Si në përralla… me Bledi Strakoshën
Intervistoi: Albina Gjergji
– Gazetari dhe prezantuesi i njohur rikthehet pas në kohë, duke ndarë me lexuesit eksperiencat profesionale dhe projektet e radhës, të lidhura gjithmonë me ekranin –
Karriera e tij ka nisur si prezantues i një emisioni për fëmijë në Radio Tirana dhe në Televizionin Shqiptar. Ishte vetëm 13 vjeç. Pikërisht në këtë moshë do të realizonte edhe emisionin e tij të parë si autor dhe prezantues, një format rinor i cili rezultoi shumë i suksseshëm për kohën. Pas këtyre eksperiencave, të tjera do e zhvillonin edhe më shumë karrierën e Bledi Strakoshës, duke e bërë këtë që ai edhe është sot, një nga gazetarët dhe moderatorët më të pëlqyer në Shqipëri. Por për të bërë diferencën mes viteve dhe rritjes profesionale herë pas here na ndodh të kthejmë kokën pas tek e shkuara, duke pyetur veten, nëse do donim e mund t’i bënim gjërat ndryshe? E nëse po, çfarë do të ndryshonim? Sigurisht edhe Bledit i ndodh të kthehet në retrospektivë, por jo për të ndryshuar diçka në ato çka tashmë ka bërë. “I qëndroj besnik gjithçkaje që kam bërë dhe nuk pendohem për asnjë përvojë timen. Sigurisht që ka gjëra që do të kisha dashur t'i bëja më mirë, por jo ndryshe”, tregon ai për “Koha Jonë”, ndërsa ndan me lexuesit kujtimet profesionale që startojnë në ekranin e TVSH-së, në televizione e të tjera private, si dhe me Radio Tiranën që për të është në dashuri më vete….
Vite karrierë në media të ndryshme, si prezantues, moderator, autor programesh, etj.. Pas shumë kohësh kur ktheni kokën pas, cili është ndryshimi që shikoni tek vetja në raport me median Bledi?
Karriera ime filloi si prezantues i një emisioni për fëmijë, fillimisht në Radio Tirana e më tej në TVSH. Por shumë shpejt, pas më pak se 6 muajsh, nisa emisionin tim të parë edhe si autor. Isha vetëm 13 vjeç, por falë mbështetjes që gjeta asokohe nga drejtuesit e RTSH (e vetmja media në Shqipëri) arrita të realizoj një format rinor shumë të pëlqyer e të ndjekur. Titullohej "Yje dhe tinguj" dhe sillte informacione mbi këngëtarët e aktorët më në zë, po aq edhe kuriozitete dhe hite muzikore. Më tej rrugëtimi im vijoi me televizionet e para private që u hapën në Tiranë si; Alba TV, TeleArbëria… Natyrisht që për të pasur sukses në media duhet të dish të ruash ekuilibrin mes asaj që do të bësh dhe asaj që duhet të bësh, sepse duhet të respektosh interesin e audiencës, për aq sa mund ta masim këtë, por edhe të vetë TV ku punon, sepse çdo TV ka vizionin e tij, politikat e tij. I kam parë televizionet tona dhe kam punuar në to që kur kanë qenë thjesht ide, më pas që kur ishin thjesht me hapësira garsoniere e deri më tani kur vazhdoj të punoj, ndërkohë që këto media janë zhvilluar shumë, sot ofrojnë fjalën e fundit të teknologjisë, hapësira gjigande, mbulojnë me sinjal Shqipërinë e gjithë globin. Kështu që edhe ti je i detyruar të ecësh me hapin e tyre, të zhvillohesh së bashku me to.
A ka diçka që do donit ta kishit bërë ndryshe?
Nuk besoj. I qëndroj besnik gjithçkaje që kam bërë dhe nuk pendohem për asnjë përvojë timen. Sigurisht ka gjëra që do të kisha dashur t'i bëja më mirë, por jo ndryshe.
Duke i qëndruar retrospektivës, për cilin prej programeve ndjeni më shumë nostalgji?
Vështirë ta zgjedh, sepse secili program ka patur rëndësinë e vet dhe më ka dhuruar kënaqësi sipas periudhës, por meqë më kërkoni të bëj një përzgjedhje, do zgjidhja “Blue”, program të cilit në fakt kam ndërmend t'i rikthehem shumë shpejt. Edhe pse kam intervistuar pothuajse të gjithë personazhet e famshëm tashmë, por nuk duhet të harrojmë se ka plot personazhe të rinj mjaft interesantë.
Tvsh mbetet shtëpia që ju rriti, ndërsa ekranet e tjera që zhvilluan edhe më tej anën tënde profesionale, ndërsa pak kohë më parë keni prezantuar edhe projektin që mban firmën tuaj “Miku im ka 4 putra”. Si ka rezultuar ky program online Bledi dhe a ia vlen një iniciativë e tillë, parë në optikën tuaj?
Ia vlen shumë. Gjithnjë e më shumë njerëz kanë bërë pjesë të jetës së tyre kafshët shtëpiake, sipas shijeve dhe mundësive. Ky program rezultoi i suksesshëm online, duke zgjuar kureshtjen e shumë njerëzve, ndaj unë vendosa ta shndërroj në një program të mirëfilltë televiziv, duke bërë edhe investime serioze teknologjike, për ta sjellë me cilësinë më të lartë të momentit, siç është teknologjia 4K Ultra HD. Jam shumë i lumtur që programi më në fund, përveçse në faqen time në youtube, ka nisur edhe rrugëtimin e tij televiziv në A1 Report.
Ndërkohë me çfarë jeni i aktivizuar?
Unë punoj në kanalin e dytë të Radio Tiranës, është një kanal rinor, me super hite dhe programe informuese dhe argëtuese. Ndërsa përsa i përket formateve televizive, jam i përqendruar tek dy prodhimet e mia: "Miku im më i mirë ka 4 putra" dhe "Si në Përralla".
Ç’projekt keni ndërmend në sezonin e vjeshtës?
Kam disa, por ende asgjë konkrete, përveç projekteve që përmenda më sipër. Ndoshta do rikthej "Blunë", të shohim!
Po për “Si në përralla” ç’mund të na thoni?
Sot fëmijët harxhojnë shumë kohë në internet, kjo është e pashmangshme dhe për sa kohë dinë si të kulturohen nëpërmjet internetit, kjo është një gjë e mirë, por nëse e keqpërdorojnë këtë kohë, ky është shumë problem. Kam vënë re se shumë fëmijë sot nuk i njohin përrallat klasike, me të cilat brezi im është rritur, të cilat janë një domosdoshmëri për formimin e çdo individi të shëndetshëm. Ndaj, mendova t'ia sjell në vëmendje nëpërmjet këtij programi që, përveç përrallave klasike ndërkombëtare, do të sjellë shumë shpejt edhe tregimet e moçme shqiptare, të rrëfyera nga emrat më të njohur të skenës dhe ekranit shqiptar, ilustruar gjithashtu edhe me film vizatimor.
Pushimet, kanë startuar, apo akoma?
Ende jo dhe s’besoj se do kem kohë për pushime në kuptim klasik të fjalës. Për shkak të angazhimeve do të më duhet të kënaqem vetëm me disa ditë pushimi në jug të Shqipërisë.
Ku dhe me kë i keni planifikuar?
Me familjen si gjithnjë.
Meqë jemi tek planifikimet, jeni besnik i planeve të detajuara me miqtë, apo parapëlqeni organizime të momentit?
Varet nga destinacionet. Disa destinacione kërkojnë të mendohesh mirë përpara se të nisesh, të tjera jo. Gjithsesi mbetem fans i gjërave të organizuara në momentin e fundit.
Jashtë vendit, apo në Shqipëri, pushimet e preferuara?
Greqia më shijon shumë në verë, por edhe nëse shkoj jashtë vendit, s’lë asnjëherë pa kaluar të paktën disa ditë në jug të Shqipërisë.