Sakja: Projekti i transparencës nga “Republika e re” në Kavajë, pas turpit të PS

Flet për “Koha Jonë”, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Kavajës, Isa Sakja

Intervistoi: Redjon Shtylla

Kavaja më 25 qershor do të votojë në dy kuti votimi, në njërën për parlamentin e ri dhe në të dytën, për drejtuesin e ri të bashkisë. Partia Demokratike dhe dega e saj në këtë qytet, kërkon besimin dhe votën e qytetarëve, për “Republikën e Re” me kandidatin e saj për kryebashkiak, Isa Sakja. Në një intervistë për “Koha Jonë” kandidati i PD-së, Isa Sakja, shprehet se qytetarët e kanë mirëpritur projektin e tij “Për Kavajën”. “Çfarë do mëkati të ketë Partia Demokratike në Kavajë nuk mund të ketë shenjë barazimi midis këtij mëkati dhe turpit të socialistëve”,-thotë Sakja. PD-ja pas humbjeve të thella në zgjedhjet vendore të 2011 dhe ato të 2015, këtë herë kërkon fitoren me një figurë të njohur në qytet, që prezanton një projekt ku sjell pranë qytetarit shërbimet publike. Sakja kërkon besimin për projektin që premton transparencë llogaridhënie dhe konsultim publik për çdo vendimmarje me qytetarin.

PD kërkon fitoren në Kavajë pas dy humbjeve të thella në zgjedhjet lokale. Duke analizuar gabimet e PD-së në Kavajë, pse mendoni se këtë herë del forca e parë dhe ju kryetari i bashkisë?

Partia Demokratike e degës së Kavajës ndodhet në një sfidë të dyfishtë në këto zgjedhje; ajo është e përfshirë në dy beteja, atë të zgjedhjeve parlamentare që vijnë natyrshëm dhe zgjedhjet lokale që vijnë si pasojë e betejës heroike të Partisë Demokratike në Parlament për ligjin e dekriminalizimit. Pra kemi zgjedhje lokale, sepse ish-kryetari i bashkisë, Elvis Rroshi dha dorëheqjen si subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Përse e theksoj këtë gjë? Sepse çfarë do mëkati të ketë Partia Demokratike në Kavajë nuk mund të ketë shenjë barazimi midis këtij mëkati dhe turpit të socialistëve.

Si ju erdhi ftesa për të qenë kandidat për kryetar, pasi në media u përfolët edhe si kandidat për deputet?

Sikundër e dini, unë jam kryetar i Partisë Demokratike për qytetin e Kavajës. Partia Demokratike u përfshi para pak kohësh në një konsultim të gjerë me strukturat e saj si edhe i ftoi qytetarët që të votojnë për emrat për deputetë sipas disa kritereve. Anëtarësia e Partisë Demokratike e degës Kavajë, më ka propozuar gati njëzëri për të garuar për postin e kryetarit të Bashkisë së qytetit. Në portalin ku Partia Demokratike ftoi qytetarët të propzonin kandidatin e tyre për deputet, ndoshta qytetarë të ndryshëm mund të më kenë propozuar për kandidat për deputet dhe meqë lajmet për kandidatët për deputetë mbështeshin kryesisht tek propozimet në portal, ndoshta u përfola edhe për atë post. Gjithsesi unë e kam me pasion punën me komunitetin dhe ndjehem i vlerësuar nga ky propozim që sigurisht i finalizuar më erdhi nga kryetari i Partisë Demokratike z.Lulzim Basha pas një takimi mbi këtë çështje.

Si po ju presin kavajasit në takime? Cilat janë disa nga shqetësimet që ju shprehin ata? Çfarë ju kërkojnë?

Takimet me qytetarët e Kavajës në kuadër të agjendës së fushatës i kemi menduar në dy javët e para si takime në formën e bashkëbisedimit. Kjo në funksion të bashkëngjitjes me projekt programin e bërë nga ekspertët më të mirë të Partisë Demokratike të mendimeve, sygjerimeve të qytetarëve që ne të kemi në këtë mënyrë një projekt të përbashkët për qytetin. Gjej një entuziasëm shumë të madh në këto takime për fitoren e Partisë Demokratike. Po na presin siç dinë të presin kavajasit me dashuri, urti dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. E ndjej që kanë besim tek ekipi i ri që ka krijuar Partia Demokratike, ndaj janë kaq të shumtë në numër. Shqetësimet e tyre përputhen me projektin tonë, ata kërkojnë përmirësim të ekonomisë së tyre familjare, shërbime publike më pranë qytetarit dhe mbi të gjitha kërkojnë të respektohen dhe jo të përbuzen e të trajtohen me arrogancë  në shqetësimet e tyre, siç ka ndodhur fatkeqësisht këto vite dhe të marrë fund monopolizmi i bizneseve.

Kandidimi juaj në emër të PD-së është gur i sigurt për fitoren? Duke parë edhe garën e zgjedhjeve të përgjithshme ku nuk ka koalicione, si e shihni rezultatin e PD në nivel kombëtar?

Partia Demokratike e degës së Kavajës, ka një vit që ka ndërtuar një ekip sfidues ku kombinohen tradita e demokratëve me energjitë e të rinjve dhe është një strukturë e mirëorganizuar, e disiplinuar dhe entuziaste për fitoren. Kandidimi im është propozim i strukturës që është mirëpritur në qytet, sikundër e dëshmojnë takimet tona të mëdha dhe ato derë më derë. Unë jam kryetar i degës lokale dhe punoj dhe loboj çdo minutë të ditë-natës për fitoren e Partisë Demokratike në të dy garat. Unë kam besim se që të dyja këto gara do të fitohen në Kavajë. Shoh me shumë gëzim që qytetarët e kanë mirëpritur projektin e Republikës se Re të Lulzim Bashës dhe projektin tim “Për Kavajën”. Ne po punojmë fort në çdo qelizë të qytetit, l me çdo qytetar, që ta ndërgjegjësojmë mbi dallimet që kanë në platformë, filozofi, qëndrime Lulzim Basha me Edi  Ramën. Unë jam besimplotë tek fitorja jonë.

Jeni diplomuar në shkencat sociale, në psikologji. Si keni parë rolin e psikologut në shkolla dhe në çdo institucion, ku kerkohet prezenca e tij?

Shoqëria jonë po bëhet gjithmonë e më shumë një shoqëri intensive. Pritshmëritë mbi zhvillimet pozitive që duhet të kishin ndodhur tashmë në Shqipëri, moskapërcimi i krizave ekonomike, pafuqishmëria për të rritur nivelin e jetesës, problemet që ka sjellë kanabizimi i shoqërisë, sundimi arrogant i krimit rëndojnë psikologjikisht njeriun por më shumë fëmijët dhe të rinjtë. Në këtë këndvështrim, roli i psikologut është bërë një dosmosdoshmëri. Që psikologu të kryejë rolin e tij duhet që të punësohen psikologë të aftë, gjë që vjen nga një konkurim i ndershëm dhe transparent. Se është sigurisht mirë të kesh psikologë në shkolla apo institucione, por jo për statistikë. Do të qe shumë mirë të kesh psikologun e duhur që dashuron profesionin e tij dhe di të jetë në lartësinë profesionale, që kërkon ky profesion. Mua shkollimi në këtë degë, më ka ndihmuar të njoh më mirë labirinthet e personalitetit të njeriut.

Një ndër problemet e qytetit është mungesa e ujit dhe higjena. Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit, furnizmit me ujë dhe kanalizimeve në komunat bregdetare?  

Fatkeqësisht Kavaja është një qytet pa furnizimim 24 orë me ujë të pijshëm. Uji vjen një herë në ditë, rreth orës 5 të mëngjesit. Ky është një skandal. Në çdo takim që zhvilloj, kërkoj ndjesë për këtë situatë, për atë pjesë të faji që kanë ish-drejtuesit demokratë të qytetit. Sepse ky është një detyrim që më buron nga posti i kryetarit të Partisë. Unë nuk dua të bëj një premtim për premtim të rradhës, por pa asnjë mëdyshje projekti im për qytetin do të synojë finalizimin e këtij premtimi të pambajtur nga  të gjithë ish-drejtuesit lokalë. Pastrimi i qytetit është një nga shërbimet publike që ka për detyrë të mbikqyrë bashkia. Unë besoj se situatë e mospastrimit vjen për shkak të abuzimit me fondet publike. Do t’ju ofroj një shembull: Vetëm për zonën Synej, Helmas, Luz paguhen për këtë shërbim rreth 30 milionë lekë në vit, vetëm për zonën e Synejit rreth 12 milionë lekë. Në kohën e drejtimit të kësaj komune nga Partia Demokratike shpenzohej për të njëjtin shërbim 3 milion lekë në vit. Dje kishim një takim në Synej, në sheshin e tij. Kanali që kalon anash sheshit ishte i mbushur me plehra dhe shkurre e bimë të tjera të egra. Vetëm ky fakt mjafton për të çuar në konkluzionin se këto para nuk shkojnë për pastrim por në xhepat e dikujt. Një fakt tjetër po kaq domethenës që lidhet me shqetësimin tuaj është që ujerat e zeza derdhen në det në zonën turistike të Golemit. Kjo sepse nuk është investuar tek filtrate e përpunimit të ujërave të zeza. Paratë janë dhënë, filtrat nuk janë. Unë kam denoncuar këtë aferë korruptive në një takim publik me banorët e Golemit. Projekti ynë për Kavajën vë në qendër qytetarin dhe premton transparencë llogaridhënie dhe konsultim publik për çdo vendimmarje. Vetëm transparenca është ajo që i jep fund abuzimit më paratë e taksapaguesve. Unë do të orientoj çdo vendimmarrje drejt transparencës së plotë.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj në ndihmë të sektorit të bujqësisë së bashkisë së Kavajës si për zonat fushore dhe ato kodrinore?

Bashkia e re e Kavajës kupton në gjirin e saj qytetin e Kavajës ( ish-bashkia Kavajë) edhe katër njësi administrative ish komuna (Golem, Synej, Luz i vogël dhe Helmës). Drejtuesit aktualë të bashkisë e kanë harruar këtë fakt ose ndoshta nuk e dinë ende. Kjo nisur nga investimet që në këtë zonë janë zero. Për Partinë Demokratike dhe projektin tonë për Kavajën, politikat, aksionet vihen që të gjitha në funksion të qytetit i cili trajtohet si i barabartë pavarësisht cepit të bashkisë ku ai jeton, pavarësisht bindjes politke, apo përkatësisë fetare apo të grupit. Vëmendjen tonë ndaj fermerëve të zonës do ta zbërthejmë me krijimin e një fondi të posaçëm për ta; Ndërhyrjet në pastrimin e e kanaleve ekzistuese, fuqizimin me pompa të rezervuarëve aty ku ka rezervuarë me qëllim shtimin e sipërfaqeve  që sigurojnë ujë për vaditje, sigurimin e pesticideve falas me qëllim mbrojtjen e prodhimeve bio, këshillim falas për fermerët e zonës, krijimin e panaireve dy herë në vit për të të promovuar prodhimet e zonës etj do t’i mbulojë ky fond si edhe projekte të mbështetura nga donatorët që janë të interesuar për zhvillimin e kësaj fushe.

Në opinionin publik është krijuar ideja se zgjedhjet në Kavajë, janë një luftë e fortë mes tre forcave politike: PS, PD,LSI? Si e kaluat trysninë para 7 majit dhe këto ditë, a duken më të qeta?

Shqipëria është që prej dhjetorit 1990 një shoqëri pluraliste. Gara elektorale duhet të jetë e tillë, pra me pjesëmarrjen e forcave të ndryshme politike që shpalosin platformat, idetë e propozimet e tyre. Në këtë garë për postin e kryetarit të bashkisë së Kavajës konkurrojnë tre subjekte, pra ky kusht i garës është plotësuar, jemi brenda një konkurrimi pluralist. Paragara elektorale ajo e parashikuar të zhvillohej më 7 maj ishte një kërkesë për votime moniste, një kthim prapa. Qytetarët e Kavajës mirëpritën fushatën tonë ndërgjegjësuese për të përdor u instrumentin e abstenimit për të mos u bërë pjesë e një farsë elektorale ku nuk kishte zgjedhje por votime. Në këtë fushatë Partia Demokratike dhe oferta e saj elektorale është mirëpritur gjerësisht nga qytetarët e Kavajës. Fushata  e Partisë Demokratike po zhvillohet qytetare, sikundër e kupton  dhe e kërkon kultura e qytetit, kryesisht e bazuar në fushatën derë më derë. Këto kontakte besojmë se na çojnë më anë të qytetarit dhe na rrisn përgjegjësinë para tij, që nesër në drejtimin e bashkisë së Kavajës dhe të gjithë Shqipërisë. Kjo na shton angazhimin që nesër në krye të Bashkisë të jemi në shërbim 24 orë të tyre, të sjellim pranë qytetarit shërbimet publike dhe mbi të gjitha të përmirësojmë ekonominë e tij. Vetëm kështu e nesërmja e tyre do të jetë më e sigurtë.

SHKARKO APP