Shqipëri-Serbi, Dhomat e Tregtisë drejt themelimit
Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Serbi – Flet për DW Arben Shkodra, zëvendëspresident për çështjet ndërkombëtare dhe investimet e huaja në Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
DW: Ju zhvilluat së fundi në Tiranë një takim tripalësh mes Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Dhomës Tregëtisë së Serbisë dhe Odës Ekonomike të Kosovës. Cili ka qenë qëllimi për këtë kontakt jo të zakonshëm? Për çfarë keni folur?
Arben Shkodra: Kjo është një agjendë pune mes partnerëve në rajon, e frymëzuar nga iniciativa e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që siç e e dini ka vijuar me Konferencën e Vjenës dhe të Parisit. Prej rreth një viti Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregëtisë së Serbisë janë në një projekt të përbashkët kooperimi, për të marrë më shumë hapësira në shkëmbinin ekonomik, tregëti, realizimin e investimeve etj. Si dy fqinjë, komunitetet e biznesit janë dukshëm pro normalizimit të relatave, por dhe nxitjes së bashkëpunimit me aktorë ndërkombëtarë, me BE-në, qeveritë e vendeve të ndryshme etj. Raportet politike ndjekin kurbat e veta, biznesi, sipërmarrja kërkon hapësira konkrete për zgjerim të kontributeve. Në Samitin e Vjenës u iniciua krijimi Chamber Investment Forum for Western Ballkans, CIF WB, si forumi më i madh i sipërmarrjes së Ballkanit Perëndimor. Pikërisht në kuadër të kësa inciative, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregëtisë e Serbisë ndërmorrën një tur të përbashkët ballkanik, që nisi në Prishtinë dhe vazhdoi në Shkup, të dielën ishin në Tiranë dhe përmbyllja në Podgoricë. Formati ishte thuajse i njëjtë: takime mes përfaqësuesve të biznesit, kontakte me autoritetet e larta shtetërore në vendet pritëse. Kështu ndodhi dhe në Tiranë në datën 21 gusht 2016, kur krahas takimit trepalësh mes përfaqësuesve të organizatave tona partnere u zhvillua dhe një audiencë pune me kryeministrin Edi Rama. Ne jemi për një partneritet tripalësh në fushën e biznesit, që do të konkretizohet me shkëmbim të informacionit mes Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës, apo ndërtimin e një platforme digjitale për komunitetet e biznesit të tri shteteve që do të pasqyrojë në kohë reale situacione, database, nevoja, trende e perspektiva. Tani ju me të drejtë pyesni për qëllimin, apo fokusin e takimit. Shikoni, arsyeja e parë është për t’i bërë me dije qeverive tona se ne jemi prezentë, kemi vullnete dhe projekte për të punuar bashkë në rajon. Gjithashtu në favor të intesifikimit të aktiviteteve në kuadër të iniciativës Chamber Investment Forum for Western Ballkans, CIF WB. U fol dhe për mbështetjen e dhomave ballkanike në aprovimin e ndryshimeve ligjore për dhomat e tregëtisë në Shqipëri, duke kaluar në modelin e organizimit me anetarësi të detyrueshme. Takimi kishte në fokus dy produkte konkrete: kërkesën për hapjen e Dhomës Bilaterale Serbe në Shqipëri, që do të ketë atributet e Dhomës Ekonomike Serbe në vendin tonë, si dhe përgatitjet e përbashkëta për organizimin në 13 dhe 14 tetor në Nish të Serbisë të forumit të biznesit shqiptaro – serb.
Të qëndrojmë tek dy çështjet konkrete për të cilat keni folur që kanë dhe lidhje me njera tjetrën. Çfarë qëllimi ka Forumi i Nishit?
Duke shfrytëzuar inagurimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës do të organizohet dhe një forum i biznesit të dy vendeve. Jemi në rrethana të reja, kemi nevojë të bëjmë bilance ku jemi, çfarë nevojash kemi, ku mund të bashkëpunojmë, ku të orientohemi, ku të zgjerohemi etj. Shqipëria dhe Serbia kanë një volum tregtar eksport – importi që nxjerr në pah mjaft aspekte të pashfrytëzuara. Jemi në kushtet e një volumi tregtar vjetor shkon diku te rreth 100 milionë euro në shkëmbimet mes dy vendeve tona, që do ta konsideroj shumë nën nivelin që pritet të jetë. Në një kohë që volumi mes Serbisë dhe Kosovës është te rreth 1 miliard euro. Ashtu sikundër dhe ka dispropocion në këto marrëdhënie ku pala serbe është shumë më mirë. Mjafton të themi që raporti është 80 % me 20% dhe ju e kuptoni diferencën. E vlerësoni dhe vetë se sa vend ka për të punuar mes dy shteteve që të përmirësohen gjërat me interes të ndërsjellë. Në Nish rreth 25 biznese shqiptare dhe po kaq dhe serbe do të jenë në një tryezë pune mes tyre, duke folur në piketat kryesore të sfidave të së ardhmes, por dhe duke pasur një rast të artë për të kontaktuar bilateralisht, aty ku përputhen qëllimet dhe interesat e sipërmarrësve nga të dy vendet.
Po Dhoma Biletarele Serbe në cilë faze është?
Eshtë në proces konstituimi. Partnerët serbë na e kanë bërë kërkesën zyrtarisht dhe ne ju kemi dhënë dakordësi në parim. Në vazhdimësi do të realizohen procedurat dokumentare, si dhe regjistrimi në gjykatë, bazuar në legjislacion shqiptar dhe besoj se shumë shpejt Dhoma do të jetë funksionale. Synimi mbetet që në prag të Forumit të Nishit ajo të jetë zyrtarisht e hapur, si një produkt konkret dhe shpresëdhëns se gjërat do të marrin për mirë në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Ku janë interesat e palës serbe në Shqipëri? Po interesat e sipërmarjes shqiptare në Serbi?
Pala serbe është prezente në Shqipëri në fushën e tregtisë, por duan të zgjerohen shumë në turizëm. Ju e keni parasysh pozitën e tyre gjeografike dhe mungesën e daljes në bregdet. Po kështu duan të fokusohen në transport, sidomos atë detar, në industrinë metalike, si dhe në industrinë agroushqimore. Sot që flasim ka sipërmarrës shqiptarë, të cilët janë orientuar në Serbi në fushën e ndërtimit, në agropërpunim dhe në transport. Duhet të keni parasysh që iniciativat e Ballkanit Perëndimor të mbështetura fuqishëm nga kancelarja Merkel dhe vendet e tjera të BE-së kanë hapur hapësira për komunitetet e biznesit. Sepse qeveritë miratojnë projekte me karakter rajonal, por zbatimin e tyre do ta bëjë biznesi. Pa ndërtimin e një infratsrukture kooperuese në rajonin tonë, pa ura të qëndrueshme komunikimi e bashkëpunimi mes nesh nuk mund të marrësh frute.
Në çfarë niveli i keni marrëdhëniet me homolgët në Gjermani?
Nëse do ta them shkurt, do shprehem që jemi në fazën e rikthimit të besimit në gjashtë muajt e fundit. Ka një histori problematike mes komuniteteve të biznesit, por prej Konferencës së Ballkanit Perëndimor në Berlin dhe ato të mëpasmet ka një diagramë ngjitjeje. Duhet të kuptoni se pala gjermane ka pasur dhe ka pritmëri në realizimin e procesit të reformave thelbësore në Shqipëri si garanci për bashkëpunimin. Mes tyre është reforma në drejtësi apo të tjera të rëndësishme. Ne kemi bërë një përzgjedhje në partneritetin strategjik, ku janë dy shtete, Gjermania dhe Austria. Para disa javësh ne ishim në Gjermani, ku me koordinimin e përfaqësuesit tonë atje, Kolë Gjoka, zhvilluam dy takime të rëndësishme në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me palën gjermane: me përfaqësues të Dhomës Federale të Tregtisë dhe Industrisë dhe me sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit, Hans-Joachim Fuchtel. Në dy takimet u vunë piketa në rindërtimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e biznesit, për skemat e suportit dhe të këshillimit që do të marrim nga pala gjermane. Kontaktet me sekretarin e Shtetit, Fuchtel, do të vazhdojnë dhe në ditët e fundit të tetorit në Tiranë, në një stad materializimi të projekteve të përbashkëta. Jam besimplotë se me Gjermaninë do të ideojmë dhe realizojmë produkte konkrete, në rradhë të parë për të implementuar formatin e organizimit të tyre të punës dhe menaxhimit të detyrave dhe angazhimeve.
DW/ Arben Muka