Rrokaj: Shqiptarët po ikin, qeveria bën teatër
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj ka qenë i ftuar pasditen e sotme në News24 ku ka folur për të gjithë situatën e krijuar në vend pas ngërçit politik.
Rrokaj a theksuar se ajo masë e shqiptarëve të shkolluar, në Shqipëri nuk gjejnë vetveten, nuk gjejnë punësim, por nga ana tjetër nuk gjejnë mundësi për të ndërtuar një të ardhme. Mbërthehen prej ankthit për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre dhe gjenerata e re po pason kohët e fundit atë gjeneratë të mëparshme, të fluksit të madh të intelektualëve që u larguan nga Shqipëria.
Deputeti i LSI ka vijuar duke thënë se truri po ikën nga vendi, në një kohë që qeveria bën teatër.
INTERVISTA:
Shqipërisë po i ikën truri, në fakt ju keni bërë edhe një shkrim për këtë krizë që po i ndodh vendit tonë, përse sipas jush?
Në fakt, sapo e dëgjova këtë: Shqipërisë po i ikën truri. Në një kuptim të dyfishtë, nga njëra anë Shqipëria po çmendet, pra Shqipëria ka probleme shumë të mëdha në vetëqeverisjen e saj, ku përgjegjësinë kryesore e mban natyrisht qeveria dhe nga ana tjetër kuptimi real me të cilin lidhet edhe shkrimi që unë botova te gazeta Shekulli dhe që lidhet me atë masë të madhe të shqiptarëve të shkolluar, të cilët në Shqipëri nuk gjejnë vetveten, nuk gjejnë punësim, por nga ana tjetër nuk gjejnë mundësi për të ndërtuar një të ardhme. Mbërthehen prej ankthit për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre dhe gjenerata e re po pason kohët e fundit atë gjeneratë të mëparshme, të fluksit të madh të intelektualëve që u larguan nga Shqipëria.
Kemi tre lloje emigracioni të trurit. I pari ishte ai që me gjithë familjet u larguan dhe fëmijët e tyre gradualisht po shkolloheshin dhe sot ata zënë vendin kryesor në piramidën intelektuale në vendet ku janë. E dyta kishte të bënte direkt me inxhinerët, ekonomistët, mësuesit, juristët etj që u larguan. Gjeneratat e tretë ka të bëjë me të rinjtë. Siç e theksoja dhe në shkrim, familjet shqiptare sot shpenzojnë 300 milion euro për gati 30.000 studentë që ne kemi në vendet e Perëndimit dhe në SHBA. Kështu që është një ikje e madhe. Ata që e llogaritin me përqindje, me statistika, thuajse 30% e trurit ndodhet jashtë. Ç’është më e keqja, politikat që janë zhvilluar në të gjitha qeverisjet që kanë pasuar, përfshirë edhe këtë që kemi sot, e kanë përdorur gjithmonë thithjen e trurit, Brain Gain, siç quhet, thjesht për të bërë qokën e radhës, më shumë se sa një politikë reale që i gjithë ky potencial ti bashkohet potencialit tjetër që ndodhet në kufijtë politikë në trojet tona, në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të zi dhe që të shërbejë si një shtysë me një konvergjencë kombëtare. Ashtu sikundër veprojnë të gjitha vendet e tjera të cilat kanë pasur histori të kësaj natyre siç kanë shqiptarët. Këto vende janë përpjekur të ndërtojnë politika në mënyrë që e gjithë kjo diasporë inteligjente, që gjithë truri, gjithë mençuria, gjithë shoqëria e dijes ti shërbejë zhvillimit.
Sepse çfarë ndodh? Statistikat pohojnë se sot 50% e të punësuarëve janë me shkollë 8vjeçare apo 9 vjeçare dhe se një i ri sot që mbaron shkollën, punët më të shpejta që mund ti vijnë, përveç se administratës publike, e cila ende vuan trysninë e politikës, janë call center dhe shërbimet. Pra nuk ka një perspektivë shërbimi që ti përgjigjet të gjitha formimeve, diplomave që marrin të rinjtë tanë. Sepse ende nuk po ndërtohet një strategji që do të bashkonte dy gjëra shumë të rëndësishme ku do të zhvillohet Shqipëria, si do të zhvillohet Shqipëria në një perspektivë afatmesme dhe afatgjatë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër me cilat burime njerëzore do të përballojmë këtë situatë zhvillimi, e cila pastaj përkthehet në një strategji punësimi. Në qoftë se ne do ta kishim pasur vëmendjen në këtë drejtim, unë jam i bindur dhe këto janë strategji që nuk bëhen, siç po ndodh te ne, që vjen një qeveri që brenda mandatit të saj do të bëjë një reformë.
Reformat në arsim, në shëndetësi duhen bërë në çdo mandat. Ky është një absurditet shqiptar dhe reformat e rëndësishme sociale, të shëndetësisë, të arsimit, të bujqësisë, janë reforma që konceptohen për një periudhë zhvillimi 30-vjeçare domethënë. Nuk mund të ndërrohen ende pa u tharë boja, një akti, ku vjen një akt tjetër, del një tjetër dhe çfarë bëjmë? Jetojmë në një kakofoni ose një kakografi ta themi kështu, në një rrëmujë grafike ligjesh, amendimesh, ndërrime institucionet, bashkime institucionesh, shkëputje institucionesh e kështu me radhë.
Pra, nuk ka qëndrueshmëri dhe në këtë situatë, truri është më i brishtë. Kur ka pasiguri në shëndetësi, kur ka pasiguri në shkollë, kur ka pasiguri në punësim, i pari që e ndjen si të thuash krizën është truri. Largimet e mëdha kanë bërë që gjithë ky akumulim i shqiptarëve në një periudhë tranzicioni, që nga viti `92, prapë sipas statistikave, flitet se shqiptarët në reminitancat nga 26 miliardë që janë dërguar, janë dedikuar le ta themi nga emigrantët tanë, 13 miliardë kanë shkuar për konsum, mbajtjen e të afërmit, familjes, pse jo dhe biznesit dhe aktiviteteve, dhe 13 miliardë të tjera kanë shkuar për arsim? Çfarë ndodh? Ndodh ajo që në Shqipëri ne nuk arrijmë sot, ku jemi konsumatorët më të mëdhenj dhe familjarët shpenzojnë, kanë kosto më të madhe se çdo vend tjetër për arsimin. Do të thotë që shteti, buxheti i shtetit mbulon pak me fondet e veta arsimin dhe i ka detyruar familjet të shpenzojnë nga kursimet e tyre.
Kjo do të thotë se para 4 apo 5 vitesh, ne e kishim 1.7 koeficientin e shpenzimeve familjare që ia dedikonim arsimit, sot e kemi 4.4. Kjo do të thotë që vendet e BE-së shpenzojnë 2.1 dhe vendet e Rajonit, si Maqedonia, Serbia, Mal i Zi 0.6 deri 0.7% të buxhetit të familjes. Kjo do të thotë që qeveria dhe qeveritë duhet të kuptojnë një herë e mirë që arsimi nuk mund të jetë eksperimenti i radhës i çdo qeverisjeje. Arsimi duhet ndjekur me ato shtyllat bazë që vazhdojnë të gjitha vendet e Rajonit dhe Perëndimit. Bie fjala, në qoftë se është premtuar për strategjinë e arsimit në 2014-ën, kur ne ishim dhe në qeverisje, që në vitin 2018 qeveritë shqiptare, cilado qofshin ato, duhet të shpenzonin me të drejtë 5% të PBB, atëherë pyetja shtrohet: Pse ne vazhdojmë shpenzojmë 3% të PBB? Sepse ka një gjë, që shqiptarët duhet ta kuptojnë shumë qartë. Nuk ka sektor më dobiprurës, më me përfitim se sa sektori i arsimit, në qoftë se investimet shkojnë aty.
Pra, në qoftë se do të kesh një ndryshim, ndryshimi vjen nga burimet njerëzore, vjen nga truri. Dhe këtë qeveritë shqiptare, as e kanë kuptuar dhe as duan ta kuptojnë se sigurisht një rrugë, një ujësjellës është i dobishëm, por shpenzimet në arsim, tek truri, janë në kursim sepse ti kursen shpenzime të drejtuara gabimisht dhe eliminon eksperimentet me fondet publike. Kështu që është një problem shumë i madh që duhet të na bëjë të reflektojmë që të gjithëve. Nuk jam këtu për të thënë që qeverisjet e mëparshme e kanë pasur këtë vëmendje, duhet të heqim dorë nga eksperimentet në arsim. Njëherë ndiqet procesi i Bolonjës dhe ne bashkohemi me vendet që i nënshtrohen procesit të Bolonjës, ku Shqipëria ka aderuar që në vitin 2003, në mos gaboj. Pastaj, del sistemi anglosakson.
Njëherë jemi si vendet që na rrethojnë, nga ana tjetër ne themi se do bëhemi si Finlanda. Por ne nuk mund të bëhemi si Finlanda. Tha dhe Kryeministri në takimin e fundit, por nuk mund të bëhemi si Finlanda. Finlanda shpenzon 7% të PBB për arsimin. Kryeministri sigurisht që duhet ta dijë, edhe ministrja që Finlanda për mësues merr 10% më të mirët e gjimnazistëve sepse rrogat e mësuesve janë gati të dytat në nivel kombëtar. Pra, e ka kuptuar që prit se ne nuk mund të kemi një student të mirë në qoftë se nuk kemi një nxënës të mirë. Pra, duhet ta fillojmë aty pikërisht ku ne na del energjia e mendimit për të ecur përpara. Ne çfarë bëjmë? Ne marrin 20% e gjimnazistëve të fundit për nga niveli dhe nuk mund të krenohemi siç thotë kryeministri pse e vumë notën 7 për të pranuar në universitet, në mësuesi. Apo të bëjmë akte gjeneroziteti, bamirësie e premtimi me 1000 dollarë duke bërë një skenë. Unë mendoj kështu që e para që duhet të bëjnë qeverisjet është të heqin dorë nga qeverisjet burokratike.
Qeverisjet e mençura janë qeverisje që bashkëpunojnë dhe futen në partneritet me botën që krijon dhe ka mendim me botën akademike. Tek ne vijon e njëjta histori. Bota akademike shihet si ai institucioni inferior, jo si partner dhe bashkëpunëtor. Dhe çfarë ndodh? Skena si ajo në Kryeministri, ku kryeministri i quan bishti i kavallit profesorët apo në Akademinë e Shkencave që e quan agjenci funeralesh. Po sigurisht universitetet dhe Akademia mund të kenë probleme se dhe Shqipëria ka probleme, edhe vetë qeveria ka probleme.
Por ajo që duhet të bëjnë në radhë të parë qeveria dhe qeverisjet është bashkëpunimi me ata që të japin mundësinë që ta kthesh qeverisjen nga një qeverisje burokratike në një qeverisje të mençur. Dhe qeverisje e mençur është ajo qeverisje që para se të kalojë buxhetin në Kuvend, organizon takime me fakultetet ku ka mendim për mënyrën sesi shpenzohen fondet. Fakulteti i Ekonomisë për sektorin e ekonomisë, Fakulteti i Shkencave Sociale për veprimtari sociale, fakultetet inxhinierike për veprat inxhinierike e kështu me radhë. Pra, duhet patjetër që ne të dalim prej kësaj rruge të shkurtër që bota akademike është ajo pjesa tjetër dhe për të cilën ne nuk mendojmë asnjëherë të japim po atë gjë që të gjitha vendet e rajonit e bëjnë. Edhe në kohën e Enver Hoxhës ne shpenzonim, mua me vjen keq që e them këtë shembull, por thjesht për të kuptuar, ne shpenzonim 4,5% të PBB-së, e cila ishte e njëjta me vendet e OECD-së.
Atëherë gjëja e parë për ta filluar në arsim është t’i japim sa japin të gjithë vendet që na rrethojnë. E dyta, të përpiqemi t’u themi të gjithë atyre qe kanë mbaruar jashtë, që kanë PHD dhe mastera në vendet e Europës Perëndimore, e keni vendin e punës të garantuar. Ejani, ejani edhe sikur organikat të jenë plot asnjëherë një i mençur nuk është i tepërt. Atëherë ejani dhe filloni punë në sektorët ku ju jeni. E treta, duhet patjetër që e gjithë bota akademike të përfshihet në një netëork. Unë e kuptoj është krijuar një ministri e tërë e diasporës, që natyrisht ka dhe një problematikë tjetër. Por gjëja e parë që duhet të bëjë një qeverisje e mirë aq më tepër në kushtet e shqiptarëve të cilët kanë emigracion nga më të pa precedentët, edhe në historinë e shqiptarëve, por edhe në historinë e popujve që na rrethojnë. Është të shtiesh në punë gjithë këtë tru i cili është i shpërndarë gjithandej dhe vetëm përdoret vetëm me iniciativa private, nga vetë individët që ndjejnë dhembshuri për vendin e tyre ose kur kryeministra, ministra duan të bëjnë qokën e radhës.
Nuk kemi parë, më thoni një shembull që një ministër ose kryeministër i ka thirrur njerëzit për të marrë mend prej tyre, të heshtë ai dhe të flasin ata. Gjithmonë qoka 1 orëshe ose gjysëm orëshe, hajdeni aty dhe më dëgjoni çfarë do them unë. Po sot që u bëre kryeministër dhe dje nuk ishe, kur u bëre kaq i mençur? Dëgjo nga njerëzit që kanë mend. Edhe kur e kanë një gjë të gabuar, edhe kur të kritikojnë. Dëgjoji sepse asnjëherë nuk i vjen e keqja një qeverisjeje nga të dëgjuarit. E keqja i vjen nga arroganca, nga mënyra sesi i pëlqen vetja, do vetëm të bëjë fasadë, nuk dëgjon, nuk përulet ndaj problematikës, por thjesht do të bëjë fasadën ose qokën e radhës dhe kështu me radhë. Nuk ecet kështu përpara.
Zoti Rrokaj si pjesë e LSI-së do doja mendimin tuaj për sa i përket ligjit të lojërave të fatit dhe mbylljes së basteve. Jeni pro apo kundër mbylljes së këtij biznesi?
Pro. Por, të mos jetë fasadë, dhe pastaj përtej fasadës të gjejmë një realitet tjetër, të na krijohen disa lojëra të tjera fati. Jam pro mbylljes së lojërave të fatit sepse e para në pikëpamje sociale të rrënimit të familjeve shqiptare. E dyta gjithë ky potencial ekonomik është më mirë të servilet dhe përdoret në ekonomi sesa të përdoret në sektorë të cilët, siç është dhe ky i lojërave të fatit, nuk sjellin asgjë. Ekonomia shqiptare ka nevojë të zhvillohet, të hapen projekte zhvillimi dhe jo të kthehet në një ekonomi e cila doemos përfshin edhe sektorë të tjerë të ekonomisë kriminale. Se lojërat e fatit nuk janë thjesht lojëra fati që krijojnë probleme me familjet shqiptare duke i pasur poshtë pallateve. Por janë instrumenta të larjes së parave të drogës, të krimit e kështu me radhë. Pra unë mendoj që është një veprim që është diskutuar edhe më parë edhe kur kemi qenë në bashkëqeverisje, është një veprim I drejtë, por jo të ketë diçka tjetër përtej fasadës.
Do të jeni nesër i pranishëm në Kuvend?
Ky është një veprim politik. Sot për sot mendohet nga opozita se pjesëmarrja në Kuvend legjitimon akte të padrejta dhe të padobishme për shoqërinë në miratimet që bën Kuvendi. Pra, ne gjykojmë se pjesëmarrja jonë si dëshmitarë në akte të cilat nuk u shërbejnë shqiptarëve, është e panevojshme.
Unë gjykoj që mazhoranca duhet ti thërrasë mendjes, duhet të ulet në dialog, të ulet nga kryeneçësia e saj se gjërat I bën vetë dhe nuk pyet, t’i lënë ato qesëndisjet dhe teatrot, apo përgjimet teatrale me shqiptarët. Ka detyrimin madhor të qeverisë mirë vendin, të organizojë dialogun me opozitën në të mirë të shqiptarëve, sepse përgjegjësinë kryesore e ka gjithmonë mazhoranca.
Kështu që opozita merr pjesë në Kuvend atëherë kur opozita të jetë e sigurt se nuk do të përsëritet ajo që ndodhi pas Reformës në Drejtësi, ku u votua me 140 vota dhe pastaj menjëherë kryeprokurorja e Përkohshme, që po bëhet e përjetshme u zgjodh me 69 vota dhe ku sipas nesh ka një qëndrim selektiv në mënyrën se si po zgjidhet gjithë personeli le të themi I gjyqësorit, Prokurori-Gjyqësor. Pra sipas nesh kemi një kapje, atëherë duhet zbritur me këmbë në tokë aty ku gjërat filluan , sikundër ka problem shumë të mëdha që lidhen me koncesionet, ka problem me krimin e organizuar se nuk është se po i ngre opozita, ndërkombëtarët po i thonë përditë, departamenti i shtetit po i thotë përditë, Europoli po I thotë përditë.
Jam plotësisht dakord edhe për nismat e fundit, për veprimet e Policisë së Shtetit për të kapur të ashtuquajtura kartele të drogës dhe krimit.
Si i keni parë aksionet më të fundit?
Unë them që të mos kenë shërbyer për të mbuluar gjëra që ishin ndërkohë. E dyta, ende janë thjesht fasadë, tym, por ne duhet të shikojmë zjarr, ku, cila është mbështetja që ky krim i organizuar ka. Ku e gjen këtë mbështetje, sepse është e pamundur që të funksionojë krimi i organizuar, të funksionojë në një shtrirje të madhe droga pa pasur një mbështetje të madhe politike.
Këtu fillon edhe përgjegjësia. Unë them që është shansi i fundit që kjo qeverisje ka. Ose duhet ta luftojë ose duhet të lërë, të themi çelësat dhe populli, të tjerë që dinë të qeverisin më mirë ta marrin, sepse nuk mund të vazhdohet më me operacione fasadë, të cilat krijojnë bujë të madhe, pastaj kanë mungesë provash, pastaj pas sigurimit të provës, dali menjëherë nga qelitë, e kështu me radhë.
Dihet tanimë që krimi i organizuar dhe gjithë droga ka prekur shtetin, pra nuk është një fenomen i shkëputur nga shteti. Dikur natyrisht kishte segmente të shtetit që merreshin në qeverisjet e mëparshme, me krimin dhe drogën, por nuk ishte shteti. Sot është bindje e të gjithëve, ju e patë edhe në prononcimin e ndërkombëtarëve për vjedhjen e votës. Me vjedhjen e votës e ke goditur demokracnë në themel. 20% e votave të shqiptarëve e zgjedhjeve që sapo kaluam, u blenë me paranë e drogës dhe krimit. Kjo do të thotë që ti nuk mund të ndërtosh demokraci të qëndrueshme nëse ti I mbështet, i themelon ato në vënien e dorës pikërisht në elementet më të rëndësishme të demokracisë, siç janë zgjedhjet.
Kështu që është momenti që të hiqet dorë edhe nga këto ndërhyrje të policisë, të cilat duhen përshëndetur, duhen përgëzuar dhe të mos përdoren për të mbuluar diçka tjetër dhe të shkohet më tej, pikërisht atje ku edhe agjencitë inteligjente kanë dhënë prova, kanë dhënë të dhëna që vetë shqiptarët e dinë.
Unë kam frikë se nuk do t’ia arrijnë dot, sepse bie e gjithë piramida.