Selami: Rezultati i zgjedhjeve jo befasues, shenjat dukeshin

Kandidati për kryetar të PD, Eduard Selami, i ftuar në emisionin “Top Story” në Top Channel ka deklaruar se humbja e PD në zgjedhjet e 25 qershorit ishte e pritshme.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Sokol Balla, Selami ka nënvizuar se disfata ka ardhur së pari për gabime të brendshme të PD dhe lidershipi i saj, që sipas tij shkelën statutin e partisë.

Sokol Balla: Zoti Selami, a ishte i papritur ky rezultat i dobët i Partisë Demokratike?

Eduard Selami: Shenjat dukeshin, kishte një qetësi që nuk më pëlqente. Në 2013-tën ne dolëm në opozitë dhe ne nuk e morëm mesazhin e popullit. Ishim një opozitë me kokën prapa dhe rezultati nuk është befasues.

Sokol Balla: Është thënë se Basha nuk i shpëtoi dot hijes së rëndë të Berishës dhe ndikimi i tij duket se ishte lista e 25 qershorit, ku u latë jashtë ju dhe figura të tjera historike të PD. A ndikoi lista e Bashës në humbje?

Eduard Selami: Kjo nuk është shkencë ekzakte. Shqetësimi i parë nuk ishte problemi i emrave. Por si mund ta quash dalje nga hija kur lista u hartua në mënyrë personale? Nuk u zbatua statuti. Kur ne në shtëpinë tonë flasim hapur për problemet, atëherë mund t’i ndryshojmë gjërat. Unë e kam mbështetur listën sepse ishte shumë vonë. Kur ne të vendosim meritokraci dhe konkurrencë do të mund të ndryshojmë dhe të sjellim një frymë të re. Basha e kishte këtë rast dhe nuk e përdori, prandaj jemi këtu. Duhet ta vendosë baza listën, jo demokrati, apo edhe socialisti.

Sokol Balla: Ju morët pjesë në fushatë. Sa e vështirë ishte të merrje pjesë kur ju e dinit që nuk do të ishit pjesë e Kuvendit?

Eduard Selami: Aspak. Problem nuk është kjo, problemi është kultura. Po guxove të kundërshtosh kryetarin je jashtë. Kjo është histori e shëmtuar sepse nuk është çështje personash, por çështje demokracie. Nëse ia pret je në autoritarizëm dhe jo në demokraci. 20 kryetarë të degëve rajonale të PD u hoqën pa u lajmëruar fare. Këto janë probleme që kemi prej 20 vjetësh.

Sokol Balla: Ju jeni përfaqësuesi i parë i PD që flisni pas humbjes. Ata që e njohin PD thonë se është një makineri e vërtetë elektorale. Pra, baza e PD është ndër më aktivet të saj. Përse nuk funksionoi?

Eduard Selami: Marrim rastin tjetër me pushtetin lokal. U zgjodhën kandidatët për kryetarë bashkie? Këto janë kompetencë e bazës, nuk u bë kështu. Prandaj duhet një debat i pastër, jo për t’i drejtuar gishtin një njeriu por për të bërë gjërat më mirë.

Sokol Balla: Mungojnë 200 mijë vota dhe ka një përputhje mes 200 mijë votave që i mungojnë PD-së dhe 200 mijë që mungojnë në shkallë kombëtare. Duket sikur 95 për qind e atyre që nuk kanë shkuar në votime janë mbështetës të PD. Por Basha tha dje se rezultati u cënua nga shit-blerja e votave. Por ato thjesht kanë ndenjur në shtëpi. A e besoni këtë tezë të Bashës?

Eduard Selami: Nuk mund të mohosh një fenomen të shëmtuar që ekziston në Shqipëri dhe këtu është fajtore edhe PD, edhe PS, edhe LSI. Këto janë disa probleme që vetëm duke zgjidhur problemet e brendshme do të mund t’i zgjidhim. Por kjo nuk mund të përdoret si alibi. Nëse ne duhet të kthehemi në forcë shprese, ne duhet të vendosim më parë rregull në shtëpinë tonë.

SHKARKO APP