Sabina Dana: Së shpejti dasma, si u njoha me babain e Dahlin…

Intervistoi: Sidorela Lepuri

“Një ndjesi që nuk di çfarë emri t’i vë, një lumturi e jashtëzakonshme”, kështu e përshkruan këngëtarja Sabina Dana momentin kur u bë nënë për herë të parë para pak javësh. “Ka qenë një ditë e mrekullueshme plot diell dhe ashtu siç dita erdhi edhe lajmi që shumë shpejt unë dhe Enea do të bëheshim prindër”, na tregon këngëtarja lidhur me çastin kur mësoi lajmin që ishte shtatzënë. Dahlin quhet vajza e saj, një emër i ngjashëm me atë të lules “Dahlia”. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” Sabina rrëfen për jetën e saj të re, vogëlushen Dahlin, njohjen me bashkëshortin dhe planet e ardhshme muzikore.

Sabina, para pak kohësh jeni bërë nënë. Mund të na tregoni sesi e keni pritur dhe përjetuar çastin kur përqafuat për herë të parë krijesën tuaj?

Ah, ç’të ju tregoj për ndjenjat, nuk di çfarë emri t’i vë dhe as sesi t’i përshkruaj. Ka qenë një lumturi e jashtëzakonshme, një emocion që nuk e kisha jetuar kurrë më parë. Jam me fat që e kam provuar. Uroj që të gjitha femrat të bekohen nga kjo ndjenjë.

Kur mësuat se ishit shtatzënë, si e përjetuat atë moment?

Ka qenë një ditë e mrekullueshme plot diell dhe ashtu siç dita erdhi edhe lajmi që shumë shpejt unë dhe Enea do të bëheshim prindër. Të dy e pritëm me dashuri dhe kjo dashuri nuk ka për të shteruar ndonjëherë. Mami i Eneas ishte më e lumtura nga të gjithë. Ai lajm na solli pozitivitet dhe energji akoma më shumë në familje (buzëqesh).

A ka ndryshuar jeta jote pas ardhjes në jetë të Dahlin?

Ka ndryshuar në kuptimin e bukur të fjalës. Jam bërë më e ndjeshme, vuaj nga pagjumësia (qesh), por prania e Dahlin është kthyer në një bekim për ne.

Dahlin quhet vajza juaj. Një emër i veçantë. Ka ndonjë domethënie dhe kush e përzgjodhi?

Emri “Dahlin” ishte zgjedhje e të dyve. U frymëzuam nga emri i lules Dahlia, por me një ndryshim të vogël vendosëm Dahlin.

Nuk keni publikuar asnjë foto të vajzës në profilet tuaja në rrjetet sociale. Përse kjo zgjedhje?

E di që duket paksa e çuditshme, por kam vendosur që ta sjell për publikun bashkë me mamin dhe babin më një set profesional fotosh. Është dëshira e të dyve ne që ta prezantojmë me publikun në këtë mënyrë. Shumë shpejt do ta realizojmë setin dhe do e sjellim krijesën tonë në prezantimin e saj të parë me publikun.

Ceremonia e fejesës suaj me biznesmenin Enea Cane ishte një festë madhështore, por nga ana tjetër nuk kemi dëgjuar për martesë midis jush. Është kjo në planet në vazhdim?

Realisht dhe zyrtarisht jam Sabina Dana Cane, sepse celebrimin e kemi bërë tashmë, por ceremoninë e martesës e kemi lënë për vitin tjetër, sepse kemi në mendje surpriza shumë të bukura, për ne dhe për publikun sigurisht.

Si jeni njohur me Enean?

Jemi njohur në një koncert ku isha e ftuar, u dashuruam me shikim të parë dhe sot jemi prindër të një vogëlushe që na ka bërë jetët tona plot dritë.

Të qenurit në dy fusha të ndryshme, ai në fushën e biznesit dhe ju në atë të muzikës, është një avantazh, apo disavantazh në  në raportin tuaj?

Çdo lidhje e bukur dhe e kurorëzuar në martesë është e bazuar në dashuri. Profesionet nuk kanë të bëjnë me këtë gjë, nëse je i kuptueshëm edhe lidhja shkon mbarë. Kemi avantazh ekonominë e shtëpisë, atë e mban Enea, nuk lodhem unë, unë lodhem të blej… (qesh).

Do të hiqnit dora nga muzika për familjen?

Para familjes nuk vihet asgjë. Unë uroj vetëm të mos jem ndonjëherë në pozicionin e zgjedhjes midis muzikës dhe familjes, sepse është e vetëkuptueshme që do zgjidhja familjen.

Të ndalemi pak tek muzika. Sabina Dana është një emër i njohur dhe shumë i dashur për publikun. Nuk ju kemi parë të merrni pjesë në kompeticionet muzikore që zhvillohen në vend. Jeni skeptike ndaj tyre, apo…?

Për mua kompeticioni më i madh është përballja dhe vlerësimi i publikut të gjerë. Nëse jam e pëlqyer nga ata jam në rregull dhe e kënaqur.

Keni bashkëpunuar me një sërë emrash të njohur të muzikës. Si i zgjidhni bashkëpunëtorët tuaj?

Bashkëpunimet tashmë, përveçse trend janë edhe të suksesshme dhe frytëdhënëse. Emrat që kam bashkëpunuar kanë qenë emra qe ia ka vlejtur të bashkëpunosh dhe sukseset e këngëve e kanë treguar këtë. Nuk ka kriter përzgjedhjeje, ka sistem bashkëpunimi.

Ka ndonjë artist/e që do të dojë të bashkëpunonit në vazhdim?

Nuk është se kam ndonjë emër në mendje, por nëse do ketë bashkëpunim do të jetë me emra të suksesshëm dhe të talentuar.

Pak ditë më parë Shqipëria mori pjesë në Eurosong që u mbajt në Austri dhe rezultati nuk ishte shumë pozitiv për shqiptarët. Në gjykimin tuaj, çfarë nuk shkoi siç duhej me këngën tonë pjesëmarrëse në festival?

Nuk e di nëse ishte pjesë teknike, por nuk do ta quaja zhgënjyes, sepse këngëtarja ka dhënë prova që është e talentuar. Kështu që mund të kenë ndikuar shumë faktorë, por nuk mund të vihet në dyshim talenti i këngëtares. Ky është mendimi im.

Përveç muzikës, me se merreni tjetër?

Tani kemi nisur një punë të re, merremi 24 orë me Dahlin (qesh).     

Dhe së fundmi, cilat janë planet e ardhshme muzikore të Sabinës?

Plane kam dhe sigurisht të bukura, por diku nga shtatori, sepse dua që edhe Dahlin të jetë pak më e rritur që të kem kohë dhe mundësi te merrem me muzikën. Premtoj gjëra të bukura për publikun.

 

SHKARKO APP