Shenasi Rama: Lëvizje e re politike në Shqipëri
Shenasi Rama, ish-student i dhjetorit, themelues i Partisë Demokratike dhe intelektual i Forumit “Rrethi i Ferrit”, në një intervistë p♪7r "Top Channel" flet për gjendjen aktuale ku ndodhet vendi. “Ky vend aktualisht gjendet në një krizë të thellë morale, shoqërore, të vlerave dhe tashmë pas humbjes së burimeve që vinin nga emigrantët jemi të zhytur deri në fyt në borxhe të huaja; jemi një vend, i cili është në prag të kolapsit politik; me një sistem drejtësie që nuk funksionon; me një shoqëri e cila është e paralizuar dhe kjo gjendje është thellësisht tragjike. Në vitin 1990 ne kishim një shpresë të madhe". Shenasi Rama zbuloi edhe të pathëna deri tani të Lëvizjes Studentore të vitit 1990. “Çdo gjë që ne kemi bërë në atë periudhë dhe më pas i ka shërbyer këtij qëllimi. Ama ajo që ka ndodhur është që paria sunduese edhe ajo që është e pathënë nga dhjetori i vitit 1990 është që ne nuk kemi pasur asgjë të përbashkët me intelektualët e Tiranës. Ne i kemi mbajtur në distancë, nuk jemi pajtuar me ta, i kemi izoluar”, u shpreh Shenasi Rama, ish-student i dhjetorit.
***
Pyetja e parë ka të bëjë me ngjarjen e 8 dhjetorit 2015, me protestën e opozitës. Si e keni parë këtë protestë që në fakt përkujtonte 25-vjetorin e Lëvizjes Studentore.
Ajo protestë nuk mundet të përkujtojë Lëvizjen Studentore. Ajo ishte thjesht një përdorim i ndjenjave të pakënaqësisë që po përjetojnë masat e popullit dhe në veçanti vegjëlia, skamnorë, të varfrit, të përjashtuarit nga sistemi, për interesa e parisë politike. Kjo është parë qartë si në kontrastin e jashtëzakonshëm të njerëzve që duan punë dhe jetë më të mirë dhe të parisë politike që i përdor për qëllime politike. Kur shikon njeriu që në tribunë ishte Klani i Zemunit, të gjithë të veshur me rroba të shtrenjta, me orë nga 70 mijë euro, atëherë natyrshëm lind pyetja se për çfarë ngrihen këto njerëz? Ata njerëz nuk ngrihen për të mirën e shqiptarëve, por thjesht për interesat e tyre dhe e përdorim popullin. Në traditën shqiptare kjo nuk të habit, por na habit ne që vijmë nga jashtë mënyrë e paskrupullt me të cilën përdoren njerëzit.
Kam përshtypjen që ju e shikoni më ndryshe nga ne që jetojmë këtu gjithçka po ndodh në vendin tonë.
Ne e shikojmë ndryshe sepse jemi jashtë kësaj mendësie. Ne nuk jetojmë në këtë vorbull dhe në këtë nivel marrëzie kolektive në të cilën është përfshirë i gjithë shteti shqiptar. Për hir të mbrojtjes së interesave të oligarkisë politike nga të gjitha anët, populli përdorohet, manipulohet dhe i nguliten në kohë mënyra dhe metoda sjelljes, të cilat janë tërësisht të papranueshme në çfarëdo sistemi, jo vetëm demokratik, por edhe në sisteme të tjera. Njerëzit kanë mënyra dhe metoda të tjera për ta shprehur pakënaqësinë e tyre dhe jo thjesht për ta kthyer një bunker në një furrë. Kë po dënon? Të gjithë njerëzit që po udhëheqin protestën janë bërë miliarderë thjesht nga përdorimi i shtetit dhe nga vjedhja e korrupsioni. Për çfarë proteston? Për asgjë.
Nëse nuk do të kishte ndodhur kjo protestë e fundit, atëherë biseda jonë do të fokusohej në atë që ndodhi çerekshekulli më parë Lëvizjen e Studentëve në vitet ’90. Ku jemi ne sot pas çerekshekulli në këndvështrimin tuaj?
Ne tani mund të themi se kemi një masë të madhe njerëzish, rreth 250 mijë apo 300 mijë që jetojnë mirë, kemi rreth 4 përqind të popullsisë që ka mbledhur një pasuri që nuk e di ku e ka. Por, nga ana tjetër e kemi kthyer të gjithë këtë investim të jashtëzakonshëm, 140 miliardë dollarë që kanë hyrë në Shqipëri, i kemi kthyer në tulla e në llaç, në kumar, i kemi vënë në investime që nuk kanë asnjë vlerë, në pompa benzine, në karrige restorantesh, hotele, motele. Ky vend aktualisht gjendet në një krizë të thellë morale, shoqërore, të vlerave dhe tashmë pas humbjes së burimeve që vinin nga emigrantët jemi të zhytur deri në fyt në borxhe të huaja; jemi një vend, i cili është në prag të kolapsit politik; me një sistem drejtësie që nuk funksionon; me një shoqëri e cila është e paralizuar dhe kjo gjendje është thellësisht tragjike. Në vitin 1990 ne kishim një shpresë të madhe e të gjitha shtresave në shoqërinë shqiptare.
Çfarë ndodhi me këtë shpresë, u shua, u venit rrugës?
jo zgjidhje që duhet të ndiqej nuk u ndoq sepse paria sunduese, ata 2 mijë deri në 5 mijë vetë në vend që të ndiqnin rrugën e duhur për ta transformuar këtë shtet edhe këtë komb, duke përdorur burimet njerëzore, natyrore, materiale që kishim e që ishim të shumta e të bollshme për ta transformuar këtë vend, ata vendosën që të ndiqnin rrugën e kapitalizmit më të paskrupullt që do ta ndante shoqërinë në dy anë. Në njërën anë do të ishin ata që do të transformoheshin në borgjezinë e madhe dhe në anën tjetër ne të tjerët që do të bëheshim skllevërit e tyre. Kjo shitje e vlerave të Lëvizjes Studentore është diçka me të cilën ne nuk jemi pajtuar as atëherë dhe as tani. Ajo zgjidhje që ne kemi pasur propozuar atëherë, ndërtimi i shtetit komb, ndërtimi i një ekonomie të një tregu të institucionalizuar me sisteme të mbrojtjes shoqërore për të vobektit, ta paaftit edhe për moshën e tretë; me një sistem drejtësie, i cili mbështet barazinë para ligjit; me idenë e kombit e të identitetit, por kjo nuk është ndërtuar. Sot ne jemi një shoqëri tërësisht e fragmentarizuar, e përçarë, një shoqëri që është e vështirë që të gjenden vlera për t’i bashkuar njerëzit.
Është histori e afërt e jona, por edhe pse është kështu, a ka ende të pathënë, të paditura nga ato ngjarje të lëvizjes së dhjetorit? Çdo vit në Shqipëri shtohen protagonistët. A ka ende të pathëna nga ajo lëvizje?
Po, ka të pathëna dhe e pathëna më e madhe, të cilën nuk e prek dhe nuk e thotë askush është kjo: Ne jemi ngritur pikërisht në momentin kur nuk kishte më asnjë shpresë, as nga paria sunduese, as që intelektualët, as që profesorati universitar, as që shtesat e tjera të mund të kërkonin ndryshimin e sistemit me logjikën dhe me qartësinë e duhur. Ne e kishim atë qartësi, sepse kërkuam që të ndërrohej sistemi politik, por jo që të shkatërrohej Shqipëria. Ne kërkuam që të transformohej sistemi ekonomik, por jo që të shiteshin për skrap dhe të degjenerohej çdo gjë tjetër. Ne kërkuam që të kishim një shtet komb dhe një sistem demokratik, por jo që t’i humbnim të gjitha vlerat. Çdo gjë që ne kemi bërë në atë periudhë dhe më pas i ka shërbyer këtij qëllimi. Ama ajo që ka ndodhur është që paria sunduese edhe ajo që është e pathënë nga dhjetori i vitit 1990 është që ne nuk kemi pasur asgjë të përbashkët me intelektualët e Tiranës. Ne i kemi mbajtur në distancë, nuk jemi pajtuar me ta, i kemi izoluar.
Për çfarë arsye e kemi bërë këtë? Dyshonit për diçka apo për çfarë tjetër?
Nuk ishte se ne dyshonim për diçka, por ne njihnim nga afër shumë prej tyre. Ne i dinim sa njerëz të zvetënuar ishin; e dinim se sa të përdoruar ishin dhe ne nuk kemi besuar për asnjë moment se e ardhmja e këtij shteti duhet të mbështetej tek njerëz pa karakter, të cilët kishin bërë çdo gjë të mundshme vetëm për përfitimet e tyre personale. Një intelektual, i cili kërkonte të përfitonte për jetën e tij me çdo kushte kur e dinte që ai fshatari që vinte të mjekohej punonte për vetëm 18 lekë në ditë dhe merrte si ryshfet mollën, arrën, dardhën, fikun e të tjera, ai njeri nuk kishte më pikën e karakterit. Në atë periudhë na duhej që edhe këto njerëz të qëndronin nën kontroll, por edhe të na jepte shpresën që do të bëhej një botë më e mirë.
Dhe sot pas 25 vjetësh jeni me kolegë tuaj në Forumin “Rrethi i Ferrit”. A do të pasojë kjo javë me aktivitete, me ceremoni, me konferenca, me një lëvizje të re politike, pas gjithë kësaj analize që ju i bëni kësaj situate?
Ne jemi duke kërkuar të shtyjmë njerëzit, intelektualët, qytetarët e ndershëm, që janë masa më e madhe e qytetarëve në Shqipëri, që të fillojnë një proces kuptimi e reflektimi të situatës ku jemi. Ky vend ku ne jetojmë sot do të shkojë nga një krizë në një tjetër sepse është i ndërtuar në një mënyrë të tillë që të shkatërrohet në mënyrë të vazhdueshme. Ne duam ta parandalojmë këtë. Është një rreth i ferrit, por nuk duam që të kthehet në rrethin e 9 të ferrit nga i cili nuk do të kemi më shpëtim. Të gjithë këta njerëz që janë pjesë e strukturave të shtetit, e shoqërisë, duhet të reflektojnë për gjendjen ku jemi. Kemi para, mall, por nuk kemi vlera; kemi të shkuar, por nuk kemi asnjë të ardhme; kemi nevojë pikërisht për këto vlera, për një sistem të ri, për modele të reja, të cilat do të na bëjnë edhe ne shqiptarëve që të zëmë vendin e që na takon dhe e meritojmë mes vendeve të qytetëruara. Prandaj, së bashku edhe me kolegët e mi, Grid Rroji dhe doktoreshën Valbona Karanxha, ne kemi hedhur në treg nëpërmjet shumë bashkëbisedimeve, simpoziumeve dhe dy konferencave që organizohen në ditët e ardhshme, idetë dhe mendimet tona se si mund të ndërrohet kjo gjendje.
Pra do të kemi një lëvizje të shpejtë politike?
Jo, lëvizja duhet të lindi këtu. Janë shqiptarët, të cilët jetojnë këtu dhe duhet të ngrihen e të kërkojnë ndryshimin e sistemit.
Ju do të jeni pjesë?
Unë jam pjesë, jam shqiptar, ky është vendi im.
Doja të thosha, a do të riktheni në Tiranë për një lëvizje politike?
Detyra ime si intelektual është të them të vërtetën. Ai njeri që thotë të vërtetën nuk ka mundësi të ketë mbështetjen e njerëzve që merren me politikë sepse që të merresh me politikë duhet gjithmonë të gjendet emëruesi më i vogël i përbashkët. Ama në rastin tim, detyra ime është që të jem ai që jam. Unë jam njeri që i kam kushtuar në mënyrën time jetën kombit shqiptar dhe do të bëjë maksimumin që mundem, këtu në Amerikë, Europë, apo kudo që të ndodhem. Ky është vendi im, ky është atdheu im, nuk kam atdhe tjetër dhe për këtë vend duhet punuar pa hezitimin më të vogël dhe të jap maksimumin e mundshëm.