Sabit Brokaj: Skandaloze që shefi i ministrit të Jashtëm është me shtetësi greke
Ish-ministri socialist i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, e cilëson skandal për shtetin shqiptar faktin që shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm është me nënshtetësi greke dhe thirret nga shteti grek që të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Greqi.
Në një intervistë për “Panoramën”, Brokaj e cilëson Ministrinë e Jashtme një institucion të sigurisë kombëtare, duke lënë të kuptohet që dhe pozicioni i shefit të kabinetit të ministrit cilësohet i tillë, por jo i përshtatshëm për dikë që mban edhe nënshtetësinë greke. Sipas tij, në një vend normal demokratik, ministri i Jashtëm do të ishte para përgjegjësisë.
Ju keni qenë vetë ministër dhe e dini shumë mirë se çfarë përgjegjësie ka drejtori i kabinetit të ministrit. Sot (dje) në media është bërë publik fakti se drejtorit të kabinetit të ministrit të Jashtëm i ka mbërritur kërkesa për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Greqi, për shkak se ai ka edhe nënshtetësinë greke. Ky fakt përbën problem në gjykimin tuaj?
Për konceptim që kam unë mbi shtetin dhe nga përvoja ime si ministër, është një skandal, e thënë shqip. Shefi i kabinetit është një nga personat më kompetentë si ekspert, madje në ndonjë moment mbulon ndonjë mangësi të ministrit, sepse është më me përvojë në dikasterin që mbulon, është në epiqendër të zhvillimeve të ministrisë, tek ai vjen informacioni, ai e përcjell te ministri, përpunon opinionin në rastet kur ministri nuk e njeh problemin deri në hollësi. Ky pozicion, duke u nisur nga Ministria e Jashtme, përbën element të sigurisë kombëtare, me po të njëjtën rëndësi sigurie siç është Ministria e Mbrojtjes apo Shërbimi Informativ Shtetëror. Nga ana tjetër, ai është njeriu më konfident i ministrit dhe unë nuk e di nëse ministri e ka parë te ky person këtë element, sepse asgjë tjetër nuk ka parë dhe mua më vjen keq për këtë fakt, pasi kam simpati për ministrin e Jashtëm, zotin Bushati, por kjo është më shumë skandaloze.
Për vetë rëndësinë e informacioneve që qarkullojnë përmes Ministrisë së Jashtme, zyrtare, por dhe konfidenciale, a përbën ky fakt një rrezik për sigurinë kombëtare?
Pa diskutim. Ministria e Jashtme është një nga ministritë e rëndësisë kombëtare të sigurisë. Nëse di mirë rëndësinë e pozicionit të shefit të kabinetit, është e habitshme se si ka ndodhur kjo. Për analogji, mund të ndodhte një gjë e ngjashme në një vend europian? Me siguri që ministri do të ishte para përgjegjësisë dhe ma merr mendja që do të ishte një skandal që do të jetonte gjatë në media dhe në diskursin publik të atij vendi. Kjo që ka ndodhur në Ministrinë e Jashtme është edhe pasojë e një fenomeni të çuditshëm që ndodh në Shqipëri, marrjes me fasadën dhe imazhin e kuruar. Por skandale të tilla nuk kanë munguar, sepse kemi pasur ministra Mbrojtjeje me nënshtetësi tjetër, shefin e SHISH me nënshtetësi të huaj, dhe flas për struktura të sigurisë kombëtare. Të mos harrojmë se me marrjen e nënshtetësisë së një vendi tjetër, ti ke bërë betimin t’u shërbesh interesave të atij vendi. Ky është një absurditet që ndodh vetëm në këtë vend të çuditshëm, ku asgjë më nuk bën përshtypje. Dokumentet zyrtare në sirtarët e Ministrisë së Jashtme i takojnë shtetit shqiptar dhe jo vendeve të tjera. Prandaj them se shefi i kabinetit duhet të jetë njeriu më kompetent dhe më ekspert, ku e gjeti ministri ekspertizën te ky djalosh, për të cilin nuk di se sa përvojë pune ka.