Silva Caka: Ia dhamë shans si PD e PS-së, koha që të qeverisë LSI
Silva Caka është e treta në listën e LSI-së për deputete në qarkun e Beratit. Në një intervistë për “Shekullin”, deputetja tregon vlerësimin e saj për punën e Parlamentit gjatë legjislaturës që do të mbyllet në shtator dhe projektet e saj për pas konstituimit të Parlamentit që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Caka thotë se të rinjtë janë shtylla e LSI-së dhe ata nuk janë thjeshtë për fasadë apo propagandë por një brez i ri politikanësh në Parlament. Ndërkaq, e pyetur për rezultatin kandidatja për deputete thotë se zgjedhjet do të prodhojnë surpriza të mëdha edhe për më optimistët.
Nga një kalim i shpejtë në faqen tuaj zyrtare në Facebook, janë evidente takimet të shumta me grupe të vogla njerëzish, si tregtarë dhe grupe të tjera të shoqërisë. Së pari, sa të efektshme e shihni këtë lloj për rezultatin përfundimtar dhe çfarë impakti merrni prej njerëzve në qarkun ku ju kandidoni?
Fushata zgjedhore e një partie politike në vetvete ka disa qëllime: të prezantojë kandidaturat e saj, të paraqesë platformën politike paraprake, me të cilën pretendon të udhëheqë drejtimin e vendit në rast fitoreje, të mobilizojë strukturat dhe anëtarësinë për shtimin e radhëve dhe maksimizimin e votave, për të rezultuar fituese. Të gjitha këto qëllime në filozofinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk arrihen nëse nuk ke komunikim të vazhdueshëm dhe të thjeshtë me qytetarët. Janë pikërisht këto dy elementë që i japin një partie politike mundësinë e shkëlqyer për t’u përmirësuar brenda vetes. Nëpërmjet kontaktit të përhershëm dhe komunikimit, lidershipi i një force politike mund të kuptojë nëse puna e bërë nga përfaqësuesit e saj është në lartësinë e duhur dhe nëse kandidaturat e ofruara janë më të mirat. Gjithashtu, nga takimet me qytetarët apo me grupe të caktuara interesi apo profesionistësh mundet jo vetëm që të pasurojë e përmirësojë platformën politike që prezanton, me ide të reja e të vlefshme, por edhe të kuptojë pozitën e saj në raport me zgjedhësit. Lëvizja Socialiste për Integrim që nga formimi i saj ka aplikuar filozofinë e të qenurit sa më pranë qytetarëve, jo vetëm në periudha zgjedhore, por çdo herë që ata kanë nevojë dhe kjo ka rezultuar si çelësi më i madh i suksesit tonë. Me këtë kulturë pune është mbrujtur çdo përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në nivel qendror e vendor, i ri e i vjetër, grua apo burrë. Takimi i qytetarëve, dëgjimi i problematikave të tyre, zgjidhja e këtyre problematikave brenda kornizave ligjore, është një proces i nevojshëm që duhet të bëhet në çdo kohë, e aq më tepër në këto kohë, ku në Shqipëri po mbizotëron arroganca e thellë e funksionarëve dhe largimi gjithnjë e më tepër nga qytetarët dhe nga problematikat e tyre, çka krijon një hendek të madh mes qytetarëve dhe të zgjedhurve. Kjo lloj fushate për ne ka rezultuar e suksesshme pasi mbështetja e qytetarëve nëpërmjet votës ka ardhur gjithnjë në rritje dhe impakti, që personalisht marr nga banorët e qarkut të Beratit është i shkëlqyer. Çdo ditë e më shumë bindem që në këtë qark Lëvizja Socialiste për Integrim do thyejë paragjykimet dhe do jetë forcë e parë politike, duke u bërë lokomotiva e fitores tonë në të gjithë vendin.
Si do të arrijë LSI-ja të dalë forcë e parë? Është qëllim i realizueshëm?
Sigurisht që është qëllim i realizueshëm! Ne kemi struktura të organizuara në mënyrë të shkëlqyer, kemi forume që funksionojnë çdo ditë edhe kur nuk jemi në fushatë zgjedhore, kemi përfaqësues që janë të palodhur dhe shtojnë radhët, me njerëz të rinj e ide të reja, kemi një platformë politike realiste, e cila nuk premton asgjë të parealizueshme dhe mbi të gjitha kemi një strukturë shpërthyese të rinjsh. Ata janë pikërisht motivi për të cilin punojmë te gjithë, por në ndryshim nga gjithë forcat e tjera politike në vend, ne i përfshijmë të rinjtë në çdo proces të rëndësishëm partiak. Të rinjtë tanë janë jo vetëm pjesë e strukturave tona të brendshme por janë të zgjedhurit e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të çuar përpara këtë sfidë të madhe, drejt integrimit të vendit në BE. Të rinjtë tanë nuk janë as për fasadë, as për propagandë për republika të reja e as si mjet për të marrë votat; të rinjtë tanë dëgjohen, vendosin vetë për veten e tyre dhe imponojnë vendimet e tyre jo vetëm në parti, por edhe duke u bërë iniciatorë të ndryshimeve ligjore. Janë pikërisht këto arsye që do të na çojnë të sigurt drejt fitores së padiskutuar më 25 Qershor.
Përgjatë këtyre ditëve të fushatës është i dukshëm fokusi i LSI-së tek të rinjtë. Çfarë duhet të presin të rinjtë nga një fitore e mundshme e LSI-së?
Është normal fokusi tek të rinjtë për aq kohë sa flasim për të ardhmen e vendit dhe në këtë të ardhme të rinjtë duhet të jenë kontribuuesit më të mëdhenj. Kontributi i tyre duhet të jetë o drejtpërdrejtë, jo vetëm nëpërmjet votës, por mbi të gjitha nëpërmjet përfaqësimit dhe zgjedhjes së tyre. Vetëm duke përfshirë të rinj në listat fituese mund të hartohen politika të vërteta për të rinjtë dhe duhet të jenë pikërisht ata, të cilët kur të përfaqësojnë në Parlament apo qeveri, të bëjnë gjënë e duhur për veten dhe bashkëmoshatarët e tyre, pasi ata e dinë më mirë se kushdo se çfarë është më e mira për ta. Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar tashmë një trupë të tërë politikanësh të rinj, të cilët do të përbëjnë gjeneratën e re të politikës shqiptare. Ajo që të rinjtë do marrin nga fitorja e sigurt e Lëvizjes Socialiste për Integrim do jetë punësim, konkretisht 100.000 vende të reja pune të dedikuara vetëm për ta, në sektorin publik e privat, subvencionim të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për bizneset që punësojnë të rinj, konsultim të politikave arsimore dhe kurrikulave akademike me biznesin, me qëllim orientimin sipas nevojave të tregut dhe sektorit privat, grante deri në 3.000 euro për bizneset Start-up që janë në pronësi të të rinjve dhe kredi të buta me interes 2%, investim në ringritjen e shkollave profesionale si dhe aplikimi i Programeve Afatshkurtra të Trajnimit, të cilat do të njihen me ligj dhe dokumentacion si eksperiencë pune. Këto do të jenë fokuset kryesore të 4 viteve të ardhshme, të cilat sigurisht do të pasurohen sipas ekzigjencave të kohës dhe në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.
Ju keni qenë ndër deputetet e para që keni shprehur hapur mendimin se LSI-ja duhet të dalë e vetme në zgjedhje. Kjo tashmë është e realizuar por njëkohësisht është shoqëruar me debate se një gjë e tillë e penalizon, mes partive të tjera të vogla, edhe LSI-në. Mendoni se LSI-ja është e penalizuar?
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk penalizohet në asnjë rast, për një arsye të vetme. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është më një parti e vogël! Jam shumë krenare që edhe pse kemi gjysmën e “moshës” së partive të tjera në vend, jemi të strukturuar, të konsoliduar dhe me bindje kërkojmë të jemi forcë e parë. Madje, jam e lumtur që dëshira ime u realizua dhe çdo forcë politike do të jetë e vetme përballë qytetarëve në këto zgjedhje, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të shpalosim gjithë potencialet tona dhe sigurisht të provojmë veten. Ne jemi më shumë se të realizuar tashmë që rezultoi se përpjekjet tona për zgjedhje të lira e të ndershme, me pjesëmarrjen e opozitës nuk qenë të kota, pasi vetëm kështu garantohet demokracia dhe loja politike bëhet interesante. Jam e sigurt që qytetarët shqiptarë do dinë të zgjedhin më të mirët dhe mendoj se do ketë surpriza të mëdha edhe për më optimistët.
Njëkohësisht kanë filluar të diskutohen edhe mundësitë për koalicionet paszgjedhorë. Ju personalisht çfarë mendimi keni, me cilën forcë politike duhet të bëjë koalicion paszgjedhor LSI-ja?
Lëvizja Socialiste për Integrim në vitin 2009 i dha një shans Partisë Demokratike për të qenë edhe një mandat në krye të drejtimit të vendit dhe së bashku realizuam një proces mjaft të rëndësishëm, siç është ai i liberalizimit të vizave, ku qytetarët shqiptarë mund të lëviznin lirisht në Europë, pa pasur nevojë të endeshin dyerve të ambasadave dhe konsullatave, për të vizituar të afërmit e tyre apo për të kaluar pushimet jashtë Shqipërisë. Në vitin 2013, LSI i dha një shans Partisë Socialiste për të qeverisur dhe përsëri realizuam disa nga premtimet që iu dhanë qytetarëve, siç ishte çelja e negociatave me BE, reformimi i sistemit të drejtësisë dhe reformimi administrativo-territorial, i cili rezultoi mjaft i suksesshëm. Tani mendoj që ka ardhur koha që Lëvizja Socialiste për Integrim të marrë shansin e saj dhe të drejtojë vetë vendin drejt integrimit në BE. Qytetarët e ndjejnë se e vetmja forcë politike që punon për ta dhe për stabilitetin politik, ekonomik dhe social të vendit është LSI prandaj jam e bindur që do na e japin këtë shans.
Ju keni mbyllur një mandat në Parlament. Çfarë vlerësimi do i vendosnit vetes sa i përket angazhimit tuaj në Parlament dhe çfarë pritshmërish keni për legjislaturën e ardhshme?
Angazhimi im në procesin ligjbërës ka qenë maksimal dhe po aq jam përpjekur që ky angazhim të jetë maksimal edhe në zonën që përfaqësoj. Kam ngritur zërin për çdo problem që i takonte zonës nga ku kam dalë deputete dhe kam zgjidhur sa kam mundur, me qëllim për t’i shërbyer interesave të qytetarëve të Beratit. Pritshmëritë e mia për legjislaturën e ardhshme fokusohen më së shumti mbi qarkun në të cilin kandidoj, me qëllim përthithjen e sa më shumë investimeve për atë qark, si nga buxheti i shtetit, ashtu edhe nga donatorë vendas e të huaj, zhvillimin e turizmit, hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e infrastrukturës rrugore, e cila vazhdon të mbetet problem i madh në atë zonë e shumë prioritete të tjera, të cilat jam e sigurt që do të jenë në vëmendjen maksimale të përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim.