Salianji: Në PD nuk ka ndërthurje mes përvojës dhe imazhit të pakonsumuar
Flet për “Koha Jonë”, sekretari për Aksion Qytetar në PD, Ervin Salianji
Intervistoi: Redjon Shtylla
Debati për riorganizimin e strukturave të PD-së ka pasur kritika. Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, sekretari për Aksion Qytetar, Ervin Salianji doli kundër sepse munguan, sipas tij, propozime ndaj figurave të reja që i nevojiten opozitës. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Salianji shpjegon idenë se: “Në këtë grup pune,vërej se nuk ka ndërthurje mes përvojës dhe frymës së të ardhmes dhe imazhit të pakonsumuar”. Më tej ai ka komentuar si po qëndron ekipi “Basha”, rezistenca e PD-së dhe planet për zgjedhjet e ardhshme.
Në debatin e kryesisë për grupin e punës në 12 qarqet që u caktuan ish-ministrat e Berishës, ju i keni quajtur të konsumuar, por Basha i quan me përvojë. Pse mendoni që ish- ministrat nuk janë të duhurit për zgjedhjet e 2017-ës?
Debati dhe diskutimi në forumet e Partisë Demokratike është diçka normale. PD është parti e themeluar mbi vlerat e lirisë dhe forumet janë për të marrë vendime kolegjiale se si mund të funksionojë më mirë, për të qenë bindëse dhe për të kthyer besimin dhe shpresën te shqiptarët pas tre vjet qeverisje të degraduar të rilindjes. Qeverisje në shërbim të një grushti njerëzish që po pasurohen dhe shkatërrojnë Shqipërinë për interes vetjak. Personalisht vlerësoj çdo kontribut të gjithsecilit. Ajo listë ka themelues të PD-së, ka njerëz me kontribute të gjata në parti, të cilët me eksperiencën e tyre duhet t’i shërbejnë demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë në funksionet jo të vogla që kanë si deputetë të Kuvendit, apo funksionarë të lartë partiakë. Lista nuk mund të qortohet te emrat e përveçëm, por te bashkimi i këtyre emrave dhe te imazhi që krijon ky bashkim. Vërej se nuk ka ndërthurje mes përvojës dhe frymës së të ardhmes dhe imazhit të pakonsumuar. Unë e refuzoj debatin “kush ka qenë ministër ka kontribut më shumë se dikush që ka qenë komisionar në çdo palë zgjedhje” apo më shumë se simpatizanti dhe anëtari që ka qenë në mbështetje të plotë të PD, pa asnjë interes të drejtpërdrejtë, por vetëm ka besuar dhe beson te PD si forcë e lirisë dhe e realizimit të aspiratave të tyre politike. Kryesia vendosi që emrat të jenë ata që janë bërë publike duke zgjedhur përvojën dhe eksperiencën për organizimin e brendshëm, organizim dhe delegim që do të përfundojë më 31 korrik.
Nuk duhet harrojmë që ekipi “Basha”, në mbledhjet e grupit kritikohet për qëndrimin e se qëndron pas hijes të z.Berisha se gjithmonë një hap pas nga ish-Kryeministri? A e ul besimin e të rinjve për z.Basha?
Nuk ka diferencë Basha apo Berisha. Berisha është simboli i Partisë Demokratike dhe politikani që ka kontribuar më shumë në këtë vend dhe po vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm për Shqipërinë duke qenë në mbrojtje të interesit publik. Basha është kryetari i partisë dhe ekipi Basha është që nga adërtari më i thjeshtë deri te nënkryetarët. Kryetari i partisë vlerëson se kush duhet të mbajë qëndrime të caktuara apo cila është linja që do të ndjekë Partia Demokratike kështu që këtë dualitet e motivon dhe nxit dyshja Rama-Meta për të mbuluar krisjen e fortë që kanë mes tyre.
Si u vendos ky grup pune dhe a ka zëra të tjerë kundër këtij vendimi të kryesisë? Çudia në këtë grup është që znj.Topalli dhe z.Patozi nuk janë në asnjë qark, u lanë qëllimisht jashtë?
Në çdo forum kam shprehur vlerësimin tim për kontributet e tyre. Diskutimi në mbledhjen e kryesisë nuk ka qenë për emra, por për parim.
Cilat janë problemet më të mëdha që përballet sot qytetari shqiptar? Si e gjykoni punën e PD-së, ku ka punuar mirë dhe ku ka gabuar? Shkurtimisht çfarë po sjell PD-ja?
Në realitet Shqipëria është në revoltë në çdo cep, pavarësisht se sa pasqyrohet në media. Brenda një muaji qytetarët kanë protestuar nga Malësia e Madhe, në Vlorë për nxjerrjen nga shtëpitë, në Korçë, Dibër, Lushnje dhe kudo. Kjo është beteja jonë e përditshme, e cila me një qeveri si kjo që fut në burg për 30 mijë lekë faturë dritash, apo që nxjerr jashtë stadiumit persona publikë të rëndësishëm, në një qeverisje, ku kriminelët kërcënojnë majat e institucioneve nuk mundet të pritet që opozita të bëjë “mbishtetin”. PD është dhe do të jetë në çdo cep të vendit për t’i dhënë zë dhe shpresë çdo shqiptari që përballet sot me varfërimin e përditshëm dhe frikën nga dhuna e pushtetit. Në Tiranë, masakrës së Parkut të Liqenit i jemi përgjigjur me protestat tona, të cilat kanë qenë vazhdë dhe të pa ndala. Partia Demokratike ka mbështetur protestuesit e shoqërisë civile, ka ndërgjegjësuar qytetarët e Tiranës, ka bërë kallëzime në prokurori për Kryebashkiakun, ka ndërmarrë nisma për të mbështetur qytetarët në mbrojtje të parkut, ka kërkuar referendum për të pyetur qytetarët nëse e duan ose jo ndërtimin dhe betonizimin e parkut. Ka paraqitur disa kërkesa në Këshillin Bashkiak, është çdo ditë në terren duke i shpjeguar qytetarëve të Tiranës së çfarë po ndodh me betonizimin e qytetit dhe është zotuar që kur të jetë në pushtet do të mbrojë me ligj dhe me çdo mjet parkun e Tiranës! Në këndvështrimin tim pas 25 vitesh pluralizëm kësaj opozite i ka rënë përgjegjësia të luftojë në shumë më shumë fronte. Situata politike është aq komplekse dhe e dhunshme sa për herë të parë ambasadorët më të rëndësishëm në vend detyrohen të flasin me emra konkretë. Aksioni ynë i dekriminalizimit është fitore e madhe. Qëndrimi ynë për mos kapjen e drejtësisë po ashtu. Ndërgjegjësimi ynë ndaj ndërkombëtarëve që Partia Demokratike realizon standard demokratik në zgjedhje është një arritje. Pas 25 viteve thuajse çdo denoncim politik po shoqërohet me paraqitje dokumentacioni dhe kallëzimi në organet përkatëse. Ndërkohë të gjitha kapacitetet janë angazhuar që të kemi një program alternative qeverisëse dhe do të kemi programin qeverisës një vit para zgjedhjeve, çka bën të mundur plotësimin e tij në çdo pikë me qytetarët dhe grupet e interesit.
Si ka funksionuar deri më tani Sekretariati për Aksionin Qytetar? Çfarë planesh keni për në vazhdim dhe a do të ngriheni në protesta siç dëshirojnë disa nga figurat e vjetra të partisë?
Shqiptarët janë në protestë, PD është pranë tyre kudo. Si sekretar për aksionin qytetar këtë periudhë, si koordinator apo drejtues departamenti më parë, unë kam shkelur në të gjithë Shqipërinë duke biseduar me qytetarë dhe struktura të partisë, njerëz që japin djersë, kontribute, përplasen me qeverinë dhe rrezikojnë biznesin te tatimet, humbjen e vendit të punës, mungesën e shërbimeve, terrorin policor apo dhe kërcënimin e banditit te dera e shtëpisë. Kam mirënjohje pafund për çdo demokrat të vërtetë e të devotshëm. Do të punojmë me ta dhe për ta po njësoj, për t’i dhënë zë dhe shpresë problemeve dhe halleve të tyre, tashmë jo vetëm me denoncime apo ndihmë ligjore, por dhe me alternativë dhe program konkret të përfunduar nga departamentet e Partisë Demokratike.
Po rezultojnë efektive turet e z.Basha, “Takim me Qytetarin”?
Absolutisht siç e keni parë turi i z.Basha ka qenë plotësisht efektiv, politika bëhet për qytetarin dhe aty ku janë qytetarët. Basha po i dëgjon qytetarët, grupet e interesit, faktorët e ndryshëm shoqërorë dhe po i jep Shqipërisë një ofertë të re. Ofertë me program konkret të përgatitur nga Partia Demokratike për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe degradimi qeverisës i rilindjes.