Safet Gjici: Kamza dhe Paskuqani, më pranë se kurrë ndryshimit të madh

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për bashkinë Kamëz, Safet Gjici  para zgjedhjeve lokale  të 21 qershorit, duket se sfidën më të madhe të jetës së tij, e ka drejt kurorëzimit, pasi siç thotë ai: “Kamza e Paskuqani do të votojnë masivisht më 21 qershor programin e tij, që synon zhvillimin e zonës dhe njehsimin me kryeqytetin. Kjo, sipas Gjicit, do të sjellë më shumë shërbime, mbështetje për shtresat e margjinalizuara, biznesin dhe ndërhyrje në mjedis, infrastrukturë, shërbime sociale, shërbim shëndetësor, ambient etj”.

 Z. Gjici, për të gjithë ata që nuk ju njohin, shumë shkurtimisht, mund ti tregoni lexuesve se kush jeni ju?

Unë jam Safet Gjici,  babai i katër fëmijëve. Kam përfunduar studimet e larta, në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari”. Po ashtu, kam kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, ku jam diplomuar për Drejtësi, në Fakultetin Juridik. Në vitin 2001, së bashku me një grup punonjësish me eksperiencë, formuam shoqërinë private të sigurisë “EuroGjici” Security, e cila në një kohë të shkurtër e shtriu fushën e vet të veprimtarisë në gjithë territorin e Shqipërisë. Në vitin 2007 themelova Shoqërinë “Kevin Construksion”, që operon në fushën e ndërtimit, rikonstruksion dhe infrastrukturë. Jam financues i disa institucioneve të kultit dhe kontribuues kryesor i ndërtimit të stadiumit “Zeqir Ymeri”. Ndërkohë, mbaj drejtimin e ekipit të Kukësit, si President i Futbolli i “Klub Kukësit”  prej tre vitesh.  Jam nderuar më shumë çmime, për kontributin në fushën e biznesit,  ndërkohë që për kontibutin e dhënë në fushën e futbollit, qytetarët e Kukësit më kanë zgjedhur me shumicë votash, si “Personalitet i Vitit 2012”. Këshilli Bashkiak i Kukësit më ka shpallur me vota unanime “Qytetar Nderi" i Kukësit.

Ju thoni se vini nga një botë ndryshe nga ajo e politikës, vini nga biznesi. Si i keni hyrë jetës politike?

Unë prej vitesh jetoj në Tiranë, por asnjëherë nuk i kam shkëputur lidhjet me qytetin dhe vendin ku u linda. Ndonëse kam operuar në zona të ndryshme, përmes punës time në biznes, lidhjet me bashkëqytetarët e mi, i kam patur shumë të forta. Në vitin 2014, Kryeministri i vendit z. Edi Rama më kërkoi që ta takoja dhe kështu bëra. Shkova dhe e takova dhe ai më propozoi që të pranoja emërimin si Prefekt i Qarkut të Kukësit. Në fakt, unë duke qenë se prej vitesh kam qenë në biznes, mendova që Kryeministri më bënte këtë ofertë me synimin e mirë që qytetarët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës të kishin një drejtim të duhur të këtij institucioni, por edhe të çonim atje investime që do të ndikonin në përmirësimin e jetës së banorëve. Duke qenë se unë, gjithmonë, kam kërkuar më të mirën për banorët e Qarkut të Kukësit, dhe me disa kushte që unë i vura Kryeministrit për investimet që do çonim në tre rrethet, pranova dhe e kam kryer detyrën e Prefektit të Qarkut të Kukësit, deri në momentin kur ai më kandidoi për bashkinë Kamëz.

A mund të na thoni, ishte e planifikuar që ju do të kandidoheshit për Kamzën apo jo?

Kur unë pranova propozimin e Kryeministrit Rama, për të shkuar në krye të Institucionit të Prefektit të Qarkut të Kukësit, vajta në zonë dhe pashë që problematikat ishin të shumta. Synimi im kryesor ishte zgjidhja e këtyre problemeve dhe në bashkëpunim të ngushtë me z. Rama ne çuam në zonë, jo pak, por 40 milion euro investime, duke zgjidhur përfundimisht disa prej problematikave të zonës. Duke ndërtuar akse të rëndësishme rrugore si Kukës – Krumë, Kukës – Shishtavec, Bajram Curri – Valbonë, Bajram Curri – Markaj si dhe shumë rrugë të Kukësit e Krumës, godina arsimore, terrene sportive, investime në bujqësi, formalizim të sektorit minerar etj. Por, kandidimi im për Kamzën ka qenë një tjetër propozim që z. Rama më ka bërë dhe unë e kam pranuar, po me atë synim që vajta dhe në Kukës: Zhvillimin e Kamzës dhe Paskuqanit dhe njehsimin e gjithë zonës me kryeqytetin, Tiranën.

 Ju  nuk jetoni në Kamëz. E njihni zonën?

Është shumë e vërtetë që unë nuk jetoj në Kamëz, aq sa është e vërtetë që unë e njoh fare mirë Kamzën dhe Paskuqanin. Unë kam jetuar në Kamëz disa vite më pare, por asnjëherë nuk i kam shkëputur lidhjet me këtë rajon,ku jetojnë qindra e mijëra banorë me origjinë nga Kukësi, ashtu siç jetojnë 13 komunitete të tjera, me një bashkëjetesë të shkëlqyer. Kamza dhe Paskuqani kanë një popullsi, me origjinë nga Kukësi, rreth 52 pwrqind dhe ne e kemi në traditë që lidhjet të mos i shkëpusim, çka do të thotë se në njëfarë mënyre unë kam jetuar e bashkëjetuar me problemet që ata i kanë shoqëruar prej vitesh.

Ju thoni se e njihni mirë Kamzën, a mund të na thoni si paraqitet situata në të cilën jetojnë banorët aty?

Sot qytetarët e Kamzës e Paskuqanit jetojnë mes shumë problemeve, të cilat nisin që nga furnizimi me ujë të pijshëm, kanalizimet e ujërave të zeza të lëna në sipërfaqe, mungesën e infrastrukturës rrugore, mungesën e shërbimeve sociale, shërbimit shëndetësor. Ndërkohë, që biznesit po i merret fryma nga taksat e larta dhe ryshfeti. Po ashtu, shtresat e margjinalizuara nuk kanë marrë mbështetjen që u takon dhe po ashtu, ku papunësia është shumë e lartë dhe transporti publik është një plagë për çdo familje. Sot Kamza nuk ka një bashki që u shërben qytetarëve, por një bashki që keqpërdoret nga kryetari i bashkisë bashkë me administratën e tij.

Ju tashmë jeni drejt fundit të fushatës tuaj. Jemi mësuar që Kamza të jetë qendra e konflikteve mes kampeve politike. Si e nisët dhe si po e mbyllni këtë fushatë ?

Është e vërtetë, Kamza ka qenë përherë një "vatër" e konflikteve mes kampeve politike, por unë sapo kam nisur fushatën time e kam orientuar atë në një strategji, me të cilën kam punuar edhe kur kam drejtuar bizneset e mia. Kam takuar derë më derë gjithë banorët, pa dallime partiake, krahine apo ideje, duke iu kërkuar votën për projektin tim të madh, që synoj të zbatoj në Kamëz dhe Paskuqan. Kam bërë një fushatë shumë të qetë dhe ndonëse ka patur disa provokime, stafi im është treguar shumë i kujdesshëm që të mos bie preh e këtyre provokimeve, pasi qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit meritojnë që të kenë një fushatë të qetë, por mbi të gjitha meritojnë që të dëgjojnë dhe shohin projektet që unë kam në platformën time dhe që pas 2 ditësh, me votëbesimin e tyre, unë do nis së zbatuari një më një, këto projekte. Por, të njëjtën gjë nuk mund të them për kundërshtarin tim, i cili gjatë gjithë ditëve të fushatës ka shqetësuar banorët e Kamzës dhe Paskuqanit, duke kërkuar votën me mashtrime, kërcënime ndaj biznesit, apo edhe vënien në praktikë të disa teorive që qytetarët i kanë përbuzur dhe që kanë të bëjnë me gjoja faljen e taksave nga bashkia, mjafton që të votonin për të.

Si e komentoni konfliktin e ndodhur në Paskuqan?

Ai konflikt, siç e kam deklaruar, ka qenë një konflikt totalisht jashtë Partisë Socialiste dhe militantëve të saj. Unë kam inkurajuar policinë që të zbardhë ngjarjen, por jam distancuar prej saj, pasi ajo nuk ka lidhje fare me ne. Kryetari në ikje, me turp, tashmë po krijon konflikte të ndryshme, siç është edhe ai i hyrjes derë më derë i qytetarëve në orët e vona të natës, gjë që është e papranueshme dhe është një shenjë e qartë e humbjes së kontrollit nga humbja e thellë që do të pësojë më 21 qershor.

Z. Gjici, mund të na thoni cilat janë mënyrat e zgjidhjes së problemeve të banorëve të Kamzës dhe Paskuqanit, probleme që ju i listuat edhe më lart?

Sot Kamza dhe Paskuqani, nuk kanë ujë të pijshëm, nuk kanë infrastrukturë rrugore me standarte, nuk kanë ambiente të gjelbëruara. Nuk kanë kopshte, çerdhe, shkolla, terrene sportive apo stadium sporti të duhur. Banorët jetojnë mes papunësisë, varfërisë dhe mungesës së politikave sociale – ekonomike, ndërkohë që biznesit i është marë fryma nga gjobat dhe politikat fiskale negative, të zbatuara ndaj tyre. Sot në Paskuqan, lumi Lana i përmbyt banesat dhe askush nuk i ka ndihmuar banorët. Por, edhe në Kamëz, personat me aftësi të kufizuara, janë totalisht pa mbështetje, gratë kryefamiljare janë lënë në mëshirë të fatit, ndërkohë që qytetarët vuajnë për shërbim shëndetësor, pasi nuk kanë një spital ku mund të marrin shërbime. Për të gjitha këto ne kemi hartuar një program, përmes të cilit do të sjellim më shumë se 100 milion euro investime, ndërkohë që me të ardhurat e bashkisë ne do krijojmë një partneritet efektiv, me qeverinë, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë sa më shumë projekte për përmirësimin e jetës së tyre. Ne synojmë, që menjëherë pas ardhjes tonë në krye të bashkisë, këtë institucion t'ua rikthejmë qytetarëve, pasi ajo është marrë peng nga njerëz pa vizion dhe që nuk i shërbejnë qytetarëve.  Të zgjidhim problemet më emergjente dhe që kanë të bëjnë me sistemimin e të gjithë rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, furnizimin me ujë të popullatës si dhe pastrimin e mjedisit, duke e trajtuar atë si një çështje shumë të rëndësishme. Më pas, puna jonë do të orientohet në projektet e tjera, për rregullimin e transportit publik, do të ngremë zyrën e hartimit të projekteve, por për çdo projekt do të ketë konsulencë me qytetarët. Do të ndërhyjmë në rikonstruksionin e të gjitha rrugëve, në Kamëz e Paskuqan, ndërkohë që do nisim projektin e madh të zgjatimit të Bulevardit "Zogu i Parë" deri tek liqeni. Çështjet e mjedisit, do të marrin interesim të madh, pasi ne do të riformatojmë Ndërmarjen e Pastrimit dhe do të ndërtojmë landfieldin, për grumbullimin dhe përpunimin e mbeturinave. Unaza e Kamzës, do vihet në dispozicion të automjeteve të tonazhit të rëndë, pasi ne do e ndërtojmë këtë vepër, ashtu siç do të ndërtojmë dhe qendrën e Babrroit, tregun e ri agro – ushqimor, do krijojmë Këshillin e Biznesit dhe do ulim taksat dhe tarifat vendore. Ne synojmë që të krijojmë ambientet e duhura për fëmijët, të rinjtë dhe moshën e tretë, ndërkohë që do të ngremë edhe një qendër Shërbimesh Sociale. Gjithashtu,do të caktojmë një drejtori të posaçme për komunitetin Rom dhe Egjiptian, pasi zgjidhja e problemeve të tyre janë në qendër të vëmendjes tonë. Për personat më aftësi të kufizuar do të ketë trajtim të veçantë, për pensionistët dhe invalidët, si dhe për gratë kryefamiljare. Sa i takon shërbimit shëndetësor, ne do të ndërtojmë, brenda 3 viteve, spitalin me 600 shtretër, ndërkohë që fillimisht do të ndërtojmë qendrat shëndetësore dhe do shtojmë personelin. Lidhur me sportin, ne kemi parashikuar që të ndërtojmë një Pallat Sporti dhe do të rikonstruktojmë stadiumin aktual. Po ashtu, do të krijojmë stafet për përgatitjen e ekipeve zinxhirë dhe ekipin e Kamzës do e kalojmë në Superligë, vitin e parë të mandatit. Do të mbështesim dhe sportet e tjera, si basketbolli, mundja, volejbolli etj. Prioritet kryesor i yni, do të jetë shtimi i vendeve të punës, që përmes investimeve do të ndikojnë në zhvillimin e zonës. Por jo vetëm kaq, ne kemi nisur negociatat për sjelljen e dy kompanive fasone, për të punësuar rreth 5 mijë persona.

Programi juaj është shumë ambicioz, mund të na thoni cila është mbështetja e kryeministrit të vendit z. Rama, pasi ju keni premtuar 100 milion euro investime?

Unë jam mësuar të punoj dhe puna ime gjithmonë ka dhënë rezultate. Unë jam njeri i punës dhe jo i fjalëve. Që në momentin e parë, kur Kryeministri Rama më propozoi për kandidimin në Kamëz, unë i paraqita problemet e banorëve të zonës dhe i komunikova që investimet në këtë zonë duhet të jenë të shumta, në mënyrë që Kamza dhe Paskuqani të zhvillohet dhe ky rajon të njehsohet me kryeqytetin, Tiranën. Kryeministri më ka dhënë mbështetjen e tij maksimale, pasi edhe ai kërkon që çdo rajon i vendit të ketë një urbanizim real, jo urbanizim me fjalë, kur në fakt qytetarëve nuk iu interesojnë fjalët por veprat. Pra, Kryeministri dhe qeveria Rama janë në mbështetje të banorëve të Kamzës e Paskuqanit, për të nisur një epokë të re, epokën e zhvillimit.

Po me z. Ilir Meta, çfarë marrëdhënie keni?

Z. Ilir Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë qenë një mbështetëse e fuqishme e punës tonë në këto ditë të fushatës. Por, mbështetja më e madhe do të jetë më 21 qershor, kur gjithë mbështetësit e LSI-së do të na mbështesin me votën e tyre në mënyrë që Aleanca për Shqipërinë Europiane të korrë një fitore historike në Kamëz dhe Paskuqan. Unë jam shumë krenar që kam punuar me shumë të rinj e të reja të LSI-së, strukturat e së cilës janë të konsoliduara dhe që punojnë ditë – natë për fitoren e përbashkët. Me z. Meta kam një marrëdhënie të shkëlqyer gjë që është reflektuar edhe në bashkëpunimin si pjesë e koalicionit fitues, ku ai erdhi dhe më prezantoi edhe në Kamëz, duke më dhënë mbështetjen e tij të fuqishme për projektet që bashkarisht do të zbatojmë sapo të fitojmë zgjedhjet.

Janë dhe dy ditë që na ndajnë nga proçesi zgjedhor. Si e shikoni ju këtë proçes, kur e dini mjaft mirë që Kamza e Paskuqani janë një bastion i djathtë?

Unë jam shumë koshient që qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit nuk duan t’ia dinë për ngjyrat, blu apo e kuqe. Banorët e Kamzës dhe Paskuqanit duan ujë, rrugë, sistemim të kanalizimeve, duan shërbime sociale, shërbim shëndetësor, mbështetje për biznesin, investime në rrjetin energjetik, por mbi të gjitha, duan një kryetar bashkie që e rikthen bashkinë tek komuniteti dhe nuk e fut në xhepin e tij, siç ka bërë kryetari aktual i bashkisë, që e pret burgu për shkak të dënimit të marrë nga Gjykata për "Abuzim me fondet publike".

Duke qenë se ju e cekët këtë çështje, cili është opinioni juaj rreth dënimit të marrë nga drejtësia të kundërshtarit tuaj?

Unë nuk dua të komentoj një vendim, i cili është marrë nga drejtësia dhe mbi të gjitha nuk dua të merrem me kundërshtarin tim. Gjykata dhe Prokuroria janë institucione të pavarura dhe unë i respektoj të gjitha institucionet. Kundërshtari im është një figurë e djegur, pasi ai është i dënuar me burg, për abuzim me fondet publike. Sado që ai u mundua t’ia faturojë këtë proçes  politikës dhe konkretisht Kryeministrit, faktet treguan se ai kishte abuzuar me fondet e destinuara për qytetarët. Sot qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit janë të bindur se nuk duan më një kryetar bashkie, fati i të cilit tashmë është marrë dhe drejtimi i tij do të jetë burgu.

Duke qenë se të dy keni paraqitur programet tuaja, si i konsideroni premtimet e kundërshtarit tuaj?

Unë kam punuar për shumë kohë, me stafin tim dhe ekspertë të fushave të ndryshme, që të paraqes përpara qytetarëve alternativën më të mirë, atë të sjelljes në Kamëz të 100 milion eurove çdo vit. Kundërshtari im ka dalë në fushatë dhe ka bërë premtime, mirëpo, si mund të realizojë investime ai kur qeveria nuk i akordon fonde? Nuk i akordon fonde, sepse është i skeduar si “hajdut" dhe që shërbimet nuk i çon tek qytetarët. Pra, unë e ritheksoj se qytetarët tashmë e kanë vendosur se kush do të jetë kryetari i bashkisë dhe jam i sigurtë se fitorja jonë është e padiskutueshme.

Z.Gjici, cili është mesazhi juaj, për gjithë qytetarët që do hedhin votën më 21 qershor?

Unë i jam shumë mirënjohës të gjithë atyre banorëve që na kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe, mbështetje e cila do të kurorëzohet më 21 qershor, kur ne do të votohemi masivisht, pasi jemi alternativa e duhur për Kamzën e Paskuqanin. Qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit duhet të dalin të gjithë në votime dhe të votojnë “Drejtimin e Duhur”, drejtimin, i cili do u sjellë çdo vit 100 milion euro investime, për të patur një impakt shumë pozitiv në përmirësimin e kushteve të jetesës. Por mbi të gjitha, banorët duhet të votojnë për dinjitetin e nëpërkëmbur deri tani, në mënyrë që bashkia e re, t’ua rikthejë këtë dinjitet. T’i japin fund përfaqësimit nga njerëz që janë tërësisht të konsumuar dhe që janë dënuar nga drejtësia, për të krijuar një marrëdhënie të re bashki – komunitet.

 

SHKARKO APP