“Sa kohë duhet të çregjistrosh biznesin”
Flet Vasilika Vjero, drejtore e Qendrës Kombëtare të Biznesit
Megjithëse janë bërë përpjekje për të thjeshtuar procedurat për të rritur shërbimet ndaj sipërmarrësve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ajo që vazhdon t’i kushtojë më shumë kohë qytetarëve është mbyllja apo çregjistrimi i ndërmarrjes. Vasilika Vjero, në një intervistë për revistën ‘Monitor’, sqaron se brenda vitit do të shkurtohet koha për mbylljen e bizneseve por do të reduktohet edhe numri i lejeve dhe autorizimeve që merren në institucionet shtetërore. Në draftin e paketës së re fiskale, qeveria ka vendosur një afat prej 10 ditësh për të mbyllur aktivitetin.
***
Sa është rritur shërbimi ndaj biznesit nga bashkimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit me Qendrën Kombëtare të Licencimit?
Që prej një muaji është krijuar Qendra Kombëtare e Biznesit, e cila vjen si një bashkim i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit me atë Licencimit. Gjithashtu Qendra Kombëtare e Biznesit ka një mbulim shumë herë më të mirë në territor. Nëse më parë nuk mbuloheshin të gjitha zonat apo qytetet kryesore, tani ne jemi me 33 zyra qoftë pranë autoriteteve vendore, e qoftë pranë dhomave të tregtisë, falë bashkëpunimit me këto të fundit. Një strukturë shtesë që kemi krijuar është edhe krijimi i Zyrës së Komunikimit me Publikun, që erdhi si kërkesë e vetë komunitetit të biznesit dhe aplikantëve. Ata në shumë në raste kishin nevojë për një këshillim paraprak për t’u regjistruar apo për t’u licencuar. Po ashtu, kjo zyrë shërben edhe për të dëgjuar ankesat dhe problematikat që kanë me administratën.
A e mundëson dhënien e të gjitha lejeve dhe licencave Qendra Kombëtare e Biznesit?
Pjesa e lejeve dhe licencimeve tashmë është e rregulluar, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me ndryshimet ligjore të procesit të autorizimeve. Momentalisht ne mundësojmë vetëm licencimin e subjekteve tregtare. Pranë kësaj qendre mund të aplikojnë për t’u pajisur për një leje, licencë apo autorizim vetëm sipërmarrësit, ata të cilët janë të regjistruar pranë QKR-së dhe jo individët. Ka një numër të lartë të lejeve dhe licencave që mund të merren pranë nesh. Ky proces ka kaluar në një reformë shumë të thellë, nga 200 leje dhe licenca që jepeshin më parë në 90 të tilla. Mbi të gjitha i gjithë procesi kryhet përmes One Stop Shop-it. I gjithë komunikimi, ruajtja e afateve ligjore, sigurohet nga ne.
A do të reduktohet numri i autorizimeve dhe lejeve që një sipërmarrës merr në institucione të ndryshme dhe të ofrohen të gjitha përmes One Stop Shop?
Fusha e autorizimeve është duke u riparë, kjo reformë nuk përfshin vetëm Qendrën Kombëtare të Biznesit, por dhe institucione të tjera, shumë ministri që lidhen me këto procese. Shumë shpejt, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Sipërmarrjes dhe Turizmit dhe QKB do të vijnë me një propozim konkret për reduktimin e numrit të autorizimeve dhe do të përcaktojmë qartë se cilat do të jenë institucionet përgjegjëse për lëshimin e autorizimeve. Do të përcaktojmë sa autorizime do të ketë dhe cilat do të jenë. Ka një numër të madh që edhe pse jepen nga institucione të ndryshme, ne mendojmë se duhet të jepen nga QKB apo të reduktohen ose të zhduken dhe të jepet vetëm licenca. Shumë shpejt do të bëjmë gati një draft konkret me afate të shkurtuara dhe me kosto të shkurtuara me procese elektronike, ku një pjesë e mirë do të ofrohen përmes One Stop Shop. Biznesit nuk do t’i duhet të bëjë rrugë e të shkojë në disa vende, por direkt nga aplikimi në qendrën tonë.
Kur do të mundësohet kjo?
Deri në fund të këtij viti do të finalizohet faza e dytë, e cila do të ketë rishikim të procesit të regjistrimit dhe licencimit. Ne do të propozojmë shkurtim të afateve, shkurtim të kostove dhe reduktim të procedurave. Nëse regjistrimi kryhet për 24 orë, licencimi është në varësi të kërkesës që ka aplikanti dhe të llojit të lejes. Ky proces varion nga 2 në 4 ditë. Ndërsa për një pjesë tjetër zgjat më shumë, nga 10 ditë mund të marrë edhe 6 muaj, siç janë aplikimet për leje minerare. Qendra Kombëtare e Biznesit është këtu edhe për të garantuar respektimin e këtyre afateve, është një One Stop Shop që kontrollon edhe ministritë apo edhe institucionet e tjera se sa përgjigjen në kohë brenda afateve. Në rast se këto institucione nuk përgjigjen në kohë është miratimi i heshtur, që leja apo licenca automatikisht konsiderohet e miratuar.
Sa kohë i merr biznesit mbyllja e aktivitetit?
Çregjistrimi i biznesit gjithmonë mbart debate apo edhe pakënaqësi nga aplikantët. Megjithatë po të vërejmë kohën dhe statistikat për të përpunuar një kërkesë të tillë, jo vetëm në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por edhe në Drejtoritë Tatimore qendrore dhe vendore, mesatarisht duhen 40 ditë për t’u çregjistruar për personat juridikë. Në ligj, të gjithë personat juridikë mund të përfundojnë procesin e çregjistrimit brenda 90 ditëve dhe biznesi realisht shpenzon vetëm 40. Për personat fizikë mesatarisht duhet 30 ditë dhe këtu jemi brenda afatit ligjor për të çregjistruar personat fizikë. Por sigurisht që kohë shtesë ka për ato lloj subjektesh, të cilat janë debitore qoftë në tatime e qoftë në banka. Për këtë kategori, procedura e mbylljes merr më shumë ditë. – “Monitor”.