Shkëlzen Maliqi: “Raportet shqiptaro – serbe bosht i stabilitetit në rajon”

Shkëlzen Maliqi: "Raportet shqiptaro – serbe bosht i stabilitetit në rajon"
Shkëlzen Maliqi, këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë flet për DW për pritjet nga vizita e Aleksandar Vuçiq, mundësinë e provokimeve të palëve gjatë kësaj vizite dhe pasojat e mundshme të krizës në Maqedoni.
Buchmesse Leipzig Shkelzen Maliqi
Deutsche Welle: Zoti Maliqi, cilat janë pritjet e palës shqiptare nga vizita e Aleksandar Vuçiq në Tiranë?
Shkëlzen Maliqi: Ne jemi tani në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë, në një kontektst të tejkalimit të hendekut shumë të thellë dhe të gjatë. Në raportet bilaterale, në pesë-gjashtë muajt e fundit ka pasur shumë takime mes kryeminsitrave, të cilat po shndërrohen në normalitet. Vetëm këtë javë shumë zyrtarë të lartë të Serbisë e kanë vizituar Tiranën. Më 27 maj mund të kemi njëfarë pike kulmore e trendit të ri, të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë dhe Serbinë por edhe për tërë rajonin.
DW: Edhe vizita e kryeministrit Rama ishte paralajmëruar vitin e kaluar si historike. Por nga këndvështrimi i Beogradit përfundoi me një skandal. Tani poashtu flitet për një vizitë historike…
Shkëlzen Maliqi: Unë nuk do të kisha përdorur fjalë të mëdha si ato "historike". Me rëndësi është që është menjanuar një lloj pengese që kanë zgjatur prej viteve 40-të e 50-të të shekullit të kaluar. Tani duhet të vendosen raportet bilaterale normale në të gjitha fushat: politike, ekonomike, kulturore, sport.. Natyrisht që në raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë kemi në mes dhe çështjen e Kosovës si një çështje me shumë mospajtime dhe me qëndrime plotësisht të kundërta. Palët do të pajtohen se Kosova duhet të marrë pjesë në strukturat rajonale. Dhe mbetet konstatimi i Ramës se për Serbinë dhe rajonin që Beogradi në njëfarë mënyrë ta njoh pavarësinë e Kosovës…
DW: Pikërisht kjo deklaratë e Ramës në Beograd ka shkaktuar reagime shumë të ashpra. Vet Vuçiq pati deklaruar madje në konferencën për shtyp se megjithatë nuk da ta ndërprejë vizitën e Ramës… A mund të priten provokime të ngjashme të zotit Vuçiq në Tiranë, me fjalët për shembull se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë?
Shkëlzen Maliqi: Nuk e besoj se do të ketë provokime të paramenduara. Reagimi i Vuçiq gjatë viztiës së Ramës në Beograd ka qenë për përdorim të brendshëm në Serbi. Besoj se edhe opinioni serb ngadal po e kupton se me shqiptarët duhet të përmirësojë raportet. Ka dhe të tillë që janë kundër këtij procesi, por këtë trend nuk duhet ta ndjekin autoritetet e këtyre dy vendeve. Nëse kthehet polarizimi ose futet ndonjë përçarje, me këtë do të pengohej integrimi i tërë rajonit në BE. Kjo do të ishte e rrezikshme, por shpresoj se këto dy vende e kanë parasyshë këtë moment historik dhe rrugën që këto vende duhet ta ndjekin.
DW: Në mediat serbe është shkruar këto ditë se Shqipëria dhe Kosova janë duke përgatitur provokime ndaj Vuçiqit. Sa të vërteta janë këto pohime?
Shkëlzen Maliqi: Ato janë qarqet në Serbi që vazhdimisht janë kundër përmirësimit të marrëdhënieve ndaj edhe shpikin këso farë skenaresh. Nuk ka kurfarë skenarë të këtillë, apo ndonjë lloj bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kssovës në këtë drejtim. Kjo është non sens i disa qarqeve serbe. Janë spekulime si në rastin e dronit, kur kanë dashur të pengojnë normalizimin e raporteve Shqipëri – Serbi dhe në mes të shqiptarëve dhe serbëve.
DW: Shqipëria dhe Serbia janë vende të cialt pretendojnë të jenë liderë në rajon, për faktin se shqiptarët dhe serbët janë dy popujt më të mëdhenj në rajon. Si e shihni ju mundësinë që këto vende vertetë të luajnë rolin e liderëve në rajon, por drejt stabilizimit të plotë dhe përmirësimit të gjendjes si dhe afrimit me BE?
Shkëlzen Maliqi: Nuk mendoj se këto vende po luftojnë për pozicione liderëshipi. Unë e shoh ndryshe: Serbia dhe Shqipëria, si dhe raportet shqiptaro – serbe janë boshti i stabiliteit të rajonit. Kjo nuk do të thotë se vendet e tjera nuk jnaë të rëndësishme, sepse secila prej tyre luan rolin e vet dhe është i barabart. Por në njëfarë dore përmirësimi i raporteve shqiptro-serbe, normalizimi dhe intensifikimi i raporteve politike, ekonomike dhe të tjera, stabilizon rajonin dhe hapë perspektiva që do të ishin në dobi të të gjithë rajonit dhe Evropës në përgjithësi.
DW: Si e vlerësoni reagimet e Serbisë dhe Shqipërisë ndaj konflitkteve të armatosura në Kumanovë dhe krizës në Maqedoni? Pala serbe ka pohua se këto janë skenarë për krijimin e një Shqipërie të Madhe.
Shkëlzen Maliqi: Nuk dua të përgjithësojë, sespe në Serbi ka dhe reagime ku këto zhvillime shihen si komplot dhe skenar për krijmin e një Shqipërie të Madhe. Por ngjarjet duhet të shikohen ashtu si duhet. Zhvillimet atje janë pjesë e krizës në Maqedoni, pjesë e së pushtetit atje, krizës në raportet pozitë-opozitë. Por edhe roli të partive shqitpare atje sepse edhe ato kanë përgjiejgësi për mbijetesën e shtetit maqedonas. Ndaj besoj se nuk duhet komentuar shumë pohimet e palës serbe për pretendimet e shqiptarëve për krijimin e një Shqipërisë të Madhe, sepse kjo nuk ekziston.
DW: Cila ëshë përgjigja juaj ndaj atyre që thonë se ky është një skenar për krijimin e një Shqipërinë e Madhe?
Shkëlzen Maliqi: Shiko, në Serbi ekzistojnë shumë forca të cilat si në vitet 90-të ashtu edhe tani angazhohen për krijimin e një Serbie të Madhe. Tani kohërat kanë ndryshuar. Por ne e dimë se edhe në Kosovë, si dhe në Shqipëri pak më pak, ka disa forca të cilat angazhohen për krijimin e një Shqiëprie etnike. Këtë nuk mund ta mohoj dhe injoroj. Por nuk ka asnjë dëshmi se këto janë politikat zyrtare në Shqipëri apo në Kosovë dhe as subjekteve shqiptare në Maqedoni. Këtu ata luftojnë për barazi dhe të drejtat e plota të shqiptarëve, por nuk e përkrahin politikën e krijimit të një shteti unik shqiptar.
DW: Zoti Maliqi, sa real është rreziku i shtrirjes së konflikteve të armatosura në Maqedoni, por edhe në Kosovë, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, sepse në të gjitha këto vende ka probleme etnike?
Shkëlzen Maliqi: Gjithnjë ka rrezik nesë konflikti shkallëzon. Tash për tash, ende është në procesin e protestave dhe shprehjes së pakënaqësive publike. Por incidentet që ndodhin atje janë të rrezikshme sepse e nxisin në një farë dore mbetjen e pushtetit të Gruevski atje, i cili përpiqet të legjitimojë pushtetin e vet me frikën nga shqiptarët. Duke bërë përpjekje që të shkurtojë të drejtat e shqiptparëve në Maqedoni apo duke mos realizuar deri në fund Marrëveshjen e Ohrit. Maqedonia është në një krizë të brendshme, por çështja nuk është aq dramatike. Nuk kemi të bëjmë me një konflikt mes dy popujve por me një konflikt të elitave për interesat e veta, për mbajtjen e pushtetit.

SHKARKO APP