. Jam një femër që dhembjet më kanë bërë më të fortë, por gjithashtu jam shumë e ndjeshme në të njëjtën kohë, gjë që nuk para më pëlqen ta tregoj tek të tjerët. Jam një njeri që mbyllem në vetvete dhe i kaloj me veten vështirësitë e mia. Gjithsesi ajo që më karakterizon është forca për të përballuar vështirësitë që kam kaluar dhe ato që do më vijnë në jetë. Dhe besoj që ja kam dalë deri tani.
Tradhtia mund të falet nga ty?
Ka shumë faktorë si tradhtohet një femër nga një mashkull. Tradhtohet në shumë raste pasi tradhtia është koncept shumë i gjerë. E kam të vështirë ta fal, në çfarëdo koncepti të bëhet. Ju siguroj që nuk më ka ndodhur, ose e nëse më ka ndodhur nuk e kam marrë vesh. Por gjithsesi është e rëndë të tradhtohesh nga dikush që i ke besuar veten, jetën e çdo gjë. Është e rëndë dhe nuk do ta falja!
Një artiste si ty sa pjesë nga shpirti i saj dhuron në këngë?
Unë kur shkruaj nuk është e thënë që shkruaj jetën time. Ndodh që marr gjëra shumë nga jeta ime, por në shumicën e rasteve jam unë personazhi që udhëtoj në imagjinatën e historive që dëgjoj, filmave që shoh dhe jetës që jetojmë. Unë kur shkruaj nuk e di as emrin tim.
Për çfarë je penduar deri tani?
Nuk para kam pengje të mëdha në jetë, përveç prindërve të mi. Ikja e tyre është peng i madh, që do e kem me vete deri sa të vdes.
Deri ku ka shkuar fantazia e njerëzve për ty, pra çfarë ke dëgjuar për veten që as vetë s’e kishe imagjinuar?
Çfarë nuk kanë shpikur. Vetëm gjyshe s’më kanë bërë ende. Po mua nuk është se më intereson shumë shprehja: “Po bota, ç’do të thotë bota?”
Sa kushtojnë vargjet e tua, pra një tekst kënge nga Rozana Radi?
Nëse do t’i vendosja një çmim besomëni me modestinë më të madhe që s’ka asnjeri aq para sa të më blejë shpirtin! Jam tekstshkruesja më e lirë në trevat shqiptare.
Çfarë bën për të fituar besimin e të tjerëve?
Unë nuk jam natyrë që mundohem të dukem për të fituar besimin e njerëzve. Unë i kam krijuar shoqëritë e mia që në fëmijëri, ndaj e kam të vështirë të krijoj marrëdhënie të ngushta me persona, që i njoh në vitin në 2015-2016. Flas për shoqëri të ngushta këtu. Dhe të krijoj besim duke bërë diçka për ta unë thjesht jam kjo që jam, pastaj kanë a s’kanë besim njerëzit tek unë kjo është relative, varet si e shohin ata. Unë jam kjo që jam, bëj ato gjëra që duhen bërë, e nuk i bëj se duhet të fitoj besimin e dikujt.
Mikesha më e ngushtë që di shumë nga sekretet e tua?
Mikeshat e mia janë tre. Fatkeqësisht nuk jetojnë në Shqipëri, por mund t’i ishin përgjigjur kësaj interviste sikur të isha unë. Ato janë Ada, Erma, Loida.
E urren lesbizmin?
Pse duhet të urrej lesbizmin?! Çdo njeri është i lirë të dashurojë kë të dojë. Jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë! –“Story”.