Senatori finlandez: Ja pse e mbështesim Shqipërinë

Marrëdhëniet Shqipëri-Finlandë janë gjithnjë e në rritje dhe bashkëpunimi është në shumë fusha. Përveç mbështetjes politike, Helsinki kontribuon edhe në projekte të ndryshme zhvillimore si p.sh. në zbatimin e Projektit të Binjakëzimit për mbështetjen e zgjidhjes alternative të konflikteve në Shqipëri. Gjatë dy dekadave të fundit Finlanda ka mbështetur vazhdimisht procesin integrues-anëtarësues të vendit tonë në BE, fillimisht për përfundimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociiimit, më pas për marrjen e Statusit të Vendit Kandidat dhe, në vijim, për arritjen e objektivit për anëtarësim. Ja ç’tregon Senatori finlandez Markus Aaltonen, për raportet mes dy vendeve:

***

Si i konsideroni marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Finlandës?
“Ja pse ky vit është një vit i veçantë për të dy vendet tona: ne jetojmë shumë larg njëri-tjetrit dhe ndoshta shumica e njerëzve i dinë se sa keq janë kushtet dhe situatat në vendet e tjera, por unë mendoj se vitet e fundit kemi bërë një pune të mirë në të dyja vendet, si në Finlandë ashtu edhe në Shqipëri, në mënyrë që të njihemi më nga afër me njëri-tjetrin. Veçanërisht në Finlandë, Konsullja e juaj e Përgjithshme, Dr. Liliana Verdha, ka bërë një punë të mirë në aspektin ekonomik dhe kulturor dhe është një mikeshë e mirë e imja. Kemi bashkëpunuar shumë me të.”

Si i konsideroni marrëdhëniet midis dy vendeve tona – Shqipërisë dhe Finlandës?
“Shqipëria dhe Finlanda janë që të dyja vende të vogla. Ne jetojmë larg njeri-tjetrit gjeografikisht, por gjatë viteve të fundit marrëdhëniet tona janë bërë shumë më të afërta. Kemi arritur ta njohim më mirë njëri-tjetrin, sidomos puna e Konsulles suaj të Përgjithshme të Nderit Liliana Verdha në Helsinki – ajo ka bërë vërtet një punë të mirë. Unë e kam vizituar shpesh vendin tuaj dhe kjo është hera e katërt që jam këtu. Kam dash të bëj më shumë, por puna s’më lë.”

Cili është mendimi i finlandezëve për Shqipërinë, apo, më mirë të themi a ka një opinion për Shqipërinë në Finlandë?
“E po shumica e njerëzve mbajnë mend epokën e vjetër komuniste, që është ende në mendjen e tyre. Do të duhet kohë që të ndryshohet. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndryshuar këtë mendim për Shqipërinë.”

Në cilët sektorë mendoni se duhet të zgjerojmë bashkëpunimin tonë?
“Në sektorin e kulturës ne kemi bërë shumë. Ka disa libra të përkthyer nga finlandishtja në shqip si dhe disa libra shqip të përkthyer në finlandisht. Ne kemi pasur shkëmbime veprimtarishë kulturore – artistë shqiptarë të nivelit më të lartë kanë vizituar Finlandën. Gjithashtu, në Panairet e Turizmit Shqipëria është prezantuar si në Helsinki ashtu dhe në pjesë të tjera të Finlandës.”

Ne ndodhemi përballë një procesi mjaft të rëndësishëm – hapjes së negociatave për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. A e mbështet Finlanda Shqipërinë për këtë proces?
“Po, patjetër. Por ne jemi pro kushteve që Bashkimi Evropian (BE) i ka vënë Shqipërisë si të domosdoshme për t’u plotësuar për anëtarësimin e saj në BE, duke theksuar ato në Sistemin e Drejtësisë. Mendoj se keni përpara një rrugë të gjatë për të bërë. Por, ka rëndësi ta ndihmojmë Shqipërinë në përpjekjet e saj.”

 Presidenti Bujar Nishani ju ka vlerësuar sot me titullin “Për merita të veçanta civile”. Ç’kuptim ka kjo dekoratë për ju dhe Shoqatën që përfaqësoni!
“Natyrisht, është një nder i madh për ne, sepse kjo është hera e parë që finlandezët marrin dekorata të tilla nga një President Shqiptar. Me që ra fjala, ky është një vit mjaft i veçantë përsa u përket marrëdhënieve Shqipëri-Finlandë, sepse marrëdhëniet tona diplomatike filluan gjashtëdhjetë vjetë më parë.”

Ju keni vizituar vendin tonë katër herë. Çfarë ndryshimesh keni vënë re midis vizitës suaj të parë dhe të katërt?

“Një ndryshim të jashtëzakonshëm. Herën e parë që kam vizituar Shqipërinë ka qenë viti 1979. Atëherë e shifja ende mjaft kuaj nëpër rrugë. Ndërsa tani rrugët janë të mbushura me vetura moderne, duke shkaktuar probleme trafiku. Dhe shqiptarët ngasin me shpejtësi të madhe, më beso!” – ATSH.

SHKARKO APP