Servet Pëllumbi ngacmon Ramën: Nuk ka fitore nëse injorohet partia
Ish-kryetari socialist i Kuvendit, Servet Pëllumbi i vë rezultatit të arritur nga mazhoranca në zgjedhjet vendore 3 nota: shumë i mirë, i mirë dhe i mjaftueshëm.
Kjo sipas tij, në bazë të këndvështrimit dhe faktorëve që kanë ndikuar në të. Sipas z. Pëllumbi, rezultati në numër kryetarësh bashkie dhe këshilltarësh është i mirë, ndërsa ai i pjesëmarrjes së votuesve, i mjaftueshëm. E sa i përket pjesëmarrjes së ulët në votime, ai thekson se kjo kërkon një analizë. Ndërkohë që rritjen e mbështetjes së LSI-së, ai e shikon si rrjedhojë e fenomenit të unitetit.
Profesor, është bërë traditë për ne që në ditëlindjet e PS-së të kemi dhe një urim tuajin…
Vitin tjetër përvjetorin do ta festojmë me një anëtarësi prej 150 mijësh. Për mua, ky është urimi më i mirë dhe duhet mbështetur me të gjitha forcat.
Kjo tregon që duhet të ketë një krehje dhe një hapje të partisë…
Kjo tregon që nuk ka fitore në qoftë se injorohet partia.
Këshillat tuaja kanë zënë gjithmonë vend…
Unë nuk kam dhënë ndonjë këshillë të veçantë, por kam dhënë mendimin tim.
Si ju duk rezultati i zgjedhjeve?
Rezultati është shumë i mirë, i mirë dhe i mjaftueshëm. Pra i ka të tria këto nota.
A kanë marrë partitë e koalicionit vota nga PS-ja?
Numri i kryetarëve të bashkive ishte shumë i mirë, numri i këshilltarëve ishte shumë i mirë, numri i votuesve ishte mjaftueshëm.
Dmth, ka ndikuar në uljen e numrit të votave të mazhorancës pjesëmarrja në votime?
Fituesi nuk diskutohet, nuk gjykohet. Unë mendoj se në radhë të parë, sot duhet t’i gëzohemi dhe fitores dhe pastaj nëse lind nevoja për analiza, do të bëhen edhe ato.
Po 140 mijë votues që munguan nga zgjedhjet e kaluara, që duken se janë të majtë, si i vlerësoni?
Mund të jetë dhe ashtu, por ajo kërkon analizë. Ajo duhet analizuar. Nëse janë të majtë, atëherë i duhet thirrur mendjes dhe duhen marrë menjëherë masa. Por unë mendoj se këtu përfshihen edhe emigrantët që kësaj here nuk u tërhoqën në votime, prandaj dhe ishin më pak se më 2013-n.
Po fuqizimin e LSI-së si e shihni në këto zgjedhje?
Fuqizimi i LSI-së është i lidhur ngushtë me konceptin e unitetit. Bashkimi i së majtës i ndihmon edhe pjesët. E tëra ndihmon pjesët.