Silva Caka: LSI, një forcë gjeneruese pozitive për Shqipërinë

 

Interviste me deputeten e LSI, Berat zj. Silva Caka.

 

Pyetje 1: Nese do t’Ju jepnit te drejten te vleresonit me nota nga 4 deri ne 10 qeverine qendrore, cilen note do t’i jepje?

Nuk është e lehtë të vlerësosh punën e qeverisë dhe aq më tepër t’I vendosësh notë asaj, sidomos kur njihet dinamika dhe vështirësia e punës së një qeverie. Qeverisja është një proces I vështirë për çdo parti politike, në çdo vend të botës, por në vende si Shqipëria, ku sfida kryesore është reduktimi I varfërisë dhe hapja e vendeve të reja të punës, qeverisja kthehet gati në një mision të pamundur, që kërkon vullnet të hekurt, konsensus dhe vizion të gjerë, për të rezultuar relativisht e suksesshme. Gjithashtu mendoj që duke qënë në mes të mandatit, pavarësisht se është bërë gjysma e punës, duhet të presim për të parë rezultatin final të aksioneve të nisura, apo edhe impaktin social të atyre që kanë nisur zbatimin. Vetëm pasi të kemi bërë rezymenë e gjithckaje që ka ndodhur dhe do të ndodhë gjatë këtij mandati qeverisës, atëherë mendoj se do të jem në gjendje të vlerësoj me notë punën e qeverisë.

Pyetje 2: Berati dhe Skrapari jane kthyer si bastione te LSI per faktin qe Ilir Meta eshte nga kjo zone apo se PS-ja ka punuar dobet me kete zone?

Çështja nuk duhet shtruar as në njërën e as në tjetrën mënyrë. Historia e suksesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë qark, nis që në themelimin e saj në vitin 2004, ku një pjesë e mirë e anëtarëve dhe firmëtarëve, ishin nga ky qark. Pra, që në fillimet e LSI-së, ky qark ka dhënë mbështetje të gjerë dhe të pakushtëzuar. Në mbështetje të kësaj, do të doja t’ju rikujtoja se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, ku deputetët zgjidheshin ende me sistemin maxhoritar, kur nuk kishte kaluar as një vit nga krijimi I saj, Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi vetëm një mandat për deputet, mandat I cili u fitua pikërisht në këtë qark. Përkushtimi I treguar prej Z. Meta ndaj banorëve të kësaj zone, bëri që edhe në zgjedhjet pasardhëse vendore dhe parlamentare, Lëvizja Socialiste për Integrim të kishte rezultate të larta vit pas viti, në të 5 bashkitë e qarkut. Më pas, punën dhe përkushtimin e nisur prej tij, e vazhduan me të njëjtin seriozitet edhe të zgjedhurit vendorë dhe qendrorë të LSI-së, duke rritur kështu respektin dhe mbështetjen ndaj alternativës që ofron Z. Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Pyetje 3: Keni marre edhe bashkine e Beratit, pervecse Corovodes. A mendoni se PS-ja ne Qeveri ka xhelozi per LSI dhe nuk jep shume fonde per bashkite tuaja? 

Në marrëveshjen politike parazgjedhore, ku u përcaktuan modalitetet për propozimin dhe mbështetjen e kandidatëve për kryetarë të njësive vendore, morën pjesë Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialiste dhe shumë subjekte të tjera politike, që formojnë Aleancën për Shqipërisë Europiane. Në atë proces që u diskutua shumë nga mediat në atë kohë, si proces I stërzgjatur, u diskutua me shumë përgjegjshmëri, konsensus dhe duke patur në fokus interesin më të lartë të këtyre njësive të reja vendore dhe të komuniteteve që jetojnë në to, mbi përkatësinë politike të kandidatëve që u propozuan për drejtues të këtyre njësive. Duke patur dakordësi dhe konsensus në këtë proces, unë nuk mendoj se ka arsye për të xhelozuar mbi njësi specifike vendore, apo aq më tepër të shkohet deri në irracionalitete të llojit të mohimit të fondeve dhe investimeve.

Për më tepër, gjithë qarku I Beratit, pra gjithë njësitë vendore pjesë të tij, nga 2013 e deri më tani, kanë qënë në vëmendje të vazhdueshme të Qeverisë dhe të deputetëve të dalë nga ky qark, duke përfituar investime të herëpashershme, jo vetëm nga buxheti I shtetit, por edhe nga projekte europiane dhe investitorë të ndryshëm, të cilat ia kanë ndryshuar faqen këtij qarku në tërësi.

Pyetje 4: Nese shkohet ne zgjedhje te parakohshme parlamentare dhe LSI futet vetem, pa koalicion, pra as me PS e as me PD, sa deputetë do te merrte LSI ne qarkun tuaj?

Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim janë përpjekur maksimalisht që të gjenden afër qytetarëve në këto dy vite qeverisje që lamë pas, duke u përpjekur të zgjidhin hallet dhe problemet e tyre. Korrektesa e treguar prej tyre, por edhe organizimet e shpeshta të strukturave në këtë qark, I kanë dhënë rigjallërim besimit të dhënë prej qytetarëve në zgjedhjet e qershorit të 2013, duke e rikonfirmuar votën për Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet e qershorit që lamë pas. Nuk e di spunton e pyetjes tuaj mbi zgjedhjet e parakohshme, por gjithsesi, për t’iu përgjigjur asaj dhe duke e supozuar këtë situatë hipotetike, me bindje mund të them që Lëvizja Socialiste për Integrim fiton të paktën 3 mandate deputetësh në qarkun e Beratit.

Pyetje 5: Kur dolen kaq shume deputetë te lidhur me krimin a iu vjen paksa zor te thoni se jeni deputete apo jeni mesuar tashme me kete "smog krimi" qe rri akoma ne sallen e parlamentit?

Të jesh deputet e Kuvendit të Shqipërisë ëështë përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Kjo jo vetëm për faktin që zgjidhesh nga një numër I madh qytetarësh, të cilët të besojnë votën e tyre, por edhe sepse më pas bëhesh pjesë e një procesi ligjbërës, I cili kërkon një nivel të lartë profesional dhe integritet të lartë moral. Këto elementë kërkojnë që figura e deputetit të jetë e pastër dhe e denjë për përfaqësim. Në Kuvendin e Shqipërisë, njoh shumë deputetë që I kanë pjesë të pandarë të personalitetit të tyre cilësitë e mira që përmenda më sipër, që kanë investuar gjithë jetën e tyre për të formuar atë personalitet, kështu që nuk shoh arsye për t’u ndjerë të turpëruar për shkak të një apo disa deputetëve të tjerë që nuk janë brenda kornizave të profesionalizmit dhe moralit që përcaktova më lart. Përgjegjësia është personale, jo kolektive dhe për shkak të sistemit zgjedhor që kemi, një pjesë e përgjegjësisë duhe të bjerë edhe mbi lidershipin që I bën ata pjesë të listave shumëemërore. Pavarësisht aktivitetit të tyre ose lidhjeve të tyre me krimin, unë ndihem shumë krenare që bëj pjesë në një subjekt politik, I cili ka zgjedhur t’a përfaqësojë besimin e qytetarëve me individë që nuk kanë asnjë lidhje me krimin, por tashmë edhe për faktin që bëjmë pjesë në një maxhorancë e cila e ka kryer më së miri procesin e pastrimit brenda saj.

Pyetje 6: Cilat premtime duhet te mbani ne Berat e zonat perreth qe te jeni korrekt me çfare keni thene para zgjedhjeve parlamentare?

Berati, përpara vitit 2013, ishte një qark totalisht I aneksuar nga qeverisjet e mëparshme, kështu që gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, na është dashur të prekim shumë çështje të cilat ndikonin në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve të Beratit dhe zonave përreth. Deri tani kemi bërë hapa galopantë përsa I përket infrastrukturës në qark, sidomos me rivënien në funksion të segmenteve rrugorë Lushnje – Berat dhe Berat – Çorovodë, të cilët e kishin paralizuar funksionimin e qarkut. Zhvillim të mirë ka pësuar edhe turizmi, sidomos ai kulturor, duke e vendosur Beratin një ndër dhjetë destinacionet për t’u vizituar për 2016, nga media ndërkombëtare. Rafting në Kanionet e Osumit vazhdon të jetë një nga atraksionet më të mëdha të këtij qarku, pavarësisht se zhvillohet në një periudhë të caktuar të vitit. Bujqësia e qarkut është rigjallëruar, falë projekteve të shumta dhe investimeve nga projektet e Bashkimit Europian, të cilët kanë lëvruar fonde të posaçme për bujqësinë në përgjithësi dhe për zëra specifikë të bujqësisë në veçanti. Jemi përpjekur maksimalisht të vijojmë me punësimin, si një nga premtimet kryesorë të fushatës për zgjedhje parlamentare, jo vetëm duke respektuar legjislacioninnë fuqi për rekrutimin në administratën publike, por edhe duke hapur vende të reja pune, nëpërmjet investimit privat. Qarku I Beratit numëron disa kompani private fasonerie, të cilat kanë në gjirin e tyre një numër shumë të konsiderueshëm të punësuarish. Ju kujtoj se Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërmorri një fushatë kombëtare, për të lehtësuar pozitat financiare dhe burokratike të biznesit fason në raport me shtetin dhe po aq u kujdes edhe për pozitat e të punësuarve në këtë sektor.

Nxitje të zhvillimit të punësimit, qarkut I ka dhënë edhe prezenca e projektit TAP, I cili garanton punësim të konsiderueshëm jo vetëm në numër personash të punësuar, por edhe afatgjatë.

Për vitet që vijojnë do të vazhdohet me përmirësimin e infrastrukturës, ku dua të theksoj zhvillimin e segmentit rrugor që lidh Çorovodën me Përmetin, si një nevojë emergjente, e cila I heq Çorovodës statusin e “xhepit” në hartën e vendit tonë. Gjithashtu do të vazhdohet me investimet në bujqësi, turizëm, ekonomi dhe mbi të gjitha punësim, si një çështje për të cilën asnjëherë nuk do të ndihemi të realizuar mjaftueshëm.

Sigurisht, që për arsye të aneksimit disavjeçar të qarkut, që përmenda më sipër, nuk është asnjëherë mjaftueshëm  të investosh në këtë qark, sidomos me krijimin e njësive të reja vendore, të cilat për shkak të rikonfigurimit gjeografik, janë më të mëdha dhe më të vështira për t’u menaxhuar.

Pyetje 7: Shpresoni se do te kete ndryshime ne qeveri gjate vitit 2016 apo Edi Rama nuk don t'ia dije as per LSI?

Për mua, jo vetëm si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, por edhe si qytetare, e rëndësishme është të vazhdohet me reformat e nisura dhe reforma të reja që planifikohen të ndodhin. Nëse këto procese bëhen të mundura dhe efektive me këtë kabinet qeveritar, atëherë nuk e shoh të nevojshme të ndryshojë qeveria, por nëse këto procese kanë nevojë për personazhe dhe energji të reja, pasi në dy vite këto energji janë shteruar ose keqpërdorur, atëherë le t’I hapet rruga ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Gjithsesi, kjo është një çështje që I takon gjykimit dhe vendimmarrjes së lidershipeve të dy forcave kryesore politike që përbëjnë maxhorancën qeverisëse.

SHKARKO APP