“Shqipëria nuk është një klishe”
SHQIPERIA E TREGUAR NGA MINISTRJA MIRELA KUMBARO
Nga Mesdheu te Bienalja e Venecias, udhëtim në zbulim të një Shqipërie që nuk e prisnit
Nga Laila Bonazzi
Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, është kalorëse e një imazhi të ri që vendi kundruall nesh po përpiqet të ndërtojë e që ajo si përfaqësuese e tij, me një italishte të përsosur, është e lumtur të na e paraqesë, duke nisur që nga pavijoni interesant kombëtar në Bienalen e Venecias, me titull: Albanian Trilogy: A Series of Devious Stratagems (i vizitueshëm deri në 22 nëntor, në Arsenale).
Skeleti i një balenë të Detit Mesdhe, vrarë në 1963 në brigjet shqiptare duke e kujtuar për nëndetëse armike, luan rolin e fantazmës së të shkuarës (artist Armando Lulaj, kurator Marco Scotini). “Deri në 1990, para se të merrte fund izolimi prej diktaturës, ne e perceptonim Mesdheun vetëm përmes librave, ose duke fantazuar konturet e zbehta e të largëta të brigjeve italiane që kujtonim se i dallonim përtej kanalit të Otrantos”, na shpjegon ministrja.
Pavijoni shqiptar përbëhet prej tri veprash të një artisti 35 vjeçar, ndërkohë që veprat kanë lidhje me ngjarje historike të ndodhura para lindjes së tij. Të rinjtë e Shqipërisë e ndjejnë nevojën e rishikimit së të shkuarës së vendit (qoftë dhe në mënyrë artistike) për të ndërtuar një të ardhme?
Sigurisht! 35-vjeçarët e sotëm shqiptarë janë fëmijë të një tranzicioni të mundimshëm, ata u lindën në diktaturë, u rritën në parademokraci, me pasojat e totalitarizmit që prindërit e tyre heqin zvarrë, dhe janë sot në kantierin e pështjelluar të ndërtimit të së ardhmes. Kjo sjell dilema të mëdha individuale, por edhe shumë adrenalinë e energji që Shqipëria i ka me tepricë. Gjithesecili gjen menyrën e vet se si e përkthen këtë trinomi. Lulaj është artist dhe kjo është gjuha e tij e komunikimit duke e sjellë historinë e vonët të Shqipërisë përmes qasjes individuale, por që në fund të fundit nuk është vetëm e tij. Është e jona. Mbetet interesante mënyra se si shikues të ndryshëm e lexojnë atë. Dhe më vjen shumë mirë që Shqipëria i flet publikut ndërkombëtar me këtë gjuhë këtu në Venecia duke i bërë të reflektojnë jo vetëm mbi veprën artistike por edhe mbi atë se çfarë është Shqipëria. Pyetja juaj ma vërteton këtë gjë.
Çfarë mund të mësohet për Shqipërinë duke vizituar Pavijonin e Venecias?
Në radhë të parë mësohet që Shqipëria nuk është vetëm klishe por, edhe vlerë artistike. Nuk është thjesht një emër në titujt e kronikës së zezë por, një stacion artistik ku ndalen kritikët, artdashësit, mediat e kulturës. Pavijoni ynë është pavijoni i një vendi me histori të vështirë, të ndërlikuar që secili prej nesh e mbart mbi shpinë edhe kur i rëndon, por shumë prej nesh e kthejnë në vlerë të shtuar sepse e dinë që vetëm mbi të, dhe jo pa të, mund të ndërtojnë të ardhmen. Dhe në këtë qasje kemi ç’mësojmë nga njeri-tjetri. Duam të tregojmë gjithashtu se Shqipëria nuk është vendi i problemeve, por një nga vendet e Europës me qytetërim të lashtë, me kulturë të gjallë, me njerëz të talentuar, me origjinalitetin tërheqës. Nuk ështe ashtu siç e pandehin, por është vendi që sot duhet zbuluar pa humbur akoma kohë!
Shqiptarët ndjehen më shumë banorë të Ballkanit apo të Mesdheut?
Ndjehen mesdhetarë sepse aty i hodhi fati, nuk bëjnë dot pa diellin e pa detin, janë rritur me mitologjitë greke e romake sepse amfiteatrot dhe vendbanimet e lashta i gjen kudo nëpër Shqipëri, Butrinti, parku i mrekullueshëm arkeologjik, pasuri botërore e Unesco-s. Është fantastik! Por po aq ndjehen ballkanikë jo thjesht për shkak të gadishullit por edhe për motive gjeopolitike. Pra, ndjehen edhe ballkanikë, edhe mesdhetarë.
Po ju a ndjeheni një qytetare e Mesdheut? Çfarë ju bën të ndjeheni me të vërtetë mesdhetare?
Unë e kam diellin në lëkurë. Jam shqiptare dhe si e tillë pjesa ime mesdhetare është brenda meje. Perveç kësaj, si njeri i kulturës jam përpjekur të marr maksimumin nga rrymat e fuqishme kulturore të Mesdheut.
Çfarë nuk do prej shpirtit mesdhetar?
Pyetje e vështirë… Ndjehem kaq shumë mesdhetare sa nuk gjej dot një gjë që s’e dua. Edhe të metat e shpirtit mesdhetar i dua.
Në cilin vit, ditë, orë të një momenti të veçantë të Mesdheut do të kishit dashur të ishit? (qoftë dhe në epoka të kaluara)
Në kohën e Michelangelo-s dhe të krijimit të universiteteve.
Po Italia me Shqipërinë lidhen, apo ndahen prej Mesdheut?
Lidhen prej kulturës, prej komunikimit, prej shkëmbimeve ekonomike dhe njerëzore. Ndahen prej ujit që shkon e vjen.
Çfarë trashëgimie na lë Mesdheu?
Nga figura e Don Kishotit tek poezia e poetit sirian Adonis, pasurinë letrare dhe folklorike, traditën e solidaritetit, e në daç dhe marrëzinë mesdhetare hera-herës.
Tani që vendi juaj nuk ka më nevojë ta përdorë Mesdheun si një rrugë shpëtimi, çfarë mendon kur shikon popuj të tjerë që përjetojnë po atë fatkeqësi me përvoja ndoshta dhe shumë më të skajshme dhe më të trishta?
Më shumë se dhimbje ndiej revoltë. Revoltë ndaj faktit që kjo ndodh si një kronikë e paralajmëruar në sy e në dije të vendeve dhe autoriteteve që mund të kishin ndërtuar që në krye të herës një tjetër strategji. Asistencat humanitare nuk janë zgjidhje të qëndrueshme por operacione shpëtimi të ditës. Marrëdhënia ka dy kahje: edhe strategji integrimi në shoqëritë perëndimore për ata që janë tashmë rezidentë në këto vende, por edhe ndihmë dhe politika zhvillimi në vendet prej nga vijnë fatkeqët. Politikat e asistencës që vijnë nga vendet e zhvilluara janë kryesisht me karakter ekonomik dhe ende nuk po zë vend fakti që investimi më afatgjatë dhe i qëndrueshëm është investimi në arsim dhe kulturë çka sjell më pas dhe emancipim të shoqërisë dhe vizionë të reja.
Janë kohë të turbullta për Detit Mesdhe: nëse do të kishte një far që do të na udhëhiqte në këtë kohë të vështirë, cili mendoni se do të ishte?
Ky far do të quhej: Arsim dhe Kulturë. Është investimi më i rëndësishëm që njeh njerëzimi.