Rrëfehet Granit Bunjaku, shqiptari që fitoi në konkursin e Eminemit
Intervista/Granit Bunjaku, shqiptari që realizoi kopertinën e albumit të Eminem, rrëfen të gjitha detajet që nga njoftimi për konkursin e deri tek tek domethënia e punimit
Rrëfehet Granit Bunjaku, shqiptari që fitoi në konkursin e Eminemit
Intervistoi: Sidorela Lepri
Kjo nuk është hera e parë që ai arrin të shpallet fitues në një kompeticion ndërkombëtar, por sikurse e thotë vetë është hera e parë që fiton diçka të këtyre përmasave. Është fjala për studentin e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Prishtinë, Granit Bunjaku i cili u përzgjodh mes shumë pjesëmarrësve nga e gjithë bota, për të realizuar kopertinën e albumit të Eminem.
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Graniti rrëfen të gjitha detajet që prej ccastit kur u njoftua për konkursin, momentin e marrjes së lajmit të mirë e deri tek domëthënia e punës që ai realizoi.
Një shqiptar që ka realizuar kopertinën e albumit “The Eminem Show” të Eminem. Si u përfshitë në këtë konkurs?
U përfshiva në këtë konkurs, pasi më kishte ardhur ftesa nga vetë faqja zyrtare CreativeAllies e cila meret me dizajnimin dhe marketingun e artistëve të njohur botërisht.
Si erdhi njoftimi që ishit pikërisht ju fituesi i këtij konkursi?
Njoftimi që isha përzgjedhur unë fituesi në këtë konkurs, erdhi nga babai. Kjo, pasi unë nuk gjendesha në shtëpi në ato momente dhe nuk kisha qasje në internet.
Keni marrë pjesë herë të tjera në kompeticione të kësaj natyre?
Jo, kjo është hera e parë që marrë pjesë në një kompeticion për ridizajnim të kopertinës. Herë të tjera kam marrë pjesë në konkurse të tjera të cilat kanë të bëjnë me artin, përshembull në Amsterdam në vitin 2012, ku u shpalla fitues me një pikturë të realizuar në pëlhurë, ku prej 2110 punimeve dola në vendin e parë.
Çfarë do të thotë për ju fakti që keni realizuar kopertinën e albumit të një këngëtari të njohur botërisht, sikurse është Eminemi?
Mund të them që është një arritje dhe sukses i madh për mua.
Pjesëmarrja në këtë konkurs ka qenë tepër e madhe dhe midis kaq shumë pjesëmarrësish jeni përzgjedhur pikërisht ju. Përse mendoni që punimi juaj ishte më i veçantë?
Nuk e di, ndoshta punimet e tjera kanë treguar anën e errët të artistit. Disa kanë qenë portrete të tij me teknikë tejet të bukur dhe shumë të ndërlikuara, por arsyeja ka qenë të krijohet diçka e thjeshtë dhe domethënëse.
E prisnit të ishit ju fitues?
Duke u nisur nga punimet e tjera (që e përmenda më lartë) dhe nga shpërndarjet e punimit tim që kanë qenë të jashtëzakonshme (faqja nuk ka pasur asnjëherë për asnjë artistë aq shumë shpërndarje) rreth 4000, atëherë fitova një lloj vetëbesimi që mund të isha fitues.
Jeni takuar personalisht me Eminemin?
Jo, nuk jam takuar personalisht me artistin. Mund të them që ndoshta është pak herët deri tek takimi.
Bën pjesë Eminemi tek këngëtarët tuaj të preferuar?
Po, çdo artistë që e ka filluar me asgjë dhe ka përfunduar me gjithçka bën pjesë tek të preferuarit e mi.
Mediat e huaja botërore kanë shkruar lidhur me këtë. Si ndiheni për këtë fakt?
Fillimisht mendova që vetëm në trojet tona kshte bërë bujë ky lajm, por më pas fillova të informohem që edhe mediat e huaja kanë shkruar rreth punimit dhe inspirimit të albumit. Kjo ishte me të vërtetë një ndjesi e mirë.
Ka ndonjë koment të pakëndshëm që keni hasur?
Jo, përkundrazi gjithçka ka qenë në favorin tim. Jam i habitur nga urimet dhe komplimentat që kam marrë, deri në këto momente.
Nga çfarë u frymëzuat për realizimin e kësaj kopertine?
Frymzimi ka ardhur nga fjalët e vetë e artistit të cilat po i citoj :
My words are weapons; I use ‘em to crush my opponents; My words are weapons; I never show no emotion; My words are weapons; I use ‘em to kill whoever’s stepping to me…
Jo vetëm këto që citova, por edhe shumë shprehje të tjera të Eminemit, që me të vërtet kanë qenë frymëzuese për mua.
Sa kohë iu desh për realizmin e saj?
Realizmi i kopertinës së albumit më ka marrë rreth 3-4 javë kohë, duke përfshirë të gjithë analizat rreth artistit në fjalë. Por në këtë hark kohor, nuk përfshihet periudha e skicave dhe konceptit.
Kjo është hera e parë që fitoni diçka të këtyre përmasave?
Për mua, nuk është hera e parë që fitoj në një kompeticion. Por, me një artist të njohur sikurse është Eminemi, po.
Granit, cili është profesioni juaj?
Jam student i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Prishtinë, ku jam në përfundim e sipër të studimeve.